Gjatë monitorimit të javës së dhjetë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika, si:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonese
2. Raportime ku mungojne detajet
3. Veprimtari publike te zhvilluara por te paraportuara
4. Aktivitete institucionale me pranine e perfaqesuesve politike
Konkretisht:
1. RAPORTIMI I AKTIVITETEVE ME VONESË
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë vijon edhe këtë javë. Nga monitorimi i bërë rezulton se rreth 10.7% e raportimeve në javën e dhjetë janë me vonesë.
Theksojmë se këto aktivitete janë raportuar edhe në mënyrë periodike përgjatë javës nëpërmjet raporteve ditore të dërguara, ndërkohë që këtu paraqitet një përmbledhje e tyre.
Specifikisht, nga 309 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, 33 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 65, nga të cilat 14 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Ritheksojmë se këto shifra i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty.
Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo me mjete të tjera të komunikimit dhe këto nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.
KRIIK shpreh vlerësimin mbi disa vendimmarrje të KSHZ për ndalimin paraprakisht të aktiviteteve të raportuara me vonesë prej institucioneve, por kjo duhet të kthehet në një praktikë solide e të menjëhershmne të administratës së KQZ-së për të ndaluar çdo aktivitet sapo ai hidhet në ndërfaqen e raportimit dhe konstatohet se është raportuar jashtë afatit.
Ky qëndrim është në linjë me rekomandimet që KRIIK ka bërë në vazhdimësi në raportet e veta të nëntë javëve të mëparshme.
Gjithashtu, KRIIK risjell në vëmendje se ende mbeten relevante Rekomandimet konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, të përcjella nëpërmjet Raporteve të mëpërshme të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para.
2. RAPORTIME KU MUNGOJNË DETAJET
Vërehet se vijon mungesa e detajeve në një numër raportimesh, detaje të cilat do të bënin të mundur që monitoruesit e KQZ-së apo të tjerë aktorë të interesuar të mund të marrin pjesë apo t’i vëzhgojnë eventet.
Të tilla raste janë të shumta, por sillen si shembuj ilustrues dy prej tyre:
- “Takim sensibilizues për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Bashkia Krujë”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/24/takim-sensibilizues-per-parandalimin-e-kultivimit-te-bimeve-narkotike/.
- “Promovim i librit historik te autoreve Niko Ferro dhe Andrea Liko” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Lushnje”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/23/promovim-i-librit-historik-te-autoreve-niko-ferro-dhe-andrea-liko/..
Në vazhdimësi të sa është kërkuar në raportet e mëparshme, paraqitet e domosdoshme që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi kjo mënyrë raportimi përbën së paku mospërmbushje në mënyrën e duhur të detyrimit ligjor.
KRIIK ju risjell edhe njëherë nevojën për marrjen në konsideratë dhe zhvillimin e trajnimit online të raportuesve, nevojë kjo e shprehur edhe nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme, në takimet që KRIIK ka patur me ta.
3. VEPRIMTARI PUBLIKE TË ZHVILLUARA, POR TË PA RAPORTUARA
Ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, monitorimi jo sistematik i faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe i mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktiviteteve të tyre të mundshme.
Gjatë periudhës 17 – 23 mars 2023, rezulton se së paku 6 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto veprimtari janë kryer nga 6 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, ritheksohet se:
- Ai bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara është më i lartë, pasi gjetjet bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, pa e relativizuar asnjë rast aspektin sanksionues të tij, pavarësisht argumenteve të paraqituara.
Çdo justifikim i paraqitur, gjykohet paraprakisht se nuk ka asnjë vlerë të merret në konsideratë me zemërgjerësi nga KQZ-ja, tanimë kur procesi i raportimit po mbyll muajin e tretë të funksionimit të tij.
4. AKTIVITETE INSTITUCIONALE ME PRANINË E PËRFAQËSUESVE POLITIKË
Dokumenti “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve” i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në pikën 9 të tij përcakton se “Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore”.
Në linjë me sa më sipër, në intervistën e datës 1 mars 2023, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, z. Ilirjan Celibashi është shprehur:
“(…) Qoftë kryetarët e bashkive apo qoftë edhe funksionarët e tjerë publikë, janë të lirë të përmbushin kompetencat e tyre në përputhje me parashikimet e ligjit. Por nuk ka asnjë nevojë, madje është e dënueshme edhe nga pikëpamja ligjore, nëse këtë aktivitet ata e kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, e deputetëve apo edhe funksionarëve të tjerë politikë. Nëse do duan të promovojnë arritjet e tyre, ditën e nesërme pa pjesëmarrjen e stafit apo nëpunësve të bashkisë apo ndonjë institucioni tjetër. Por në rastin kur shkojnë për punë, nuk ka asnjë arsye, përveçse është e kundërligjshme nëse këtë e bëjnë duke shkuar me funksionarë politikë, deputetë, kryetarë partish. Nëse ne do të verifikojmë një rast të tillë nuk kemi asnjë lloj hezitimi për t’i sanksionuar këta funksionarë publikë pavarësisht hierarkisë së tyre. Kjo është kaq e thjeshtë dhe nuk ka asnjë arsye pse duhet ta sfidojnë ligjin.”
