Shkarko Rekomandimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve, për të cilin gjejmë rastin t’ju falënderojmë sërish, në përgjigje të mesazhit tuaj elektronik, dërguar në datë 13 dhjetor 2024 lidhur me modulin e ri të raportimeve të institucioneve publike qendrore dhe vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore që kanë detyrimin të raportojnë të gjitha veprimtaritë që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 4 muaj para datës së zgjedhjeve,
KRIIK Ju paraqet konsideratat dhe sugjerimet e veta sa më poshtë:
Në nisje, gjejmë rastin të risjellim në vëmendje se KRIIK në vijimësi ndjek nga afër dhe në tërësi përdorimin e burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral, të cilin e konsiderojmë si një nga elementët më problematikë që dëmtojnë integritetin e zgjedhjeve në vend, adresimi i të cilit është pjesë e rekomandimit të parë parësor të Raportit Final të MNZV-së së ODIHR për Zgjedhjet Lokale të 14 Majit 2023.
Një rol parësor për luftimin e këtij fenomeni, në gjykimin e KRIIK merr Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ndërfaqja e raportimeve është instrumenti kryesor ndonëse jo i vetmi, në dispozicion të KQZ-së në këtë funksion.
Sugjerimet e mëposhtme të KRIIK janë të bazuara, kryesisht, në problematikat që janë vëzhguar në zgjedhjet e kryera në vend që nga momenti kur ndërfaqja ka nisur fillimisht të përdoret (2021), përfshi gjithë zgjedhjet që janë mbajtur nga ai moment, qofshin këto të përgjithshme, të pjesshme apo të përsëritura. Gjithashtu, disa sugjerime janë hartuar nisur nga opinione/problematika të raportuara nga disa institucioneve publike që KRIIK ka takuar gjatë kësaj periudhe, takime të realizuara, ndër të tjera, edhe për të evidentuar problematikën e përdorimit të burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral dhe minimizimin e këtij fenomeni në zgjedhjet e ardhshme.
Së pari, KRIIK thekson se, në vijimësi të qëndrimit të tij prej 2021 në lidhje me këtë çështje, gjykohet se mjafton që veprimtaria institucionale të jetë publikuar diku (në faqe zyrtare, media, apo rrjete sociale të institucionit) që të konsiderohet publike dhe të jetë i detyruar raportimi nga institucioni organizator. Pra mediatizimi i veprimtarisë, duhet të shtrihet përtej vetëm transmetimit në mediat tradicionale. Kujtohet se pika 1 e nenit 92 të Kodit Zgjedhor përcakton se “[f]ormojnë veprimtari publike të gjitha veprimtaritë që janë të hapura për pjesëmarrjen e publikut apo të medias, si dhe ato që kanë në agjendë informimin, në periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve, e publikut rreth tyre.”
Në praktikë, publikimi në rrjetet dhe mediat sociale përbën mediatizim të veprimtarisë në kuptim të një informimi të publikut, shpesh me impakt potencial edhe më të lartë sesa publikimi i saj në mediat tradicionale. Të gjithë institucionet dhe titullarët e tyre kanë sot në zotërim faqe zyrtare në rrjetet sociale të cilat i përdorin për mediatizim të veprimtarisë së përditshme të tyre. Rrjedhimisht, planifikimi (paraprakisht) dhe publikimi (live apo pas realizimit) i një veprimtarie në faqet zyrtare të institucioneve dhe të drejtuesve të tyre, është mëse i mjaftueshëm për ta kategorizuar aktivitetin si “veprimtari publike e cila duhet raportuar”.
Si rrjedhim, gjykohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të nisë një shqyrtim administrativ dhe aplikojë sanksione në rast se evidenton apo i denoncohen raste të veprimtarive institucionale të publikuara në mediat sociale, ndërkohë që nuk janë raportuar në ndërfaqe, pavarësisht nëse aty ka patur media tradicionale apo publik në prezencë ose jo.
Së dyti, në mënyrë që funksionimi i ndërfaqes të institucionalizohet, KRIIK gjykon se duhet riparë dhe amenduar Vendimi nr. 9, datë 24.12.2020 “Për rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve” i Komisionit Rregullator. Elementet e ndërfaqes, në gjykimin e KRIIK, do të duhet të përfshihen në këtë Vendim.
