Skip to content
KRIIK

KRIIK

Koalicioni per Reforma, Integrim dhe Institucione te Konsoliduara

Menu
  • Kreu
  • Kush jemi?
  • Çfarë bëjmë
    • Integriteti i zgjedhjeve
      • Zgjedhje Parlamentare 2025
      • Zgjedhje Vendore 2023
      • Zgjedhje Parlamentare 2021
      • Zgjedhje Vendore 2019
      • Hapja e të dhënave zgjedhore
    • Transparenca dhe llogaridhënia
    • Të drejtat e njeriut dhe siguria njerëzore
    • Demokracia e drejtpërdrejtë
    • Programi i Leadership-it
  • Kontakt
  • Shqip
    • Shqip
    • English
Menu

REKOMANDIME – Lidhur me Projektvendimin “Për rregullat dhe kriteret e ndarjes së hapësirave reklamuese zgjedhore në billboarde dhe city lights në mënyrë të barabartë”

Posted on 1 Prill, 202517 Prill, 2025 by admin-2

Shkarko Rekomandimin ne pdf


Në kuadër të gjithë bashkëpunimit të deritanishëm me Institucionin e KQZ-së, bazuar në problematikat e vërejtura në proceset pararendëse zgjedhore si dhe në përvojën e ekspertizën e tij, KRIIK ju paraqet nevojën për marrjen në konsideratë prej Jush të sa më poshtë vijon lidhur me Projektvendimin “Për rregullat dhe kriteret e ndarjes së hapësirave reklamuese zgjedhore në billboarde dhe city lights në mënyrë të barabartë”.

KRIIK ju sjell në vëmendje se gjithë ndryshimet ligjore të miratuara në Kodin Zgjedhor, lidhur me materialet propagandistike kanë për qëllim garantimin e barazisë së palëve në garë, si dhe të një ambienti jo të ngarkuar me postera dhe reklama politike statike.

Në zgjedhjet e vitit 2023, përcaktimet ligjore në Kodin Zgjedhor dhe aktet nënligjore të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, lidhur me këtë çështje nuk u respektuan, nga subjektet zgjedhore dhe institucionet përgjegjëse.

Në këtë situatë KRIIK vlerëson iniciativën e KQZ për rregullimet e nevojshme nëpërmjet Projektvendimit “Për rregullat dhe kriteret e ndarjes së hapësirave reklamuese zgjedhore në billboarde dhe city lights në mënyrë të barabartë”, i cili tregon angazhimin e saj në përmbushje të detyrimeve që i jep ligji, për të kthyer ligjshmërinë tani në fillim të fushatës zgjedhore, si dhe prevalimin e standardeve që dikton Kushtetuta dhe Ligji.

Sa i përket përmbajtjes së projektvendimit, KRIIK sugjeron disa përmirësime si më poshtë vijon:

Fillimisht, titulli i projektvendimit dhe pika 1 e nenit 6 të tij janë problematike pasi i kufizojnë hapësirat publike ku partitë politike mund të afishojnë materiale propagandistike gjatë fushatës në billboard-e, city lights dhe ekrane digjitale. Të treja këto tipologji hapësirash publike janë hapësira me pagesë. Përcaktimi definitiv se hapësirat reklamuese përfshijnë vetëm “billboardet, city lightet dhe ekranet digjitale reklamuese të vendosura në hapësira publike” (neni 6, pika 1 e projektvendimit), dhe kufizon mundësinë që bashkitë të përcaktojnë hapësira publike të tjera ku subjektet zgjedhore të mund të vendosin postera pa patur nevojë të paguajnë. Një qasje e tillë do të diskriminonte partitë politike me burime të kufizuara të cilat mund të mos kenë mundësi të blejnë hapësira publike me pagesë dhe do të krijojë pabarazi në garë, duke favorizuar partitë me më shumë burime financiare.

