Shkarko Rekomandimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve, për të cilin gjejmë rastin t’ju falënderojmë sërish, lidhur me projekvendimin “Për miratimin e rregullave për procedurat e votimit nga jashtë vendit”,
KRIIK ju paraqet më poshtë qëndrimin e vet lidhur me këtë Projektvendim.
Në parantezë, KRIIK ju ri-sjell në vëmendje çështjen e vlefshmërisë ose jo të dokumentit të identifikimit të shtetasve që jetojnë jashtë dhe kufizimin e mundshëm të shprehjes së të drejtës së tyre të votës, lidhur me këtë element formal.
Nisur nga praktika e ndjekur në zgjedhjet e mëparshme dhe diskutimet e shumta mbi vlefshmërinë e dokumentit të zgjedhësit, KRIIK gjykon dhe nxit KQZ-në që, në respekt dhe zbatim të përcaktimeve të bëra në Kodin Zgjedhor, të bëjë përpjekjet e duhura, në bashkëpunim edhe me partitë politike parlamentare si dhe Ministrinë e Brendshme e atë të Jashtme, për të udhëzuar përshpejtimin e procedurave të pajisjes me dokumente identifikimi të shtetasve që jetojnë jashtë, për efekt të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.
Po ashtu, nxitet KQZ-ja që të ndërveprojë me Ministrinë e Brendshme dhe me Këshillin e Ministrave lidhur me faktin se, nëse do të gjykohet që të shtyhet afati i vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, akti ligjor përkatës të miratohet së paku 3 muaj përpara datës së zgjedhjeve. Kjo do të siguronte zbatimin e parimit të barazisë, pra të kushteve të barabarta në këtë aspekt, për të gjithë shtetasit me dokumente identifikimi jo të vlefshme ditën e zgjedhjeve, pavarësisht nëse ata do të votojnë brenda apo me postë nga jashtë vendit.
Lidhur me përmbajtjen e projekt-vendimit, rekomandohet si më poshtë vijon:
I. Në Kreun II, Pika 1 e projekt-vendimit parashikohet se: “Të drejtën e votës nga jashtë vendit e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, emri i të cilit gjendet në listën përfundimtare të zgjedhësve nga jashtë dhe që në PER ka ngarkuar një dokument identifikimi të vlefshëm përpara miratimit të kësaj liste.”
KRIIK rekomandon se nevojitet të qartësohet e shkruhet eksplicisht që në PER duhet të ngarkohet një dokument i vlefshëm identifikimi në ditën e zgjedhjeve, sikurse Kodi Zgjedhor përcakton për këdo zgjedhës që voton.
II. Në Kreun II, Pika 2 e projekt-vendimit parashikohet se: “Fleta e votimit nga jashtë vendit është për çdo zonë zgjedhore, e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, por me një element të veçantë dallues”
KRIIK rekomandon se nevojitet të shtohet edhe përcaktimi se fleta e votimit duhet të mos përmbajë asnjë kod elektronik të lexueshëm, pra as “barkod” dhe as “qrkod”.
Kjo në funksion të sigurisë për mos-identifikimin në asnjë rast të votës, gjë e cila mund të ndodhë nëse lidhet barkodi i fletës së votimit me emrin e zgjedhësit të cilit i dërgohet fleta dhe me administrimin e numërimin e saj më pas, proces ky i monitoruar e regjistruar me kamera me rezolucion të lartë.
KQZ-ja duhet të japë garanci të plotë dhe mbajë barrën e provës që procesi i fshehtësisë së votës nuk mund të cënohet në asnjë rrethanë, pavarësisht administrimit të tërë procesit nga administrata e KQZ-së dhe garancive deklarative apo etike që mund të jepen në këtë drejtim.
Nëse për efekt të prodhimit të fletëve e numërimit të tyre paraqitet e nevojshme të vendoset një kod numërtues, çdo kod elektronik apo numërimi të vendoset në kundrafletën e fletës apo bllokut të fletëve të votimit, por në asnjë rast të mos ekzistojë mundësia e lidhjes, direkt apo indirekt, e çfarëdo kodi apo numërtimi të përdorur me fletën e votimit.
III. Në Kreun III.2, pika 3 e projekt-vendimit parashikohet se: “Dërgimi i dokumentacionit zgjedhor bëhet nëpërmjet një shërbimi postar që mundëson gjurmimin e dërgesës.”
KRIIK rekomandon se nevojitet të përcaktohet eksplicisht se dërgimi i dokumentacionit zgjedhor të bëhet detyrimisht nëpërmjet një shërbimi të shpejtë postar që mundëson gjurmimin e dërgesës.
