Shkarko Rekomandimin ne pdf
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Institucionin e KQZ-së, KRIIK vlerëson iniciativën për ndryshimet e propozuara në Vendimin Nr. 11 datë 25.03.2021, duke theksuar se ky ndryshim është i domosdoshëm për të siguruar një proces zgjedhor më të rregullt dhe transparent.
Ndryshimet e propozuara në projekt-akt, janë në linjë me Rekomandimet që KRIIK i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më datën 20 shkurt 2025, ku theksohet nevoja për përmirësimin e kuadrit rregullator për të garantuar fshehtësinë e votës dhe një mjedis të lirë nga intimidimi gjatë ditës së zgjedhjeve, duke ndërmarrë masa që detyrojnë Komisionet e Qendrave të Votimit të monitorojnë rregullisht mjedisin përreth për praninë e personave të paautorizuar dhe të raportojnë tek Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) mbi situatën duke e patur në kontroll vazhdimisht atë.
Pas njohjes me projekt-aktin dhe rekomandimeve të ofruara ndaj administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë verbale,
KRIIK paraqet në vijim këto rekomandime edhe me shkrim, me synimin që amendimet e Vendimit nr. 11, datë 25.03.2021, të Komisionit Rregullator “Për mënyrën e ngritjes, organizimit, funksionimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve në Qendrën e Votimit, të ndryshuar” të jenë më të plota dhe akti të jetë më efektiv në zbatim.
I. Rekomandime për saktësimin e amendimeve të propozuara:
Pika I.1.
KRIIK sugjeron që dy fjalitë e fundit të pikës 5 që shtohet të formulohen më qartë, në mënyrë që të saktësohet mënyra e përzgjedhjes së koordinatorëve të sigurisë.
Një formulim alternativ do të ishte:
“Si rregull, koordinator sigurie caktohet anëtari me detyrën e mbajtjes së radhës dhe/ose një anëtar tjetër. Në asnjë rast nuk mund të caktohen si koordinatorë sigurie kryetari, sekretari apo anëtari i KQV-së që timbron zgjedhësit. Në ndarjen e detyrave, KQV-ja nuk i ngarkon këta anëtarë me detyra të tjera thelbësore, të cilat mund të pengojnë procesin e votimit.”
Ndryshimi i propozuar në fjalinë e parë lejon mundësinë që të dy koordinatorët e sigurisë, në ndërtesat ku ka më tepër se një qendër votimi të jenë personat e ngarkuar për mbajtjen e radhës, pasi duke përdorur vetëm lidhësen “dhe”, mund të kuptohet sikur koordinatori i dytë të jetë patjetër një nga anëtarët e KQV-së me detyra të tjera. Ndërkohë që do të ishte e preferueshme që në të gjitha rastet, me sa të jetë e mundur, këta të jenë personat e ngarkuar për të mbajtur radhën.
Pika I.2..
KRIIK e vlerëson si një hap pozitiv përfshirjen e detyrimit të komisionerëve për të marrë pjesë në trajnim, duke qenë se mospjesëmarrja ka qenë një problematikë e përsëritur.
Është e nevojshme që KQZ të ushtrojë presion të qartë dhe konstant ndaj Partive Politike dhe anëtarëve të KQV-ve të propozuar prej tyre, për të marë pjesë në trajnime, duke u kërkuar KZAZ-ve të zbatojnë me përpikmëri nenin 39, pika 1 gërma “ç” të Kodit Zgjedhor: “Anëtari dhe sekretari i KQV-së shkarkohen nga detyra me vendim të KZAZ-së kur: ç) nuk marrin pjesë në trajnimet ose nuk kalojnë testimet e organizuara nga KQZ-ja.”
Po ashtu është e nevojshme që KQZ të marrë menjëherë kopje të vendimeve të KZAZ-ve për ngritjen e KQV-ve sipas afateve që parashikon Kodi Zgjedhor (jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve), duke mos lejuar fiktivitetin e këtyre vendimeve, apo marrjen e tyre vetëm disa ditë para ditës së zgjedhjeve zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet tua bëjë të qartë partive politike, propozuese të anëtarëve të komisioneve zgjedhore, se shkelja e ligjit përsa i përket problematikës së mësipërme, qoftë nga ana e tyre, qoftë nga ana e anëtarëve të propozuar prej tyre, nuk do të tolerohet.
