Shkarko Dokumentin e dërguar KQZ-së
I Nderuar Z. Komisioner!
Të nderuar anëtarë të Komisionit Rregullator!
Të nderuar kolegë të administratës së KQZ-së!
Në kuadër të gjithë bashkëpunimit të deritanishëm me Institucionin e KQZ-së, për të cilin gjejmë rastin t’ju falënderojmë sërish, KRIIK ju nis këtë rekomandim për veprime që mund të ndërmarrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të garantuar një mjedis të lirë nga intimidimi, të qetë dhe të sigurt për zgjedhësit gjatë ditës së zgjedhjeve, si dhe mundësinë që zgjedhësit të votojnë në mënyrë të fshehtë.
Si raporti i KRIIK për Zgjedhjet për Kuvendin e 25 prillit 2021, ashtu edhe ai i OSBE/ODIHR kanë evidentuar si problematike prezencën e personave të paautorizuar, me shumë gjasë aktivistë apo militantë të subjekteve zgjedhore, në afërsi të qendrave të votimit, qofshin këto mjediset e përbashkëta mes qendrave të votimit në strukturat publike (oborr apo korridore), apo menjëherë në afërsi të tyre (pranë hyrjes) gjatë ditës së zgjedhjeve.
Prania e aktivistëve partiakë rreth qendrave të votimit mund të përbëjë një kërcënim madhor potencial për fshehtësinë e votës. Kjo për shkak se ata mund të përpiqen të ndikojnë ose të frikësojnë votuesit, gjë që mund t’i bëjë votuesit të ndihen të detyruar të votojnë për një kandidat ose parti të caktuar. Këto praktika mund të krijojnë një mjedis armiqësor ose frikësues për votuesit, gjë që mund t’i bëjë ata të ndihen jo komodë apo edhe të frikësuar për të votuar lirisht dhe në mënyrë të pavarur.
Praktika e militantëve partiakë të grumbulluar në afërsi të qendrave të votimit është veçanërisht problematike nëse shihet në kontekstin më të gjerë të strukturave të organizuara për drejtimin e votës në periudhën parazgjedhore, nëpërmjet sistemit të patronazhimit politik dhe kontrollit kapilar të votuesve; përfshi por pa u kufizuar në blerjen e votës apo intimidimin e zgjedhësve.
Një sistem i tillë i kontrollit dhe drejtimit të votës, i cili në gjykimin e KRIIK përbën një shkelje të pikës b të nenit 25 Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë Civile dhe Politike të Kombeve të Bashkuara[1], ratifikuar prej Shqipërisë që prej vitit 1991, përmbyllet ditën e zgjedhjeve me prezencën e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit.
Për sa më sipër, të nderuar kolegë të KQZ-së, na lejoni t’ju rikthejmë në vëmendje se rekomandimi i dytë parësor i OSBE/ODIHR në Raportin Final për Zgjedhjet për Kuvendin të 25 prillit 2021 ka qenë se “[s]hteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dikush ka votuar apo jo dhe si ka votuar duhet të parandalohet.[2]”
Për më tepër, prezenca e grupeve të aktivistëve apo militantëve partiakë në afërsi të qendrave të votimit mund të kthehet edhe në një rrezik potencial për konflikte ditën e zgjedhjeve, duke krijuar një situatë pasigurie akoma më të theksuar dhe dekurajuar pjesëmarrjen në zgjedhje të qytetarëve.
Bazuar në problematikën e parashtruar më sipër, KRIIK gjykon se kjo çështje do të duhet të adresohet në mënyrë të menjëhershme dhe sa më shteruese nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe nxit trupat drejtuese të KQZ-se, konkretisht Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Komisionin Rregullator, që të ndërveprojnë për ta adresuar atë dhe garantuar një situatë ku zgjedhësit mund të ndjejnë se votojnë të lirë dhe në mënyrë të fshehtë; jo vetëm brenda qendrave të votimit, por edhe në mjediset rrethuese të tyre, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor[3].
Ky rekomandim nxitet edhe nga një komunikimi verbal që KRIIK ka patur si me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, ashtu edhe me përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit.
- Në gjykimin e KRIIK, një nga mënyrat për të minimizuar efektin e këtij fenomeni, përsa i përket manifestimit të tij në Ditën e Zgjedhjeve, do të ishte që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përgatitë dhe nxjerrë një apo disa akte nënligjore, në formën që KQZ-ja e gjykon më të përshtatshme, për të rikthyer në vëmendjen e administratës zgjedhore në nivelin e dytë dhe të tretë se detyrimi i tyre për të garantuar një mjedis të lirë nga ndikimi dhe intimidimi për zgjedhësit nuk përfundon tek hyrja e qendrës së votimit, por shtrihet edhe në mjedisin rrethues të saj.
Një formë për të garantuar këtë mund të ishte që të ngarkohen komisionet e qendrave të votimit me detyrimin eksplicit që, në mënyrë periodike, të kontrollojnë nëse mjedisi rrethues i qendrës së votimit është i qetë apo ka prezencë të personave të paautorizuar në afërsi të tyre. Në rast se evidentohet prezenca e të tillë personave, të ndërmerren hapat përkatës, në përmbushje të pikës 7 të nenit 109 të Kodit Zgjedhor, të tillë si njoftimi i Policisë së Shtetit, apo edhe ndërprerja e votimit, në rast se është e nevojshme.