KRIIK gjykon se në kushtet e kohës së konsiderueshme që kërkon dërgesa me postë, shqetësim ky i ngritur edhe nga vetë KQZ-ja, kjo e fundit duhet të mos harxhojë më shumë se 2-3 ditë për të dërguar dokumentacionin zgjedhor tek zgjedhësit jashtë vendit, duke i lënë sa më shumë kohë në dispozicion atyre për dërgimin me postë të votës së tyre.
Duke qenë se kosto financiare e dërgimit të votës në KQZ do të mbulohet nga vetë zgjedhësit, është e natyrshme që ata të zgjedhin kompani postare të ndryshme, të shpejta ose jo. Në rastin e dytë paraqitet detyrimisht nevoja që zgjedhësve tu lihet sa më shumë kohë në dispozicion në mënyrë që ata të mund ta dërgojnë votën e tyre në KQZ edhe me postë të thjeshtë.
KRIIK gjykon se vendimi i ligjvënësit për t’i mbuluar shteti kostot e dërgimit të dokumentacionit zgjedhor dhe diskrecioni që KQZ-ja i ka dhënë vetes për suksesin e këtij procesi madhor, duhet ta nxisë atë për të kërkuar fondin e nevojshëm financiar për të përballuar shërbimin e shpejtë postar.
IV. Lidhur me pikën 4 të Kreut III.2 (“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillimisht bën përpjekje të përzgjedhë ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit, të cilët kanë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë. Zgjedhja e këtij operatori realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkurtra që mundëson legjislacioni për prokurimin publik”), gjykohet se duhet të shtohet në vijim apo në një pikë të veçantë se KQZ-ja shpall thirrjen dhe kontakton paraprakisht me operatorët e postës së shpejtë, të cilët ftohen të shprehin interesin paraprakisht dhe ofertën financiare me fasha të numrit të dërgesave dhe sipas vendeve të ndryshme.
Gjithashtu këto kompani deklarojnë paraprakisht përmbushjen e çdo parametri tjetër të kërkuar prej KQZ-së lidhur me zbatimin e këtij procesi, së bashku me garancitë përkatëse që ato ofrojnë.
Ky përcaktim shtesë do të mund t’i japë mundësi KQZ-së të njohë paraprakisht terrenin dhe ofertat e kompanive në treg, përfshirë përmbushjen e tërë parametrave të tjerë të kërkuara, duke fituar kohë e thjeshtuar më pas edhe procesin e vendimmarrjes në përzgjedhjen e kompanisë me të cilët do të lidhë kontratë.
Gjithashtu, gjykohet se është e nevojshme që të përcaktohet në këtë akt, në këtë kre apo në një tjetër, se aktmarrëveshjet apo kontratat e lidhura midis KQZ-së dhe kompanisë/ve përkatëse duhet të përmbajnë të detajuara edhe përgjegjësitë e nevojshme administrative e ato penale në rast të cënimit të garancive dhe shkeljes së akteve rregullatore të miratuara nga KQZ-ja.
V. Në Kreun III.3, pika 2 e projekt-vendimit parashikohet se: “Pasi plotëson fletën e votimit, zgjedhësi e vendos atë në zarfin e fletës së votimit të dërguar nga KQZ. Në zarfin e fletës së votimit vendoset/futet vetëm fleta e votimit dhe asnjë dokument tjetër.”
KRIIK rekomandon se në këtë pikë nevojitet të shtohet një fjali lidhur me karakteristikat e zarfit ku do të vendoset fleta e votimit.
Sugjerohet që të përcaktohet se zarfi duhet të jetë i përbërë nga një letër e trashë, me ngjyrë të veçantë dhe i pa tejdukshëm, duke siguruar në mënyrë të plotë mosleximin me asnjë lloj forme apo mjeti të përdorur të fletës të votimit që do të përmbajë në brendësi.
VI. Në Kreun III.3, pika 4 e projekt-vendimit parashikohet se: “Zarfi i fletës së votimit, i cili përmban vetëm fletën e votimit, vendoset në një zarf tjetër të siguruar nga vetë zgjedhësi, i cili ka dimensione të rekomanduara nga KQZ. Mbi këtë zarf zgjedhësi duhet të vendosë/ngjisë Kodin Unik të regjistrimit të tij në PER, të cilin ai e printon nga kjo platformë. Kodi Unik i zgjedhësit gjenerohet automatikisht nga PER dhe përmban emër, mbiemër të zgjedhësit, shtetin ku ka kërkuar t’i dërgohet fleta e votimit, si dhe qarkun ku ka regjistrin e gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë. Kodi Unik i zgjedhësit është gjithashtu i pasqyruar në formën e një Barcode, ose QR Code.”
Pra thuhet se zarfi i fletës së votimit, i cili përmban vetëm fletën e votimit, vendoset në një zarf tjetër të siguruar nga vetë zgjedhësi, i cili ka dimensione të rekomanduara nga KQZ.
