Shkarko Rekomandimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në vijim të Rekomandimit të KRIIK, nr. 2501/003K(e-k) prot. datë 28.01.2025, ku u shpreh nevoja për unifikimin propozimeve të trupave drejtuese të KQZ-së lidhur me amendimin e Vendimit nr. 9/2020 të Komisionit Rregullator dhe nevoja për më shumë kohë e një konsultim sa më të gjerë e efektiv lidhur me të, si dhe në kushtet kur, ditën e sotme datë 30 janar 2025, është njoftuar mbledhje e Komisionit Rregullator me rend dite njërin prej propozimeve për ndryshim, çka eventualisht mund të sjellë amendime konkrete të këtij akti,
KRIIK, megjithëse në një kohë shumë të shkurtër në dispozicion, ju paraqet më poshtë rekomandimet e tij mbi disa nga çështjet kryesore që gjykohet se duhet të adresojë amendimi i Vendimit nr. 9/2020, si dhe mbi dy aktet amenduese të dërguara për konsultim nga KQZ-ja, aktin e propozuar nga dy anëtarë të Komisionit Rregullator dhe atë të paraqitur si propozim i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
- Propozime mbi tekstin aktual të Vendimit nr. 9/2020, i ndryshuar.
Parimi bazë mbi të cilin bazohen propozimet e mëposhtme është rritja e efektivitetit të mekanizmave në dispozicion të KQZ-së dhe vetë parashikimeve të bëra në Vendim për të parandaluar apo sanksionuar përdorimin e burimeve shtetërore për avantazh elektoral.
Me këtë synim, disa nga elementët që, në gjykimin tonë, lipset të adresohen dhe që nuk janë të tillë as në amendimet e propozuara dhe dërguara për konsultim në datën 27 janar, janë:
- Unifikimi në Vendim i afatit kohor se çfarë konsiderohet periudhë zgjedhore në kuptim të zbatimit të këtij vendimi. Për analogji të ndalimeve të vendosura në ligj, në gjykimin e KRIIK, periudhë zgjedhore apo çdo terminologji që përdoret në Vendim për të përshkruar perudhën kohore të ndalimeve duhet të konsiderohet periudha 4 muaj para ditës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, përjashto ato që lidhen eksplicisht me periudhën një mujore të fushatës zgjedhore.
Ky saktësim i terminologjisë së përdorur në tërë aktin do të adresonte edhe problematikat e lindura gjatë hetimit apo gjykimit administrativ, nga interpretime subjektive të ndryshme, sikurse në vijimësi ka ndodhur.
- Nisur nga fakti që institucionet publike vijojnë ta rrisin abuzimin lidhur me përdorimin e burimeve të tyre në funksion të fushatës zgjedhore, si dhe, nga ana tjetër, thuajse kanë mbyllur kanalet e informimit për aktorët jashtë institucionit, duke mos ofruar transparencë as edhe në rastet kur investohen organizata të shoqërisë civile të akredituara si vëzhguese të zgjedhjeve, lind nevoja që, lidhur me nenin 3 pika 1.1 të Vendimit, ku thuhet “veprimtari të ndaluara për tu promovuar” janë veprimtaritë publike sipas përkufizimit të nenit 2, të këtij vendimi, për të cilat janë vënë rishtazi apo posaçërisht në dispozicion, apo janë transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve dhe që përfshijnë: (…)”, të bëhet transparencë e plotë dhe të informohet paraprakisht prej çdo institucioni plani buxhetor dhe ai i investimeve dhe veprimtarive që angazhojnë burime financiare dhe materiale për të gjithë periudhën 4-mujore, në mënyrë që të mund të jepet mundësia për informim objektiv dhe verifikim prej monitoruesve të KQZsë, vëzhguesve, subjekteve zgjedhore, medias dhe çdo qytetari të interesuar.
Thënë sa më sipër, mënyra se si kjo hallkë të mund të bëhet e kontrollueshme mbetet detyrimi ligjor, për efekt të parashikimeve të Vendimit 9/2020, i institucioneve që të publikojnë në faqen e tyre të internetit planin e buxhetit si dhe planin e investimeve të parashikuara përgjatë periudhës katër mujore.
Kjo do të mundësojë gjykimin nga një aktor i jashtëm nëse një investim apo veprimtari po kryhet me buxhet të planifikuar përpara se të nisë periudha katër-mujore e ndalimit apo fondet janë vendosur rishtas në dispozicion.