KRIIK ju sjell në vëmendje se, në fakt, kjo është një praktikë e cila ndodh rutinë, pavarësisht Kujtesës së dërguar nga KQZ, apo prononcimeve publike të Komisionerit.
KRIIK mbështet fort këtë qëndrim të Komisionerit për konsiderimin në kundërshtim me ligjin të kryerjes së punës së përditshme të kryetarëve të bashkive në shoqërinë e drejtuesve politikë, e deputetëve apo edhe funksionarëve të tjerë politikë.
Këtë qëndrim, KRIIK e ka argumentuar ligjiërisht edhe në Raportin Ditor Nr. 6 të datës 21.03.2023 në pikën II.1, pjesa e tretë.
Në kundërshtim me Deklaratën e Komisionerit dhe argumentimit ligjor të KRIIK, për gjithë sa më sipër, në mbledhjen e djeshme të datës 24.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga Drejtoresha e Zyrës Juridike në KQZ, znj. Madalena Koja, u argumentua një qëndrim i kundërt, duke justifikuar pjesëmarrjen e Deputetëve në aktivitetet e përditshme rutinë të institucioneve, në rastin konkret të bashkive.
KRIIK shpreh shqetësimin e tij për këtë çoroditje në qëndrimin zyrtar të KQZ-së, dhe me këtë hap pas të bërë konkretisht nga ana e administratës dhe Komisionerit.
KRIIK nxit dhe mbështet fort KQZ-në t’i bëjë ballë presionit të fortë dhe çdo lloj ndërhyrjeje që mund t’i vijë prej funksionarëve publikë, zyrtarëve të lartë dhe çdo individi me pushtet politik, duke zbatuar pa asnjë ngurrim ligjin.
Në arkitekturën e shtetit të së drejtës, KQZ-ja është Insitucioni i parashikuar për të zbatuar dhe mbrojtur parimin e barazisë së ligjit edhe ndaj individëve me pushtet dhe subjekteve zgjedhore përkatëse, kur ata kërkojnë të krijojnë përparësi elektorale duke shpërdoruar burimet shtetërore dhe abuzuar me ligjin.
Në analogji me qëndrimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve të mbajtur në seancën publike të datës 11 mars, në lidhje me ndalimin paraprak të çdo veprimtarie të raportuar jashtë afatit, gjë që filloi të aplikohet gjatë kësaj jave prej KSHZ, KRIIK gjykon se KQZ duhet të mbajë të njëjtin qëndrim edhe ndaj aktiviteteve institucionale me natyrë inspektuese/promovuese, të cilat parashikojnë dhe kanë raportuar në përshkrimin e tyre praninë e deputetëve apo përfaqësuesve politikë.
Pra, nxitet KQZ-ja që të ndalojë automatikisht të gjitha eventet me natyrë inspektuese/promovuese, të cilat deklarojnë në raportim se do të mbahen me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politikë, sikurse KRIIK i ka paraqitur në raportet ditore të dërguara pranë KQZ.
Edhe në javën që mbulon ky Raport, janë evidentuar së paku 3 aktivitete me praninë e përfaqësuesve politikë, por numri i tyre është disa herë më i lartë.
Më poshtë paraqiten disa veprimtari publike në të cilat konstatohet se, së paku, zyrtarët publikë kanë qenë të shoqëruar me përfaqësues politikë .
Përpos prezencës së përfaqësuesve politikë, tërë aktivitetet e mëposhtme, rezultojnë të përmbajnë disa shkelje (si fjalime elektorale, promovime investimesh dhe slogane elektorale), të cilat duhet të nxisin KQZ-në për një hetim të plotë administrativ dhe sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Konkretisht:
4.1. Në datën 22 mars 2023, Bashkia Elbasan ka postuar në faqen e vet në Facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
Njësia 5 – ku ka a nisur puna për rikonstruksionin e rrugës “Theofan Popa”
Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri:
“Elbasan📍
Elbasan
Vijojnë punimet për rehabilitimin e plotë të rrugës “Theofan Popa” në lagjen Haxhias.
” Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Elbasan.
Në njoftimin e bërë deklarohet paraprakisht nga Bashkia se pjesëmarrësit do të ishin:
“Damian Gjiknuri, udheheqes politik i Qarkut Elbasan, deputete,Prefekti i Qarkut Elbasan, Kryetari i Keshillit te Qarkut, Administratori i Njesise nr.5 dhe Administratori NjA nr.6”.
Përpos përdorimit të sloganeve elektorale të Partisë Socialiste për Zgjedhjet Parlamentare 2021, në videon e postuar (linku më sipër), pas minutës 3.15 kemi një sërë artikulimesh elektorale që shkojnë në mbështetje të Kandidatit z. Llatja dhe subjektit zgjedhor Partia Socialiste.
Theksohet se në Faqen Zyrtare në Facebook të Kryetari të Bashkisë Elbasan si dhe Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan z. Gjiknuri gjenden disa postime të aktiviteteve të Bashkisë Elbasan, në të cilat ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, ku pothuajse në të gjitha ky i fundit evidentohet lehtësisht që bën fushatë të hapur elektorale.