Për më tepër, ky përcaktim është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, i cili në nenin 2 “Përkufizime”, pika 31 përcakton se “Materiale propaganduese statike” janë materialet që i shërbejnë subjektit zgjedhor për promovimin e fushatës zgjedhore dhe që janë vendosur ose afishuar në vende ose hapësira publike me akses publik, si shtyllat e ndriçimit të rrugëve, fasadat e ndërtesave, sheshet, pjesët ballore të dyqaneve ose ndërtesave, përgjatë rrugëve të qyteteve, rrugëve ndërqytetëse etj.”

Në asnjë pikë të Projektvendimit nuk përmendet detyrimi i Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake për të hequr “…çdo material propagandues të subjekteve zgjedhore në vendet jashtë përcaktimeve të bëra në pikat 1 dhe 2 të [nenit 79 të Kodit Zgjedhor”. Përmendja në mënyrë eksplicite e këtij detyrimi është e domosdoshme për të shmangur mungesën e përmbushjes së detyrimeve ligjore nga këto institucione, situatë e cila u vërejt gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2023. Për më tepër të përcaktohet në vendim afati kohor maksimal 24 deri në 48 orë, gjatë të cilit Policia duhet të përmbushë detyrimin ligjor për heqjen e materialeve propagandistike të vendosura në kundërshtim me ligjin.

Përpos sa më sipër, KRIIK gjykon se KQZ-ja nevojitet të ndërveprojë menjëherë me strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Policive Bashkiake respektive, sipas parashikimeve të ligjit, për protokollin e bashkëpunimit në një kohë sa më të shpejtë, në rastet e konstatimit të posterave dhe billboard-eve që nuk janë konform ligjit.

Disa rekomandime më teknike i gjeni në vijim:

Në lidhje me Nenin 2 – Caktimi i hapësirave të lejuara për reklama

Pika 1: “Bashkitë, jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, hartojnë një listë të hapësirave të lejuara për reklamat zgjedhore dhe menjëherë e publikojnë atë në faqet zyrtare përkatëse si dhe njoftojnë subjektet zgjedhore dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.”

Rekomandime:

1. Të përcaktohet qartë se bashkitë duhet ta publikojnë vendimin menjëherë pasi të merret dhe në një vend të dukshëm në faqen e vet ueb.

2. Nevojitet të specifikohet rregullimi i hapësirave reklamuese në rrugët nacionale. Të përcaktohet qartë në projektvendim se billboard-et duhet të vendosen vetëm në hapësira që janë nën përgjegjësinë e bashkive, për të shmangur keqkuptimet që mund të lindin nga perceptimi se reklamat e vendosura në krah të rrugëve nacionale janë në territorin që i përket rrugës dhe, si rrjedhojë, nuk u nënshtrohen rregullave të bashkisë përkatëse.

            Në këtë frymë, merr rëndësi sërish citimi i qartë në Vendim se reklamat e vendosura në hapësira të tjera, jashtë atyre të përcaktuara në vendimin e Kryetarit të Bashkisë apo 5 metra nga zyrat zgjedhore hiqen nga Policia e Shteti apo ajo Bashkiake.

3. Nevojitet të përcaktohet një limit i qartë mbi hapësirat e lejuara për reklama, në përputhje me frymën e ligjit, i cili synon të shmangë vendosjen e pakontrolluar të reklamave politike në të gjithë qytetin. Kryetarët e bashkive nuk duhet të kenë mundësi të formulojnë vendime të përgjithshme, pa përcaktuar specifikisht adresat përkatëse, sikurse ka ndodhur në disa raste në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Në lidhje me Nenin 3 – Metoda e ndarjes së hapësirave reklamuese

Pika 1: “Hapësirat reklamuese përfshijnë billboardet, city lightet dhe ekranet digjitale reklamuese të vendosura në hapësira publike.”

Rekomandime:

Përpos rekomandimit në hyrje të dokumentit, në lidhje me pabarazinë që ky formulim krijon për partitë me pak burime financiare,

1. Do të ishte e udhës që të përkufizohen termat “billboard”, “city light” dhe “ekrane digjital”, për të shmangur çdo keqkuptim eventual.