- Vendosja në funksionim e mekanizmit të denoncimeve në faqet e internetit të institucioneve. Duke marrë shkas nga fakti se, bazuar në monitorimin e KRIIK, në një numër të konsiderueshëm kontaktet e drejtuesve nuk janë të paraqitura në faqet e institucioneve, në kundërshtim me parashikimin e pikës 1.c të nenit 7 të Vendimit nr. 9/2020, gjykohet se nevojiten të parashikohen masa shtrënguese dhe sanksione konkrete për mosplotësimin e këtij detyrimi.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 782, datë 18.12.2024 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara për aksesimin e faqeve zyrtare të internetit të autoriteteve publike”, përbën një detyrim tashmë për pajisjen me faqe interneti të çdo institucioni që përfshihet në sferën e Vendimit 9/2020.
Po ashtu, për të rritur efektivitetin e aktit, gjykohet se duhet detajuar parashikimi se si çdo institucion duhet të bëjë funksionale në faqen e tij të internetit një formë denoncimi të qartë për abuzimet e mundshme të konstatuara nga aktorë apo individë të ndryshëm, në veprimtarinë e tij apo prej punonjësve të institucionit.
Gjithashtu, në funksion edhe të rritjes së besimit të qytetarëve dhe autoritetit të vetë institucionit, nevojitet që në faqen e internetit të institucionit, të paraqitet në ndërfaqen kryesore dhe në një vend të dukshëm kontakti i drejtuesit dhe mundësia e denoncimit, e shoqëruar kjo me një informacion të plotë dhe të qartë mbi mënyrën e operimit të këtij mekanzmi, hapat e ndjekura nga drejtuesi i institucionit në ndjekje të denoncimit, si dhe mënyrat e bërjes publike të konkludimit të arritur dhe masave të mundshme të marra.
- Futja e konceptit të përdorimit të “Autoriteti Shtetëror” për avantazh të padrejtë elektoral.
KRIIK ka advokuar në vijimësi për kuptimin e drejtë të përdorimit të burimeve shtetërore për avantazh elektoral jo thjesht në kuptimin financiar, material e njerëzor, por edhe në dimensionin e kuptimit të përdorimit të “autoritetit shtetëror apo autoritetit të institucionit publik”, i cili është pjesë e pandashme e institucioneve publike, drejtuesve dhe administratës së tyre dhe që lidhet me kostumin zyrtar që mbart me vete çdo punonjës administrate, gjatë orarit zyrtar dhe jashtë tij.
Në këtë kuptim është një rregullim i tërë i përcaktuar në:
- Ligjin nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”; – Ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”;
- Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 874, datë 29.09.2021, “Për miratimin e rregullave për zbatimin e parimeve të etikës, të klasifikimit të veprimtarive të jashtme dhe vlerën e dhuratave, që mund të pranohen gjatë veprimtarisë së nëpunësit të administratës publike”;
- Urdhëri Nr. 70, datë 21.01.2025 i Departamentit të Administratës Publike, “Manual
Praktik për Etikën në Administratën Publike”; i cili jep një kuptim të thelluar të asaj që quhet “autoritet shtetëror”, i cili mbartet nga punonjësi i administratës dhe që nuk duhet në asnjë rast të shfrytëzohet apo keqpërdoret për të krijuar përfitime për interesa personale apo privatë. Ku këto të fundit përfshijnë çdo përparësi për veten, personat apo organizatat, përfshirë ato politike, me të cilat nëpunësi ka lidhje politike, apo edhe interesat që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga angazhimi në organizatat jofitimprurëse politike, sikurse janë edhe partitë politike.
Lidhur me sa më sipër, KRIIK nxit KQZ-në që në rregullimet e Vendimit nr. 9 të fusë pikërisht edhe këtë koncept, pra të mos shpërdorimit të “autoritetit shtetëror”.
Theksohet më tej për analogji dhe qasje më të qartë se edhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 234, datë 20.04.2023, “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike te administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2023”, në pikën nr. 29, gërma b, përcaktohet ky koncept. Më konkretisht, përcaktohet përmbushja e detyrave të Task-Forcës për: “b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor si dhe duke mos lejuar kryerjen e veprimeve dhe/ose dhënien e premtimeve, favoreve apo moscenimin e të drejtave të shtetasve, si mekanizëm për favorizimin apo dhënien e votës një subjekti të caktuar politik apo kandidati;”.
Në vijim të gjithë sa më sipër, KRIIK rekomadon si më poshtë:
I.4.a. Nëpunësi shtetëror që angazhohet në mënyrë aktive në fushatë, avantazhon forcën politike për të cilën angazhohet drejtpërdrejt. P.sh., një nëpunës shtetëror i cili angazhohet në fushatë derë më derë për një parti politike mund të perceptohet jo si një aktivist i zakonshëm, por si përfaqësues i shtetit.