4.2. Në datën 23 mars 2023 Kryetarja e Bashkisë Lushnje ka postuar në faqen e vet në Facebook dy postime për të njëjtin aktivitet, një me video dhe një me foto (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
Puna në kantierin e rrugës së #Bitaj, po ecën shumë mirë!
Segmenti me gjatësi 3.7 km që e lidh këtë zone me aksin kombëtar do ti japë një frymëmarrje të madhe ekonomisë bujqësore!
” Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Fier z. Taulant Balla:
Lushnjë
Punohet
me ritme të shpejta në kantierin e rrugës së #Bitaj, segment shumë i rëndësishëm 3.7 km që lidh ekonominë bujqësore të kësaj zone me aksin kombëtar
Premtim i mbajtur
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Lushnjë.
Në njoftimin e bërë deklarohet paraprakisht nga Bashkia se pjesëmarrësit do të ishin:
“Taulant Balla,Eriselda Sefa”.
4.3. Në datën 18 mars 2023 Bashkia Librazhd ka postuar në faqen e saj zyrtare në Facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Zemra mal
Ndërkohë që ripostohet postimi i bërë nga Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri, i cili ka përmbajtjen e mëposhtme:
“Librazhd 📍Njësia Administrative Polis.
Librazhd
Njësia Administrative Polis.
Nxënësit e shkollës në Mirakë-Plane marrin mësim në kushte optimale falë godinës së re e cila është ndërtuar sipas të gjitha standardeve.
Postimi video lidhur me këtë aktivitet i bërë nga Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri është parë 19 000 herë, i janë bërë 525 komente dhe ka marrë 3700 pëlqime (deri në momentin e dërgimit të këtij Raporti Javor).
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Librazhd.
Në njoftimin e bërë lidhur me këtë veprimtari thuhet:
“Inspektim i punimeve ne Shkollen 9-vjecare Mirake-Plane
Lloji i Aktivitetit: Inspektim/kontroll
Data: 16/03/2023
Ora: 11:00
Vendi i Zhvillimit: Fshati Mirake-Plane, Njesia Administrative Polis
Shteti: Shqipëri
Qarku: Elbasan
Bashkia: Librazhd
Njësia Administrative: Polis
Folësit kryesorë: Damian Gjiknuri | Kastriot Gurra
Pozicioni: Deputet | Kryetar Bashkie
Pjesëmarrësit: Perfaqesues te Bashkise Librazhd, Perfaqesues te firmes, banore te fshatit
Me pjesëmarrjen e medias?: Jo
I hapur për publikun?: Po”
Përpos prezencës së përfaqësuesit politik në këtë veprimtari, vërehen disa shkelje si:
4.3.1. Informacion i pavërtetë në raportim:
– ndërsa njoftohet për inspektim punimesh, në fakt nga postimi video rezulton se është një aktivitet promovimi i investimit të përfunduar tashmë, madje në efiçencë të plotë.
– ndërsa njoftohet se pjesëmarrësit do të jenë “Perfaqesues te Bashkise Librazhd, Perfaqesues te firmes, banore te fshatit”, në fakt nga postimi video rezulton se aty ka staf mësimor dhe nxënës të shkollës, e tërë kjo në një ditë të zakonshme mësimi.
4.3.2. Ndahet në Faqen Zyrtare të Bashkisë Librazhd, “Bashkia Librazhd – Faqja Zyrtare” ku edhe citohet “Kryetari i Bashkise Librazhd”, një postim i Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste për Qarkun Elbasan.
4.3.3. Publikohen në Faqen Zyrtare të Bashkisë Librazhd, “Bashkia Librazhd – Faqja Zyrtare” ku edhe citohet “Kryetari i Bashkise Librazhd”, sloganet elektorale të Partisë Socialiste për Zgjedhjet Parlamentare 2021.
4.3.4. Organizohet një aktivitet promovimi në ambientet e Shkollës 9-vjeçare Mirake-Plane gjatë një dite të zakonshme mësimi, ku marrin pjesë stafi mësimor dhe nxënësit e shkollës.
Pavarësisht se postimi i bërë mban datën 18.03.2023 që është ditë e shtunë, nga pamjet e videos duket qartë se bëhet fjalë për një ditë mësimi, ku stafi mësimor është me përparëse, ndërsa fëmijët dhe klasat me çantat e shkollës. Më shumë gjasë, dita e realizimit të aktivitetit është data 16 mars, e deklaruar nga Bashkia.
KRIIK jua paraqet këto denoncime si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rastet të merren në konsideratë prej jush, të shqyrtohen duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Krahas sanksionimit të personave përgjegjës të institucioneve respektive, lidhur me shkeljet e kryera prej përfaqësuesve politikë, njëkohësisht deputetë, KRIIK nxit KQZ-në që, sipas nenit 172 pika 1 të Kodit Zgjedhor, të sanksionojë subjektin zgjedhor Partia Socialiste, në favor të të cilit është bërë shkelja e ligjit.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara