Shkarko Rekomandimin ne pdf
Të nderuar anëtarë të Komisionit Rregullator!
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve, për të cilin gjejmë rastin t’ju falënderojmë sërish, pas marrjes së njoftimit ditën e sotme, datë 17.10.2024 ora 16.14, për zhvillimin e mbledhjes së Komisionit Rregullator ditën e nesërme, datë 18.10.2024 ora 10.00, me rend dite “Për miratimin e rregullave për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve”,
KRIIK ju paraqet më poshtë qëndrimin e vet lidhur me këtë Projektvendim.
Nga shqyrtimi i Relacionit dhe Projektvendimit, vlerësohet paraprakisht se në sesionin “Bashkërendimi i projektvendimit me palët e interesuara” të Relacionit, nuk përmendet takimi konsultues online i zhvilluar më datën 30.09.2024, në të cilin merrnin pjesë edhe aktorë të tjerë, përpos atyre që ju kishin dërguar opinione me shkrim mbi projektvendimin. Në Relacion nuk përmenden as propozimet dhe rekomandimet e bëra gjatë këtij takimi, megjithëse në takim u deklarua se diskutimet e bëra do të zbardheshin dhe do të shqyrtoheshin prej administratës për tu marr ose jo në konsideratë në variantin final të projektvendimit.
KRIIK ishte një ndër aktorët pjesëmarrës në këtë takim online, ku, që në hyrje të tij, theksoi se paqartësia mbi draftin e projektvendimit të përcjellë dhe pikëpyetjet mbi mirëfunksionimin e tërë mekanizmit e bënin të pamundur dërgimin e një materiali konciz e konkret me shkrim. Pasi nëse do të dërgohej një material i tillë do të ishte supozues mbi disa alternativa që do të merreshin me mend se mund të aplikoheshin, duke e berë materialin të zgjatur e të lodhshëm për tu kuptuar.
Për këtë arsye KRIIK vendosi që tërë pikëpyetjet dhe opinionet e tij t’i paraqiste në takimin e paralajmëruar që do të zhvillohej, e dërgimin më pas të një materiali të shkruar nëse do të ishte nevoja.
Nga shqyrtimi i draftit final të aktit, vërehet se ka disa përmirësime të bëra, por, në gjykimin e KRIIK, sërish mbeten disa pika të cilat nevojiten të merren në konsideratë për të bërë të mundur ndërtimin e një procesi sa më efikas, të sigurt e të besueshëm.
I. Kodi Zgjedhor në nenin 24 të tij përcakton se votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi. Çdo organ shtetëror shqiptar dhe çdo ent tjetër shtetëror ose privat që përfshihet në këtë proces janë të detyruar të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë Kod dhe në aktet nënligjore që miraton KQZ-ja në zbatim të tij (pika 3) dhe se procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të Rregullatorit, me propozimin e Komisionerit, brenda 90 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji (pika 5).
Nisur nga ky parashikim i Kodit, duke patur në konsideratë faktin që realizimi i procesit të votimit për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë realizohet për herë të parë, e për rrjedhim e gjithë paketa e akteve nënligjore është e re, në kontekstin aktual institucional e politik të vendit, si dhe në kushtet e një përgjegjësie të vendosur tek KQZ për mirëadministrimin e procesit, këto akte nënligjore duhet të përmbajnë të reflektuar jo vetëm çdo detaj të realizimit të procesit në të tërën e tij e institucionet me të cilat do jetë i nevojshëm ndërveprimi përgjatë procesit, por sidomos edhe përcaktimin e përgjegjësive konkrete për secilin prej tyre, si dhe përgjegjësinë ligjore në rast të problematikave eventuale përgjatë ecurisë së procesit.
Votimi i shtetasve që jetojnë jashtë Shqipërisë, është një proces që përmban disa hallka deri në realizimin total të tij, përmban disa institucione që do duhet të ndërveprojnë, kompani private të cilat mund apo do të duhet të kontraktohen, etj.
Në këto kushte, për të patur një panoramë më të qartë dhe më të plotë të gjithë procesit, duke eliminuar pikëpyetjet në lidhje me të tjerë elementë dhe diskutimet mbi harmonizimin e komponentëve të ndryshëm,
do të ishte e udhës që të gjitha aktet nënligjore që rregullojnë votimin e shqiptarëve jashtë vendit të hartoheshin, konsultoheshin dhe miratoheshin si një paketë e vetme, duke përfshirë aktet nënligjore për të gjitha fazat.
