Shkarko Denoncimin ne pdf
I Nderuar Z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin në vazhdimësi, ju shprehim paraprakisht rezervën tonë për mënyrën e adresimit të denoncimeve të regjistruara me nr. 247, 248, 249 ID, mbi shkeljet e kryera nga Bashkia Cërrik duke zhvilluar 3 veprimtari të ndaluara prej KQZ-së.
KQZ-ja i është referuar vetëm nenit 10 pika 1 të vendimit 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Regullator si bazë ligjore për sanksionimin e shkelësve në Vendimin Nr. 267 datë 05.04.2023.
KRIIK konsideron se nuk është marrë në konsideratë pika 2 e nenit 10 të këtij vendimi për sanksionimin e Kryetarit të Bashkisë, si dhe neni 7 gërmat a, b, dh, e, si dhe pika 2 e nenit 3.
Masa e parashikuar nuk është aspak proporcionale lidhur me gravitetin e shkeljes dhe përsëritjen e saj.
Gjithashtu nuk është adresuar në këtë Vendim pasoja e ardhur, nga shndrrimi i aktivitetit në veprimtari të mirëfilltë elektorale nga artikulimet e Kryetarit të Bashkisë dhe veçanërisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste z. Damian Gjiknuri, provat e të cilave ju janë përcjellë nga KRIIK në denoncimin e tij.
KQZ-ja duhet të sanksiononte përpos titullarëve vendorë edhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar sipas detyrimit të parashikuar në nenin 172 pika 1 të Kodit Zgjedhor, sikurse KRIIK ua kishte kërkuar dhe sjellë në vëmendje në denoncimin e tij.
Në opinionin e KRIIK, gjykohet se zemërgjerësia e skajshme e KQZ-së e treguar deri më tani në raport me vonesat, mosraportimin e aktiviteteve të kryera dhe ndaj argumentimeve/justifikimeve shpesh të pavend të servirura prej institucioneve gjatë hetimeve adminstrative të kryera,
nuk mund dhe nuk duhet të shtrihet asesi në rastin e shqyrtimit dhe sanksionimit të shkelësve për kryerjen e aktiviteteve të ndaluara prej KQZ-së, pasi kjo qasje nuk është gjë tjetër veçse zhbërje institucionale nëpërmjet praktikës e tërë mekanizmit parandalues dhe sanksionues për abuzimin me burimet shtetërore prej zyrtarëve dhe funksionarëve publikë.
Duke besuar fort në qasjen institucionale dhe të plotë ligjore të Institucionit tuaj, ju sjellim më poshtë edhe denoncimin për zhvillimin e veprimtarisë së ndaluar nga KQZ-ja, prej Bashkisë Lushnjë.
Me vendimin nr. 212 datë 28.03.2023 Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur ndalimin e zhvillimit të pesë aktiviteteve të raportuara për t’u zhvilluar në datën 30 mars 2023 nga Bashkia Lushnje. Ky ndalim është pasqyruar edhe në ndërfaqen e aktiviteteve të ndaluara nga KQZ.
Vendimmarrja e KSHZ është bazuar në arsyetimin se nga të dhënat e paraqitura në raportim u konstatua se, “nga të dhënat e paraqitura në raportim ka konstatuar se, aktivitetet e zhvilluara nga institucioni publik, Bashkia Lushnjë, me pjesëmarrjen e personave partiakë përbëjnë veprimtari të ndaluara, në kuptim të nenit 91 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”
Në Listën e aktiviteteve të ndaluara sipas vendimmarrjes së KSHZ është edhe aktiviteti:
- Aktiviteti “Inspektim punimesh, palestra e shkollës ‘Foto Puka’ Lushnjë (ripublikim, me media sociale)”, me pjesëmarrës: Taulant Balla, Eriselda Sefa, raportuar më datë 25 mars për t’u zhvilluar më datë 30 mars.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton se ky aktivitet është zhvilluar pavarësisht ndalimit të vendosur nga KQZ.
Konstatohet se aktiviteti është zhvilluar me pjesëmarrjen e gjithë personave për të cilët ishte bërë njoftimi.
Nga kontrolli i bërë në Faqen Zyrtare të Facebook të Kryetares së Bashkisë Lushnjë, rezulton të jenë postuar foto që faktojnë zhvillimin e aktivitetit të ndaluar.
Fotot mbi këtë aktivitet, deri nw momentin e dwrgimit tw kwtij denoncimi, rezultojnë se kanë marrë 418 pëlqime, iu janë bërë 38 komente, si dhe janë ri-shpërndarë 27 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të Facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes).
“Palestra e shkollës “Foto Puka” falë punës që po kryhet do jetë brenda pak javësh një ambjent modern dhe funksional jo vetëm për nxënësit e shkollës, por edhe për ekipet e lojërave me dorë të Lushnjes.
Nga konsultimi i faqes së Facebook të Drejtuesit Politik të Qarkut Fier z. Taulant Balla, rezulton të jenë postuar foto dhe video që faktojnë zhvillimin e aktivitetit të ndaluar.
Fotot mbi këtë aktivitet, të publikuar në Faqen e Facebook-ut të z. Balla, rezultojnë se kanë marrë 1500 pëlqime, iu janë bërë 130 komente, si dhe janë ri-shpërndarë 90 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të Facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes).