Prania e tij mund të ndikojë zgjedhësit, veçanërisht ata që varen nga shërbimet publike, duke krijuar ndjesinë se mbështetja për këtë parti është e lidhur me aksesin në këto shërbime. Për më tepër, edhe nëse një nëpunës angazhohet jashtë orarit zyrtar, është e vështirë të ndahen plotësisht roli i tij publik dhe ai politik, veçanërisht kur ka mundësi të përdorë informacionin apo infrastrukturën shtetërore.
Kjo dëmton barazinë e garës zgjedhore, pasi partia në pushtet përfiton nga mobilizimi i administratës, ndërsa opozita nuk ka të njëjtën mundësi, duke ndikuar kështu negativisht në procesin demokratik dhe lirinë e zgjedhësve për të vendosur pa ndikime të jashtme, përpos efekteve të tjera tejet negative që lidhen me politizimin e administratës apo format e intimidimeve të qytetarëve apo vetë punonjësve të administratës, etj.
Në këto kushte, është e nevojshme që Vendimi nr. 9 të përcaktojë jo vetëm ndalimin e nëpunësit civil për të qenë protagonist aktiv në aktivitete elektorale, por në mënyrë eksplicite t’i ndalohet çdo punonjësi të institucioneve të administratës publike angazhimi në fushatën derë më derë, apo forma të tjera angazhimi si protagonist në aktivitetet politike elektorale me qytetarët.
I.4.b. Parashikimi i raportimit të eventeve ku përfaqësuesi i një institucioni publik është i ftuar si folës.
Në rastet kur funksionarë të një institucioni publik marrin pjesë si folës në një event të organizuar nga një subjekt tjetër, raportimi si folës siguron transparencë mbi aktivitetet e tyre publike dhe të përdorimit të “autoritetit shtetëror” të institucioneve që ata përfaqësojnë.
Kjo nevojë bëhet edhe më e rëndësishme kur eventet organizohen nga subjekte të cilat nuk janë institucione publike dhe nuk kanë detyrimin për të raportuar në NRI, si OJF-të apo bizneset private.
Theksohet se përfaqësuesi institucional që flet në një event të tillë shkon aty i veshur me autoritet shtetëror dhe nëse eventi ka nota elektorale, apo nëse vetë folësi (titullari institucional) bën propagandë politike, qoftë edhe të tërthortë, është duke përdorur autoritetin e ofiqit zyrtar që mbart vetë si dhe “autoritetin shtetëror” të institucionit publik që përfaqëson për fushatë elektorale.
I.5. Për të rritur transparencën e institucioneve publike në raport me vëzhguesit e zgjedhjeve, nevojiten të parashikohen masa shtrënguese dhe sanksione për rastet kur institucionet nuk respektojnë detyrimet e përcaktuara në Vendimin nr. 9 (neni 3, pika 6).
Aktualisht, shpesh ndodh që institucionet nuk i përgjigjen kërkesave të vëzhguesve, nuk ofrojnë informacionin e kërkuar, ose ofrojnë vetëm një pjesë të informacionit, duke penguar monitorimin efektiv të proceseve zgjedhore.
Afatet e parashikuara në ligjin për të Drejtën e Informimit dhe procedurat për ankimim në rast të mospërgjigjes kërkojnë kohë të gjatë, duke e sjellë që zgjidhja të vijë pas përfundimit të procesit zgjedhor, kur dëmi tashmë është kryer.
Për këtë arsye, është e nevojshme të krijohet një mekanizëm efektiv që mundëson raportimin e menjëhershëm të rasteve të mosbashkëpunimit apo refuzimit ndaj organizatave që janë të regjistruara dhe akredituara në KQZ si vëzhgues të zgjedhjeve.
Mund të konsiderohet p.sh. dhënia e të drejtës së denoncimeve pranë KQZ-së, e cila të mundësojë një reagim të shpejtë apo edhe sanksionim të institucioneve që pengojnë transparencën dhe monitorimin zgjedhor përsa i përket parashikimeve të Vendimit nr. 9.
I.6. Përdorimi i detyruar i administratës qendrore dhe vendore në fushatën zgjedhore gjatë orarit zyrtar të punës, pavarësisht se e përdorur verbatim sipas Kodit Zgjedhor, në gjykimin e KRIIK përbën një problem logjik dhe praktik.
Sugjerohet që Rregullatori të bëjë një ndarje të qartë mes rasteve kur nëpunësit publikë detyrohen të marrin pjesë në fushatë dhe rasteve kur ata angazhohen me dëshirën e tyre, por brenda orarit të punës.
