Të nderuar Anëtarë të Organeve Drejtuese të KQZ-së!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të gjithë bashkëpunimit të deritanishëm me Institucionin e KQZ-së, bashkëpunim të cilin KRIIK e ka vlerësuar në vazhdimësi dhe për të cilin ju falënderojmë sërish,
ju drejtohemi me këtë shkresë për të shprehur shqetësimin tonë në lidhje me rrezikun e dështimit, de facto, për të tretin raund zgjedhor radhazi, të mekanizmit që synon parandalimin e përdorimit të burimeve shtetërore për avantazh elektoral gjatë periudhës zgjedhore.
Siç jeni në dijeni, përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime elektorale, një problematikë e hershme e zgjedhjeve në Shqipëri, ka qenë dhe është në fokus të veçantë të vëmendjes së vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë.
Na lejoni të rikujtojmë se si Raporti Përfundimtar i ODIHR[i], ashtu edhe ai KRIIK[ii] për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2021 e kanë vendosur këtë problematikë madhore si një nga pikat kryesore të tyre.
Edhe në këto zgjedhje, problematika mbetet e mprehtë. Raporti i Misionit të Vlerësimit të ODIHR për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit e rithekson nevojën për fokusimin e vëzhgimit në përdorimin e burimeve shtetërore[iii].
KRIIK, gjithashtu, e ka identifikuar këtë si një nga problematikat kryesore të këtyre zgjedhjeve dhe është investuar në vazhdimësi për adresimin e saj, siç jeni në dijeni falë komunikimeve të vazhdueshme e intensive mes KRIIK dhe KQZ-së në këtë periudhë dhe numrit të raporteve e denoncimeve që KRIIK ka dërguar në lidhje me këtë problematikë.
Në fokus të angazhimit të KRIIK, përgjatë periudhës parazgjedhore për Zgjedhjet Vendore të 14 majit, ka qenë në mënyrë të veçantë advokimi për mirëfunksionimin e mekanizmave që KQZ-ja ka në dispozicion për të parandaluar përdorimin e burimeve shtetërore, përfshirë raportimin e institucioneve publike në KQZ për aktivitetet që parashikojnë të kryejnë, dhe kombinimin e këtij raportimi paraprak me monitorimin që mund dhe duhet të kryhet në terren nga monitoruesit e KQZ ndaj këtyre aktiviteteve.
Na lejoni t’ju kujtojmë se që në datën 10 janar 2023, pak ditë përpara se periudha katër mujore gjatë së cilës kuadri ligjor vendos një theks të veçantë në mekanizmat për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore, KRIIK i ka dërguar KQZ-së një Dokument me një sërë rekomandimesh në lidhje me disa çështje që ne vlerësojmë se do të duhet të ishin adresuar.
Një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve lidheshin pikërisht me amendimin e Vendimit nr. 9, me synim parandalimin efikas të përdorimit të burimeve shtetërore.
Ky Dokument Rekomandimesh është ndjekur më pas, në datën:
- 14 janar 2023, nga një tjetër Dokument me Rekomandime Specifike lidhur me ndërfaqen e raportimeve të veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike;
- 16 janar 2023, nga Dokumenti Qëndrim Publik “Mos shpërdorimi i burimeve shtetërore si dhe sjellja korrekte dhe e paanshme e nëpunësit të administratës publike, thelbësorë për sigurimin e vullnetit të pacënuar të qytetarit në ushtrimin e së drejtës së votës”, i publikuar gjerësisht për opinionin publik;
- 30 mars 2023, nga Dokumenti me Rekomandime në lidhje me përmirësimin e Kujtesës që Komisioneri kishte përgatitur për t’ia dërguar institucioneve publike.
Përpos sa më sipër, në vazhdimësi, KRIIK i ka dërguar KQZ-së Raportime Javore, Denoncime, Raportime Ditore, Rekomandime, etj., duke theksuar në vijimësi nevojën për ta vendosur mekanizmin në funksionim, përfshirë edhe Rekomandime të tjera, qoftë të përgjithshme, qoftë shumë specifike, se si elementë të caktuar mund të përmirësoheshin.