Duke marrë në konsideratë faktin se afati fundor për miratimin e akteve në lidhje me votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është data 13 nëntor 2024, gjykohet se ka kohë të mjaftueshme që të gjitha aktet të shihen në integral dhe të votohen në një paketë të vetme. Aktet mund të përgatiten dhe konsultohen një nga një, por aprovimi i tyre nga ana e Komisionit Rregullator do të duhet të kryhet vetëm në momentin e fundit, pasi i gjithë kuadri rregullator të jetë i plotësuar.
Në këtë mënyrë do të minimizohet mundësia që të ketë nevojë për ndërhyrje të mëvonshme në aktet e miratuara tanimë, pasi gjatë përgatitjes së akteve të mëvonshme mund të dalin çështje të cilat nuk janë parashikuar në momentin e parë të përgatitjes së një akti të caktuar. Ashtu sikurse mund të ndodhë që hartimi i akteve në vijim të mbetet peng i mos parashikimit në mënyrën e duhur në aktet e miratuara tashmë.
II. Në projektvendim, parashikohet realizimi i procesit të regjistrimit të votuesve që jetojnë jashtë nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), platformë e cila me shumë gjasë, për mungesë të kapaciteteve në dispozicion, do të kontraktohet nga KQZ-ja tek kontraktorë privatë.
Por pavarësisht se kjo platformë është praktikisht baza e realizimit të procesit të regjistrimit, deri në këto momente, të paktën publikisht, nuk ka asnjë akt nënligjor të detajuar se si do të jetë e ndërtuar, kush do të mbajë barrën e përgjegjësisë në rast të problematikave eventuale në funksionimin e saj, rolin mbikëqyrës të KQZ-së mbi të, sigurinë e të dhënave që do të përpunohen e administrohen, siodomos në rast kontraktimi, etj.
Gjithë sa më sipër, por jo vetëm, janë hallka shumë të rëndësishme, pas kolaudimit të të cilave, mund të vijohet me mënyrën e përdorimit të Platformës dhe vijimin e regjistrimit të votuesve në të.
KRIIK sugjeron që në Projektvendim të përcaktohet se sistemet e teknologjisë së informacionit që sigurojnë procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë të jenë të miratuara nëpërmjet një akti të Komisionerit Shtetëror, duke udhëzuar këtë të fundit që në aktin e miratuar prej tij të përshkruajë në detaje, programet, modulet e aksesit, protokollet e sigurisë, kontrollin e tyre në çdo kohë, si dhe parashikimin e procesit periodik të hartimit të raporteve të auditimit nga vetë kompania e kontraktuar, raporte të cilat t’i dorëzohen KQZ-së e mbi të cilat të kenë akses tërë aktorët politikë e ato monitorues, e veçanërisht parashikimin e auditimit të plotë të tërë sistemit përpara e pas zgjedhjeve.
III. Procesi i regjistrimit të zgjedhësve jashtë vendit do të realizohet në koordinim me Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, por nuk është e qartë nëse KQZ ka patur një konsultim paraprak me këtë institucion lidhur me procesin në fjalë. Kodi Zgjedhor, në nenin 25 pika 13 përcakton se “Komisioneri dhe Ministri përgjegjës për gjendjen civile, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcaktojnë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për çregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në listën e zgjedhësve brenda vendit”.
Ndërkohë që projekt-vendimi i KQZ-së përcakton mënyrën e ç’regjistrimit të zgjedhësve nga lista e zgjedhësve, nuk është e ditur, së paku publikisht, nëse është hartuar një akt i përbashkët deri në këtë moment.
Ka disa pyetje, përgjigjet e të cilave mund të kërkojë orientim në këtë projektvendim që do të miratohet nga Rregullatori, si psh: regjistrimi / ç’regjistrimi do të jetë automatik apo me ndërhyrje njerëzore? Nëse me ndërhyrje njerëzore (aprovim) kush e verifikon? KQZ apo DPGJC? (shih gjithashtu më poshtë pikën IV të këtij Opinioni).