Në çdo rast për shkak të kohës së kufizuar deri në datën 11 janar 2025, kur ndërfaqja do të duhet të jetë në funksionim, KRIIK gjykon se do të ishte e udhës që ajo të ndërtohet dhe të nisë funksionimin, pavarësisht amendimit apo jo ndërkohë të Vendimit nr. 9. Në rast se gjatë amendimit të këtij Vendimi gjykohet se do të duhet që të ketë ndryshime, ato mund të kryhen në vijim.
Së fundi, rikujtohet se raportimi i aktiviteteve publike nga institucionet në periudhën 4 muaj para ditës së zgjedhjeve, pavarësisht përmirësimeve të vërejtura nga nisja e përdorimit të saj, në vitin 2021, vijon të vuajë nga mangësi, që konsistojnë kryesisht në mosrespektimin e afatit të raportimit, paplotësinë e raportimit apo raportimin me të dhëna të përgjithshme dhe evazive, të cilat nuk japin mundësinë e një kontrolli të saktë nga KQZ.
Në mënyrë që ky mekanizëm të jetë funksional në tërësinë e tij dhe të përmbushë frymën e ligjit, KRIIK rekomandon që KQZ-ja të ketë detyrimin të aprovojë një aktivitet, si në përputhje me ligjin, përpara se institucioni të mundë ta kryejë atë. Duke e ndryshuar logjikën e aprovimit pra, nga një aprovim pasiv i KQZ-së në momentin kur nuk jepen komente, siç është aktualisht, në detyrimin për aprovim aktiv do të rritet angazhimi i administratës së KQZ së me raportimin, duke qenë të detyruar të vlerësojnë me vëmendje çdo aktivitet të raportuar dhe ndaluar automatikisht të gjithë aktivitetet që raportohen përtej afatit ligjor dhe ato që nuk përmbajnë detaje të mjaftueshme.
Në vijim gjeni disa sugjerime më teknike. Të gjitha sugjerimet teknike më poshtë gjykohet se i shërbejnë kuptimit më të mirë të aktivitetit si dhe plotësimit të informacionit që përcillet sipas nenit 4 pika 3 të vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator.
Konkretisht:
I. Rekomandime të KRIIK, nisur nga eksperienca e funksionimit të platformës gjatë zgjedhjeve të shkuara:
1. Në zgjedhjet e vitit 2023 ndërfaqja e raportimit u ndryshua duke e bërë çdo fushë është të detyrueshme për t’u plotësuar.
Pavarësisht kësaj, KRIIK ka vërejtur se plotësimi i fushave ka qenë shpesh tejet evaziv nga përdoruesit dhe vetëm me fjalë të përgjithshme duke mos mundësuar kuptimin e asaj se çfarë konkretisht përcillej dhe të qëllimit të saj.
Në këto kushte, për të evituar këto raste, por edhe çdo mundësi padijenie nga ana nëpunësit të caktuar për hedhjen e informacionit në sistem, sugjerohet që në çdo fushë të paraqiten në mënyrë sa më koncize sqarime dhe udhëzime se çfarë informacioni konkretisht pritet prej përdoruesit që të plotësojë aty.
E njëjta gjë duhet të aplikohet edhe në formatet e raportimit të hartuara për tu përdorur në rastet e informimit me email apo me postë (në rastet kur institucionet kanë vështirësi për të aksesuar ndërfaqen, fenomen që ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme).
Gjykohet se kjo do të lehtësojë dhe ndihmojë për pasjen e një informacioni konkret e të pasuruar, e rrjedhimisht edhe më të vlefshëm për KQZ-në në gjykimin e saj mbi aktivitetin në fjalë.
Në rast se të dhënat e raportuara nuk mundësojnë një panoramë të qartë të aktivitetit, në të gjithë elementët e vet, KQZ-ja ta ndalojë zhvillimin e tij deri sa të dhënat të plotësohen në mënyrën e duhur.
2. Përpos ndihmesës dhe udhëzimeve për mënyrën se si duhet të plotësohet gjithë raportimi nga institucioni, vlerësohet si shumë e rëndësishme që ky plotësim të bëhet me saktësi dhe përgjegjshmëri të lartë. Kjo, jo vetëm për shkak të rëndësisë që ka raportimi si detyrim ligjor në raport me procesin zgjedhor, por edhe se një pasaktësi në informacionin e përcjellë mund të çojë në masa penalizuese, që mund të ndërmerren edhe ndaj personit përgjegjës të caktuar nga institucioni në fjalë për përdorimin e ndërfaqes.
