Gjatë monitorimit të kësaj jave, KRIIK ka evidentuar disa problematika, si:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
2. Raportime ku mungojnë detajet
3. Veprimtari publike të zhvilluara, por të pa raportuara
4. Kryerja e aktivitetit përpara datës së raportuar për zhvillimin e tij
5. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë
6. Aktivitete institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale
Konkretisht:
1. RAPORTIMI I AKTIVITETEVE ME VONESË
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë vijon edhe këtë javë.
Nga monitorimi i bërë rezulton se rreth 2.7% e raportimeve në javën e trembëdhjetë janë me vonesë.
Specifikisht, nga 224 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, 6 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 50, nga të cilat 3 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Ritheksojmë se këto shifra i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty.
Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo me mjete të tjera të komunikimit dhe këto nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.
KRIIK shpreh vlerësimin mbi disa vendimmarrje të KSHZ për ndalimin paraprakisht të aktiviteteve të raportuara me vonesë prej institucioneve, por kjo duhet të kthehet në një praktikë solide e të menjëhershme të administratës së KQZ-së për të ndaluar çdo aktivitet sapo ai të hidhet në ndërfaqen e raportimit dhe konstatohet se është raportuar jashtë afatit.
Ky qëndrim është në linjë me rekomandimet që KRIIK ka bërë në vazhdimësi në raportet e mëparshme.
Gjithashtu, KRIIK risjell në vëmendje se ende mbeten relevante Rekomandimet konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, të përcjella nëpërmjet Raporteve të mëparshme të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para.
2. RAPORTIME KU MUNGOJNË DETAJET
Vërehet se vijon mungesa e detajeve në një numër raportimesh, detaje të cilat do të bënin të mundur që monitoruesit e KQZ-së apo të tjerë aktorë të interesuar të mund të marrin pjesë apo t’i vëzhgojnë eventet.
Të tilla raste janë të shumta, por sillen si shembuj ilustrues vetëm dy prej tyre:
- “Sherbimi I dentistrise se levizshme ne Vlore” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Vlore”, Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/13/sherbimi-i-dentistrise-se-levizshme-ne-vlore/.
- “Takim me mjeket dhe infermieret e sistemit paresor” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Tiranë”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/13/takim-me-mjeket-dhe-infermieret-e-sistemit-paresor/.
Në vazhdimësi të sa është kërkuar në raportet e mëparshme, është me vend që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi kjo mënyrë raportimi përbën së paku mos përmbushje në mënyrën e duhur të detyrimit ligjor.
3. VEPRIMTARI PUBLIKE TË ZHVILLUARA, POR TË PA RAPORTUARA
Ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, monitorimi jo sistematik i faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe i mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktiviteteve të tyre të mundshme.
Gjatë periudhës 7 – 13 prill 2023, rezulton se së paku 33 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto veprimtari janë kryer nga 23 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, ritheksohet se:
- Ai bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara është më i lartë, pasi gjetjet bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Na lejoni të sjellim në vëmendjen tuaj se fushata elektorale filloi zyrtarisht në datën 14 prill 2023.
Përgjatë periudhës që pasoi zyrtarizimin e emrave të kandidatëve, kandidatët të cilët janë njëkohësisht edhe në postin e Kryetarit të Bashkisë, janë duke zhvilluar dhe postuar takime të ndryshme me banorë të zonave të ndryshme në Njësitë Administrative përkatëse.
Këto takime postohen në Faqet e tyre Zyrtare në Facebook ose në Faqet Zyrtare të Bashkive në Facebook.
Në gjykimin e KRIIK, këto aktivitete, një pjesë e të cilave janë përfshirë në Lidhjen nr. 3, janë aktivitete institucionale, dhe aspak partiake apo politike sikurse mund të justifikohet rëndom prej tyre apo të konsiderohen si të tilla nga ju si KQZ gjatë hetimit administrativ që mund të ndërmerret. Kjo pasi:
- Fushata elektorale zyrtarisht nuk ka filluar ende. Kandidadët të cilët janë njëkohësisht Funksionarë publikë duhet të zbatojnë parashikimet e ligjit.