Komunikimi shkresor i rradhitur më sipër, është shoqëruar edhe me një numër takimesh, qoftë formale, qoftë jo-formale, mes përfaqësuesve të KRIIK dhe KQZ-së ku këto çështje janë diskutuar në detaje.
Më konkretisht, përgjatë kësaj periudhe, prej 13 janarit e deri më sot, KRIIK ka dërguar nëpërmjet Raporteve periodike Javore:
- 500 raste të raportimeve jashtë afatit ligjor;
- 212 raste të aktiviteteve të konstatuara të zhvilluara, por të pa-raportuara paraprakisht në ndërfaqen e KQZ-së;
- zhvillimin e dy aktiviteteve të ndaluara në kuptim të nenit 3 të vendimit nr. 9 të Komisionit Rregullator;
- 18 raste të aktiviteteve institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime politike/elektorale;
- 10 aktivitete të zhvilluara përpara datës së planifikuar dhe raportuar për zhvillimin e tyre;
- 5 bashki të cilat kanë kryer postime të aktiviteteve të Partisë Socialiste në Faqen Zyrtare në Facebook të Bashkisë;
- 20 raste të Kryetarëve të Bashkive të cilët kanë kryer postime të aktiviteteve të Partisë Socialiste në Faqen e tyre Zyrtare si Kryetarë të Bashkisë në Facebook;
- Përdorimin e hashtags sloganë elektoralë të Partisë Socialiste në postimet që shoqërojnë publikimin e aktiviteteve institucionale në Faqet Zyrtare në facebook të disa Institucioneve dhe Drejtuesve të tyre, përkatësisht të Ministrive dhe Ministrave, si dhe të Bashkive e Kryebashkiakëve;
- Zhvillimin e aktiviteteve institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë, funksionarëve publikë, që s’kanë lidhje me aktivitetin institucional të institucionit, etj.
Përpos sa më sipër përcjellë nëpërmjet Raporteve Javore, KRIIK ka dorëzuar në KQZ 6 Denoncime, të cilat lidhen me kryerjen e aktiviteteve nga ana e bashkive pavarësisht se ata ishin ndaluar paraprakisht për t’u zhvilluar me vendim të Komisionerit.
Konkretisht nga:
- Bashkia Kavajë, 1 aktivitet;
- Bashkia Cërrik, 3 aktivitete;
- Bashkia Lushnjë, 1 aktivitet;
- Bashkia Tiranë, 1 aktivitet,
si dhe Denoncimin Nr. 6 dhe Nr. 7, të cilët lidhet me afishimin e materialeve propagandistike statike nga Partia Socialiste, përkatësisht në territorin e Bashkisë Tiranë dhe në rrugët interurbane.
KRIIK ka vlerësuar pozitivisht përpjekjet nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe Administratës së KQZ-së për të eliminuar disa nga problematikat madhore të vërejtura në funksionimin e mekanizmit gjatë zgjedhjeve të mëparshme, veçanërisht Kujtesën që KSHZ u dërgoi institucioneve në 12 janar 2023, si dhe ndalimin e disa aktiviteteve të raportuara me vonesë apo për problematika të tjera, duke nisur nga data 17 mars 2023 e në vijim.
Ndërsa duket se angazhimi i KQZ-së ka patur efekte pozitive përsa i përket respektimit të afatit të raportimit (aktivitetet e raportuara me vonesë kanë rënë dukshëm duke nisur nga fillimi i prillit),
KRIIK vëren se, sërish, edhe në këto zgjedhje, mekanizmi duket se po kthehet në një formalitet pa vlerë reale në përmbushjen e qëllimit të tij, i cili është dhe mbetet parandalimi i përdorimit të burimeve shtetërore, dhe jo thjesht raportimi rutinë i aktiviteteve apo mbledhja e statistikave nga ana e KQZ-së lidhur me to.