Ndaj në raport me këtë sugjerohet që pjesë e formatit të raportimit të jetë edhe një pikë shtesë, nëpërmjet së cilës t’i bëhet me dije personit që e plotëson formatin e raportimit dhe ia nis atë KQZ-së, se ai mban përgjegjësi sipas ligjit për saktësinë e informacionit të përcjellë apo në rast të plotësimit në mënyrë jo korrekte.
3. Pika 4 e nenit 4 të Vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator përcakton individët përgjegjës në çdo institucion, të ngarkuar për kryerjen e raportimit.
Është mëse e natyrshme që, për arsye të ndryshme, gjatë periudhës 4 mujore të raportimit të ndodhë që informacioni të plotësohet e përcillet edhe nga ndonjë punonjës tjetër i institucionit, pavarësisht nëse ai është i deleguar apo zëvendësues i përkohshëm i personit përgjegjës të përcaktuar.
Për shkak të përgjegjësisë që mbart personi i caktuar nga institucioni, por edhe të mosrelativizimit apo bërjes praktikisht të pamundur të mekanizimit sanksionues, nëse do të paraqitet nevoja, sugjerohet që pjesë e formatit të raportimit të bëhet edhe opsioni i plotësimit të emrit të punonjësit që kryen raportimin, në rastin kur ai është i ndryshëm nga individi përgjegjës i përcaktuar nga institucioni, emri i të cilit i është përcjellë zyrtarisht KQZ-së.
4. Sistemi të mundësojë identifikimin e institucionit raportues në së paku tre kategori: “Organizator”, “Bashkëorganizator” dhe “Pjesëmarrës/Folës”. Pra, fusha e parë e detyrueshme për të raportuar të jetë nëse institucioni raportues është organizator i vetëm i eventit, bashkëorganizator i tij, apo vetëm pjesëmarrës si folës.
Në rastet kur eventi organizohet nga më tepër se një institucion shtetëror, përfshirja e bashkëorganizatorit do të evitojë shpërndarjen e përgjegjësisë për mosraportim me pretendimet se detyrimi për të raportuar ishte i një tjetër institucioni.
Në rastet kur funksionarë të një institucioni publik janë ftuar si folës në një event të organizuar nga një tjetër subjekt (qoftë ky institucional ose jo), raportimi si folës do të mundësojë që të raportohen të tilla evente dhe të rritet transparenca mbi aktivitetet e kryera nga funksionarët publikë. Kjo merr vlerë të shtuar nëse merren në konsideratë evente të cilat mund të organizohen nga subjekte që nuk janë institucione publike dhe, si rrjedhim, nuk kanë detyrimin për të raportuar (si një OJF apo edhe biznes privat). Në këto raste, institucionet të cilat drejtohen nga titullari i ftuar duhet të raportojnë si të ftuar dhe jo si organizatorë apo bashkëorganizatorë.
Në çdo rast, organizatorët dhe bashkëorganizatorët të jenë të detyruar të listojnë edhe të ftuarit si folës (shih pikën 6, më poshtë) ashtu edhe institucionet e tjera bashkëorganizatore.
5. Përpos llojit të aktivitetit nevojitet të parashikohen në fushat që do të plotësohen edhe fushat “Qëllimi i aktivitetit” dhe “Institucioni/et që e organizon/jnë aktivitetin”.
Me pasjen e qëllimit të aktivitetit dhe deklarimit eksplicit se cili është institucioni organizator, KQZ mund të kuptojë paraprakisht në mënyrë më të qartë nëse ky është një aktivitet nëpërmjet të cilit përfaqësuesit apo drejtuesit e institucioneve përmbushin detyrat funksionale, apo shkon përtej kësaj.
Nga ana tjetër edhe vetë institucionet, nëpërmjet plotësimit të këtyre dy fushave, duhet dhe do të arrijnë të kuptojnë nëse aktiviteti që po raportojnë është një aktivitet institucional që duhet ose jo të raportohet, duke mos përzierë aktivitetet institucionale të drejtuesit të institucionit me aktivitetet e tjera që ai/ajo mund të marrë pjesë si eksponent politik.
