Shkarko Denoncimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Sikurse jeni në dijeni, një nga denoncimet e përcjella nga KRIIK në KQZ përgjatë procesit të Zgjedhjeve Vendore 2023, ka qenë përdorimi i faqeve zyrtare të institucioneve në rrjetet sociale për postime me karakter elektoral.
Pavarësisht se kjo lloj shkeljeje, në vitin 2023 u sanksionua, KRIIK vëren me shqetësim se disa institucione vijuan t’i përdorin pas zgjedhjeve 2023, pavarësisht ndalimit të bërë.
Përgjatë gjithë periudhës parazgjedhore, prej nisjes së periudhës katërmujore më datë 11 janar 2025 e deri më sot, në Faqet Zyrtare në Facebook të disa Institucioneve të varësisë së Ministrisë së Brendshme janë duke u përdorur sloganet elektoralë të Partisë Socialiste, në formën e hashtag-eve (#) dhe konkretisht:
1 – #KrenarPërShqipërinë;
2 – #VetëmPërpara;
3 – #Shqipëria2030.
Këto tre slogane/hashtag-e lidhen dhe identifikojnë drejtpërsëdrejt Partinë Socialiste me maxhorancën e deputetëve në Kuvend, e cila, megjithëse ende nuk është regjistruar zyrtarisht si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit, e ka filluar tashmë de facto botërisht fushatën elektorale duke kërkuar të votohet dhe mbështetet në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Lidhur me përkatësinë e sloganeve/hashtag-eve theksohet se:
1. Slogani “KrenarPërShqiperine”, është slogan identifikues i Partisë Socialiste në faqen e saj zyrtare në Facebook.
2. Slogani “VetëmPërpara”, ka qenë zyrtarisht slogani i fushatës elektorale të Partisë Socialiste gjatë Zgjedhjeve Vendore të vitit 2023. Shihni: “Kurrë pas, vetëm përpara”, PS hap fushatën për zgjedhjet e 14 Majit”.
3. Slogani “Shqipëria2030” është përdorur gjithashtu nga Partia Socialiste në vijim si titull i programit të saj elektorale. Konkretisht nga Kryetari i Partisë Socialiste Z. Edi Rama në Asamblenë Kombëtare Partisë Socialiste “Sot hapim një kapitull të ri të jetës së kësaj familje. Nga ky stacion, ku do të përmbyllim proceset e brendshme zgjedhore, duke ngarkuar edhe ekipin e ri drejtues, ne do të nisemi drejt përballjes për mandatin e 4 qeverisës të Partisë Socialiste, pranverën e ardhshme. Për 6 muaj duhet të jetë gati të zbresë zyrtarisht në fushë, skuadra jonë e re përfaqësuese PS 2030 për Shqipërinë 2030. (…)”. Për më shumë shihni link-un: “Ekip i ri për zgjedhjet e 2025 dhe ‘Shqipëria 2030’ Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së” .
Përpos sa më sipër, theksohet edhe se postimet e aktiviteteve, njoftimeve apo promovimeve të ndryshme në rrjetin social Facebook të Kryeministrit, Ministrave, Deputetëve, Kryetarëve të Bashkive, etj., sidomos ato me karakter partiak dhe elektoral, shoqërohen në shumicën dërmuese të rasteve me grupin e hashtag-eve të sipërpërmendura.
Gjithashtu, ky grup hashtag-esh shoqërojnë shumicën dërmuese të postimeve edhe në Faqen në Facebook të Partisë Socialiste .
Këto slogane duke u vendosur, përdorur dhe reklamuar nga Institucionet Publike dhe drejtuesit e tyre në Faqet Zyrtare të Institucioneve përkatëse në Facebook,
në gjykimin e KRIIK, evidentojnë:
1. shpërdorimin e autoritetit shtetëror të institucioneve duke i dhënë natyrë partiake dhe elektorale, konkretisht të Partisë Socialiste; si dhe
2. shpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime partiake e elektorale (në dobi të Partisë Socialiste) nëpërmjet përdorimit të:
a. një aseti institucional (specifikisht të faqes zyrtare në mënyrë të institucionit në mediat sociale si kanal komunikimi publik);
b. kohës së nëpunësve shtetërorë (personat e ngarkuar me shpërndarjen e njoftimeve në këto faqe dhe mirëmbajtjen e saj);
c. gjithë burimeve publike të vëna në dispozicion për realizimin e aktivitetit institucional që publikohet / postohet, duke u dhënë valencë dhe meritë partiake në funksion të një partie politike (Partisë Socialiste), çka është në kundërshtim me kuadrin ligjor zgjedhor, si dhe të parimit kushtetues për ndarjen e shtetit nga partia.
