Shkarko Denoncimin ne pdf
I Nderuar Z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Me vendimin nr. 213 datë 28.03.2023 Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur ndalimin e zhvillimit të katër aktiviteteve të raportuara për t’u zhvilluar në datën 30 mars 2023 nga Bashkia Cërrik. Ky ndalim është pasqyruar edhe në ndërfaqen e aktiviteteve të ndaluara nga KQZ.
Vendimmarrja e KSHZ është bazuar në arsyetimin se nga të dhënat e paraqitura në raportim u konstatua se, “aktivitetet e zhvilluara nga institucioni publik, Bashkia Cërrik, Ujësjellës Kanalizime Cërrik, me pjesëmarrjen e personave partiakë përbën veprimtari të ndaluar, në kuptim të nenit 91 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.”
Në Listën e aktiviteteve të ndaluara sipas vendimmarrjes së KSHZ është edhe aktiviteti:
- “Inspektim në kantierin e zbatimit të infrastrukturës publike”, për t’u zhvilluar në datë 30.3.2023 ora 14:00, me vend të zhvillimit në “Shtepanjë”, me folës kryesorë: Damian Gjiknuri (Drejtues Politik Qarku), Andis Salla (Kryetari i Bashkisë), pjesëmarrësit: Damian Gjiknuri, Andis Salla, administratori njësisë, komunitet.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton se ky aktivitet është zhvilluar pavarësisht ndalimit të vendosur nga KQZ.
Konstatohet se aktiviteti është zhvilluar me pjesëmarrjen e gjithë personave për të cilët ishte bërë njoftimi.
Nga kontrolli i bërë në Faqen Zyrtare të Facebook të Kryetarit të Bashkisë Cërrik, dhe Bashkisë Cërrik nuk figuron ndonjë postim që lidhet me këtë veprimtari.
Ndërkohë që në profilin e Kryetarit të Bashkisë Cërrik z. Andis Salla (profil i hapur, linku: https://www.facebook.com/andi.salla ) është ri-shpërndarë postimi i bërë nga z. Damian Gjiknuri (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes).
“CërrikTakim me banorët e fshatit Shtëpanjë në Njësinë Administrative Gostimë.
Nga konsultimi i faqes së Facebook të Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri, rezulton të jetë postuar video që fakton zhvillimin e aktivitetit të ndaluar.
Postimi video, deri në ditën e dërgimit të këtij raporti, rezulton se është parë 13000 herë, ka marrë 3100 pëlqime, i janë bërë 420 komente, si dhe është ri-shpërndarë 139 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të facebook. (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes)
“CërrikTakim me banorët e fshatit Shtëpanjë në Njësinë Administrative Gostimë.
Sikurse KQZ-ja me të drejtë ka vepruar, duke e ndaluar paraprakisht aktivitetin pasi mund të përbënte shpërdorim të burimeve shtetërore për qëllime politike /elektorale, ka rezultuar se ky aktivitet i ndaluar, përsa vetë pjesëmarrësit kanë postuar, sërish është përdorur për të artikuluar fjalime me përmbajtje elektorale. Konkretisht:
Andis Salla, Kryetar aktual i Bashkisë, Kandidat për tu rizgjedhur: “… për shkak të terrenit që ka, është në një terren pak të vështirë, dhe ne pas elektrifikimit të energjisë elektrike nga qeveria shqiptare na u desh që , edhe mbas dëgjesave publike që kemi bërë me banorët, të arrinim që të fillonte puna për ta asfaltuar gjithë këtë aks. Është një punë që e kemi filluar para pak muajsh. Jemi në proces e sipër pune dhe brenda pothuajse pak ditësh ne arrijmë edhe asfaltimin e gjithë këtij aksi.
banorët.”
Damian Gjiknuri “Megjithëse kjo ska mbaruar, por siç e tha Kryetari, kjo punë nisi e s’do të ndalet. …
Më vjen mirë që Kryetari e mbajti këtë premtim. Jo më kot ne e kemi rikandiduar … .