Nevojitet të merret në konsideratë në amendimin e mundshëm dhe parashikimet e bëra se në rastin e dytë kemi të bëjmë me shkelje të ligjit nga ana e nëpunësit që e bën shkeljen, ndërsa në rastin e parë me shkelje edhe nga ana e personit/zyrtarit që e ka detyruar punonjësin e administratës.
I.7. Në Udhëzimin “Për unifikimin e zbatimit të ligjit për nëpunësin civil në drejtim të zhvillimit të procesit të rekrutimit gjatë periudhës zgjedhore; pjesëmarrjes së nëpunësve civilë në institucionet e administrimit të procesit zgjedhor; respektimit të të drejtave të tyre politike e detyrimeve ligjore; ndërveprimin e nëpunësve civilë me “Platformat” apo “Rrjetet sociale” që shfaqen për publikun nëpërmjet internetit, për të shmangur propagandën elektorale; si dhe masat që duhet të marrin institucionet për të monitoruar situatën”, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil “… vlerëson se përdorimi i rrjeteve sociale apo platformave sociale […] apo mjete të tjera të komunikimit elektronik, për qëllime të propagandimit apo shprehjes publike të bindjeve dhe preferencave politike të nëpunësit civil, është i ndaluar, në referencë të përcaktimit të pikës 1, të nenit 37 të ligjit 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.”
KRIIK gjykon se kjo shtrirje dhe ky interpretim i drejtë i ligjit, i aprovuar dhe mbështetur edhe nga Kuvendi i Shqipërisë në miratimin e raporteve vjetore të KMSHCsë e rezolutave përkatëse, do të duhet të përfshihet në mënyrë të detajuar edhe në Vendimin nr. 9, specifikisht në pikën 5 të nenit 6.
I.8. Në nenin 6 pika 7 të Vendimit, ku parashikohet e drejta për të marrë pjesë në Komisionet e nivelit të dytë dhe të tretë, do të duhet të amendohet në harmonizim me Vendimin nr. 2, datë 17.01.2025 të Komisionit Rregullator “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin nr. 05, datë 20.11.2020, “Për miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor”, i ndryshuar, duke përcaktuar që përpos njoftimit të merret leja përkatëse prej Institucionit Publik.
I.9. Në akt nevojitet të saktësohet se sanksionet administrative propozohen nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe vendosen nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve.
- Lidhur me projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020, i ndryshuar, të Komisionit Rregullator, “Për rregullat e raportimit të veprimtarive me karakter publik të çdo institucioni publik, e me kapital shtetëror, agjencive, enteve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”, projekt-akt i dy Anëtarëve të Komisionit Rregullator.
KRIIK shpreh vlerësimin e tij për iniciativën dhe propozimet e përfshira në të , të cilat mbështeten plotësisht, ndërkohë që, gjykohet se pika 2 dhe pika 4 në propozim mund të përmirësohen më tej. Konkretisht:
II.1. Në projekt-vendimin e propozuar në pikën 2 citohet se: “Në nenin 2 “Përkufizime” shkronja “b” riformulohet si më poshtë:
“Veprimtari publike” janë të gjitha veprimtaritë me karakter publik e të përgjithshëm të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit, të cilat duhet të ushtrohen pandikim, pa cënuar objektivin e përfitimit publik e pa qëllime të caktuara politike favorizuese. Veprimet publike janë të hapura për dëgjesë me publikun dhe pjesëmarrjen e tij në vendimmarrje, dhe për qëllime të këtij vendimi duhet të bëhen transparente sipas përcaktimit të agjendës së ushtrimit të tyre dhe të raportohen sipas përcaktimeve në këtë vendim.”
Duke marrë të mirëqenë se është një ngatërresë dhe projekt-vendimi i referohet shkronjës “c” të nenit 2 të Vendimit nr. 9/2024, duke qenë se aty përfshihen “veprimtaritë publike”, në gjykimin e KRIIK përkufizimi i “veprimtarive publike” i ndryshuar nëpërmjet amendimin të Vendimit nr. 9 në muajin dhjetor 2024, ka një përkufizim më të qartë të këtij koncepti, ndaj do të ishte e udhës që ai të mos ndryshohej në përmbajtje.
Ndërkohë, vlerësohet me vend shtimi i togfjalëshit “të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit” pas fillimit të fjalisë ““Veprimtari publike” janë të gjitha veprimtaritë me karakter publik”.