- Takimet nuk zhvillohen me struktura apo anëtarë të partisë, çka do t’a bënte aktivitetin partiak dhe pjesëmarrjen e kryebashkiakëve në to si një aktivitet personal e normal politik e partiak të tyre.
Theksohet se këto aktivitete janë me qytetarë të thjeshtë, me të cilët Kryebashkikët ndërveprojnë në cilësinë e Kryebashkiakut dhe jo të Kandidatit.
Zbatimi i parimit të barazisë së armëve përfshin ndër të tjera si rregullim ligjor, edhe afatin 30 ditor të lejimit të të bërit fushatë zgjedhore.
- Takimet e zhvilluara janë publike pasi ato janë dukshëm me pjesëmarrje të publikut.
- Takimet janë publikuar në Faqet Zyrtare të Institucionit ose të Kryetarit të Bashkisë në Facebook, duke patur kështu për qëllim informimin.
Sillet në vëmendje se në Faqet Zyrtare të komunikimit të përditshëm dhe në situatë normale me publikun e gjerë mbi veprimtaritë institucionale të Bashkive dhe Kryetarit të saj, nuk mund dhe nuk duhet të postohet asnjë veprimtari me natyrë politike apo partiake.
Thënë sa më sipër, KRIIK ju kërkon juve si Institucion i KQZ-së t’i qëndroni strikt gërmës dhe kuptimit të ligjit duke i konsideruar aktivitetet e përfshira në lidhjen e sipërpërmendur si aktivitete të Bashkive të pa raportuara.
Ju sjellim këtu në vëmendje, se deri tani nuk ka asnjë informacion mbi veprimet që mund të jenë marrë ndaj denoncimeve të bëra nga KRIIK për 20 Kryebashkiakë, të cilët kanë publikuar aktivitete partiake të Partisë Socialiste në Faqet Zyrtare të tyre si Kryetarë të Bashkive respektive, të dërguara këto si pjesë e Raportit Javor IX datë 18.03.2023.
Nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, pa e relativizuar asnjë rast aspektin sanksionues të tij, pavarësisht argumenteve të paraqituara.
Në veçanti nevojitet që KQZ-ja të jetë koherente me qëndrimet dhe aplikimin e ligjit, përfshirë prononcimet e veta zyrtare mbi tërë interpretimet dhe njoftimet zyrtare që bën mbi kuptimin dhe zbatimin e ligjit.
Çdo justifikim i paraqitur, gjykohet paraprakisht se nuk ka asnjë vlerë të merret në konsideratë me zemërgjerësi nga KQZ-ja, tanimë kur procesi i raportimit hyri në periudhën zyrtare të fushatës elektorale, çka shënon edhe fundin e tërë procesit raportues.
4. KRYERJA E AKTIVITETIT PËRPARA DATËS SË RAPORTUAR PËR ZHVILLIMIN E TIJ
Nga monitorimi i kryer është vërejtur edhe një problematikë e cila konstatohet të jetë e përsëritur (për analogji raste të tilla ju janë përcjellë nëpërmjet raportit të javës së katërt, javës së tetë dhe javës së nëntë të monitorimit).
Bëhet fjalë për realizimin e aktivitetit përpara datës së raportuar për zhvillimin e tij.
Janë konstatuar së paku 3 aktivitete të tilla:
4.1 Bashkia Dibër ka raportuar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ në datën 9 prill 2023 se programon të zhvillpjë më datën 15 prill aktivitetin me temë “Inspektim në njësinë Sllovë”.
Nga konsultimi i faqes në Facebook të Kryetarit të Bashkisë Dibër, vërehet se aktiviteti me këtë temë është postuar në datën 13 prill 2023.
Postimi ka këtë përmbajtje:
“Në #Sllovë, gjatë inspektimit të punës për rehabilitimin e rrugës lidhëse të fshatrave Venisht-Sllatinë!
Nga kontrolli që u bë në kanalet zyrtare të informimit të titullarit dhe institucionit përkatës, nuk evidentohet asnjë postim tjetër online për zhvillimin e këtij aktiviteti.
Pra, rezulton se aktiviteti është kryer dhe data e deklaruar për zhvillimin e tij, në ndërfaqen e raportimit të KQZ-së, ka qenë e plotësuar gabim.
