Shkarko Denoncimin ne pdf
I Nderuar Z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Ndërsa fushata zgjedhore hyri në javën e dytë të saj, KRIIK konstaton me shqetësim se nuk ka asnjë veprim nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të adresuar paligjshmërinë e materialeve propagandistike statike të postuara në territorin e Bashkisë Tiranë, sipas Denoncimit Nr. 6 të KRIIK të gjashtë ditëve më parë, më datë 18 prill 2023.
Duke marrë në konsideratë natyrën e shkeljes, mekanizmat në dispozicion përfshirë Monitoruesit e fushatës dhe kohën e patur në dispozicion deri më sot, vlerësohet si totalisht i pavend ky mosreagim ende i KQZ-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nevojitet të tregojë integritet dhe kurajo në përmbushje të detyrimeve ligjore duke marrë përsipër përgjegjësitë dhe lujtuar rolin e duhur në displinimin apo edhe sanksionimin e të tërë subjekteve zgjedhore dhe përfaqësuesve të tyre, qofshin këta edhe përfaqësues të mazhorancës, apo edhe vetë lidershipi i kësaj të fundit.
Barazia ndaj ligjit dhe e garës zgjedhore duhet të prevalojë në çdo qëndrim dhe sjellje të tërë Trupave Drejtuese të KQZ-së, e veçanërisht të Administratës së saj.
Ndërkohë, KRIIK ju sjell në vëmendje se situata është e njëjtë edhe në bashki të tjera të vendit.
Monitoruesit e KRIIK kanë evidentuar një numër billboard-esh në afërsi të akseve kombëtare, nën juridiksionin e bashkive të ndryshme, afishuar të gjitha në kundërshtim të ligjit, të cilat po i paraqesim në vijim:
Paraprakisht, Ju rikujtojmë se neni 79 i Kodit Zgjedhor “Afishimi i materialeve propagandistike” pika 1 përcakton se “Jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, kryetari i bashkisë, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, përcakton vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin prej partive politike dhe subjekteve zgjedhore të materialeve propagandistike. Vendet e caktuara duhet të jenë në ambiente që sigurojnë shikueshmëri publike dhe të kenë hapësirë të mjaftueshme ku të gjitha subjektet zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje të paraqesin programet e tyre zgjedhore dhe mesazhet zgjedhore. Vendimi i kryetarit të bashkisë bëhet publik në faqen e internetit të bashkisë menjëherë pas miratimit.”
Në zbatim të Kodit Zgjedhor, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) miratoi Udhëzimin Nr. 6 datë 23.03.2021 “Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”.
Ndër të tjera, Udhëzimi parashikon detyrimin që çdo Kryetar Bashkie pas marrjes së vendimit t’i njoftojë një kopje të tij Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet brenda 24 orësh nga miratimi i tij (neni 3, pikat 7).
Gjithashtu parashikohet se subjekteve zgjedhore iu lejohet të afishojnë materialet propagandistike vetëm në vendet e përcaktuara nga kryetari i bashkisë, sipas këtij neni, dhe marrin masa për heqjen e tyre me përfundimin e fushatës së zgjedhjeve (neni 3, pika 8).
Nga monitorimi i bërë nga KRIIK (monitorim i pjesshëm) në territorin e disa bashkive, duke udhëtuar në aksin rrugor kombëtar nga Tirana për në Lushnjë, evidentohen shkeljet e mëposhtme ligjore në katër bashki, specifikisht në bashkitë: Lushnjë, Rrogozhinë, Kavajë dhe Durrës.
- Në lidhje me publikimin e Vendimit prej Kryetarëve të Bashkive.
Në kundërshtim me pikën 1 të nenit 79 të Kodit Zgjedhor,
- Bashkia Rrogozhinë nuk e ka publikuar në faqen e internetit vendimin e marrë prej Kryetarit të Bashkisë për të përcaktuar vendet e afishimit të materialeve propagandistike për subjektet zgjedhore.