KRIIK rekomandon që, për të lehtësuar procesin, ngarkesën e shtetasit, por edhe shmangien e keqkuptimeve të mundshme, zarfi i dytë, në të cilin futet zarfi i parë që përmban fletën e votimit, duhet të merret përsipër e të dërgohet nga KQZ-ja së bashku me dokumentacionin zgjedhor.
Sugjerohet gjithashtu që ky zarf i dytë të jetë dukshëm më i madh se zarfi i parë ku futet fleta e votimit, si dhe të ketë një ngjyrë të ndryshme nga ai.
Më pas të mund të udhëzohet zgjedhësi për procedurat në vijim nëpërmjet referimit të ngjyrës dhe madhësisë së zarfit.
VII. Në Kreun III.3, pas pikës 6 (“Dërgimi i dokumentacionit zgjedhor nga zgjedhësi për në KQZ, rekomandohet të bëhet nëpërmjet një shërbimi postar i cili mundëson gjurmimin e dërgesës. Zgjedhësi duhet të kujdeset që dërgimi i dokumentacionit zgjedhor për në KQZ të bëhet brenda një afati i cili mundëson mbërritjen e tij në Republikën e Shqipërisë brenda orës 19:00 të ditës së zgjedhjeve.”), rekomandohet të shtohet një pikë ku të përcaktohet se zgjedhësi njofton nëpërmjet PER, ditën, datën, orën dhe emrin e kompanisë prej nga ka nisur zarfin.
Gjithashtu sugjerohet të ofrohet nëpërmjet PER mundësia që të tregohet nga zgjedhësi koha e përafërt (në ditë ose datë) se kur pritet që zarfi i nisur të mbërrijë në Shqipëri, pasi zgjedhësi ta ketë marrë këtë informacion nga kompania ku ai ka nisur zarfin.
Ky informacion do do të ndihmojë KQZ-në dhe tërë aktorët e interesuar të kenë një panormaë më të plotë dhe dijeni paraprake mbi numrin e përfaërt të zarfave të votimit që mund të vijnë deri në afatin e caktuar nga Kodi Zgjedhor, e sa pas tij.
Po ashtu, PER sugjerohet që të ofrojë gjithashtu edhe mundësinë që zgjedhësi të tregojë nëse kompania ku ka nisur zarfin ofron ose jo gjurmim të dërgesës, si dhe mënyrën apo adresën se si mund të gjurmohet ajo.
VIII. Në Kreun III.4, pika 2 e projekt-vendimit parashikohet se: “Operatori i shërbimit postar ka detyrimin që pritja, grumbullimi dhe ruajtja e dokumentacionit zgjedhor nga momenti i mbërritjes në Republikën e Shqipërisë deri në dërgimin e këtij dokumentacioni në KQZ duhet të bëhet në një ambient të posacëm i cili duhet të ketë shërbim të monitorimit me kamera. Regjistrimet e këtij monitorimi ruhen në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse, por në cdo rast deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.”
KRIIK rekomandon se nevojitet të përcaktohet eksplicisht se ambienti i posaçëm ku mblidhet dhe ruhet dokumentacioni zgjedhor të monitorohet në mënyrë të pandërprerë me kamera, brenda dhe jashtë tij, duke siguruar pamje të plotë mbi dhe përreth dokumentacionit zgjedhor.
IX. Në Kreun III.4, pika 3 e projekt-vendimit parashikohet se: “Operatori i shërbimit postar shënon në një regjistër të posacëm të gjitha të dhënat mbi dërgesat e dokumentacionit zgjedhor, si të tilla, por jo vetëm, emër dhe mbiemër të dërguesit, shtetin, si dhe datën dhe orën e mbërritjes.”
KRIIK rekomandon se nevojitet të përcaktohet në vijim se operatori njofton në mënyrë periodike nëpërmjet postës elektronike mbi gjendjen e rregjistrit dhe dërgesat që kanë mbërritur e që janë rregjistruar në të, duke dërguar foto të faqeve të plotësuara në adresë të personelit përkatës në KQZ, çdo 1 orë.
X. Në Kreun III.4, pika 5 e projekt-vendimit parashikohet se: “Operatori i shërbimit postar ka detyrimin e dorëzimit në KQZ të dokumentacionit zgjedhor brenda 24 orëve. Me këtë rast midis KQZ dhe operatorit të shërbimit postar mbahet një procesverbal. Dorëzimi mund të bëhet në ambientet e KQZ, ose në ato të operatorit të shërbimit postar.”
KRIIK rekomandon se nevojitet të përcaktohet dërgim periodik i dërgesave të mbërritura më të shpeshta, e maksimumi në afatin kohor të 12 orëve, nga mbërritja.
Po ashtu, nevojitet të përcaktohet në këtë pikë, në mënyrë eksplicite se, në ditën e zgjedhjeve, dërgesat e fundit të mbërritura deri në ora 19.00 të dërgohen jo më vonë se 2 orë në KQZ.