Konkretisht, risjellim në vëmendjen tuaj se në raportimet e viteve të shkuara evidentohen raste të tilla, në të cilat raportohen aktivitete politike të drejtuesve të institucioneve. Ndërkohë që ndërfaqja duhet të shërbejë vetëm për raportimin e aktiviteteve të institucioneve publike dhe jo të partive politike apo forumeve të tyre.
Në vijim të sa më sipër, theksojmë se në rastet kur evidentohet nga KQZ-ja se një nëpunës publik ka raportuar në ndërfaqe një aktivitet politik, kjo është shenjë e qartë se burimet shtetërore (konkretisht, më së paku koha e punës së punonjësit specifik që po raporton si dhe burimet materiale të institucionit) po përdoren për qëllime elektorale. Në këto raste, KRIIK gjykon se KQZ-ja do të duhet të reagojë, minimalisht duke njoftuar institucionin përgjegjës si dhe Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil se ka indikacione për përdorim të burimeve shtetërore për qëllime elektorale, dhe jo t’i kalojë të tilla raste në heshtje, thjesht si një gabim në raportim.
6. Pika 3 e nenit 4 të vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator përcakton se në formatin e raportimit institucionet duhet të informojnë ndër të tjera edhe për nivelin më të lartë të pjesëmarrjes, të ftuarit e nderit dhe folësit e planifikuar. Këto informacione të kërkuara në ndërfaqen e përdorur në zgjedhjet e shkuara parashikoheshin të plotësoheshin në tre fusha si: “Folësit kryesorë”, “Pozicioni” dhe “Pjesëmarrësit”.
Sugjerohet që për plotësimin e dy fushave (“Folësit kryesorë” dhe “Pozicioni”), të jepet mundësia e plotësimit të emrit dhe pozicionit të më shumë se një folësi kryesor. Gjithashtu të udhëzohet raportuesi dhe t’i kërkohen të gjithë emrat e folësve kryesorë, të cilët përfaqësojnë në vetvete nivelin e lartë të pjesëmarrjes, duke mundësuar kështu një panoramë më të qartë e më të plotë të aktivitetit.
Fusha “Pjesëmarrësit” të quhet “Pjesëmarrës të tjerë” ku raportuesi të mund të orientohet për të kategorizuar dhe informuar mbi audiencën që parashikohet të jetë fizikisht e pranishme në aktivitet dhe që është ftuar paraprakisht apo do t’i bëhet ftesë për marrë pjesë.
Theksojmë këtu se në një event institucional nuk mund të marrë pjesë një përfaqësues politik. Në kuptimin që, nëse i njëjti individ është edhe përfaqësues politik (p.sh. drejtues politik i një partie në nivel qarku) edhe përfaqësues institucional (p.sh. ministër), ai nuk mund të ftohet në një event institucional në cilësinë e parë pasi kjo do të përbënte shkelje. Nëse të tilla raste evidentohen, KQZ-ja duhet që automatikisht ta ndalojë eventin (bazuar edhe në një praktikë të vendosur në zgjedhjet e shkuara) si dhe të sinjalizojë institucionin përkatës si dhe Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për indikacione të përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale.
7. Interpretimi i bërë nga organet e KQZ-së mbi aktivitetet e ndryshme të zhvilluara në zgjedhjet e vitit 2021 dhe 2023, nëse ato kanë përbërë ose jo veprimtari publike, ka qenë tejet i gjerë dhe subjektiv, e në shumë raste edhe jashtë asaj që ligji në mënyrë eksplicite parashikon.
Në versionin e mëparshëm të ndërfaqes, fushat që lidheshin me këtë pjesë të raportimit ishin dy pyetjet e fundit, “Me pjesëmarrjen e medias?” dhe “I hapur për publikun?”. Evidentohet se përgjigjet në këto raste kanë qenë të kufizuara vetëm në “po” ose “jo”.
Në gjykimin e KRIIK, këto fusha nevojitet detyrimisht të zgjerohen për të ulur mundësinë e keqkuptimit apo keqinterpretimit lidhur me karakterin e këtyre veprimtarive dhe krijimin e një tabloje sa më të qartë gjykimi për KQZ-në.
Përsa i përket pyetjes “I hapur për publikun?”, gjykohet se nevojitet të saktësohet nëse aktiviteti është i hapur për një publik i cili mund të marrë pjesë rastësisht, apo nëse është parashikuar që për këtë të bëhet paraprakisht edhe një njoftim publik nga institucioni.
Sugjerohet që, nëse raportuesi pyetjes “I hapur për publikun?” i përgjigjet me “Po”, atëherë të shtohet një fushë shtesë “A do të bëhet ose jo njoftim publik” për këtë qëllim.
Përsa i përket pyetjes “Me pjesëmarrjen e medias?” , sillet në vëmendje se njihet tashmë botërisht se në praktikë, në pjesën dërmuese, institucionet aplikojnë përcjelljen vetë të sinjalit audioviziv live për tek mediat, apo duke i prodhuar vetë materialet audiovizive dhe përcjellë ato më pas të gatshme tek mediat veç për transmetim.
Lidhur me këtë pikë, pika 3 e nenit 4 të vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator përcakton se në formatin e raportimit institucionet duhet të informojnë se si parashikojnë të bëjnë “Mediatizimin e veprimtarisë”.
Në gjykimin e KRIIK, kjo fushë nevojitet detyrimisht të zgjerohet për t’i dhënë kuptimin e duhur dhe të saktë karakterit dhe publikimit të veprimtarisë.
Pyetja së mëparshme në formatin e raportimit “Me pjesëmarrjen e medias?” të ndryshohet me pyetjen “A është ftuar media për të marrë pjesë?”.
Ndërkaq nevojitet të ketë edhe katër fusha të tjera:
- “A do të përgatitet material audioviziv nga vetë institucioni?”
- “A do t’iu dërgohet material për publikim mediave audiovizive dhe atyre online?”
- “A do të publikohet aktiviteti në faqen e internetit të institucionit?”
- “A do të publikohet aktiviteti në rrjetet sociale?”
Me shtimin e këtyre fushave, bëhet e qartë nëse veprimtaria do të mediatizohet apo përdoret për informimin e publikut, në përputhje me Kodin Zgjedhor, duke mos e kufizuar tek prania fizike e mediave në aktivitet.
8. Duke marrë në konsideratë se shkelja e afatit të raportimit prej 5 ditësh përpara ditës së aktivitetit ka qenë në vijimësi një nga shkeljet më tipike të vërejtura, KRIIK sugjeron që të qartësohet se një aktivitet i raportuar përtej këtij afati është automatikisht i ndaluar. Një qasje e tillë u aplikua gjatë Zgjedhjeve Lokale 2023 nga KQZ-ja, por jo gjatë gjithë periudhës zgjedhore dhe jo në mënyrë konsistente.
Sa më sipër kërkon, në radhë të parë, një amendim të Vendimit nr. 9 të Komisionit Rregullator, pika 4 e nenit 4 të të cilit citon se veprimtaria duhet të raportohet 5 ditë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë, por pa përcaktuar pasojat nëse ky afat nuk plotësohet. Lipset pra, që më së pari të përcaktohet qartë në Vendimin nr. 9 se një veprimtari institucionale që nuk raportohet në KQZ së paku pesë ditë përpara ditës që do të zhvillohet nuk mund të kryhet.
Kjo të shoqërohet teknikisht në ndërfaqen e raportimit me kufizimin e raportimit të veprimtarisë pesë ditë pas datës së raportimit. Pra, sistemi të mos lejojë raportimin e asnjë veprimtarie në data më afër se 5 ditë nga data e raportimit. Datat brenda këtij afati të jenë inaktive dhe të mos lejohet përzgjedhja e tyre.
9. Në funksion të transparencës dhe njoftimit të publikut në lidhje me veprimtaritë e kryera nga institucionet publike gjatë periudhës zgjedhore, sugjerohet që të dhënat të publikohen nga KQZ-ja jo vetëm në formatin e aplikuar në zgjedhjet e shkuara (si një përshkrim i aktiviteteve në faqen e KQZ-së, por edhe në format të dhënash tabelare). Madje, KRIIK sugjeron që të dhënat të mundësohen për shkarkim të drejtpërdrejtë në format bruto, si të dhëna të hapura, në formatin që vetë sistemi i ngritur do të mundësojë (të gjitha bazat e të dhënave teknikisht mundësojnë gjenerimin e të dhënave në format .csv).
