Shkarko Denoncimin ne pdf
I Nderuar Z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Me vendimin nr. 213 datë 28.03.2023 Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur ndalimin e zhvillimit të katër aktiviteteve të raportuara për t’u zhvilluar në datën 30 mars 2023 nga Bashkia Cërrik. Ky ndalim është pasqyruar edhe në ndërfaqen e aktiviteteve të ndaluara nga KQZ.
Vendimmarrja e KSHZ është bazuar në arsyetimin se nga të dhënat e paraqitura në raportim u konstatua se, “aktivitetet e zhvilluara nga institucioni publik, Bashkia Cërrik, Ujësjellës Kanalizime Cërrik, me pjesëmarrjen e personave partiakë përbën veprimtari të ndaluar, në kuptim të nenit 91 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.”
Në Listën e aktiviteteve të ndaluara sipas vendimmarrjes së KSHZ është edhe aktiviteti:
- “Inspektim në kantierin e zbatimit të infrastrukturës publike”, për t’u zhvilluar në datë 30.3.2023 ora 15:00, me vend të zhvillimit në “Shtermen”, me folës kryesorë: Damian Gjiknuri (Drejtues Politik Qarku), Andis Salla (Kryetari i Bashkisë), pjesëmarrësit: Damian Gjiknuri, Andis Salla, administratori njësisë, komunitet.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton se ky aktivitet është zhvilluar pavarësisht ndalimit të vendosur nga KQZ.
Konstatohet se aktiviteti është zhvilluar me pjesëmarrjen e gjithë personave për të cilët ishte bërë njoftimi.
Nga kontrolli i bërë në Faqen Zyrtare të Facebook të Kryetarit të Bashkisë Cërrik, dhe Bashkisë Cërrik nuk figuron ndonjë postim që lidhet me këtë veprimtari.
Ndërkohë që në profilin e Kryetarit të Bashkisë Cërrik z. Andis Salla (profil i hapur, linku: https://www.facebook.com/andi.salla ) është ri-shpërndarë postimi i bërë nga z. Damian Gjiknuri (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes).
“Me Njerëzit për Njerëzit
Me Andisin në Njësinë Administrative Gostimë në takimin me banorët e fshatit Shtërmen. Diskutuam mbi zhvillimin që ka marrë kjo zonë si pasojë e vëmendjes së treguar nga bashkia si edhe problematikat për të cilat po punojmë dita-ditës për ti dhënë zgjidhje.
“Cërrik Në Njësinë Administrative Gostimë. Takim me banorët e fshatit Shtërmen për t’u njohur nga afër me problematikat e tyre.
Nga konsultimi i faqes së Facebook të Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri, rezulton të jenë postuar foto dhe video që faktojnë zhvillimin e aktivitetit të ndaluar.
Fotot mbi këtë aktivitet, të publikuar në faqen e facebook-ut të z. Gjiknuri, rezultojnë se kanë marrë 1200 pëlqime, iu janë bërë 111 komente, si dhe janë ri-shpërndarë 156 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të Facebook. (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes)
“Me Njerëzit për Njerëzit
Me Andisin në Njësinë Administrative Gostimë në takimin me banorët e fshatit Shtërmen. Diskutuam mbi zhvillimin që ka marrë kjo zonë si pasojë e vëmendjes së treguar nga bashkia si edhe problematikat për të cilat po punojmë dita-ditës për ti dhënë zgjidhje.
Ndërkaq, postimi video, deri në ditën e dërgimit të këtij raporti, rezulton se është parë 10000 herë, ka marrë 3100 pëlqime, i janë bërë 462 komente, si dhe është ri-shpërndarë 146 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të facebook. (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes)
“Cërrik Në Njësinë Administrative Gostimë. Takim me banorët e fshatit Shtërmen për t’u njohur nga afër me problematikat e tyre.
Sikurse KQZ-ja me të drejtë ka vepruar, duke e ndaluar paraprakisht aktivitetin pasi mund të përbënte shpërdorim të burimeve shtetërore për qëllime politike /elektorale, ka rezultuar se ky aktivitet i ndaluar, përsa vetë pjesëmarrësit kanë postuar, sërish është përdorur për të artikuluar fjalime me përmbajtje elektorale. Konkretisht:
Damian Gjiknuri “Kryetari i Bashkisë bën punën e vet, mirëadministron taksat e qytetarëve, qeveria e ndihmon me këto investimet e tjera. …
Unë dua ta falenderoj Andin për këtë premtim të mbajtur, dhe jo më kot ne e kemi rikandiduar dhe kërkojmë mbështetjen e gjithë fshatit për këtë djalë, sepse ky e ka treguar me vepra. …
Ky nuk është vetëm, ky ka edhe Qeverinë e Edi Ramëss nga mbrapa që e mbështet, më ka mua, ka edhe deputetin, Çimin, që e keni edhe atë djalin tuaj, njohës i mirë i zonës. Pra jemi një ekip politik i plotë , nuk jemi thjesht një individ. Këtu është një ekip i plotë politik që do të bëjë më të mirën për Cërrikun dita – ditës. … .”
Për gjithë sa më sipër, KRIIK denoncon me ashpërsi këtë sfidë të zbatimit të ligjit dhe Institucionit të KQZ-së prej aktorëve të përfshirë në këtë aktivitet.
KQZ-ja nevojitet të përmbushë sa më parë detyrimet dhe përgjegjësitë e saj konform parashikimeve ligjore të Kodit Zgjedhor dhe të Vendimit nr. 9, datë 24.12.2020 “Për rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”, nenit 9 e 10 të tij.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të tregojë ashpërsinë e ligjit ndaj atyre që e sfidojnë atë, nga njëra anë, si dhe funksionalitetin e mekanizmit të ndërtuar pas reformës zgjedhore të vitit 2020 për të parandaluar abuzimin me burimet shtetërore, nga ana tjetër.
Një qëndrim pasiv, apo interpretues ndaj ligjit duke ndëshkuar punonjës të thjeshtë të administratës së bashkisë, nuk është gjë tjetër veçse një dritë jeshile për anashkalimin e ligjit, dhe zhbërjen përfundimtare të tërë mekanizmit parandalues të ngritur.
KRIIK ju risjell në vëmendje të Nderuar Kolegë të KQZ-së se, në fund të fundit, tërë rregullimi i bërë dhe mekanizmi i parashikuar duke nxitur një ndërveprim të kaq shumë institucioneve me KQZ-në, ka si qëllim parësor, ndalimin paraprak të tij, jo vetëm në emër të parimit të barazisë së armëve në garë, por në rradhë të parë për të ndaluar dhe shmangur çdo formë të drejtimit të votës apo intimidimit që mund të bëhet nga njerëz të veshur me pushtet politik apo institucional.
Ndaj shihet me vend një qasje më proaktive dhe parandaluese e KQZ-së, veçanërisht në raste të tilla, duke mos u mjaftuar thjesht me adresimin e shkeljes, pasi dëmi të jetë bërë.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë përpos titullarëve vendorë edhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 pika 1), ndërkohë që një zyrtar i lartë i saj, Sekretari i Përgjithshëm z. Damian Gjiknuri, njëkohësisht Deputet, është edhe bashkëautor në këtë moszbatim të ndalimit të bërë prej Institucionit të KQZ-së.
Gjithashtu, përpos sanksionimit konform parashikimeve ligjore, nxitet KQZ-ja t’i dërgojë një informacion të detajuar mbi këtë ngjarje Kuvendit të Shqipërisë, për thyerjen e Kodit të Sjelljes nga Deputeti z. Damian Gjiknuri.