KRIIK sugjeron se duhen bashkërenduar hapat me Ministrinë e Brendshme (RKGJC) për kryerjen e një procesi regjistrimi dhe verifikimi të shpejtë, të saktë dhe në kohë. Eksperienca jo fort pozitive e komunikimit ndërinstitucional në raport me verifikimet e përbërësve zgjedhore të kandidatëve për efekt të ligjit të ashtuquajtur të dekriminalizimit nuk duhet të përsëritet edhe në këtë rast. Procesi i verifikimit dhe regjistrimit nuk duhet cedojë për shkak të mosfunksionimit të marrëdhënies ndër-institucionale, e cila duhet të jetë e mirëvendosur paraprakisht.
IV. Evidentohet paqartësi në verifikimin e të dhënave sipas parashikimeve të bërë në pikat IV.1 dhe IV.2 të Projektvendimit.
Sipas pikës IV.1 “PER përmes ndërveprimit në kohë reale me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC), kontrollon saktësinë dhe përputhshmërinë e të dhënave të zgjedhësit që u përftuan sipas pikës 3, shkronja “a”, të kreut III, të këtij vendimi”.
Pra, prezumohet se midis dy sistemeve, pra Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC) dhe Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER) ka komunikim në kohë reale, çka nënkupton se PER do të ketë akses tek RKGJC-ja apo se dy sistemet do të jenë të integruar.
Ky parashikim del mbi parashikimin e autorizuar nga pika 6 e nenit 25 të Kodit Zgjedhor në të cilin parashikohet se të dhënat e identitetit të shtetasit kërkohen të verifikohen nga KQZ-ja në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe, nëse ato janë të njëjta, bëhet nga DPGJC-ja regjistrimi në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile i adresës së shtetasit që voton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në një rubrikë të veçantë, parashikim i cili është vendosur edhe në pikën IV.2 të projektvendimit, ç’ka në fakt duket një veprim verifikimi i dupluar me atë të pikës IV.1.
V. Ka paqartësi në lidhje me kriteret për miratimin ose jo nga KQZ-ja të kërkesës së shtetasit për tu regjistruar si zgjedhës në listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, për të cilën përcaktohet afati 5 ditor të parashikuara në pikat 3, 4 dhe 5 të kreut IV të projektvendimit.
Në këtë kre të projektvendimit, në një pikë shtesë të tij nr. 6, konsiderohet e nevojshme të parashikohet qartësisht se kur KQZ-ja mund ta rrëzojë kërkesën e shtetasit për tu përfshirë në listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, në rastin kur të dhënat e identitetit të shtetasit janë të sakta dhe përputhen me të dhënat që RKGJC ka për këtë zgjedhës.
Nëse mbetet vetëm verifikimi i dokumentit të adresës së shtetasit, atëherë duhet përcaktuar qartë se vetëm pasaktësia e këtij dokumentacioni mund të sjellë mospërfshirjen e shtetasit në listën e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit.
Është e natyrshme në këtë pikë të parashikohet dhe përcaktohet se si, në ç’mënyrë, me çfarë mjetesh, si dhe se kush do të bëjë shqyrtimin dhe verifikimet e nevojshme të dokumentit të dorëzuar që përcakton adresën e vendbanimit të shtetasit.
Ky parashikim është i nevojshëm të bëhet në këtë projektvendim, pasi në aktin tjetër të veçantë të Rregullatorit, që do të merret në zbatim të pikës 3/b të kreut III të këtij projektvendimi, parashikohet vetëm miratimi i Listës së dokumenteve që vërteton qëndrimin e shtetasit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
VI. Kodi Zgjedhor në pikën 3 të nenit 45 të tij parashikon se: “Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, krahas përbërësve zgjedhorë të zgjedhësve sipas pikës 1 të këtij neni, dërgon në KQZ edhe fotografinë e çdo zgjedhësi të depozituar gjatë aplikimit për letërnjoftim elektronik ose pasaportë biometrike. Institucioni përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike, me kërkesë të DPGJC-së, i dërgon foton e fundit të përdorur për prodhimin e dokumenteve biometrike të secilit zgjedhës”.