10. Duke marrë shkas se një nga problematikat e hasura në vijimësi ka qenë raportimi i një aktiviteti të ri nga ana e institucioneve në rastin kur ka ndryshime të aktivitetit të planifikuar tanimë (ndryshime të tilla mund të ndodhin në folës, orë zhvillimi, vend, apo edhe datë zhvillimi), KRIIK sugjeron që sistemi të mundësojë që përdoruesit të kenë akses dhe mundësi të bëjnë ndryshime të aktivitetit pasi ta kenë raportuar atë, apo edhe ta anulojnë totalisht aktivitetin nëse vendoset se nuk do të kryhet apo ka ndryshime thelbësore nga qëllimi fillestar (pra ndryshon përmbajtja).
Në rast se do të bëhen ndryshime ato të lejohen vetëm lidhur me datën dhe orën e zhvillimit të aktivitetit. Ndërsa për ndryshimet e tjera në përmbajtje do të duhet të anullohet dhe ri-raportohet si aktivitet duke u marrë e shqyrtuar sërish nga KQZ-ja.
Në çdo rast ndryshimet të lejohen vetëm deri në 24 orë përpara datës dhe orës në të cilin aktiviteti do të kryhet. Gjithashtu, sistemi të ruajë historikun e ndryshimeve, në mënyrë që të mund të shihet jo vetëm varianti final i raportimit por edhe të gjithë ndryshimet e kryera.
II. Rekomandime të hartuara nisur nga opinionet e disa institucione raportuese
Siç u përmend në hyrje të dokumentit, nga takime të kryera me disa institucione gjatë kësaj periudhe, KRIIK ka marrë feedback në lidhje me sistemin e raportimit.
11. Disa institucione kanë ngritur pretendimin se linku për aksesimin e ndërfaqes në ëebsite-in e KQZ-së nuk është mjaftueshëm i dukshëm.
KRIIK vlerëson se për të adresuar këtë mund të dërgohet në adresën e çdo institucioni linku që ata duhet të përdorin për të aksesuar ndërfaqen.
12. Një tjetër shqetësim i ngritur nga institucionet është vështirësia për të aksesuar sistemin e KQZ-së si pasojë e filtrave të sigurisë të vendosur në kompjuterët e përdorur prej tyre.
KRIIK sugjeron që në ndërtimin e ndërfaqes të merret në konsideratë kjo dhe të komunikohet me AKSHI-in për të garantuar se ndërfaqja e KQZ-së përputhet me parametrat e sigurisë që kërkon AKSHI.
13. Për ta bërë sistemin sa më shterues në shpjegim dhe miqësor ndaj përdoruesve, sugjerohet që çdo fushë që duhet të plotësohet nga përdoruesit (nëpunësit publikë të ngarkuar nga institucionet) të ketë një shpjegim të plotë dhe shterues se si plotësohet dhe çfarë informacioni duhet të futet në çdo fushë. Sqarimet mund të paraqiten si në format tekst që shoqëron pyetjet (të shkruara poshtë) ashtu edhe si tekst që del automatikisht (pop-up) në momentin kur kursori vendoset mbi një fushë të caktuar.
Në përfundim të këtij dokumenti, na lejoni gjithashtu të vendosim në pah se, ndërkohë që vlerësohet praktika tejet pozitive e vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të ndarë projekt-aktet paraprakisht me shoqërinë civile dhe mirëpritur sugjerimet, në funksion të efektivitetit, do të ishte e udhës që të lejohet më tepër kohë në dispozicion të organizatave të shoqërisë civile për të dërguar sugjerimet e veta. Në rastin konkret, mesazhi me kërkesën për sugjerime është dërguar thuajse në përfundim të ditës së fundit të punës të javës dhe sugjerimet kërkohen ditën e parë të punës të javës në vijim.
Një praktikë e tillë, në gjykimin e KRIIK, kufizon mundësinë që të mblidhen sugjerime nga të gjitha organizatat që mund të kenë të tilla, për efekt të kohës tepër të kufizuar në dispozicion për të përgatitur në material të mirëmenduar dhe të plotë dhe do të duhet të evitohet, sa të jetë e mundur.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në vazhdimësi, theksojmë disponueshmërinë e KRIIK për të sqaruar cilëndo nga pikat më sipër nëse të tilla sqarime janë të nevojshme.