2. Nuk është e qartë nëse vendimi shtrihet edhe në hapësirat private. Duhet të përcaktohet qartë nëse ndalimi zbatohet për distanca deri në 5 metra nga zyra zgjedhore, edhe kur reklama vendoset në pronë private.

            Edhe në këtë pikë, merr rendësi sërish citimi i qartë në Vendim se reklamat e vendosura në hapësira të tjera, jashtë atyre të përcaktuara në vendimin e Kryetarit të Bashkisë apo 5 metra nga zyrat zgjedhore, hiqen nga Policia e Shteti apo ajo Bashkiake.

Pika 3: “Subjektet zgjedhore nuk mund të afishojnë materiale propagandistike në billboarde apo city lights të njëpasnjëshme në zonat e përcaktuara për afishim.”

Rekomandim:

Në këtë formulim duhet të qartësohet fjala “e njëpasnjëshme”. Nevojitet që të sqarohet që termi të njëpasnjëshme i referohet të dyja anëve të rrugës, në mënyrë që mos të lihet vend për keqkuptim apo keqinterpretim të fjalës. Pra, të ndalohet afishimi i materieleve propagandistike nga i njëjti subjekt zgjedhor qoftë në mënyrë të njëpasnjëshme, qoftë në dy anë të ndryshme të rrugës.

Pika 5: “Operatorët privatë që ofrojnë shërbimin e reklamimit në billboarde apo city lights, do të operojnë me tarifa standarde për çdo subjekt zgjedhor që i kontrakton për afishimin e materialeve propagandistike.”

Rekomandim:

Tarifat duhet të jenë publike, siç ndodh me mediat. Duhet të përcaktohet detyrimi për publikimin e tarifave ose dorëzimin e tyre në bashki dhe publikimin e tyre në faqen e internetit të bashkisë, si dhe, në KQZ dhe publikimin e tyre në faqen e internetit të KQZ-së. Gjithashtu në funksion të transparencës, dhe për efekt të kontrollit të mëpasshëm të financave të subjekteve zgjedhore, sugjerohet detyrimi për vendosjen e kontratave në dispozicion të KQZ-së.

Pika 6: “City lightet kohën e transmetimit të reklamës politike nuk mund ta kenë më shumë se 15 sekonda/ në 1 orë dhe jo më shumë se 12 orë në ditë për subjekt zgjedhor, në një total prej 90 minutash reklamim politik për periudhën e fushatës zgjedhore.”

Rekomandim:

Këtu duket se flitet për ekranet digjitale, pasi city lightet janë reklama statike. Nevojitet të saktësohet formulimi.

Në lidhje me Nenin 6 – Sanksionet për shkeljet

Rekomandim:

Të shtohet një pikë në lidhje me sanksionet për bashkitë në rast se nuk publikojnë vendimin në faqen e tyre zyrtare menjëherë, Policinë e Shtetit apo Policinë Bashkiake në rastet e mos përmbushjes së detyrimit për heqjen e materialeve propagandistike të vendosura në kundërshtim me ligjin.

Pika 1: “Në rast të shpërndarjes së pabarabartë të hapësirave, Bashkitë urdhërojë rishpërndarjen e hapësirave ose ndalimin e reklamave të vendosura në mënyrë të padrejtë.”

Rekomandime:

1. Duke marrë në konsideratë se fushata zgjedhore zgjat vetëm 30 ditë, duhet të përcaktohet një afat maksimal 24 deri në 48 orë, brenda të cilit bashkitë duhet të rishpërndajnë hapësirat reklamuese në rast të shkeljeve. Kjo do të evitonte që bashki të caktuara të shtyjnë vendimmarrjen, duke krijuar një situatë pabarazie për një pjesë të konsiderueshme të fushatës zgjedhore

2. Të përcaktohen sanksionet që KQZ mund të vendosë ndaj bashkive që nuk e respektojnë afatin.

Lidhur me gjithë sa më sipër, KRIIK sikurse në çdo rast, shpreh gatishmërinë për ti sqaruar apo konsultuar ato në rast të vlerësimit të një nevoje të tilla nga administrata e KQZ.

