Shkarko Rekomandimin ne pdf
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Institucionin e KQZ-së, gjeni më poshtë rekomandimet e KRIIK në lidhje me Projektvendimin “Për rregullat e përdorimit të rrjeteve sociale dhe medias online nga institucionet publike në zgjedhje”.
Filimisht theksohet se vlerësohet pozitivisht iniciativa e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për të adresuar problematikën e përdorimit të rrjeteve sociale të institucioneve publike për propagandë partiake dhe elektorale, një problematikë të cilën Komisioni Rregullator dështoi sërish ta adresonte në mënyrë të qëndrueshme, duke mos gjetur dakordësinë për të amenduar Vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 “Për rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”.
Lidhur me projekt-aktin e dërguar për mendim vlerësohet se nevojitet të merret në konsideratë:
1. Bërja më e qartë e dallimit mes profileve personale dhe atyre zyrtare të funksionarëve publikë në rrjetet sociale.
Në mënyrë që Vendimi të mund të bëhet i zbatueshëm në praktikë, është e nevojshme që të përcaktohen qartë kriteret që e dallojnë një profil personal nga një profil zyrtar në mediat sociale.
Përfshirja e këtyre kritereve në projektvendim do të ndihmojë në shmangien e keqinterpretimit të rregullave të vendosura, ndërkohë që duhet të ketë një ndarje të qartë të rolit institucional të funksionarëve publikë nga aktivitetet e tyre personale në rrjetet sociale.
Duke qenë të qartë se përcaktimi i një liste shteruese kriteresh nuk është i mundur, veçanërisht duke konsideruar se rrjetet sociale janë të shumta dhe karakteristikat teknike të tyre të ndryshme, KRIIK propozon më poshtë disa elementë (sigurisht jo-shterues) që mund të përdoren si udhërrëfyes.
a. Emërtimi dhe prezantimi i profilit
- Profil zyrtar: Duhet të përmbajë qartë emrin e institucionit ose titullin e funksionarit publik (p.sh., “Kryetari i Bashkisë X” ose “Ministria e Financave – Drejtori Y”).
- Profil personal: Duhet të mbajë vetëm emrin e individit, pa referenca të drejtpërdrejta institucionale ose tituj zyrtarë.
b. Përdorimi i simboleve shtetërore
- Profil zyrtar: Mund të përmbajë stemën e institucionit, flamurin ose simbole të tjera zyrtare.
- Profil personal: Nuk duhet të përmbajë simbole shtetërore që mund ta bëjnë të duket si profil institucional.
c. Administrimi
- Profil zyrtar: Menaxhohet nga nëpunësit e institucionit dhe ka rregulla të përcaktuara për përdorimin dhe përmbajtjen e postimeve.
- Profil personal: Administrohet nga vetë individi, ose nga persona të autorizuar prej tij të kontaktuar privatisht, por në asnjë rast persona nga stafi institucional.
d. Përmbajtja e postimeve
- Profil zyrtar: Duhet të kufizohet vetëm në informacion zyrtar, njoftime institucionale dhe aktivitete që lidhen me funksionet publike të institucionit, e çdo publikim tjetër me natyrë institucionale.
- Profil personal: Mund të përmbajë postime të ndryshme, përfshirë mendime personale, aktivitete private dhe qëndrime politike individuale, por në asnjë rast postime të karakterit institucional.
Konsiderohet si tejet e rëndësishme që të theksohet nevoja për të mos përzierë postimet me natyrë personale me ato me natyrë institucionale në të njëjtin profil, pasi kjo do të krijonte konfuzion tek ndjekësit e profilit, duke e zhbërë thelbin e qëllimit të këtij Vendimi.
Rrjetet sociale janë një hapësirë me ndikim të madh publik, dhe çdo postim nga një funksionar mund të perceptohet si një mesazh me natyrë dhe peshë institucionale, edhe kur synimi nuk priret të jetë i tillë.
Mospërcaktimi i ndalimit të postimeve institucionale në profilet personale, do të çojë në shmangien e rregullimeve të bëra nga ky vendim. Mund të ndodhë që, ndërsa profili zyrtar lihet pasdore me postimet institucionale, profili personal pasurohet me informacion të detajuar e të përditësuar institucional, krahas postimeve private (përfshirë ato politike e partiake), duke orientuar kështu publikun në ndjekjen e profilit personal të funksionarit, sikurse ka ndodhur në disa raste përpara zgjedhjeve vendore 2023.
Për rrjedhojë tërë rregullimi i bërë nga ky akt bëhet i pavlerë, pasi situata tashmë është kthyer përmbajtësisht në pikën zero.
2. Përkufizimi i qartë i termit “funksionar publik i çdo niveli”
Për një kuptim më të qartë të të gjithë nëpunësve publikë, si edhe të adresimit të institucional të denoncimeve që mund të bazohen nesër në rregullimet që bënë ky akt, do të ishte me vend qartësimi i kategorisë së nëpunësve / funksionarëve që prek ky vendim.
Nga ana tjetër, duhet marrë në konsideratë se sipas Ligjit “Për Nëpunësin Civil”, nëpunësve civilë nuk u lejohet shprehja e pikëpamjeve politike publikisht. Referuar edhe Udhëzuesit të KMSHC “Për unifikimin e zbatimit të ligjit për nëpunësin civil në drejtim të zhvillimit të procesit të rekrutimit gjatë periudhës zgjedhore; pjesëmarrjes së nëpunësve civilë në institucionet e administrimit të procesit zgjedhor; respektimit të të drejtave të tyre politike e detyrimeve ligjore; ndërveprimin e nëpunësve civilë me platformat apo rrjetet sociale që shfaqen për publikun nëpërmjet internetit, për të shmangur propagandën elektorale; si dhe masat që duhet të marrin institucionet për të monitoruar situatën”, “…përdorimi i rrjeteve sociale apo platformave sociale […] për qëllime të propagandimit apo shprehjes publike të bindjeve dhe preferencave politike të nëpunësit civil, është i ndaluar…” .
Për rrjedhojë nevojitet që edhe ky projekt-vendim të përcaktojë qartë se funksionarët publikë që janë pjesë e trupës së nëpunësve civilë në asnjë rast nuk mund të ndajnë aktivitete politike apo partiake në profilet e veta personale.
Në përfundim të këtij Dokumenti, KRIIK shpreh gatishmërinë e tij për të ofruar detaje apo shpjegime më të plota lidhur me rekomandimet e mësipërme, nëse një gjë e tillë do të konsiderohet e nevojshme prej KQZ-së.