- Bashkitë Kavajë dhe Lushnjë i kanë publikuar në kohë.
- Bashkia Durrës e ka marrë dhe publikuar vendimin pasi ka nisur fushata zgjedhore (në datën 19 prill 2023).
Në lidhje me bashkinë Rrogozhinë, KRIIK kontrolloi disa seksione të faqes, ku një vendim i tillë do të duhej të ishte afishuar (për më shumë shih Lidhjen nr. 1 bashkëlidhur me foto/printscreen të ndërfaqeve të faqes zyrtare të internetit). Ndërkohë, KRIIK e zotëron vendimin e bashkisë Rrogozhinë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në gjykimin e KRIIK, në lidhje me bashkinë Rrogozhinë që nuk e ka postuar vendimin në faqen e vet të internetit apo të Durrësit që e ka marrë dhe postuar pasi ka nisur fushata zgjedhore, theksohet se marrja e këtyre vendimeve është thjesht një akt formal pa efektin e duhur, pasi nuk përmbushet qëllimi kryesor i vendimmarrjes, njoftimi i publikut dhe subjekteve zgjedhore në lidhje me vendet ku lejohet të postohen materialet propagandistike.
Këto veprime të këtyre bashkive e kanë prishur tashmë parimin e barazisë së garës elektorale, duke i vënë ato në kushtet e shkeljes së ligjit. Nevojitet që KQZ-ja të veprojë urgjentisht, sipas parashikimeve ligjore për këtë shkelje.
2. Në lidhje me postimin e billboard-eve
Referuar Vendimeve të marra nga Kryetarët e Bashkive përkatëse që KRIIK zotëron (Lushnjë, Rrogozhinë, Durrës dhe Kavajë), evidentohet se këta postera janë vendosur në kundërshtim me këta urdhra dhe si rrjedhim duhet të urdhërohet në mënyrë urgjente heqja e tyre, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Konkretisht:
- Bashkia Rrogozhinë e ka përcaktuar vendosjen e posterave vetëm në hapësirën 5 metra nga zyrat zgjedhore. Për rrjedhim, asnjë material tjetër nuk lejohet.
- Bashkia Lushnjë e ka përcaktuar vendosjen e posterave vetëm në hapësirën 5 metra nga zyrat zgjedhore. Për rrjedhim, asnjë material tjetër nuk lejohet.
- Bashkia Kavajë ka përcaktuar disa vende (përballë godinës së bashkisë Kavajë për Njësinë Administrative Kavajë dhe në këndet e njoftimeve për të gjitha njësite e tjera administrative). Si rrjedhim billboard-et e vendosura në krah të rrugës kombëtare janë të ndaluara.
- Bashkia Durrës ka përcaktuar tabelën reklamuese prej 42 m2, në krah të Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Bulevardin Dyrrah.. Si rrjedhim billboard-et e vendosura në krah të rrugës kombëtare janë të ndaluara.
3. Në lidhje me kriteret që duhet të plotësojnë materialet statike të postuara nga subjektet zgjedhor
Asnjë prej posterave të publikuar nuk respektojnë parashikimin e pikës 3 të nenit 79 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit “Të gjitha materialet propagandistike vizive që përdoren në fushatë duhet të shoqërohen me shënimin: “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të…” (vijon emri i subjektit zgjedhor)”.
Posterat përmbajnë vetëm logon e Partisë Socialiste, por që në asnjë rast nuk mund të barazohet dhe zëvendësohet vendosja e logos së partisë, qoftë formalisht, qoftë përmbajtësisht, me mbishkrimin që duhet të ketë çdo poster sipas parashikimit të Kodit Zgjedhor.
KQZ-ja, në zbatim të ligjit duhet të veprojë menjëherë duke e ndalur sa më parë shkeljen ligjore të konsumuar dhe reduktuar sa të jetë e mundur çdo kosto të mundshme të ardhur nga kjo shkelje, duke urdhëruar policinë bashkiake apo atë të rendit për heqjen urgjentisht të të gjithë posterave apo billboard-eve të subjektit zgjedhor Partia Socialiste, të cilat janë vendosur në kundërshtim me urdhrat e kryetarëve të bashkive përkatëse dhe që nuk përmbajnë mbishkrimin: “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, sikurse Kodi Zgjedhor detyron.