KRIIK nxit KQZ-në të lexojë këtë sjellje të tyre si një sjellje të qëllimshme që shkon në favor të dëshirave dhe interesave të tyre, ndaj si e tillë, shkeljet e dispozitave të ligjit dhe mosmarrja e masave të menjëhershme për ndërprerjen e shkeljes, të konsiderohen si kundërvajtje administrative e kryer prej subjekteve zgjedhore sipas parashikimeve të nenit 172 pika 1 dhe 2 e Kodit Zgjedhor.
Në këtë kuadër, KRIIK sugjeron më poshtë përmirësime të mëtejshme të projekt-aktit për të garantuar një trajnim më efektiv dhe angazhues. Konkretisht:
- Detyrimin e KQZ-së për organizimin e trajnimeve shtesë.
KQZ-ja duhet të parashikojë seanca trajnimi shtesë, të cilat të zhvillohen qoftë edhe një ditë para zgjedhjeve, për të trajnuar ata komisionerë që për çfarëdo arsyeje nuk kanë mundur të marrin pjesë në trajnimin e parë, apo janë zëvendësuar në momentet e fundit.
- Futjen e trajnimeve online.
Nëse KQZ-ja ka mundësi teknike, trajnimet mund të zhvillohen edhe online, duke ofruar fleksibilitet për komisionerët që ndodhen larg ose kanë vështirësi për pjesëmarrjen fizike në trajnime.
- Parashikimin e sanksioneve financiare për partitë politike.
KRIIK sugjeron që në projekt-akt të përfshihet vendosja e sanksioneve administrative, sipas nenit 172, për partitë politike nëse komisionerët e emëruar prej tyre nuk marrin pjesë në trajnim. Penaliteti financiar mund të përdoret për të mbuluar shpenzimet e trajnimeve shtesë për komisionerët që nuk janë trajnuar më parë ose që janë zëvendësuar në momentin e fundit.
Me ndërmarrjen e këtyre hapave shtesë, të cilët sigurojnë që të gjithë komisionerëve t’iu jepet më shumë se një mundësi që të trajnohen duke eliminuar mundësinë për justifikime apo pamundësi objektive, do të justifikohet plotësisht sanksionimi i komisionerëve të pa trajnuar me mosdhënien e pagesës.
Pika I.3.
KRIIK vëren se formulimi i pikës 3 që shtohet nuk është mjaftueshëm i detajuar dhe nuk përcakton qartë se cilat veprime janë të ndaluara për vëzhguesit.
Gjithashtu, nuk specifikohen sanksionet që parashikohen në rast të shkeljes së rregullave nga ana e tyre.
Një formulim alternativ dhe më gjithëpërfshirës, në gjykimin e KRIIK do të ishte:
“Vëzhguesit e akredituar kanë përgjegjësinë të monitorojnë procesin e votimit në mënyrë të paanshme dhe pa ndërhyrë në asnjë aspekt të tij. Ata nuk kanë të drejtë të ndërveprojnë drejtpërdrejt me zgjedhësit apo të marrin informacion mbi të dhënat personale, përkatësinë apo preferencat e tyre zgjedhore. Komisioni i Qendrës së Votimit (KQV) nuk lejohet t’i japë asnjë personi të tretë të dhëna që mund të identifikojnë zgjedhësit që paraqiten për të votuar apo të atyre që nuk janë paraqitur ende, përfshirë thirrjen me zë të lartë të emrit/numrit zgjedhor apo të të dhënave të tjera identifikuese në momentin që zgjedhësi paraqitet në QV.