Këto slogane është vërejtur se i përmban Faqja Zyrtare në Facebook e Institucioneve të mëposhtme, Institucione këto në varësi të Ministrisë së Brendshme:
- Faqja Zyrtare në Facebook e Policisë së Shtetit ;
- Faqja Zyrtare në Facebook – Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara;
Të gjitha rastet e mësipërme të postimeve me përmbajtje partiake dhe elektorale në Faqet Zyrtare të këtyre Institucioneve, të detajuara me link-et dhe printscreen-et përkatëse, gjenden bashkëlidhur në Lidhjen nr. 1, në vijim të këtij dokumenti.
KRIIK nxit KQZ-në që të marrë menjëherë masat e nevojshme që të ndalojë shkeljen, si dhe të parandalojë me efektivitet përdorimin e burimeve shtetërore duke u kërkuar Institucioneve që të ndalojnë postimet me natyrë partiake / elektorale në faqet e tyre, si dhe të pastrojnë të gjithë postimet e mëparshme.
Është shqetësuese që, në kuptimin e Institucioneve, drejtuesve dhe administratës së tyre, ndalimi i përdorimit të burimeve shtetërore në dobi të një partie apo fushatës elektorale të saj, vlen vetëm përgjatë fushatës zgjedhore apo gjatë periudhës katërmujore para datës së zgjedhjeve.
Ndaj është me vend të theksohet nga KQZ-ja se ky ndalim i shtrin efektet në çdo kohë, pasi shpërdorimi i burimeve shtetërore për arsye partiake apo elektorale është i ndaluar në çdo kohë.
Në gjykimin e KRIIK, Partitë Politike mundet që, në një mënyrë apo në një tjetër, të bëjnë fushatë gjatë gjithë kohës, edhe jashtë periudhave parazgjedhore, por në asnjë rast nuk duhet të bëhet kjo në dëm të Autoritetit Shtetëror të Institucioneve Publike dhe as të burimeve shtetërore që posedojnë ato.
Vija e ndarjes së shtetit nga partia duhet të jetë e qartë, e plotë dhe duhet të mos lejojë asnjë boshllëk apo mangësi në qasjen e KQZ-së, për të mos lënë vend për asnjë lloj keqinterpretimi apo keqkuptimi.
Në këtë aspekt, nxitet dhe theksohet nevoja që KQZ-ja të kërkojë në mënyrë të qartë fshirjen e të gjitha postimeve me natyrë partiake apo elektorale që mund të jenë në faqet e Institucioneve, si dhe sloganet/hashtag-et partiakë/elektoralë që shoqërojnë postimet e aktiviteteve institucionale, pavarësisht kohës se kur janë postuar ato.
Kjo pasi është vërejtur se postime të tilla janë bërë herë pas here, madje vijojnë të jenë në faqet e tyre, që pas zgjedhjeve 2023 e deri më sot.
Lidhur me gjithë sa më sipër, sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rastet të merren në konsideratë prej jush si KQZ, të shqyrtohen duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Gjithashtu, në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet që përpos sanksionimit të titullarëve përkatës së këtyre institucioneve sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, të njoftojë dhe paralajmërojë me shkrim Partinë Socialiste të Shqipërisë në favor të së cilës janë kryer shkeljet e mësipërme, duke i kërkuar marrjen e masave nga ana e saj për mospërsëritjen e tyre në të ardhmen.
*Ky Denoncim përmban një Lidhje ku ilustrohen problematikat e përmendura, me fotografi të faqeve përkatëse dhe lidhje për në faqet e internetit. Për të parë lidhjen, shkarkoni Dokumentin e dërguar KQZ-së.