Në gjykimin e KRIIK, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të thellohet në hetimin administrativ të këtij rasti.
Në rastin më të mirë, gabimi në datën e raportuar mund të jetë një gabim njerëzor ose një ndryshim i agjendës së punës së institucionit pasi është bërë raportimi në ndërfaqe.
Por në çdo rast, gjykohet se duhet proceduar njësoj si ndaj aktiviteteve të cilat janë raportuar në shkelje të afatit ligjor.
Ndërkohë, nga ana tjetër, duke parë edhe përsëritjen e rasteve (ndonëse jo nga të njëjtat institucione), ngrihen dyshime se mund të jemi në rastin e raportimit të qëllimshëm me datë zhvillimi fiktive, në mënyrë që të mos cenohet afati 5 ditor i raportimit në ndërfaqe, meqenëse kjo e fundit kontrollohet me rigorozitet nga KQZ-ja.
Këto raste duhet të nxisin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të parandaluar dhe marrë masa konkrete për të mos lejuar përsëritjen dhe masivizimin e kësaj mënyre të raportuari, e cila mban edhe përgjegjësinë e mashtrimit në vetvete.
4.2 Bashkia Cërrik ka raportuar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ në datën 10 prill 2023 se planifikon zhvillimin e aktivitetit me temë “Inspektim në kantierin e infrastrukturës publike” në datën 15 prill 2023.
Nga konsultimi i faqes në Facebook të Bashkisë Cërrik, vërehet se aktiviteti me këtë temë është postuar në datën 8 prill 2023.
Postimi ka këtë përmbajtje:
“LINAS
Në lagjen e Dyrmave po vazhdojmë punimet për rehabilitimin e rrugëve të kësaj lagje, për të krijuar lehtësimin e lëvizjes së banorëve të kësaj lagje, jo vetëm në banesat por edhe në tokat e tyre bujqësore.
Nga kontrolli që u bë në kanalet zyrtare të informimit të titullarit dhe institucionit përkatës, nuk evidentohet asnjë postim tjetër online për zhvillimin e këtij aktiviteti.
Pra, rezulton se aktiviteti është kryer dhe data e deklaruar për zhvillimin e tij, në ndërfaqen e raportimit të KQZ-së, ka qenë e plotësuar gabim.
Në gjykimin e KRIIK, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të thellohet në hetimin administrativ të këtij rasti.
Në këtë rast duket se nuk bëhet fjalë për një gabim njerëzor ose një ndryshim të agjendës së punës së institucionit, pasi raportimi është bërë pas kryerjes ss aktivitetit.
Gjykohet se në këtë rast, së paku, duhet proceduar njësoj si ndaj aktiviteteve të cilat janë raportuar në shkelje të afatit ligjor.
Gjithashtu, ngrihen dyshime se mund të jemi përpara raportimit të qëllimshëm me datë zhvillimi fiktive, në mënyrë që të mos cenohet afati 5 ditor i raportimit në ndërfaqe, meqenëse kjo e fundit kontrollohet me rigorozitet nga KQZ-ja.
Këto raste duhet të nxisin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të parandaluar dhe marrë masa konkrete për të mos lejuar përsëritjen dhe masivizimin e kësaj mënyre të raportuari, e cila mban edhe përgjegjësinë e mashtrimit në vetvete.
4.3 Bashkia Berat ka raportuar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ në datën 5 prill 2023 se planofikon zhvillimin e aktivitetit me temë “Takim me pensioniste dhe banore te Nj. Adm. Velabisht” në datën 10 prill 2023.
Nga konsultimi i faqes në Facebook të Kryetarit të Bashkisë Berat, vërehet se aktiviteti me këtë temë është postuar në datën 9 prill 2023.
Postimi ka këtë përmbajtje:
“Në Velabisht me banorët e zonës me të cilët kemi shumë për të folur duke filluar nga furnizimi me ujeë, infrastruktura rrugore apo Urën e Bilçës dhe atë të Gjorovenit
Gjithashtu me lajmin e shumëpritur për asfaltimin e aksit rrugor “VELABISHT-STAROVË-REMANICË-VETERRIK” projekt për të cilin kemi më shumë se 1 vit që punojmë
Nga kontrolli që u bë në kanalet zyrtare të informimit të titullarit dhe institucionit përkatës, nuk evidentohet asnjë postim tjetër online për zhvillimin e këtij aktiviteti.