Në mënyrë që ky detyrim të zbatohet me përpikmëri nga ana e komisionerëve të nivelit të dytë e të tretë të administratës zgjedhore, mund që të konsiderohet edhe vendosja e detyrimit për KQV-të për të raportuar në mënyrë periodike në KZAZ edhe për situatën rrethuese të qendrave të votimit. Nga ana e vet, KZAZ-të të kenë detyrimin që këtë informacion t’ia përcjellin KQZ-së dhe, në raportimet e veta për median dhe publikun në ditën e zgjedhjeve, KQZ-ja të komunikojë edhe për situatën rreth qendrave të votimit, raste të prezencës së personave të paautorizuar të evidentuara dhe hapat e ndërmarrë për normalizimin e situatës.
Në gjykimin e KRIIK detyrimi eksplicit për të ndërmarrë hapat sa më sipër do të ndihmojë qoftë në kufizimin e partive politike dhe militantëve të tyre për të ndikuar zgjedhësit, ashtu edhe në informimin dhe rritjen e garancive për qytetarët se mund të votojnë të lirë e të pandikuar.
- Gjithashtu, KZAZ-të të jenë të vëmendshme gjatë ditës së zgjedhjeve për raportime nga mediat apo indicie nga vëzhguesit, qofshin ata të partive politike apo vëzhgues qytetarë. Në rast se KZAZ-ja merr indicie për prezencë të personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit, të ketë detyrimin eksplicit që të dërgojë një përfaqësues të saj në qendrën apo qendrat e votimit ku është vërejtur fenomeni dhe të marrë masat e nevojshme për normalizimin e situatës.
- Sigurisht që, në mënyrë që mekanizmi të funksionojë, do të duhet që Policia e Shtetit të jetë më e vëmendshme dhe të ketë një qasje më proaktive ndaj këtij fenomeni. KRIIK gjykon se kjo mund të arrihet nëpërmjet një koordinimi më të mirë mes administratës zgjedhore dhe Policisë së Shtetit, në të gjithë nivelet, nga KQZ në KQV.
Në këtë kuptim, KRIIK rekomandon që, si hap i parë, KQZ-ja t’i dërgojë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit një kujtesë për detyrat e saj gjatë ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë dhe theksuar nevojën për të garantuar një mjedis të lirë në afërsi të qendrave të votimit.
Është e rëndësishme gjithashtu që gjatë kryerjes së kësaj detyre, efektivët e Policisë së Shtetit të jenë të kujdesshëm që prezenca e tyre në afërsi të qendrave të votimit të mos ketë efektin e kundërt, duke krijuar një situatë pasigurie si pasojë e forcave të shtuara të policisë dhe të dekurajojë pjesëmarrjen në zgjedhje.
- Së fundmi, KRIIK rekomandon që KQZ-ja t’i drejtohet edhe partive politike me një dokument zyrtar ku t’u tërheqë vëmendjen për precedentët e shkuar me prezencën e aktivistëve dhe militantëve të vet në afërsi të qendrave të votimit gjatë ditës së zgjedhjeve, dhe t’u kërkojë që të garantojnë se do të evitojnë prezencën e këtyre personave në afërsi të qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve.
[1] Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë Civile dhe Politike, Neni 25
“Çdo qytetar ka të drejtën dhe mundësinë, pa asnjë nga dallimet e përmendura në nenin 2 dhe pa kufizime të paarsyeshme:
[…](b) Të votojë dhe të zgjidhet në zgjedhje të vërteta periodike, të cilat do të jenë me votim të përgjithshëm dhe të barabartë dhe do të mbahen me votim të fshehtë, duke garantuar shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve;
…”
[2] Raporti Përfundimtar i OSBE/ODIHR për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 prillit 2021, faqe 30.
[3] Neni 109, pikat 6 dhe 7 të Kodit Zgjedhor:
“…
6. Në mjediset jashtë qendrës së votimit, në oborrin e ndërtesës, në hyrje të saj dhe në korridoret e brendshme të ndërtesës nuk lejohet prania apo grumbullimi i personave, përveç zgjedhësve që presin në radhë për të votuar. Përjashtimisht nga ky rregull, lejohet prania e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të medias së autorizuar, si dhe e personave të ngarkuar me kryerjen e sondazheve për votimin, kur organizata që ata përfaqësojnë është autorizuar për këtë qëllim nga KQZ-ja. Intervistimi i votuesve për llogari të sondazheve bëhet në rrethinat e jashtme të ndërtesës, në vendintervistimi me shenja të qarta dalluese dhe shpjeguese dhe pa penguar në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak kalueshmërinë dhe hyrje-daljen e lirë të zgjedhësve në qendrën e votimit.
7. Prezenca e personave të tjerë, jashtë parashikimeve të këtij neni, në mjediset ku kryhet administrimi zgjedhor apo në rrethinat e tyre është shkak për pezullimin e procesit dhe për të kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për të rivendosur rendin. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit bëhet sipas procedurave të miratuara nga KQZ-ja dhe dokumentohet në detaje nga administrata zgjedhore.”