Nga të tërë denoncimet apo indiciet e përcjella nga KRIIK si më sipër përmendur, të cilat në gjykimin tonë përbëjnë përdorim të burimeve shtetërore për avantazh elektoral, vetëm:
– 16 raste të aktiviteteve të pa-raportuara,
– tri raste të kryerjes së aktivitetit të ndaluar nga Komisioneri dhe
– pesë raste të aktiviteteve institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime politike/elektorale,
janë kaluar në KAS dhe për këto KAS ka marrë dy vendime, vendimmarrje këto të votuara me shumicë votash[iv].
Akoma më problematike se sa numri i vendimeve të marra, mbetet lloji i shkeljeve të sanksionuara nga KAS dhe sanksionet e vendosura, të cilat janë shumë larg prej të qenit të mjaftueshme për të parandaluar fenomenin, dhe “ndëshkuar” personin apo personat që janë sanksionuar, të cilët në shumicën e rasteve janë nëpunës të niveleve të mesme.
Në gjykimin e KRIIK, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, administrata e KQZ-së, dhe KAS, në qasjen e tyre ndaj kësaj problematike madhore kanë mbetur përgjithësisht në një të lexuar të ngushtë të ligjit, duke anashkaluar qëllimin e vërtetë të mbikëqyrjes që duhet të kryejë Institucioni i KQZ-së, si institucioni i vetëm i ngarkuar nga ligji.
Numri i rasteve të aktiviteteve të raportuara në tejkalim të afatit ligjor, u tolerua në dy muajt e parë të zbatimit të mekanizmit të raportimit.
Komisioneri u shpreh publikisht[v] në seancën e datës 11 mars 2023 se në vazhdim këto aktivitete do të ndaloheshin.
Megjithëse pati vendimmarrje për aktivitete të raportuara në periudhën 20 – 31 mars 2023 dhe sërish në datë 12 prill, konkretisht 12 vendime që ndalonin zhvillimin e veprimtarive nga 6 institucione për shkak të mos respektimit të afatit të raportimit, kjo praktikë ka qenë jo konsistente, duke vendosur përveç standardit të dyfishtë, edhe praktikën e mosndëshkueshmërisë për të tjera aktivitete të raportuara me vonesë.
Pavarësisht se numri i rasteve të aktiviteteve të faktuara të zhvilluara por të pa raportuara më herët në ndërfaqen e KQZ-së, përcjellë vetëm nga KRIIK ka qenë shumë i lartë (212 aktivitete në 13 javë), vërehet një numër shumë i ulët i rasteve të përcjella nga Komisioneri në KAS, vetëm 16 aktivitete të realizuara nga 8 institucione, ndërkohë që për 122 aktivitete të organizuara nga 60 institucione është vendosur pushimi i hetimit administrativ.
Kjo, për sa është raportuar, ka qenë rezultat jo vetëm i problematikave të hasura me mungesën e kredencialeve apo aksesit në ndërfaqe nga institucionet, për të cilat KQZ ka treguar mirëkuptim maksimal, por në disa raste edhe me gjykim krejt të pa bazuar nga KQZ. Kështu, evidentohen disa raste
- kur institucionet as nuk i janë përgjigjur KQZ-së, e megjithatë kjo e fundit ka vendosur pushimin e çështjes;
- kur KQZ nuk ka patur të qartë organizatorin e aktivitetit pavarësisht komunikimit me institucionin pjesëmarrës;
- veprimtaritë apo aktivitetet janë cilësuar si jo publike pavarësisht se KRIIK është informuar mbi to nga publikimi i institucioneve nga mediat sociale të institucioneve apo raportet e mediave (çka e bën absurd pretendimin se aktiviteti nuk është publik, pasi nëse do të ishte i tillë monitoruesit e KRIIK nuk do të kishin patur mundësi ta identifikonin kryerjen e tij);
- mungesës së informacionit nga vetë institucionet për këtë detyrim, etj.
Shqetësues në gjykimin e KRIIK mbetet edhe mosadresimi i hetimit administrativ me vendimmarrje, për 74 raste të aktiviteteve të denoncuara si të pa raportuara nga KRIIK, pavarësisht se ato janë përcjellë në raporte që përfshijnë datat e muajve janar, shkurt dhe mars.
