Shkarko Rekomandimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve, për të cilin gjejmë rastin t’ju falënderojmë sërish, lidhur me projektvendimin “Mbi rregullat për numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë dhe përfshirjen e tyre në rezultatin e zgjedhjeve”, referuar edhe përgjigjeve të marra për çështjet e ngritura në takimin konsultues online të datës 14 nëntor 2024 ku KRIIK gjithashtu paraqiti sugjerimet e tij,
KRIIK ju paraqet, përpos se verbalisht në takim, edhe me shkrim më poshtë qëndrimin dhe rekomandimet e veta lidhur me këtë Projektvendim.
Më së pari, duke qenë se tanimë afatet ligjore të vendosura nga Kodi Zgjedhor janë tejkaluar, KRIIK nxit Komisionerin për propozimin dhe më pas Komisionin Rregullator për miratimin sa më të shpejtë të tij.
Gjithashtu, na lejoni të vëmë në dukje se një aspekt tejet pozitiv i administrimit të votës nga jashtë vendit nga administrata e KQZ-së është se në këtë mënyrë krijohet mundësia të testohet për herë të parë në Shqipëri administrimi jo-politik i zgjedhjeve.
Ndaj, KRIIK beson dhe ju nxit, ju si KQZ, që ky akt të jetë sa më i mirëmenduar dhe rregulluar në të gjithë elementët e mundshëm, në mënyrë që ky test i parë të shërbejë si model pozitiv për aspiratën e ndërtimit të një administrate zgjedhore profesioniste dhe të pavarur politikisht në të ardhmen.
1. Në lidhje me fuqinë vendimmarrëse të GNVJ-ve
Problematika kryesore që KRIIK vëren në lidhje me projektaktin është mungesa e qartësisë mbi autoritetin vendimmarrës në të gjithë procesin e numërimit të votave nga jashtë apo, akoma më problematike, veshja e GNVJ-ve me kompetenca vendimmarrëse.
Si shembull sillet pika III.4.2 e projektaktit ku përcaktohet se në rast të mospërputhjeve mes kodeve të vulave të sigurisë, me të cilat është mbyllur kutia, dhe kodeve të shënuara në procesverbal, vendimin e merr GNVJ.
KRIIK e gjen të papërshtatshme këtë zgjidhje pasi, në gjykimin e tij, GNVJ nuk mund të ketë legjitimitetin e duhur lidhur me të tilla vendimmarrje që mund të afektojnë direkt rezultatin zgjedhor. Për më tepër që, sikurse do të përmendet edhe në vijim, bëhet fjalë për grupe të përbëra nga nëpunës të përkohshëm të administratës së KQZ-së.
Ky problem vërehet edhe në rastin e vendimmarrjes në lidhje me votat e kontestuara (pikat III.4.9 dhe III.4.10).
Për analogji, në rastin e numërimit të fletëve të votimit brenda vendit vendimet në lidhje me mospërputhjet e kodeve të vulave të sigurisë apo fletët e kontestuara, apo edhe të tjera vendime të rëndësishme, merren nga KZAZ-ja dhe jo nga grupet e numërimit të votave. Grupet e numërimit të votave, në frymën dhe germën e Kodit Zgjedhor, kryejnë thjesht detyra klerikale të numërimit të votave, plotësimit të dokumentacionit, apo pasqyrimit aritmetik të rezultateve të numërimit, dhe nuk kanë fuqi vendimmarrëse, ndërkohë që GNVJ-të kanë fuqi që shkon përtej këtyre detyrave, çka përbën kontradiktë.
Ndërkohë që në takimin e zhvilluar online në datë 14 nëntor, pjesërisht Komisionieri iu përgjigj kësaj pikëpyetjeje, duke u shprehur se GNVJ-të janë në fakt një trupë e cila nuk ka analogji me administratën zgjedhore të zakonshme dhe se vetëm emri është i ngjashëm me GNV-të, dhe pavarësisht se ligjvënësit kanë ngarkuar KQZ-në për të rregulluar votimin nga jashtë në të gjithë elementët e vet dhe brenda diskrecionit të vet, sërish KRIIK gjykon se për të ruajtur koherencën e kuadrit ligjor do të ishte e udhës që, për sa të jetë e mundur, të ruhet analogjia mes administrimit zgjedhor të votave brenda dhe jashtë vendit, si në formë e veçanërisht në përmbajtje.