Pra, rezulton se aktiviteti është kryer dhe data e deklaruar për zhvillimin e tij, në ndërfaqen e raportimit të KQZ-së, ka qenë e plotësuar gabim.
Një postim lidhur me zhvillimin e këtij aktiviteti ka bërë edhe Ministri i Brendshëm dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste në Qarkun Berat z. Bledi Çuçi.
Postimi mban datën 9 prill 2021 dhe shoqërohet me këtë përmbajtje:
“Berat- Bashkë me Ervinin në takimin me banorët e Velabishtit çuam edhe lajmin e shumëpritur për rikonstruksionin e rrugës së mezipritur e shumë të domosdoshme për këtë Njësi Administrative.
Vota për Ervinin dhe Partinë Socialiste në 14 maj është e vetmja garanci për të vijuar me kantieret e punëve që presin për t’u finalizuar. Njerëzit presin vetëm nga ne sepse nga kundërshtarët tanë ka kohë që s’presin asgjë dhe u kanë hequr vizën.
#𝗠𝗲𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗻𝗲̈𝗦𝗼𝗰𝗶𝗮𝗹𝗶𝘀𝘁𝗲 #𝗣𝗲̈𝗿𝗕𝗲𝗿𝗮𝘁𝗶𝗻 #𝗠𝗲𝗘𝗿𝘃𝗶𝗻𝗶𝗻”
Në gjykimin e KRIIK, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të thellohet në hetimin administrativ të këtij rasti.
Në rastin më të mirë, gabimi në datën e raportuar mund të jetë një gabim njerëzor ose një ndryshim i agjendës së punës së institucionit pasi është bërë raportimi në ndërfaqe.
Por në çdo rast, gjykohet se duhet proceduar njësoj si ndaj aktiviteteve të cilat janë raportuar në shkelje të afatit ligjor.
Ndërkohë, nga ana tjetër, duke parë edhe përsëritjen e rasteve (ndonëse jo nga të njëjtat institucione), ngrihen dyshime se mund të jemi në rastin e raportimit të qëllimshëm me datë zhvillimi fiktive, në mënyrë që të mos cenohet afati 5 ditor i raportimit në ndërfaqe, meqenëse kjo e fundit kontrollohet me rigorozitet nga KQZ-ja.
Këto raste duhet të nxisin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të parandaluar dhe marrë masa konkrete për të mos lejuar përsëritjen dhe masivizimin e kësaj mënyre të raportuari, e cila mban edhe përgjegjësinë e mashtrimit në vetvete.
5. AKTIVITETE INSTITUCIONALE ME PRANINË E PËRFAQËSUESVE POLITIKË
KRIIK ju ka përcjellë në vazhdimësi, si nëpëmjet raporteve periodike javore edhe nëpërmjet komunikimeve verbale zyrtare, shqetësimin për prezencën e drejtuesve politikë të qarqeve, si dhe të deputeteve apo disa ministrave, në veprimtari institucionale të disa bashkive.
Ky ka qenë një fenomen jo vetëm i konstatuar pasi ka ndodhur, por edhe i raportuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ nga bashki të ndryshme, pavarësisht përmbajtjes së dokumentit “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve” i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve i cili në pikën 9 të tij përcakton se “Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore”, si dhe, artikulimit të qartë të Komisionerit në intervistën e datës 1 mars 2023, i cili ndër të tjera u shpreh se :
“(…) Qoftë kryetarët e bashkive apo qoftë edhe funksionarët e tjerë publikë, janë të lirë të përmbushin kompetencat e tyre në përputhje me parashikimet e ligjit. Por nuk ka asnjë nevojë, madje është e dënueshme edhe nga pikëpamja ligjore, nëse këtë aktivitet ata e kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, e deputetëve apo edhe funksionarëve të tjerë politikë.”
KRIIK vlerëson reflektimin në qëndrim zyrtar nga KQZ, nëpërmjet vendimmarrjes konkrete, të gjithë sa më sipër, duke ndaluar disa aktivitete të cilat paraprakisht njoftonin prezencën e deputetëve apo përfaqësuesëve politikë në to.