KRIIK ju risjell në vëmendje se gjithë ndryshimet ligjore të miratuara në Kodin Zgjedhor, lidhur me materialet propagandistike kanë për qëllim garantimin e barazisë së palëve në garë, si dhe të një ambienti jo të ngarkuar me postera dhe reklama politike statike.
KQZ duhet të angazhohet maksimalisht në përmbushje të detyrimeve që i jep ligji, për të kthyer ligjshmërinë ndërkohë që ka nisur java e dytë e fushatës, si dhe prevalimin e standardeve që dikton Kushtetuta dhe Ligji.
KQZ-ja nevojitet të ndërveprojë menjëherë me strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Policive Bashkiake respektive, si dhe me monitoruesit e caktuar prej saj, sipas parashikimeve të ligjit, për heqjen e të gjithë posterave dhe billboard-eve që nuk janë konform ligjit.
KRIIK nxit KQZ-në që të vërë urgjentisht në dijeni Subjektin Zgjedhor Partia Socialiste për të ndalur shkeljen e konsumuar, duke i vendosur afate kohore konkrete dhe të shkurtra.
Në rast mosreagimi, KQZ-ja duhet të sanksionojë Subjektin Zgjedhor Partia Socialiste sipas parashikimeve të nenit 172, pika 1 të Kodit Zgjedhor sipas të cilit “Subjektet zgjedhore kryejnë kundërvajtje administrative në rastet kur në favor të tyre kryhen shkelje të ndalimeve të përcaktuara në dispozitat e këtij ligji dhe subjektet zgjedhore, pas marrjes dijeni, nuk marrin masa të menjëhershme për ndërprerjen e shkeljes. Kundërvajtja administrative sipas kësaj pike dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 500 000 lekë.”
4. Në lidhje me përmbajtjen e vetë posterave
Sikurse është sjellë në vëmëndje edhe në Denoncimin Nr. 6, sipas opinionit të KRIIK, këta postera përmbajnë elementë të fortë të diskriminimit, denigrimit dhe të gjuhës së urrejtjes, totalisht pa asnjë lidhje me një proces zgjedhor, llojin e zgjedhjeve për të cilën garohet dhe mesazheve që përcjell.
Në opinionin e KRIIK, KQZ-ja duhet të mbajë qëndrim dhe këshillojë subjektet zgjedhore, në koherencë edhe me tërheqjen e vëmendjes të bërë më parë, rakordimet e bëra dhe ndërveprimin që mund të kryejë në bashkëpunim me Institucionet e tjera të Pavarura si Komisionerin e Antidiskriminimit dhe Avokatin e Popullit.
KRIIK ripërsërit Qëndrimin e tij se përbën tashmë një domosdoshmëri që KQZ-ja të vërë para përgjegjësisë ligjore Subjektin Zgjedhor “Partia Socialiste” dhe çdo përfaqësues të saj që shkel ligjin, duke i dhënë fund sfidës të hapur që ky subjekt zgjedhor, në mënyrë të veçantë, po i bën ligjit dhe Institucionit të KQZ-së në këto zgjedhje.
I njëjti qëndrim duhet të mbahet prerazi prej KQZ-së ndaj të gjithë subjekteve zgjedhore që gjenden dhe veprojnë në konflikt me ligjin.
Çdo veprim apo masë e ndërmarrë me vonesë apo pasi fushata të jetë mbyllur, është pa asnjë dobi për përmbushjen e misionit dhe rolit të KQZ-së përballë qytetarëve lidhur me këto zgjedhje, sikurse ligji e ka ngarkuar.
Shkarko Lidhjen 1
Shkarko Lidhjen 2