Për sa më sipër, në gjykimin e KRIIK, GNVJ-të duhet të jenë vetëm një trupë që kryen detyra klerikale, të ngjashme me ato të GNV-ve dhe të kenë të njëjtat kompetenca.
Ndërkohë, në rast të mospërputhjes mes kodeve të vulave të sigurisë dhe procesverbalit, në rastin e fletëve të kontestuara apo të të tjera rasteve që kërkojnë vendimmarrje, duhet që në akt të parashikohet një autoritet tjetër i cili të ketë të drejtë vendimmarrjeje mbi këto raste, si dhe të mbikëqyrë e drejtojë punën e GNVJ-ve (në modelin e KZAZ-ve).
Ky autoritet në zbatim të parashikimeve ligjore duhet të vijë po nga administrata e KQZ-së, por, sipas KRIIK, ai duhet të jetë i përbërë nga nëpunës të përhershëm të administratës së KQZ-së, të cilët duhet të jenë të lidhur drejpërdrejt me Komisionerin dhe të mandatuar/emëruar prej tij. (Për efekt të referimit më pas në këtë dokument, këtë trupë po e quajmë KZAZJ)
Në rast se propozimi i mësipërm nuk do të merret në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe do të gjykohet se vendimmarrja do të duhet të mbetet tek GNVJ-të (siç parashikohet në projektaktin aktual), atëherë KRIIK sjell në vëmendje se do të duhet të citohet qartë në akt nëse vendimet e GNVJ-së merren me shumicë apo në unanimitet, pasi kjo nuk duket të jetë e cituar në asnjë pikë të aktit.
2. Në lidhje me anëtarësinë e GNVJ-ve
Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 25/1 pika 4 “… Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëjtin moment që fillon numërimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse, si dhe vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. (…)”.
Në projektaktin e përcjellë për miratim, pika II.3. përcakton se “Procesi i numërimit dhe i vlerësimit të votave nga jashtë si dhe i tabulimit të rezultateve kryhet nga personeli i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, ndërsa pika II.5. përcakton se “[…] Vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Këto formulime janë jo-plotësisht të qarta dhe lënë hapësirë për interpretim nëse numërimi dhe vlerësimi do të kryhen nga administrata e KQZ-së apo KQZ-ja do të përcaktojë/angazhojë personel shtesë për këtë proces.
KRIIK rekomandon që formulimi i projektaktit t’i qëndrojë besnik gjuhës së përdorur nga Kodi Zgjedhor në të gjitha pikat, duke bërë të qartë se është administrata e KQZ-së që do të kryejë numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë.
Në vijim të sa më sipër, në zbatim të parashikimit të Kodit Zgjedhor si dhe konfirmimit të bërë nga Komisioneri përgjatë takimit konsultues, duhet të përcaktohet qartë në projekt-akt se administratë e KQZ-së, në funksion të këtij procesi, do të konsiderohet trupa e përkohshme e administratës së institucionit. Apo edhe se mund të përfshihen si pjesë e kësaj administrate, në rast se do të konsiderohet e nevojshme, edhe punonjës të përhershëm të KQZ-së.
Theksohet se lidhur me këta punonjës, është e domosdoshme të sigurohet me shumë kujdes një trajnim i plotë si dhe testimi i tyre paraprakisht. Angazhimi i tyre të mund të bëhet vetëm pas përfundimit me sukses të testimit.
Ndjekja e gjithë sa më sipër prej nëpunësve të përkohshëm, duhet të përcaktohet si detyrim në akt dhe në kontratën e punës së nënshkruar për angazhimin e tyre me kohë të pjesshme si personel i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjithashtu, nevojitet që në akt dhe në kontratat e punës me këta individë të përfshihen edhe të gjitha përgjegjësitë që do të mbahen në rast shkeljeje të kuadrit ligjor. Gjykohet se masat apo sanksionet e aplikuara nevojiten të jenë minimalisht të njëjta me numëruesit e grupeve të numërimit të votave brenda vendit.
Gjithashtu, për sa Kodi Zgjedhor pëcakton, edhe kutitë e votimit nga jashtë do të duhet t’i nënshtrohen Procesit të Auditimit Paszgjedhor.
Lidhur me këtë nevojitet që KQZ-ja të parashikojë amendimet e nevojshme në aktet nënligjore përkatëse së bashku me masat administrative që do të ndërmerren në rast shkeljeje, e që minimalisht nevojiten të parashikojnë të njëjtat pasoja si ndaj numëruesve të GNV-ve brenda vendit.
Po ashtu, rekomandohet që informacioni mbi procesin e auditimit post-zgjedhor dhe pasojat e dala prej tij, të bëhen pjesë e sesioneve informuese gjatë trajnimeve si dhe e kontratave që do të lidhen.
Tërë kjo gjykohet edhe si një mjet nxitës për të kryer detyrën e numëruesit me korrektësi, duke siguruar se nuk do të ketë asnjë tolerim apo anashkalim në rast se do të tregohen të pakujdesshëm (në rastin më të mirë) gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, megjithëse janë pjesë e administratës së KQZ-së.
3. Në lidhje me transportin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit nga jashtë nga KQZ-ja në VNVJ
Në parantezë, rikujtojmë se Kodi Zgjedhor në nenin 25/1 pika 1 parashikon se “Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ-së”.
Ky përcaktim ligjor detyron numërimin në KQZ, e për rrjedhim sjell nevojën e riformulimit apo saktësimit të pikës II.2. dhe III.1. të projekt-aktit, sipas të cilave duket se VNVJ-ja do të vendoset në një mjedis jashtë KQZ-së, duke bërë të nevojshëm shpjegimin e marrjes me qera të një ambienti prej KQZ-së, i cili plotëson maksimalisht kriteret e nevojshme në përmbushje të tërë kërkesave të parashikuara në aktet e KQZ-së dhe Kodit Zgjedhor.
Referuar konfirmimit të bërë gjatë mbledhjes konsultuese, sipas të cilit KQZ-ja do të kontraktojë një ambient jashtë godinës ku ushtron aktivitetin e vet, në funksion të mbledhjes dhe numërimit të votave që vijnë nga shtetasit të cilët jetojnë jashtë, KRIIK gjykon se në projekt-akt duhet të përfshihet parashikimi për transportin e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore.
Ky parashikim duhet të saktësojë tërë detajet e nevojshme qoftë për transportin nga KQZ-ja drejt sallës ku do të kryhet numërimi apo nga kompania postare direkt në këtë ambient që në fillim të procesit, si edhe dërgimin e tyre më pas në ambientet ku materialet do të ruhen në vijim.
Thënë sa më sipër, KQZ-ja nevojitet gjithashtu të ketë në konsideratë faktin që procesi i votimit nga jashtë në tërësinë e tij duhet të përmbajë së paku të njëjtat hallka sikurse ai brenda vendit si dhe përmbajtjen e akteve të miratuara tanimë nga KQZ-ja.
4. Në lidhje me “anëtarët vëzhgues” të GNVJ-ve
Pika III.2.7. e projekt-aktit përcakton vendosjen e dy anëtarëve vëzhgues të propozuar nga dy partitë kryesore politike për secilën GNVJ, pa të drejtë vote.
Gjykohet se ky parashikim është shumë pozitiv pasi rrit besimin e partive politike në proces dhe minimizon mundësitë për hedhjen e dyshimeve mbi integritetin e administrimit të votave nga jashtë.
Megjithatë, duke qenë se kjo është një kategori e re përsa i takon kuadrit ligjor aktual për zgjedhjet, del e nevojshme që në akt të përcaktohet procedura e propozimit, emërimit, si dhe e shkarkimit të tyre.
Gjithashtu, në frymën e rritjes së besimit në proces dhe të problematikave të vërejtura më parë të ndodhura edhe me dakordësinë e anëtarëve të dy partive më të mëdha politike, në gjykimin e KRIIK nevojitet të konsiderohet rritja e numrit të anëtarëve vëzhgues, së paku, edhe tek partitë politike që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë në KZAZ apo GNV në votimin brenda vendit.