Por nga ana tjetër, mbetet shqetësues fakti që ky ndalim nuk aplikohet për të gjitha aktivitetet e raportuara me të njëjtën problematikë pas vendosjes së këtij standardi ndalimi prej KQZ-së.
Edhe këtë javë, sikurse edhe në ato pararendëse (gjetje të përcjella me raportet përkatëse javore) ka aktivitete të raportuara, për të cilat njoftohet paraprakisht prezenca e përfaqësuesëve partiakë të cilat nuk janë ndaluar, madje nga konsultimi i rrjeteve sociale rezulton se ato janë zhvilluar sipas parashikimeve.
KRIIK shpreh shqetësimin e tij për këtë çoroditje në qëndrimin zyrtar të KQZ-së, dhe ju nxit të shqyrtoni paraprakisht çdo rast aktiviteti të raportuar si në përmbajtjen e tij ashtu edhe në pjesëmarrësit e planifikuar për të qenë pjesë e tij.
KRIIK nxit dhe mbështet fort KQZ-në që të ndalojë automatikisht të gjitha eventet me natyrë inspektuese/promovuese, të cilat deklarojnë në raportim se do të mbahen me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politikë apo të deputetëve.
Konkretisht, paraqiten në vijim aktivitete të cilat kanë deklaruar paraprakisht prezencën e personave politikë dhe nuk janë ndalur nga KQZ-ja, si dhe aktivitete të zhvilluara ku faktohet prezenca e përfaqësuesve politikë.
5.1. Në javën që mbulon ky Raport, janë evidentuar së paku 17 aktivitete të raportuara të cilat njoftojnë praninë e përfaqësuesve politikë, por nuk janë ndaluar për t’u zhvilluar nga KQZ-ja.
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/07/vizite-ne-serat-dhe-fermat-blegtorale-4/
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/07/inspektimi-i-punimeve-ne-bllokun-e-lagjes-naftetafi-3/
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/07/inspektimi-i-punimeve-ne-rrugen-banaj-5/
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/07/inspektimi-i-punimeve-te-qendres-ambulatore-verbas-3/
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/07/inspektim-i-punimeve-ne-rrugen-karemanaj-3/
- Bashkia Durrës https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/10/takim-ne-biznesin-fason-2/
- Bashkia Durrës https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/10/takim-ne-biznesin-fason-3/
- Bashkia Durrës https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/10/takim-ne-biznesin-fason-4/
- Bashkia Tiranë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/10/mbjellje-pemesh-13/
- Bashkia Tiranë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/10/vizite-12/
- Bashkia Tiranë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/10/mbjellje-pemesh-14/
- Bashkia Tiranë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/10/mbjellje-pemesh-15/
- Bashkia Tiranë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/10/vizite-13/
- Bashkia Tiranë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/12/mbjellje-pemesh-17/
- Bashkia Kavajë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/13/ceremonia-e-vendosjes-se-sheshit-te-nj-a-golem/
- Bashkia Durrës https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/12/takim-ne-biznesin-fason-6/
- Bashkia Durrës https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/12/takim-ne-biznesin-fason-5/
KRIIK gjykon se përbën domosdoshmëri zbatimi pa diferencime dhe në barazi të plotë i ligjit dhe i standardit të vendosur tashmë nga KQZ-ja.
Me qasjen dyzuese të KQZ-së, po vendoset dhe krijohet tashmë efekti i kundërt me praktikën e krijuar.
5.2. Në javën që mbulon ky Raport, është evidentuar së paku 1 aktivitet ku zyrtarët publikë kanë qenë të shoqëruar me përfaqësues politikë përgjatë zhvillimit të aktivitetit institucional të tyre, ndërkohë që vlerësohet se numri i aktiviteteve të tilla është disa herë më i lartë.