Zgjedhje 2025

Shpenzime për reklama politike në Facebook dhe Instagram

Postime Së Fundi

  • ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË, 11 MAJ 2025 – DEKLARATA E GJETJEVE DHE KONKLUZIONEVE PARAPRAKE 12 Maj, 2025
  • DEKLARATË – Pjesëmarrja aktive e të gjithë qytetarëve përgjatë procesit zgjedhor të nesërm dhe zbatimi i plotë e me efikasitet i Ligjit prej aktorëve institucionalë, domosdoshmëri jetike për standardet demokratike të vendit 10 Maj, 2025

Postime sipas kategorive

  • Deklarata
  • Denoncime
  • Letra të hapura
  • Qëndrime Publike
  • Raporte
  • Rekomandime
  • Të tjera
  • Zgjedhje Parlamentare 2025
  • Zgjedhje Vendore 2023

KRIIK Facebook

KRIIK ALBANIA

https://www.youtube.com/watch?v=42GUUeDEODc&t=428s

KRIIK Tweets

Follow us

Arkiva

  • Maj 2025 (14)
  • Prill 2025 (11)
  • Mars 2025 (5)
  • Shkurt 2025 (16)
  • Janar 2025 (3)
  • Dhjetor 2024 (5)
  • Nëntor 2024 (3)
  • Tetor 2024 (4)
  • Shtator 2024 (2)
  • Gusht 2024 (4)
  • Korrik 2024 (1)
  • Mars 2024 (1)
  • Shkurt 2024 (1)
  • Janar 2024 (1)
  • Dhjetor 2023 (1)
  • Tetor 2023 (2)
  • Shtator 2023 (2)
  • Gusht 2023 (3)
  • Korrik 2023 (3)
  • Qershor 2023 (1)
  • Maj 2023 (10)
  • Prill 2023 (20)
  • Mars 2023 (8)
  • Shkurt 2023 (5)
  • Janar 2023 (9)
  • Dhjetor 2022 (1)
  • Nëntor 2022 (5)
  • Tetor 2022 (1)
  • Gusht 2022 (1)
  • Qershor 2022 (1)
  • Prill 2022 (1)
  • Mars 2022 (1)
  • Shkurt 2022 (1)
  • Maj 2021 (1)
  • Prill 2021 (10)
  • Mars 2021 (2)
  • Janar 2021 (1)
  • Dhjetor 2020 (3)
  • Nëntor 2020 (1)
  • Tetor 2020 (4)
  • Shtator 2020 (1)
  • Gusht 2020 (1)
  • Korrik 2020 (2)
  • Qershor 2020 (1)
  • Maj 2020 (1)
  • Gusht 2019 (1)
  • Korrik 2019 (1)
  • Maj 2019 (2)
  • Prill 2019 (1)

Postime Së Fundi

  • ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË, 11 MAJ 2025 – DEKLARATA E GJETJEVE DHE KONKLUZIONEVE PARAPRAKE 12 Maj, 2025
  • DEKLARATË – Pjesëmarrja aktive e të gjithë qytetarëve përgjatë procesit zgjedhor të nesërm dhe zbatimi i plotë e me efikasitet i Ligjit prej aktorëve institucionalë, domosdoshmëri jetike për standardet demokratike të vendit 10 Maj, 2025
  • DENONCIM Nr. 31  – Lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore nga disa parti politike, kandidatë dhe media online* 10 Maj, 2025
Prill 2025
H M M E P S D
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  
« Mar   Maj »
©2025 KRIIK | Built using WordPress and Responsive Blogily theme by Superb