Shkarko Rekomandimin ne pdf
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës!
Në kuadër të gjithë bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve të ndryshme, KRIIK ju paraqet shkurtimisht qëndrimin e tij lidhur me projekt-vendimin “Për miratimin e raportit mbi gjetjet nga auditimi i raporteve financiare të partive politike për të ardhurat dhe shpenzimet për vitin kalendarik 2023”.
Fillimisht shprehim shqetësimin tonë lidhur me mos realizimin e procesit të konsultimit për projekt-vendimin në fjalë.
KRIIK ka marrë vetëm dje pasdreke, pas kërkesës së tij, një kopje të Raportit mbi gjetjet nga auditimi i raporteve financiare të partive politike për të ardhurat dhe shpenzimet për vitin kalendarik 2023.
Nga një shqyrtim i shpejtë i Raportit të përgatitur nga Administrata e KQZ, me aq sa mund të lejonte koha, evidentojmë një numër mangësish në kontrollin dhe verifikimin e kryer në lidhje me financimin e partive politike për vitin 2023, si dhe, sërish, konstatojmë se mungon një qasje e plotë dhe proaktive të KQZ-së në zhvillim të përgjegjësive, rolit dhe kompetencave të cilat i janë dhënë nga ligji.
Ky vlerësim bazohet në argumentet e sjella më poshtë në këtë dokument, duke theksuar se këto argumente nuk janë të bazuara në një analizë të thelluar të Raportit, pasi një analizë e tillë do të kërkonte më tepër kohë sesa ajo që kemi patur në dispozicion për t’u njohur me të dhe, si rrjedhim, problematikat nuk kufizohen vetëm në sa më poshtë paraqitet.
Në një pikëpamje të përgjithshme:
Së pari, vlerësojmë se raporti i auditimit i hartuar prej KQZ-së duhet të jetë i plotë, i qartë dhe i saktë, pa lënë asnjë hamendësim, neglizhim apo relativizim të germës së ligjit.
Së dyti, që nga viti 2022, kur u konsultuan dhe miratuan projekt aktet për përmirësimin e raportimit financiar vjetor, u përcaktua që raportimi financiar për vitin kalendarik 2023 do të duhej të kryhej për herë të parë në një format të ri të miratuar dhe nëpërmjet Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF).
Megjithatë, është vërejtur se partitë politike i kanë përmbushur këto detyrime në një masë shumë të vogël.
Për më tepër, edhe në rastet kur partitë kanë raportuar përmes PERF, duke përdorur formatin e miratuar nga KQZ, janë evidentuar probleme në plotësimin e deklarimeve përkatëse.
Së treti, përtej mosraportimit në PERF, konstatohet gjithashtu se dorëzimi i raporteve u bë në një format të ndryshëm nga i ai i standardizuar dhe i miratuar nga KQZ.
Si rezultat, këto raporte janë ende larg ofrimit të informacionit të nevojshëm, një mangësi që nuk përmendet fare në raportin e hartuar nga administrata.
Situata bëhet edhe më shqetësuese, pasi ndër subjektet me këto probleme janë edhe partitë kryesore dhe ato më të mëdha politike në vend.
Së katërti, vërehet se raporti nuk përmban asnjë informacion nëse janë kontrolluar dhe verifikuar nga Administrata raportet e vetëdeklarimit të partive politike në përmbajtjen e tyre. Nëse po, a janë kryqëzuar të dhënat në përmbajtje të tyre me ato të paraqitura në raportet e auditëve? A janë kontrolluar deklaratat e dhurimeve?, apo të tjera informacione të nevojshme për të gjykuar mbi metodologjinë e ndjekur nga administrata e KQZ-së në procesin e verifikimit.
Përpos sa më sipër, KRIIK vëren edhe një numër mospërputhjesh mes të dhënave të pasqyruara në raportin e hartuar nga administrata e KQZ dhe monitorimit të kryer prej nesh në vijimësi.
Disa prej tyre (listë jo shteruese), janë:
– Një numër partish që kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2023 dhe kanë deklaruar në raportimin financiar zgjedhor se kanë pasur aktivitet financiar, në raportin vjetor deklarojnë zero të ardhura dhe shpenzime.
– Po ashtu, ndodh edhe e kundërta: disa parti që në raportin e fushatës deklarojnë zero aktivitet financiar, më pas në raportin vjetor raportojnë shpenzime dhe të ardhura të lidhura me fushatën zgjedhore të vitit 2023.
Referuar faqes së internetit të KQZ, rezulton se 44 parti politike kanë depozituar një raport vetëdeklarimi në KQZ (27 nëpërmjet PERF dhe 17 janë në variant të skanuar).
Ndërkohë, në Raportin e hartuar nga administrata citohet se janë 50 raporte.
Është e paqartë nëse diferenca është mungesë postimi në faqen e internetit të KQZ-së të raporteve apo gabim në Raportin e paraqitur.
Një numër partish nuk e kanë dorëzuar raportin financiar vjetor brenda afatit ligjor, por në raportin e KQZ janë përfshirë në listën e partive ku raporti është dorëzuar në afat.
Madje, në këtë raport problematika e dorëzimit të raporteve jashtë afatit nuk përmendet fare.
Një shembull i qartë për këtë është Raporti Vjetor i Partisë Socialiste, i cili sipas vulës së protokollimit të KQZ-së është dorëzuar në maj 2024 (afati i fundit është 31 mars 2024), ndërkohë që përfshihet në listën e partive që e kanë dorëzuar atë në kohë.
Sa i përket auditimit, auditët kanë sjellë në KQZ informacion për 101 parti politike.
Vlen të theksohet që është informacion, pasi auditim të mirëfilltë duke konkluduar në një opinion final (me rezervë apo pa rezervë) kanë kryer vetëm për 18 parti politike.
Të dhënat e paraqitura në raportin e hartuar nga administrata janë të paraqitura të ndërlidhura me dorëzimin e raporteve të vetëdeklarimit, çka në gjykimin e KRIIK e konfuzon informacionin e dërguar.
Gjithë sa më sipër, konsiston shumë përmbledhtas në disa tipologji problematikash, në mungesë të kohës së mjaftueshme për një analizë të plotë, e cila konsiderohet e nevojshme.
Në këto kushte sugjerohet që KQZ, ta shtyjë vendimmarrjen e saj lidhur me këtë projekt-vendim.
Kjo do tëmundësonte një proces të plotë dhe eficient konsultimi, si dhe kryerjen e një analize më të plotë të gjetjeve të konstatuara.