Ndërkaq, postimi video, deri në ditën e dërgimit të këtij raporti, rezulton se është parë 2900 herë, ka marrë 990 pëlqime, i janë bërë 163 komente, si dhe është ri-shpërndarë 63 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes).
“Lushnje Palestra e shkollës “Foto Puka” falë punës që po kryhet do jetë brenda pak javësh një ambjent modern dhe funksional jo vetëm për nxënësit e shkollës, por edhe për ekipet e lojërave me dorë të Lushnjes.Premtim i mbajtur
Sikurse KQZ-ja me të drejtë ka vepruar, duke e ndaluar paraprakisht aktivitetin pasi mund të përbënte shpërdorim të burimeve shtetërore për qëllime politike /elektorale, ka rezultuar se ky aktivitet i ndaluar, përsa vetë pjesëmarrësit kanë postuar, sërish është përdorur për të artikuluar fjalime me përmbajtje elektorale. Konkretisht:
Eriselda Sefa “… jo vetëm në qytet, por ne do të vazhdojmë edhe me kompleksin sportiv të Krutjes, i cili do të fillojë shumë shpejt nga investimi, do të vazhdojë me fushën e futbollit në Dushk, dhe më pas do të shtrihemi në të gjithë njësitë administrative në mënyrë që të gjithë të rinjtë e të gjithë territorit të Bashkisë Lushnjë të kenë mundësi për të ndjekur aktivitetet sportive, …”.
Taulant Balla “… kjo do t’i ketë dimensionet normale, pajisur me shumë ambiente të tjera mbështetëse, dhoma zhveshjesh sepse janë të domosdoshme, qoftë për djem, qoftë për vajza, dhe është ajo që ju thashë, e vazhdojmë edhe me dy mjedise të tjera sportive ngjitur. Dhe pastaj krijohet një koncept i ndërlidhur që nga kopshti atje, fushat, kompleksi sportiv këtu i lojërave me dorë, shkollat dhe pastaj gjithë edhe kompleksi tjetër sportiv i futbollit, plus që dhe kompleksi i lojërave me dorë këtu tek shkolla tjetër “Skënder Libohova”. Kështu që bëhet një koncept i integruar. Po ajo që do tw na duhet është që do vazhdojmë të nxisim, dhe Eriselda në fakt ka bërë atë gjënë që duhet, për klasat sportive në bashkëpunim në fakt edhe me lëvizjen olimpike edhe me Ministren Muzhaqi. Është, do të thoja, një insistim i Kryeministrit që ne t’i rikthejmë të gjitha klasat sportive. …”
Për gjithë sa më sipër, KRIIK denoncon me ashpërsi këtë sfidë të zbatimit të ligjit dhe Institucionit të KQZ-së prej aktorëve të përfshirë në këtë aktivitet.
KQZ-ja nevojitet të përmbushë sa më parë detyrimet dhe përgjegjësitë e saj konform parashikimeve ligjore të Kodit Zgjedhor dhe të Vendimit nr. 9, datë 24.12.2020 “Për rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”, nenit 9 e 10 të tij.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të tregojë ashpërsinë e ligjit ndaj atyre që e sfidojnë atë, nga njëra anë, si dhe funksionalitetin e mekanizmit të ndërtuar pas reformës zgjedhore të vitit 2020 për të parandaluar abuzimin me burimet shtetërore, nga ana tjetër.
Një qëndrim pasiv, apo interpretues ndaj ligjit duke ndëshkuar punonjës të thjeshtë të administratës së bashkisë, nuk është gjë tjetër veçse një dritë jeshile për anashkalimin e ligjit, dhe zhbërjen përfundimtare të tërë mekanizmit parandalues të ngritur.
KRIIK ju risjell në vëmendje të Nderuar Kolegë të KQZ-së se, në fund të fundit, tërë rregullimi i bërë dhe mekanizmi i parashikuar duke nxitur një ndërveprim të kaq shumë institucioneve me KQZ-në, ka si qëllim parësor, ndalimin paraprak të tij, jo vetëm në emër të parimit të barazisë së armëve në garë, por në rradhë të parë për të ndaluar dhe shmangur çdo formë të drejtimit të votës apo intimidimit që mund të bëhet nga njerëz të veshur me pushtet politik apo institucional.
Ndaj shihet me vend një qasje më proaktive dhe parandaluese e KQZ-së, veçanërisht në raste të tilla, duke mos u mjaftuar thjesht me adresimin e shkeljes, pasi dëmi të jetë bërë.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë përpos titullarëve vendorë edhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 pika 1), ndërkohë që një zyrtar i lartë i saj, Kryetar i Grupit Parlamentar, është edhe bashkëautor në këtë moszbatim të ndalimit të bërë prej Institucionit të KQZ-së.
Gjithashtu, përpos sanksionimit konform parashikimeve ligjore, nxitet KQZ-ja t’i dërgojë një informacion të detajuar mbi këtë ngjarje Kuvendit të Shqipërisë, për thyerjen e Kodit të Sjelljes nga Deputeti z. Taulant Balla.