Përpos prezencës së përfaqësuesve politikë, aktiviteti i mëposhtëm rezulton të përmbajë disa shkelje të cilat duhet të nxisin KQZ-në për një hetim të plotë administrativ dhe sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Konkretisht:
5.2.1. Në datën 8 prill 2023, Kryetarja e Bashkisë Roskovec ka postuar në faqen e vet në Facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“RoskovecMe kryetaren e Bashkisë Majlinda Bufi pamë nga afër punën që vijon me ritme të shpejta për rikonstruksionin e rrugës “Shyqo Refati“ në #Strum. Ndërhyrja në këtë segment parashikon shtrimin me asfalt, rehabilitimin e trotuareve, gjelbërimin dhe vendosjen e sistemit të ri të ndriçimit. Premtim i mbajtur
Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Fier z. Taulant Balla:
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Roskovec.
Në njoftimin e bërë nuk deklarohet paraprakisht nga Bashkia se pjesëmarrës do të ishte edhe z. Taulant Balla.
- AKTIVITETE INSTITUCIONALE NË TË CILAT JANË MBAJTUR FJALIME ME PËRMBAJTJE ELEKTORALE
6.1 Më datë 09.04.2023, Bashkia Berat ka zhvilluar një veprimtari publike të cilën e ka njoftuar paraprakisht në ndërfaqen e kqz-së, në datën 05.04.2023.
Në këtë aktivitet përpos kryetarit të Bashkisë Berat ka marrë pjesë edhe Ministri i Brendshëm dhe Drejtuesi i Qarkut Berat z. Bledi Çuçi.
Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie publike është postuar në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Berat (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Në Velabisht me banorët e zonës me të cilët kemi shumë për të folur duke filluar nga furnizimi me ujeë, infrastruktura rrugore apo Urën e Bilçës dhe atë të Gjorovenit
Gjithashtu me lajmin e shumëpritur për asfaltimin e aksit rrugor “VELABISHT-STAROVË-REMANICË-VETERRIK” projekt për të cilin kemi më shumë se 1 vit që punojmë
Gjithashtu postim me foto dhe video i këtij aktiviteti (sipas të dhënave si më poshtë) është postuar edhe në faqen në Facebook të z. Bledi Çuçi, Ministër i Brendshëm dhe drejtues politik i Partisë Socialiste në Qarkun Berat (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Faleminderit banorëve të Velabishtit për pritjen dhe mbështetjen që i jepni Partisë Socialiste. Unë besoj se pavarësisht bindjeve, pavarësisht interesave e gjithçkaje tjetër, secili nga ju arrin ta dallojë qartë se ku është e mira, ku është puna dhe ku duhet të shkojë mbështetja. Çdo votë për Ervin Demon!
#𝗠𝗲𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗻𝗲̈𝗦𝗼𝗰𝗶𝗮𝗹𝗶𝘀𝘁𝗲 #𝗣𝗲̈𝗿𝗕𝗲𝗿𝗮𝘁𝗶𝗻 #𝗠𝗲𝗘𝗿𝘃𝗶𝗻𝗶𝗻”
“Berat- Bashkë me Ervinin në takimin me banorët e Velabishtit çuam edhe lajmin e shumëpritur për rikonstruksionin e rrugës së mezipritur e shumë të domosdoshme për këtë Njësi Administrative.
Vota për Ervinin dhe Partinë Socialiste në 14 maj është e vetmja garanci për të vijuar me kantieret e punëve që presin për t’u finalizuar. Njerëzit presin vetëm nga ne sepse nga kundërshtarët tanë ka kohë që s’presin asgjë dhe u kanë hequr vizën. #𝗠𝗲𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗻𝗲̈𝗦𝗼𝗰𝗶𝗮𝗹𝗶𝘀𝘁𝗲 #𝗣𝗲̈𝗿𝗕𝗲𝗿𝗮𝘁𝗶𝗻 #𝗠𝗲𝗘𝗿𝘃𝗶𝗻𝗶𝗻”
Ky aktivitet “Takim me pensioniste dhe banore te Nj. Adm. Velabisht” i organizuar nga Bashkia Berat është përdorur haptas dhe qartazi për të kryer diskutime elektorale dhe hedhur premtime të drejtpërdrejta në emër të maxhorancës në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Gjithashtu, ndërsa është raportuar që takimi do të zhvillohet më datë 10.04.2023, në të vërtetë ai rezulton të jetë zhvilluar më përpara, pasi fotot e realizimit të tij janë postuar në datën 09.04.2023 në profilet në Facebook (shih pikën 4.3 të këtij raporti).