Vëzhguesit nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim që mund të ndikojë, të frenojë apo të ndërpresë lirinë dhe fshehtësinë e procesit të votimit. Në këtë kuadër, ata nuk duhet:
- Të kundërshtojnë, pengojnë apo të ushtrojnë asnjë lloj presioni ndaj zgjedhësve gjatë votimit;
- Të angazhohen në çfarëdo forme propagande elektorale brenda qendrës së votimit ose në një perimetër prej 150 metrash nga hyrja e saj;
- Të përdorin pajisje për të dokumentuar, fotografuar, filmuar ose regjistruar identitetin e zgjedhësve apo veprimet e tyre;
- Të shpërndajnë informacion të rremë ose të keqinterpretojnë ecurinë e procesit të votimit;
- Të bllokojnë hyrjen, daljen apo qarkullimin normal në ambientet e qendrës së votimit;
- Të ndërhyjnë, të konfrontohen apo të ushtrojnë trysni mbi zgjedhësit për të marrë informacione personale ose për t’i ndikuar në vendimmarrjen e tyre.”
Gjithashtu, KRIIK gjykon se është thelbësore që këto ndalime të shoqërohen me sanksionin përkatës në rast të shkeljes së tyre, duke parashikuar se nëse një vëzhgues shkel këto rregulla, KQV-ja, me iniciativën e cilitdo prej anëtarëve të saj, duhet të njoftojë menjëherë KZAZ-në dhe KQZ-në për të marrë masat për ç’akreditimin e vëzhguesit dhe largimin e tij nga qendra e votimit.
Madje sugjerohet që ç’akreditimi i vëzhguesve politikë të bëhet në seancë publike nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Nëse vëzhguesi refuzon të largohet, të thirret Policia e Shtetit për të vendosur rregull në qendrën e votimit.
Pikat I.4.
KRIIK vëren se pikat 6, 7 dhe 8 që shtohen nuk përcaktojnë qartë hapat që duhet të ndjekin Koordinatorët e Sigurisë kur evidentojnë probleme të sigurisë, duke krijuar paqartësi në zbatimin praktik të rregullave.
Konkretisht:
- Nuk është e qartë nëse Koordinatorët e Sigurisë kanë të drejtë të largojnë persona të paautorizuar vetë apo thjesht duhet ta raportojnë situatën dhe të presin ndërhyrjen e KQV-së, KZAZ-së, apo të Policisë së Shtetit.
- Nuk përcaktohet qartë nëse raportimi te KQV-ja, KZAZ-ja dhe Policia e Shtetit duhet të bëhet në mënyrë graduale (fillimisht te KQV-ja dhe më pas tek instancat e tjera) apo në mënyrë të menjëhershme dhe të njëkohshme tek të treja.
- Nuk ka qartësi mbi dokumentin që do të përdoret për dokumentimin e problemeve apo formatin e raportimit prej Koordinatorëve të Sigurisë.
- Në pikën 6 thuhet se Policia e Shtetit mund të thirret për ndërhyrje të menjëhershme, por nuk specifikohet se kush merr vendimin për një ndërhyrje të tillë, apo nëse Policia e Shtetit është e detyruar në çdo rast të ndërhyjë automatikisht me kërkesën e Koordinatorëve të Sigurisë dhe në një rast të tillë cilat kritere duhet të plotësohen për të justifikuar këtë veprim.
Akoma më e paqartë bëhet rrjedha e veprimeve nëse konsiderohet se në pikën 7 citohet se Koordinatorët e Sigurisë “informojnë KZAZ-në, në rastet kur situatat kërkojnë ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, e cila më pas e kërkon zyrtarisht këtë ndërhyrje”, ndërkohë që në pikën 8 citohet se “Në rastet kur Koordinatorët e Sigurisë konstatojnë incidente në ambientet e jashtme të Qendrave të Votimit (QV), ata informojnë menjëherë Komisionin/et e Qendrës së Votimit që ndodhen në objekt dhe Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Në bazë të këtij informacioni, KQV-ja mund të vendosë pezullimin e përkohshëm të votimit dhe njofton Policinë për veprimet e mëtejshme”.
Parashikimet në të tre pikat, në gjykimin e KRIIK, krijon konfuzion mbi radhën e veprimeve që duhet të ndiqen nga Koordinatorët e Sigurisë dhe se kush e ka kompetencën për të njoftuar policinë, ndërkohë që llojet e veçanta të problematikave nuk përcaktohen qartë.
Gjithashtu, paraqitet paqartësi përpara Policisë së Shtetit se nëse ajo duhet të marrë një konfirmim zyrtar nga KZAZ-ja apo KQV-ja, përpara se të ndërhyjë.