Lidhur me parashikimin ligjor të afatit të raportimit të veprimtarisë 5 ditë përpara zhvillimit të saj, nuk u konstatuan vetëm raportime në shkelje të këtij afati, por edhe raste të raportimit gabim të datës së planifikuar për zhvillimin e tij.
KRIIK konstatoi dhe përcolli përgjatë kësaj periudhe në KQZ, 10 raste të aktiviteteve të cilat ishin zhvilluar dhe madje publikuar përpara datës së planifikuar dhe raportuar në KQZ për zhvillimin e tij.
Duke parë përsëritjen e fenomenit në gjykimin e KRIIK ngrihen dyshime se mund të jemi në rastin e raportimit të qëllimshëm me datë zhvillimi fiktive, në mënyrë që të mos cënohet afati 5 ditor i raportimit në ndërfaqe, meqenëse kjo e fundit kontrollohet me rigorozitet nga KQZ-ja.
Hetimi i KQZ-së lidhur me disa nga këto raste dhe gjykimi i Komisionerit ka qenë tolerues në kujfijtë edhe të tejkalimeve ligjore, si dhe i bazuar “verbërisht” vetëm në pretendimet e institucioneve të gjetura në shkelje.
Përpos aryeve që lidhen me ndryshimet e agjendës, dhe zhvillimit të aktiviteti një apo dy ditë më herët, një arsyetim tejet konfuz ngelet ai i rastit të Bashkisë Berat, vendimi nr. 85 datë 03.03.2023.
Në këtë vendim, pavarësisht se aktiviteti ishte zhvilluar përpara edhe datës së raportimit e jo vetëm asaj të planifikuar të zhvillimit, Komisioneri vendosi pushimin e hetimit administrativ, me arsyetimin se këto aktivitete nuk përbëjnë veprimtari publike. Ndërkohë, të gjitha të dhënat lidhur me llojin dhe aktivitetin e zhvilluar, janë gjetur nga KRIIK pikërisht sepse aktiviteti është publikuar nga institucioni, çka në kuptim të nenit 92 të Kodit Zgjedhor e bën aktivitetin publik. Shto këtu gjykimin e pavënd sipas nesh, se si një “vizitë në shkollë për takime me stafin akademik, maturantët, etj” mund të mos konsiderohet veprimtari publike.
Qasja e treguar nga Komisioneri për pushimin e procedimit administrativ ndaj Bashkisë Patos (vendimi nr. 65 datë 22.02.2023) si dhe ndaj z. Artan Lame Drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (vendimi nr. 57 datë 16.02.2023), të cilët sipas denoncimit të përcjellë nga KRIIK kishin kryer veprimtari të ndaluara në kuptim të nenit 3 të Vendimit nr. 9, është e përciptë dhe e bazuar vetëm në pretendimet e institucioneve në fjalë. Konkretisht, pretendimi se aktiviteti është zhvilluar përpara fillimit të periudhës së ndalimit, por është publikuar në Facebook apo në media në kohën e ndalimit, përbën precedent të rrezikshëm në vijimësinë e zhvillimit të këtyre aktiviteteve, me arsyetimin se janë zhvilluar më herët dhe mund të publikohen në çdo çast, pavarësisht se në një periudhë të ndaluar nga ligji.
Në këtë kontekst KQZ duhet të vendosë në normën ligjore edhe standardin e publikimit dhe jo vetëm atë të zhvillimit të një veprimtarie, për sa kohë ajo është publike.
Në denoncimet e përcjella nga KRIIK, ku faktohet me video dhe transkriptet përkatëse, mbajtja e fjalimeve elektorale nga ana e përfaqësuesve politikë në aktivitetet e organizuara dhe raportuara për t’u zhvilluar nga disa bashki, KRIIK vlerëson qasjen e Komisionerit për t’i referuar ato për sanksion administrativ në KAS, por përpos faktit që referimi ishte i vonuar, ai u referua duke bashkuar tre çështje në të njëjtën vendimmarrje duke relativizuar problemin si dhe, me përcaktimin si përgjegjës të shkeljeve që vetëm nëpunësin përgjegjës për raportimin.