5. Në lidhje me të drejtën e kontestimit të vlerësimit të fletëve të votimit
Pika III.4.9. e projektaktit parashikon se “Nëse ndonjë prej anëtarëve të GNVJ ka kontestime në lidhje me vlerësimin e fletës së votimit, ky kontestim shënohet në Procesverbalin e Numërimit të Votave nga Jashtë të Zonës Zgjedhore. Në pjesën mbrapa të fletës së votimit, nga faqja që nuk janë emrat e subjekteve zgjedhorë, sekretari shënon fjalën “E kontestuar”.”
Është e paqartë nëse anëtarët vëzhgues mund të kontestojnë ose jo vlerësimin e fletëve të votimit, njësoj si anëtarët e tjerë të GNVJ-së.
Duke qenë se kjo kategori vëzhguesish anëtarë nuk është e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, kjo e drejtë, apo mungesa e saj, nuk mund të deduktohen as nga as nga kuadri ligjor parësor, pra është e nevojshme që të përcaktohet qartë në këtë akt e drejta ose jo e anëtarëve vëzhgues për të kontestuar vlerësimin e fletëve të votimit.
Kodi Zgjedhor u njeh të drejtën e kontestimit ndaj vlerësimit të numëruesit të parë edhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, ndërkohë që projekt-akti nuk e përmend kontestimin nga ana e vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, ç’ka mund të krijojë konfuzion (neni 118, pika 2 e Kodit Zgjedhor: “Nëse ndonjë anëtar i grupit të numërimit ose ndonjë prej vëzhguesve të subjekteve zgjedhore s’është dakord me vlerësimin e numëruesit të parë, ky i fundit e vendos fletën e votimit të kundërshtuar në një vend të veçantë për fletët e votimit të kontestuara dhe vijon me fletën tjetër të votimit.”).
Duke qenë se një e drejtë e njohur nga Kodi Zgjedhor nuk mund të anashkalohet me një akt të KQZ-së, logjikshëm e drejta për të kontestuar një fletë votimi do të duhet t’u njihet edhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore.
Në mënyrë që të evitohen ngërçe apo interpretime gjatë numërimit, KRIIK gjykon se duhet të përcaktohet qartë në akt dhënia e së drejtës vëzhguesve të subjekteve zgjedhore për të kontestuar vlerësimin e një flete votimi, si dhe parashikimi i procedurave në vijim.
Gjithashtu, duke patur në konsideratë se në rastet e votave të kontestuara në procesin e numërimit brenda vendit është KZAZ-ja që vendos nëse janë të vlefshme apo të pavlefshme, në këtë rast është e nevojshme të përcaktohet se trupa që duhet të vendosë nëse vota e kontestuar nga anëtarët apo vëzhguesit është e vlefshme ose jo, të jetë trupa nga administrata që mbikëqyr dhe drejton punën e GNVJ-ve (apo KZAZJ, sipas propozimit të bërë në pikën 1 të këtij Dokumenti).
6. Në lidhje me modalitetin e njoftimit për nisjen e numërimit të votave brenda vendit
Pika III.3.1. e projekt-aktit parashikon se njoftimi i KQZ-së nga sekretarët e KZAZ-ve kryhet nëpërmjet postës elektronike, ose nëpërmjet mesazhit në aplikacionin KQZ, apo aplikacione të tjera.
Në gjykimin e KRIIK projektakti duhet të përcaktojë në mënyrë shteruese metodat që mund të përdoren për përcjelljen e njoftimit, si dhe personin përgjegjës për marrjen dhe përcjelljen e këtij njoftimi tek GNVJ-ja përkatëse.
Nëse sipas propozimit në pikën nr. 1 të këtij dokumenti do të gjykohet e arsyeshme të vendoset një trupë vendimmarrëse dhe menaxhuese e këtij procesi (KZAZJ-ja), atëherë njoftimi mund të kryhet direkt aty duke përcaktuar kontaktin e kryetarit apo sekretarit të kësaj trupe.
Nëse propozimi i bërë në pikën nr. 1 nuk do të merret në konsideratë, atëherë duhet të parashikohet në akt pozicioni në administratën e KQZ-së i personit që do të jetë përgjegjës për këtë proces, ose mënyrën e përcaktimit të tij, p.sh me urdhër të Komisionerit.