Konkretisht, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste në Qarkun Berat z. Bledi Çuçi është shprehur:
“Ervini ka treguar që është një kryetar bashkie i shkëlqyer. Dhe unë jam plotësisht i bindur dhe as nuk lodhem, as nuk e mendoj të lodhem që t’ju bind ju të votoni për Ervinin, sepse jeni ju që i përjetoni të gjitha këto punë publike që ka bërë bashkia. Ne këtë nuk e quajmë thjesht fushatë, e kemi pjesë të komunikimit tonë, pjesë të asaj kontrate që ne kemi bërë me komunitetet.
Jemi dëshmitarë të gjithë që nuk jemi nga ata politikanë që vijnë vetëm një herë në dy vite për t’u parë për fushata elektorale, por jemi vazhdimisht në komunikim me ju për të marrë çdo shqetësim dhe për të adresuar çdo problem që kanë komunitetet, në mënyrë që t’i zgjidhim, në dobi sigurisht tuaj. Edhe këtu në Velabisht janë bërë aq punë nga bashkia sa nuk janë bërë këto 25 vite këtu në Berat, nga çdo lloj qeverie qoftë ajo. Unë skam asnjë dyshim që dhe Velabishti do votojë në masë të madhe Ervinin, dhe skam asnjë dyshim që do të jetë fitore historike për Ervinin. Por ajo që ju kërkoj është që përveç Ervinit, të votojmë edhe listën e këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste, sepse është shumë e rëndësishme që këtë radhë Ervini të ketë mbështetje absolute nga një shumicë e Partisë Socialiste në këshillin bashkiak, që rrugëtimin që kanë nisur ta vazhdojnë bashkë me vendimet që do marrin në këshillin bashkiak.
Prapë e kemi shumë të lehtë, prapë e kemi shumë të lehtë. Shiko çfarë alternative ka opozita. Na ka vënë përballë në këshillin bashkiak të parin në listë njeriun më dështak në Berat, Petritin, që nuk bëri absolutisht asgjë ato 4 vite që ishte kryetar bashkie në Berat.”
Fjalimi i plotë në këtë link 📍Berat- Bashkë me Ervinin në takimin me banorët e Velabishtit çuam edhe lajmin e shumëpritur për rikonstruksionin e rrugës së mezipritur e shumë të… | By Bledi Çuçi | Facebook .
Kryetari i Bashkisë Berat z. Ervin Demo: “(…) Unë ju garantoj që në qoftë se ju keni krijuar bindjen që ne arrijmë të bëjmë disa gjëra, më besoni ne do të bëjmë shumë më tepër këto katër vjet. Dhe urat, dhe rrugët dhe çfarë keni parë nuk janë asgjë me atë çfarë po vjen në Berat. Më lejoni të përmend edhe një gjë tjetër, kush e mendonte para katër vjetësh që ne në Berat do të bënim Urën e Bilshës. Këtu keni qenë të gjithë, as nuk ngrihej si problem, jo problem por as ngrihej si vizion, dukej si ato ëndrrat në sirtar. As kishin guximin ta mendonin banorët e Bilshës. Por ja që ne në Maj fillojmë urën e Bilshës, dhe kjo nuk është një gjë e vogël jo vetëm për banorët e Bilshës, por kjo është një gjë e jashtëzakonshme për gjithë qytetarët e Beratit, sepse ai është një projekt strategjik nga pikëpamja e zhvillimit të qytetit.”
Vlen të theksohet se nga konsultimi i raportimit të Bashkisë Berat në ndërfaqe për këtë aktivitet, rezulton se aktiviteti është publik, i hapur për pjesëmarrjen e medias dhe publikun, si dhe se do të marrin pjesë vetëm: Kryetari i Bashkisë, Drejtore e Drejtorisë se Turizmit dhe Aktiviteteve.
Ndërkohë që aty konstatohet se morrën pjesë edhe z. Bledi Çuçi, udhëheqës politik i Qarkut Berat, deputeti Fadil Nasufi, etj.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë përpos titullarëve vendorë edhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 pika 1).
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara