Shkarko Denoncimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Në seancën plenare të datës 30 janar 2025, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 70 vota pro, projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.
Nga konsultimi i faqes zyrtare në internet të Presidentit të Republikës si dhe Qendrës së Botimeve Zyrtare, vërehet se ky projektligj i miratuar nga Parlamenti nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe as është botuar në Fletoren Zyrtare.
Referuar relacionit të këtij projektligji, citohet se: “Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ka për qellim të përjashtojë nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës entitetet që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” (…)”. Ky ligj ul normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special“, sipas përcaktimeve në legjislacionin e fushës së turizmit.
Projektligji parashikon që pas shkronjës “e”, te pikës 1, te nenit 27, të ligjit nr.29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar, shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje: ” e) entitetet që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur nderkombëtarisht “brand name”, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative për një periudhe 10-vjeçare, për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike te strukturës akomoduese, por jo me vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.”
Lidhur me përfituesit sipas këtij ligji, në Raportin përkatës të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, si Komisioni Parlamentar përgjegjës, referohet se: “Aktualisht, kanë lidhur kontratat me Qeverinë Shqiptare 11 subjekte, të cilat nuk janë në zona urbane por në zonat me përparasi turizmin, disa prej tyre janë tashmë janë operativ, sic është psh. Zona e Rinasit ku operon edhe M.K. Hotel që është hoteli i parë që ka marrë këtë status në Shqipëri, Melia Resort Hotel është në Gjirin e Lalëzit, Grand Melia në Zonën e Dhërmiut, Radisson Hotel Premium dhe Radisson Collection Hotel që janë në zonën e Himarës, Mk Gallery Accor Group në zonën e jugut Hyatt Regency Resort & Spa hotel në zonën e Palasës, Croën Plaza në jug”.
Po në këtë Raport referohet edhe se “Projektligji ka efekte financiare shtesë në buxhetit e shtetit, por këto efekte nuk janë përcaktuar në relacion dhe ka vështirësi për tu përllogaritur për shkak të pamundësisë për të njohur listën e përfituesve sipas këtij ligji”.
Ndërsa lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, harmonizimi me legjislacionin në fuqi vendas e ndërkombëtar, në Raportin përkatës të Komisionit për Ekonominë dhe Financat si komisioni parlamentar përgjegjës referohet se “Për sa më sipër, konkludojmë se projektakti është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e zbatueshëm në fuqi, respekton parimet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane”, ndërsa në Raportin përkatës të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si Komision për dhënie mendimi, referohet se “Në përfundim, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, konstatoi se:
– Në aspektin ligjor, projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi;
– Në aspektin procedural, projektligji është paraqitur në përputhje me Rregulloren e Kuvendit;
dhe pasi e shqyrtoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi, me votat e shumicës së anëtarëve të pranishëm e miratoi atë dhe u shpreh dakord për t’ia përcjellë mendimin
Komisionit Përgjegjës dhe për votim në seancë plenare”.
Presidenti i Republikës ka dekretuar si datë për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, datën 11 maj 2025.
Kodit Zgjedhor në nenin 91 “Ndalimi i përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore”, pika 4 përcakton se: “Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore”.
Po në vijim të këtij neni, Vendimi nr. 9 datë 20.12.2020 i Komisionit Rregullator, i ndryshuar, në nenin 3 “Veprimtari të ndaluara”, pika 3 përcakton se: “Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi i akteve ligjore ose nënligjore, ose nxjerrja e tyre me qëllim informimin e publikut në lidhje me vendimmarrjen e institucionit miratues në faqen e tij zyrtare, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, faljet e kamatvonesave, të gjobave, të detyrimeve tatimore e doganore vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore ose të epidemisë/pandemisë, apo ka si qëllim zbatimin e një detyrimi ligjor me karakter ndërkombëtar apo zbatimin e një vendim gjyqësor të formës së prerë.”
Po në këtë Vendim, në pikën 5 përcaktohet se: “Në zbatim të ndalimit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave marrin masa për të mosvendosur ose propozojnë të mos vendosen në rend të ditës të institucioneve respektive për shqyrtim dhe miratim, aktet e përmendura në pikën 3 të këtij neni”.
Bazuar në këto parashikime periudha e ndalimit është periudha 11 janar 2025 deri më shtator 2025, kur pritet të miratohet Qeveria e re nga Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të datës 27 Janar 2025, ku u diskutua dhe votua edhe Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.”, pas prezantimit të tij nga z. Blendi Klosi si deputeti propozues, anëtari i Komisionit z. Enkelejd Alibeaj u bëri me dije të gjithë anëtarëve të Komisionit se ky projektligj është në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor, por nuk pati asnjë reagim prej tyre dhe as prej drejtuesit të mbledhjes. (Shihni për më shumë fjalën e z. Alibeaj, minuta 1:02:23 – 1:04:25 e video-regjistrimit të mbledhjes).
Dukshëm pavarësisht se i gjithë informacioni i nevojshëm ligjor është bërë me dije për deputetët, menjëherë pas fjalës së z. Alibeaj, kryesuesi i mbledhjes z. Eduard Ndreca i ftoi deputetët për të votuar me fjalën: “Mirë kolegë, faleminderit! Duke vlerësuar z. Klosi për propozimet shumë pozitive që bën gjithmonë, e hedhim projekt-ligjin në votim.”, duke miratuar kështu projektligjin me shumicë votash të anëtarëve socialistë të komisionit.
KRIIK vlerëson tërë këtë proces të miratimit të projektligjit jo vetëm në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor, por edhe si një sfidë të Deputetëve të maxhorancës socialiste dhe të vetë Kuvendit ndaj zbatimit të ligjit, duke përcjellë një mesazh tejet negativ dhe flagrant në dëm të zbatimit të ligjit, të ndërtimit të shtetit ligjor, si dhe të vetë standardeve të procesit zgjedhor të 11 majit 2025.
KRIIK, bazuar në parashikimet e Kodit Zgjedhor, denoncon përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve miratimin e këtij projekligji, duke ju kërkuar që të ndërmerrni sa më parë hapat e nevojshëm për të parandaluar shtrirjen e efekteve të këtij projektligji dhe ngrirë atë në fazën ku ndodhet, duke mos lejuar hyrjen në fuqi të tij.
Në gjykimin e KRIIK, përpos verifikimit të gjithë sa më sipër në raport me hapat proceduralë të nevojshëm, konsiderohet e nevojshme që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të vendoset sa më parë në komunikim të drejtpërdrejtë me Institucionin e Presidentit të Republikës për mos-dekretimin dhe kthimin në Kuvendin e Shqipërisë të projektligjit të mësipërm.
Gjithashtu, shihet më vend që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të zbatojë me rigorozitet gërmën e ligjit duke nisur hetimin administrativ lidhur me këtë shkelje të Kodit Zgjedhor dhe Vendimit nr. 9 të Komisionit Rregullator, si dhe vendosur sanksionet përkatëse në zbatim të nenit 171 të Kodit Zgjedhor.