Ky nen, i parashikuar jo më kot nga ligjvënësi, lidhet drejtpërdrejtë me verifikimin e identitetit të votuesit, ndërkohë që në projektvendimin e paraqitur, nuk ka asnjë referencë ndaj këtij neni dhe tërë procesit që ai mbart.
Në gjykimin e KRIIK, vërtetimi i identitetit të votuesit është një nga elementët më të rëndësishëm dhe më thelbësor të këtij procesi, në mënyrë që të evitohet votimi për një person tjetër (veçanërisht në situatën aktuale, kur të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë janë tanimë publike si rrjedhim i disa episodeve të nxjerrjes së tyre). Ndaj mbetet thelbësore që projekt-vendimi të përfshijë në detaje dhe hap pas hapi metodologjinë dhe metodat që do të përdorë KQZ-ja për t’u garantuar në lidhje me identitetin e votuesit, si dhe teknologjinë që do të përdoret, përfshirë çdo element të mundshëm sigurie.
Verifikimi i identitetit të zgjedhësit është i pakuptimtë dhe nuk ka asnjë vlerë në qoftë se nuk përfshin edhe verfikimin vizual të tij, pra të fotos dhe pamjes së fytyrës të personit i cili hap llogarinë në platformën PER.
Për këtë është e nevojshme që të bëhet verifikimi dhe përqasja e fotografisë së dokumentit të identifikimit që zgjedhësi skanon në PER, me pamjen e zgjedhësit që hap llogarinë në PER, si dhe me fotografinë që zgjedhësi ka depozituar gjatë aplikimit më të fundit për letërnjoftim elektronik ose pasaportë biometrike, sipas pikës 3 të nenit 45 të Kodit Zgjedhor.
Parashikimi i bërë për verifikimin e zgjedhësit në PER, sipas pikës 2 të kreut III: “Paraqitja e kërkesës në PER bëhet duke krijuar një llogari në këtë platformë nga vetë zgjedhësi. Krijimi i llogarisë dhe hyrja në të në vijim sipas rastit bëhet nëpërmjet përdorimit të 3 (tre) faktorë autentifikimi. Njëri prej faktorëve autentifikues duhet të jetë biometrik me njohje të fytyrës (ang. face recogniton) faktori tjetër është një kod unik i përkohshëm 6 shifror që i dërgohet zgjedhësit në numrin e tij të telefonit mobil dhe email, si dhe faktori i tretë është Numri Personal i Identifikimi (NID) i zgjedhësit dhe fjalëkalimi.”, vlen vetëm pasi është krijuar profili i zgjedhësit në PER dhe siguron vetëm që atë profil ta hapë i njëjti përson që e çeli, pavarësisht nëse ai është personi i vërtetë apo një person tjetër, i cili ka përdorur gjeneralitetet e zgjedhësit në fjalë.
Madje, projektvendimi nuk parashikon më pas asnjë formë verifikimi lidhur me pamjen e personit që ka hapur llogarinë në PER me fotografinë e dokumentit të identifikimit të tij.
KRIIK gjykon se është e domosdoshme që, në funksion të identifikimit të vërtetë të zgjedhësit, Projekvendimi të parashikojë tërë elementët e nevojshëm që t’i përgjigjet pyetjeve:
Si do të realizohet identifikimi me face recognition? Do të bëhet nëpërmjet algoritmit kompjuterik apo gjykimit njerëzor?
Nëse do të kryhet nëpërmjet gjykimit njerëzor, çfarë trajnimi do të kenë këta punonjës dhe nga kush do të varen (KQZ apo Ministria e Brendshme?)?
A do të ishte e nevojshme që, për ta futur këtë proces në mënyrë të plotë në shinat e ligjit dhe të profesionalizimit, nëpunësi që do të bënte verifikimin e tre fotografive të ishte efektivë të policisë së kufirit, si në rastin e Moldavisë?
Po, në rastin kur fotografia e personit që ka hapur llogarinë në PER nuk përputhet me foton e dokumentit të identifikimit të skanuar apo me foton e përcjellë nga . institucioni përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike, si do të procedohet?
Në përfundim të këtij Opinioni, KRIIK shpreh gatishmërinë e tij për të ofruar detaje apo shpjegime më të plota lidhur me sugjerimet e mësipërme, nëse një gjë e tillë do të konsiderohet e nevojshme prej KQZ-së.