Shkarko Denoncimin ne pdf
I Nderuar Z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Nëpërmjet e-mail-it të datës 18 mars 2023, në Raportin Ditor Nr. 4, KRIIK ju ka përcjellë denoncimin e tij lidhur me një aktivitet të Bashkisë Kavajë të raportuar në ndërfaqen e KQZ më datë 17.03.2023 dhe i planifikuar për tu zhvilluar më datën 22.03.2023 me temë “Takim me ekselentet e Qytetit dhe Njesive Administrative” pranë vendit “Restorant Poceria Kavaje”, duke ju kërkuar NDALIMIN e tij, pasi KRIIK kishte bindjen se ky aktivitet do të përbënte keqpërdorim të burimeve shtetërore. Në këtë veprimtari deklarohej se ishin ftuar të marrin pjesë një numër përfaqësuesish politikë në nivel qëndror dhe vendor, konkretisht: “Redjan Krali / Kryetar, Etjen Xhafaj/ Deputet i Zones, Shpend Barameta / Kryetar PS, Marinela Aliaj / Kryetar Ps”.
Pas denoncimit të KRIIK, bazuar në nenin 92 pika 4 të Kodit Zgjedhor, ky aktivitet u ndalua nga KQZ-ja, fakt që u pasqyrua edhe në ndërfaqen e KQZ-së, seksioni i aktiviteteve të ndaluara.
Më datën 22 mars 2023, KRIIK dërgoi vëzhguesit e tij në vendin dhe orarin e parashikuar për tu zhvilluar ky aktivitet.
Nga informacioni i marrë rezultoi se ky aktivitet ishte zhvilluar një ditë më përpara, pra në datën 21 mars 2023.
Sipas informacioneve të marra, aktiviteti ishte zhvilluar tërësisht sipas parashikimit të njoftuar në ndërfaqen e KQZ-së, përjashto ditën e zhvillimit, pavarësisht ndalimit të bërë nga KQZ-ja.
Nga kontrolli i bërë në Faqen Zyrtare të Facebook të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, aktiviteti i ndaluar prej KQZ-së është zhvilluar (referojuni me poshte fotos-printscreen).
Postimi është shpërndarë edhe në faqen e Facebook të znj. Marinela Aliaj, BashkëKryetare e Degës së Partisë Socialiste Dega Kavajë, dhe në disa faqe të tjera pranë partisë socialiste.
Për gjithë sa më sipër, KRIIK denoncon me ashpërsi këtë sfidë të zbatimit të ligjit dhe Institucionit të KQZ-së prej aktorëve të përfshirë në këtë aktivitet.
KQZ-ja nevojitet të përmbushë sa më parë detyrimet dhe përgjegjësitë e saj konform parashikimeve ligjore të Kodit Zgjedhor dhe të Vendimit nr. 9, datë 24.12.2020 “Për rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve”, nenit 9 e 10 të tij.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të tregojë ashpërsinë e ligjit ndaj atyre që e sfidojnë atë, nga njëra anë, si dhe funksionalitetin e mekanizmit të ndërtuar pas reformës zgjedhore të vitit 2020 për të parandaluar abuzimin me burimet shtetërore, nga ana tjetër.
Një qëndrim pasiv, apo interpretues ndaj ligjit duke ndëshkuar punonjës të thjeshtë të administratës së bashkisë, nuk është gjë tjetër veçse një dritë jeshile për anashkalimin e ligjit, dhe zhbërjen përfundimtare të tërë mekanizmit parandalues të ngritur.
KRIIK ju risjell në vëmendje të Nderuar Kolegë të KQZ-së se, në fund të fundit, tërë rregullimi i bërë dhe mekanizmi i parashikuar duke nxitur një ndërveprim të kaq shumë institucioneve me KQZ-në, ka si qëllim parësor, ndalimin paraprak të tij, jo vetëm në emër të parimit të barazisë së armëve në garë, por në rradhë të parë për të ndaluar dhe shmangur çdo formë të drejtimit të votës apo intimidimit që mund të bëhet nga njerëz të veshur me pushtet politik apo institucional.
Ndaj shihet me vend një qasje më proaktive dhe parandaluese e KQZ-së, veçanërisht në raste të tilla, duke mos u mjaftuar thjesht me adresimin e shkeljes, pasi dëmi të jetë bërë.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë përpos titullarëve vendorë edhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 pika 1), ndërkohë që një zyrtar i lartë i saj, Sekretari Digjital z. Etjen Xhafaj, njëkohësisht Deputet, është edhe bashkëautor në këtë moszbatim të ndalimit të bërë prej Institucionit të KQZ-së.
Gjithashtu, përpos sanksionimit konform parashikimeve ligjore, nxitet KQZ-ja t’i dërgojë një informacion të detajuar mbi këtë ngjarje Kuvendit të Shqipërisë, për thyerjen e Kodit të Sjelljes nga Deputeti z. Etjen Xhafaj.