Ju e keni parë vetë dorën e pushtetit, investimet e qeverisë që kanë të bëjnë me energjinë elektrike, këto që po bën Andi. Ne si qeveri shqiptare dhe si Parti Socialiste me përfaqësuesin tonë, do ta mbështesim vazhdimisht Cërrikun edhe me punë të tjera. … .
Gjërat e mëdha do t’i marrë përsipër qeveria. … .
Shpresoj që t’ia shpërbleni (Andit). Pse? Që edhe ne të ndihemi mirë. Pra kur themi ore bëjmë diçka, japim një premtim, e realizojmë. Njerëzit ta vlerësojnë ta shpërblejnë. Sikur na fut në borxh. E keni parasysh popullin kur thotë: më ke vënë në borxh me sjelljen e mirë. Duke na vënë në borxh me mbështetjen për Andin, edhe mu më fusni në borxh politik që të shkoj nesër tek Edi Rama. Ore këta janë njerëz mirënjohës, ne bëmë diçka, hajde të bëjmë edhe më shumë. Dhe unë besoj që këto janë veprat e para. Është si ajo paradhënia që ka bërë Andi ndaj jush dhe besoj që do ta marri mbështetjen e fshatit në këto zgjedhje, që nuk është vetëm mesazh për Andin, por është dhe për ne të tjerët. Kështu që unë nuk më mbetet që tjetër vetëm të uroj që ta mbarojmë sa më shpejt këtë. Tani banorët e dinë vetë. Ky e dha një premtim, e mbajti. Tashti është rradha juaj, ky do të vazhdojë me pjesën tjetër, e kështu dhe jeta bëhet dhe më e mirë.”
Për gjithë sa më sipër, KRIIK denoncon me ashpërsi këtë sfidë të zbatimit të ligjit dhe Institucionit të KQZ-së prej aktorëve të përfshirë në këtë aktivitet.
KQZ-ja nevojitet të përmbushë sa më parë detyrimet dhe përgjegjësitë e saj konform parashikimeve ligjore të Kodit Zgjedhor dhe të Vendimit nr. 9, datë 24.12.2020 “Për rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”, nenit 9 e 10 të tij.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të tregojë ashpërsinë e ligjit ndaj atyre që e sfidojnë atë, nga njëra anë, si dhe funksionalitetin e mekanizmit të ndërtuar pas reformës zgjedhore të vitit 2020 për të parandaluar abuzimin me burimet shtetërore, nga ana tjetër.
Një qëndrim pasiv, apo interpretues ndaj ligjit duke ndëshkuar punonjës të thjeshtë të administratës së bashkisë, nuk është gjë tjetër veçse një dritë jeshile për anashkalimin e ligjit, dhe zhbërjen përfundimtare të tërë mekanizmit parandalues të ngritur.
KRIIK ju risjell në vëmendje të Nderuar Kolegë të KQZ-së se, në fund të fundit, tërë rregullimi i bërë dhe mekanizmi i parashikuar duke nxitur një ndërveprim të kaq shumë institucioneve me KQZ-në, ka si qëllim parësor, ndalimin paraprak të tij, jo vetëm në emër të parimit të barazisë së armëve në garë, por në rradhë të parë për të ndaluar dhe shmangur çdo formë të drejtimit të votës apo intimidimit që mund të bëhet nga njerëz të veshur me pushtet politik apo institucional.
Ndaj shihet me vend një qasje më proaktive dhe parandaluese e KQZ-së, veçanërisht në raste të tilla, duke mos u mjaftuar thjesht me adresimin e shkeljes, pasi dëmi të jetë bërë.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë përpos titullarëve vendorë edhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 pika 1), ndërkohë që një zyrtar i lartë i saj, Sekretari i Përgjithshëm z. Damian Gjiknuri, njëkohësisht Deputet, është edhe bashkëautor në këtë moszbatim të ndalimit të bërë prej Institucionit të KQZ-së.
Gjithashtu, përpos sanksionimit konform parashikimeve ligjore, nxitet KQZ-ja t’i dërgojë një informacion të detajuar mbi këtë ngjarje Kuvendit të Shqipërisë, për thyerjen e Kodit të Sjelljes nga Deputeti z. Damian Gjiknuri.