Në gjykimin e KRIIK përgjegjësia do të duhej të vendosej jo vetëm tek titullari i institucionit, por edhe tek subjekti zgjedhor që ka kryer shkeljen.
Këtë qëndrim të Komisionerit, që pavarësisht se i vonuar dhe relativizues, KAS e zhbëri totalisht, me një vendim në lexim të ngushtë e madje të shtrembër të ligjit. Vendimmarrja e KAS, është më shumë e bazuar në kundërshtimin e vendimit të Komisionerit se sa në objektin real të çështjes së përcjellë.
KAS duke qenë trupë e të njëjtit institucion me Komisionerin, duhet të ndërveprojë me administratën e KQZ dhe të fokusohet jo vetëm tek gjykimi i vendimmarrjes së tij, por domosdoshmërisht edhe në thelbin e çështjeve në gjykim.
KRIIK ka përcjellë në vazhdimësi, zyrtarisht dhe verbalisht në KQZ, shqetësimin e për prezencën e drejtuesve politikë të qarqeve, si dhe të deputeteve apo disa ministrave, në veprimtari institucionale të disa bashkive, fenomen ky jo vetëm i konstatuar pas zhvillimit të aktivitetit, por edhe i raportuar paraprakisht “me arrogancë” në ndërfaqen e KQZ nga bashki të ndryshme, pavarësisht përmbajtjes së dokumentit “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve” i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili në pikën 9 të tij përcakton se “Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore”, si dhe, artikulimit[vi] të qartë të Komisionerit në intervistën e datës 1 mars 2023.
KRIIK vlerëson qëndrimin e KQZ-së nëpërmjet vendimmarrjes konkrete lidhur me ndalimin e disa aktiviteteve ku raportohej paraprakisht prezenca e përfaqësuesve politikë, por vëren si shqetësues faktin që standardi i vendosur nuk aplikohet në mënyrë konsistente.
Aktualisht, ende vijon të ketë aktivitete të raportuara të cilat njoftojnë paraprakisht prezencën e përfaqësuesve politikë të cilat nuk janë ndaluar, madje nga konsultimi i rrjeteve sociale janë zhvilluar dhe është faktuar madje se ka patur edhe raste të fjalimeve elektorale në to.
Por, pavarësisht faktit të ndodhur dhe shkeljes së konstatuar për përdorim elektoral të aktivitetit, KQZ-ja i përmbahet në vazhdimësi argumentimit se pjesëmarrja e personave politikë jo domosdoshmërisht e kthen aktivitetin në aktivitet elektoral.
Në fokusin e KRIIK lidhur me indiciet e përcjella në KQZ, ka qenë edhe përdorimi i faqeve zyrtare të Bashkive apo Kryetarëve të Bashkive, për publikimin e aktiviteteve me karakter elektoral apo aktiviteteve të Partisë Socialiste.
Konkretisht janë konstatuar dhe përcjellë në KQZ 5 Bashki dhe 20 kryetarë bashkie të cilët në faqet zyrtare të tyre në Facebook, kanë kryer postime partiake.
Lidhur me faqet e bashkive, KQZ ka disponuar me vendim për vetëm tre bashki (vendimi nr. 266 datë 05.04.2023).
Arsyetimet e këtyre bashkive të cilat lidhen me pa-dijeninë për mos kryerjen e këtij veprimi, të paturit e të njëjtit person përgjegjës që menaxhon edhe faqen e bashkisë edhe atë të partisë, kryerja e postimit në mënyrë të pavetëdijshme si dhe fshirja e tyre në vazhdim, nuk përbën bazë për pushimin e hetimit administrativ.
Sa i përket dy bashkive për të cilat Komisioneri ende s’ka disponuar me vendimmarrje, arsyeja lidhet vetëm me mos përgjigjen e tyre ndaj kërkesën për informacion nga KQZ-ja.
Kjo situatë, tërësisht e parashikuar nga ligji, në gjykimin e KRIIK, duhet të jetë gjithashtu një rast për të vendosur praktikën ndaj një sjelljeje të tillë, për të cilën duhet të aplikohen sanksione shtesë përpos atyre për shkeljen e kryer.
Lidhur me faqet e kryetarëve të bashkive, KQZ disponoi me vendimmarrje (vendimi nr. 389 datë 19.04.2023), e cila vendosi një standard të gabuar, në gjykimin e KRIIK, sipas të cilit faqet në fjalë u konsideruan si faqe personale, dhe si e tillë kryetari i bashkisë mund të kryejë në të çdo postim që dëshiron, qoftë ky edhe politik.
KRIIK shpreh sërish qëndrimin dhe rezervat e tij lidhur me këtë vendimmarrje, duke ju risjellë në konsideratë diskutimin dhe dakordësinë e shprehur në mbledhjen e zhvilluar me Komisionerin dhe drejtueset e KQZ-së, në datën 13 mars 2023.
Konkretisht, këto faqe nuk janë faqe personale, pasi aty citohet shprehimisht pozicioni i kryetarit të bashkisë, postohet në vijimësi aktiviteti i institucionit, janë “page” të hapura dhe jo profile, janë burimi i informacionit për vetë faqen e institucionit por edhe për media të ndryshme, kanë shikueshmëri disa herë më të lartë se faqja e vetë institucionit, etj.
Gjithashtu, këto drejtues marrin vëmendje publike maksimale dhe valencë të shtuar në pikëpamje të autoritetit personal kur postojnë veprimtari të institucioneve shtetërore, të cilat janë tërësisht produkt i përdorimit të autoritetit shtetëror, burimeve logjistike, financiare dhe njerëzore të Bashkive apo institucionave të tjera.
Pasojat e një qasjeje të tillë tolerante ndaj shkeljeve të kësaj natyre bëhen të qarta në disa postime të kohëve të fundit në ndërfaqen e aktiviteteve të KQZ-së, veçanërisht nga Bashkia Tiranë, ku nëpunësit publikë kanë postuar aktivitetet elektorale të Kryetarit të Bashkisë Tiranë si aktivitete institucionale.
Ky fakt tregon qartas problematikën thelbësore, së cilës KRIIK i ka mëshuar me këmbëngulje prej nisjes së periudhës së raportimit më 13 janar 2023, atë të përdorimit të administratës për qëllime elektorale dhe mos–ndarjes së aktiviteteve partiake nga ato institucionale.
Personat e ngarkuar me raportimin në këto institucione janë qartas të njëjtët individë të cilët punojnë për axhendën e ofiqarit politik dhe kanë dijeni të plotë për angazhimet e tij partiake.
Ndërkohë që individi fizik është i njëjti me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, fryma e ndarjes së partisë nga shteti dhe ofiqarit publik nga ai partiak qëndron pikërisht në ndarjen e funksioneve që i njëjti individ kryen dhe, si rrjedhojë logjike e kësaj, edhe e stafit të dedikuar veçmas për secilin nga këto funksione.
Nëse stafi i institucionit është i njëjtë me atë të ofiqarit politik, sikurse evidentohet rëndom e pranohet publikisht gjerësisht, kjo është qartazi, së paku, një përdorim i burimeve njerëzore të institucionit për qëllime elektorale.
Në këto kushte, duke vërejtur se adresimi i gjithë problematikave më sipër është thelbësor dhe se qasja duket të jetë e bazuar në gërmën e ligjit, përkundër frymës së tij dhe qëllimit madhor për të cilin ligji është hartuar,
KRIIK i bën thirrje trupave drejtuese të KQZ të nxisin frymën e bashkëpunimit dhe ndërveprojnë sa më parë, për të adresuar, në mënyrën më të përshtatshme të mundshme, problematikën madhore të keqpërdorimit të burimeve shtetërore, duke e ndaluar atë të paktën për periudhën që mbetet deri në ditën e zgjedhjeve, e cila është edhe periudha më intensive e fushatës.
Konkretisht, KRIIK i bën thirrje Komisionit Rregullator, që në bashkëpunim të ngushtë me KAS dhe KSHZ, bazuar në përvojën tanimë të krijuar nga zgjedhjet e 2021, 2022 dhe periudhën parazgjedhore të deritanishme të zgjedhjeve të 14 majit 2023, të amendojë në mënyrë urgjente Vendimin nr. 9, duke përfshirë adresimin në gërmë të problematikave që pengojnë aplikimin e mekanizmit në mënyrën e duhur.
Në gjykimin e KRIIK, ky adresim është imperativ të bëhet sa më shpejt, pavarësisht se jemi pranë ditës së zgjedhjeve, madje pikërisht për këtë arsye duhet që KQZ-ja të veprojë me urgjencë, pasi me afrimin e kësaj dite, sikurse po evidentohet, përdorimi i burimeve publike dhe ofiqit publik për avantazh elektoral do të theksohet akoma edhe më në vazhdim.
Mos-adresimi do të dëmtojë akoma më shumë barazinë në garë për subjektet zgjedhore, njollosur rëndë për të tretën herë zgjedhjet, zhbërë tërë kuadrin rregullator lidhur me këtë fenomen dhe faktuar përfundimisht inefiçencën e qëllimtë të Institucionit të KQZ-së, duke lënë jo vetëm të pandëshkuar shkelësit, por, ajo që është më e rëndësishme, edhe duke lënë të pambrojtur dhe të dhunuar e intimiduar të tërë zgjedhësit, qofshin këta qytetarë të thjeshtë, qofshin nëpunës të administratës së institucionevë publike.
[i] Raporti Përfundimtar i Misionit të Kufizuar të ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të 25 prillit 2021: “Partia qeverisëse përfitoi avantazhe të rëndësishme nga të qenit pushtet, duke përfshirë edhe përmes kontrollit të administratave lokale dhe shpërdorimit të burimeve administrative.”, faqe 1.
[ii] Raporti Përfundimtar i Vëzhgimit i KRIIK për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 prillit 2021: “Mazhoranca hyri në këto zgjedhje me përparësinë e të qenët në kontroll të plotë të institucioneve publike, çka i dha asaj një përparësi në procesin zgjedhor dhe zbehu dukshëm vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë përgjatë gjithë procesit.”, faqe 1.
[iii] Raporti i Misionit të Vlerësimit të Nevojave të ODIHR për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023: “Shumë prej bashkëbiseduesve vendosën një theks të veçantë në nevojën për vëzhgim të periudhës parazgjedhore, veçanërisht për sa i përket përdorimit të burimeve shtetërore”,
[iv] Në këto të dhëna nuk përfshihet shqyrtimi i bërë në mbledhjen e sotme dt. 25.04.2023 të KSHZ.
[v] “Me këtë historinë e problemeve me aksesin dhe komunikimin ne mund të vazhdojmë pafundësisht. Le të marr një vendim, tani e tutje për këtë çështje, dhe le të hetohet pastaj. Është problemi ynë i sistemit tonë, është problem i tyre në lidhje me aksesin e të tjera si këto. Por në çdo rast në vijim, nëse do ta konstatojmë tashmë qoftë edhe për një ditë, meqenëse e kemi bërë sqarimin se kur përfundon afati pesë ditor, le të vendosim qoftë edhe formalisht ndalimin e këtyre veprimtarive. Pastaj në qoftë se ka kundërshtime të ndjekin rrugën procedurale.”
[vi] “(…) Qoftë kryetarët e bashkive apo qoftë edhe funksionarët e tjerë publikë, janë të lirë të përmbushin kompetencat e tyre në përputhje me parashikimet e ligjit. Por nuk ka asnjë nevojë, madje është e dënueshme edhe nga pikëpamja ligjore, nëse këtë aktivitet ata e kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, e deputetëve apo edhe funksionarëve të tjerë politikë.”