Për gjithë sa më sipër, KRIIK propozon që të detajohen kompetencat e Koordinatorëve të Sigurisë në mënyrë të qartë në raport me personat e paautorizuar, të saktësohet metodologjia e raportimit dhe e njoftimit të KQV-së, KZAZ-së, si dhe e Policisë së Shtetit.
Nëse gjykohet se në raste të ndryshme, protokolli i veprimeve të Koordinatorëve të Sigurisë duhet të jetë i ndryshëm, nevojitet të përkufizohen qartë situatat e ndryshme dhe veprimet konkrete që duhet të kryejnë Koordinatorët e Sigurisë, KQZ-ja, KZAZ-ja dhe Policia në secilin rast.
Megjithatë, duke qenë se ky mekanizëm po vendoset në funksion për herë të parë, KRIIK propozon një qasje më fleksibël.
Konkretisht, sugjerohet që Koordinatorët e Sigurisë të kenë për detyrë:
- Të njoftojnë personat e paautorizuar se janë duke kryer një shkelje dhe të kërkojnë që ata të largohen.
- Në rast refuzimi, të njoftojnë paralelisht KQV-në/të, Sekretarin e KZAZ-së, KQZ-në dhe Policinë e Shtetit për problematikën dhe të kërkojnë ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, duke iu dërguar foton e dokumentit me të cilin dokumentohet shkelja, provat e mundshme, si dhe kërkesen për nevojën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit dhe të njoftimit paralelisht të KQV-së e KZAZ-së përkatëse, si dhe të KQZ-së.
II. Rekomandime mbi aspekte që mungojnë në projekt-akt:
1. KRIIK vëren se në parashikimet e bëra mungon një mekanizëm i cili do të garantojë që Koordinatorët e Sigurisë do të tregohen të përgjegjshëm dhe do ta kryejnë detyrën e tyre me korrektësi.
Duke marrë në konsideratë se sistemi i patronazhimit përdoret nga thuajse të gjitha partitë politike, Koordinatorët e Sigurisë mund të ndodhen apo ndihen nën presion nga militantët e partive përkatëse apo kundërshtare për të mos e kryer detyrën e tyre.
Në mënyrë që mekanizmi të jetë funksional, KRIIK propozon se KQZ-ja duhet të mundësojë që edhe qytetarët të mund të denoncojnë praninë e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit.
Qytetarët (përfshirë vëzhguesit, gazetarët, etj.,) të kenë të drejtën të njoftojnë drejtëpërdrejtë Koordinatorët e Sigurisë, të cilët duhet të mbajnë veshje/shenja lehtësisht të dallueshme.
Gjithashtu, qytetarët të kenë të drejtë të njoftojnë edhe KQZ-në nëpërmjet një linje telefonike apo të tjera mënyrave të komunikimit të dedikuara direkt në KQZ.
Ky mekanizëm gjykohet se do të rrisë mundësinë që Koordinatorët e Sigurisë të kryejnë detyrën e tyre më me efektivitet, duke garantuar që, edhe nëse ata nuk do të kenë vullnet apo mundësi për ta kryer detyrën, të funksionojë një mekanizëm shtesë për marrjen e njoftimit drejtpërdrejtë nga KQZ-ja mbi problematikat jashtë qendrave të votimit.
Ky mekanizëm shtesë jo vetëm do të nxisë Koordinatorët e Sigurisë të përmbushin detyrimin e tyre, por edhe do t’i lehtësojë e mbrojë ata nga konflikte të mundshme të drejtëpërdrejta apo urdhëra të mundshëm politikë që mund tu jepen për të mos zbatuar ligjin. Gjë që mund të ndodhë rëndom në kontekstin vendas, nqs ata do të lihen si kanal i vetëm informimi e denoncimi.
2. Për të mos e rënduar më tej aktin me teknikalitete e detajime, KRIIK rekomandon që të përcaktohet qartë në projekt-akt se Komisioni Rregullator ngarkon Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve që të nxjerrë udhëzime më të detajuara për metodologjinë e funksionimit të të gjithë mekanizmit dhe detyrave të Koordinatorëve të Sigurisë.