Po ashtu në fund të pikës “c”, të shtohet fjalia e propozuar: “Veprimtaritë publike për qëllime të këtij vendimi duhet të bëhen transparente sipas përcaktimit të agjendës së ushtrimit të tyre dhe të raportohen sipas përcaktimeve në këtë vendim.”
II.2. Në projekt-vendimin e propozuar në pikën 4 citohet se: “Në nenin 3 “Veprimtari të Ndaluara”, pika 1.1 riformulohet si më poshtë:
“Veprimtari të ndaluara për t’u promovuar brenda dhe jashtë vendit” janë veprimtaritë publike të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit sipas përkufizimit të nenit 2 të këtij vendimi, për të cilat janë vënë rishtazi apo posaçërisht në dispozicion, apo janë transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve dhe që përfshijnë” por pa u kufizuar në: përdorimin e fondeve publike për mbështetje të subjekteve zgjedhore, vënien në dispozicion të burimeve shtetërore të natyrës materiale dhe njerëzore për qëllime elektorale.””
Përcaktimi i bërë në nënpikën 1.1, të pikës 1 të nenit 3 të Vendimit nr. 9/2020 ka një kategori specifikimesh, të cilat gjykohet se janë të nevojshme që të mos hiqen, por të pasurohen më tej me elementë të tjerë.
Kjo edhe për shkak të interpretimit subjektiv në të kuptuar të parashikimeve të Vendimit nr. 9 mbi llojin e veprimtarive, duke çuar rrjedhimisht në bllokimin e mekanizmit parandalues që synon Vendimi, sikurse ka ndodhur në praktikë në proceset e mëparshme zgjedhore.
Në kushtet kur çdo parashikim i shtuar mund eventualisht të mos jetë shterues, do të ishte e udhës që lloji i veprimtarive të shtohej me detajime të mëtejshme, apo, së paku, të lihet e hapur mundësia e përfshirjes edhe të llojeve të tjera të veprimtarive duke vendosur në fund të paragrafit togfjalëshin:“por pa u kufizuar: …”.
Në konkludim të sa më sipër rekomandohet që paragrafi i parë i pikës 1.1 të riformulohet si më poshtë:
“Veprimtari të ndaluara për t’u promovuar brenda dhe jashtë vendit” janë veprimtaritë publike të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit sipas përkufizimit të nenit 2 të këtij vendimi, për të cilat janë vënë rishtazi apo posaçërisht në dispozicion, apo janë transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve dhe që përfshijnë, por pa u kufizuar: ”.
Ndërkohë, në vazhdim të vijojnë gërmat a, b, c, ç dhe d, sikurse përcaktohen aktualisht në Vendim.
- Lidhur me projektvendimin “Për rregullat e sjelljes së institucioneve publike në zgjedhje dhe ndalimin e keqpërdorimit të aseteve publike”, projekt-akt i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve,
Me vlerësimin për reflektimin e një pjese të rekomandimeve të KRIIK përgjatë proceseve zgjedhore pararendëse, gjykohet se në disa pika mund të ketë vend për përmirësim të mëtejshëm. Konkretisht:
- Në projekt-vendimin e propozuar në Kreun II, pika II.2. “Ndalime për promovimin e veprimtarive publike” në pikën 1 citohet se: “Janë të ndaluara veprimtaritë publike me karakter politik të institucioneve publike për: …”.
Në gjykimin e KRIIK, përcaktori “politik” është i përgjithshëm dhe evaziv, në kuptim të efektivitetit që duhet të krijojë Vendimi nr. 9.
Në këtë kuptim, rekomandohet që të përcaktohet se çfarë është veprimtaria publike me karakter politik, për të cilin sugjerohet që të merret për analogji përcaktimi i përdorur dhe përcaktuar nga vetë Kodi Zgjedhor lidhur me karakterin elektoral të një veprimtarie.
Konkretisht në nenin 81 pika 3 përcaktohet se “Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit elektoral të subjektit zgjedhor”.
Rekomandohet që ky përkufizim të integrohet edhe në këtë pikë të projekt-vendimit.
- Në një shikim tërësor të projekt-vendimit, gjykohet e nevojshme që të unifikohet terminologjia e përdorur, si p.sh. termi “veprimtari partiake” në disa raste duhet zëvendësuar me termin “veprimtari partiake apo elektorale”, duke i dhënë një kuptim më të plotë dhe të qartë karakterit të veprimtarisë.
KRIIK ju falënderon sërish për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në vazhdimësi, duke theksuar disponueshmërinë për të sqaruar cilëndo nga pikat më sipër nëse të tilla sqarime janë të nevojshme.