Gjatë monitorimit të javës së nëntë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika, si:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
2. Raportime ku mungojnë detajet
3. Veprimtari publike të zhvilluara, por të pa raportuara
5. Kryerja e aktivitetit përpara datës së raportuar për zhvillimin e tij
6. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë
Konkretisht:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë vijon edhe këtë javë.
Nga monitorimi i bërë rezulton se rreth 12.7% e raportimeve në javën e nëntë janë me vonesë. Theksojmë se këto aktivitete janë raportuar edhe në mënyrë periodike përgjatë javës nëpërmjet raporteve ditore të dërguara, ndërkohë që këtu paraqitet një përmbledhje e tyre.
Specifikisht, nga 253 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, 32 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 57, nga të cilat 12 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Ritheksojmë se këto shifra i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty.
Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo me mjete të tjera të komunikimit dhe këto nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.
KRIIK shpreh sërish vlerësimin mbi vendimmarrjet për propozimin e sanksioneve bazuar në procesin e hetimeve administrative të zhvilluara, si dhe mbështet qëndrimin e shprehur nga Komisioneri në seancën publike të datës 11 mars 2023 lidhur me ndalimin paraprakisht të aktiviteteve të raportuara me vonesë prej institucioneve.
Ky qëndrim është në linjë me rekomandimet që KRIIK ka bërë në vazhdimësi në raportet e veta të tetë javëve të mëparshme.
Megjithatë, u vu re se përgjatë kësaj jave nuk u ndalua asnjë aktivitetet i raportuar me vonesë, pavarësisht se të tilla ka patur.
Gjithashtu, KRIIK risjell në vëmendje se ju ka përcjellë Rekomandime konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, nëpërmjet Raporteve të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para.
2. Raportime ku mungojnë detajet
Vërehet se vijon mungesa e detajeve në një numër raportimesh, detaje të cilat do të bënin të mundur që monitoruesit e KQZ-së apo të tjerë aktorë të interesuar të mund të marrin pjesë apo t’i vëzhgojnë eventet.
Të tilla raste janë të shumta, por sillen si shembuj ilustrues dy prej tyre:
- “Vizite ne qender shendetesore Tirane” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Tiranë”, ndërkohë që edhe në titull citohet “Qendër Shëndetësore”, pa specifikuar se në cilën. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/16/vizite-ne-qender-shendetesore-tirane/
- “Sherbimi I Dentistrise ne shkollat ne periferi te Tiranes” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Tiranë”, pa sqaruar në cilën shkollë konkretisht do të kryhet aktivitetit. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/16/sherbimi-i-dentistrise-ne-shkollat-ne-periferi-te-tiranes/.
Në vazhdimësi të sa është kërkuar në raportet e mëparshme, është me vend që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi kjo mënyrë raportimi përbën së paku mos përmbushje në mënyrën e duhur të detyrimit ligjor.
3. Veprimtari publike të zhvilluara, por të pa raportuara
Ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, monitorimi jo sistematik i faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe i mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktiviteteve të tyre të mundshme.
Gjatë periudhës 10 – 16 mars 2023, rezulton se së paku 3 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto veprimtari janë kryer nga 3 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, ritheksohet se:
- Ai bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara është më i lartë, pasi gjetjet bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, ndërkohë që duhet edhe të rrisë mënyrat e ndërgjegjësimit paraprakisht për zbatimin e detyrimeve ligjore të parashikuara për tu përmbushur nga aktorët institucionalë.
4. Përdorimi i faqeve zyrtare të institucioneve apo kryetarëve të bashkive në media sociale për mesazhe në favor të një subjekti politik
Faqet zyrtare në rrjetet sociale, të institucioneve dhe drejtuesve të tyre, kanë të njëjtën rëndësi dhe duhet t’i nënshtrohen të njëjtave rregullave sikurse faqet zyrtare të internetit të tyre.
Madje, duke konsideruar audiencën shumë herë më të lartë të tyre dhe përdorimin e gjerë nga njerëzit, institucionet dhe drejtuesit e tyre kanë një fokus disa herë më të madh në këto platforma komunikimi sesa në ato tradicionale.
Në vazhdën e monitorimit të tyre përgjatë periudhës parazgjedhore, KRIIK, përpos të tjerave, ka identifikuar disa raste në Faqet Zyrtare të disa Bashkive e Kryetarëve të tyre në Facebook, ku postohen apo shpërndahen njoftime mbi aktivitete partiake, e konkretisht të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Konkretisht:
4.1. Postime me përmbajtje partiake në Faqet Zyrtare të Bashkive:
- https://www.facebook.com/bashkiapolican, me datën 30 janar 2023.
- https://www.facebook.com/profile.php?id=100063689200878 dhe mban datën 3 shkurt 2023.
- https://www.facebook.com/profile.php?id=100077339029573 dhe mban datën 4 mars 2023.
- https://www.facebook.com/profile.php?id=100077339029573 dhe mban datën 17 shkurt 2023.
- https://www.facebook.com/bashkiamemaliaj1 dhe mban datën 12 mars 2023.
- https://www.facebook.com/bashkiamemaliaj1 dhe mban datën 11 mars 2023.
- https://www.facebook.com/profile.php?id=100063943080324 dhe mban datën 9 shkurt 2023.
Të gjitha rastet e mësipërme të postimeve me përmbajtje partiake në Faqet Zyrtare të Bashkive, të detajuara me link-et dhe printscreen-et përkatëse, gjenden bashkëlidhur në Lidhjen nr. 5.
4.2. Postime me përmbajtje partiake në Faqet Zyrtare të Kryetarëve të Bashkive:
- Kryetari i Bashkisë Cërrik, z. Andis Salla, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Cërrik”, ka postuar takimin e tij dhe të Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri, me strukturat e Partisë Socialiste. Postimi mban datën 15 mars 2023 dhe gjendet në këtë link: https://www.facebook.com/profile.php?id=100063791406481 .
- Kryetarja e Bashkisë Delvinë, znj. Majlinda Qilimi, në Faqen e saj Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetare e Bashkisë Delvinë”, ka postuar takimin e saj dhe të Drejtuesit Politik të Qarkut Vlorë z. Blendi Klosi e Deputetes së Partisë Socialiste znj. Anila Denaj, me strukturat e Partisë Socialiste. Postimi mban datën 15 mars 2023 dhe gjendet në këtë link: https://www.facebook.com/Majlinda.Qilimi .
- Kryetari i Bashkisë Dibër, z. Rahim Spahiu, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Dibër” dhe citohet se “Shënim: Kjo faqe administrohet nga stafi”, ka postuar takime të tij dhe të Drejtueses Politike të Qarkut Dibër znj. Belinda Balluku, me strukturat e Partisë Socialiste. Postimet mbajnë datat 11 e 5 mars 2023 dhe gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/SpahiuRahim .
- Kryetari i Bashkisë Fier, z. Armando Subashi, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën citohet “Kjo është Faqja Zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi”, ka postuar takimin e tij dhe të Drejtuesit Politik të Qarkut Fier z. Taulant Balla, me një grup njerëzish në Mbrostar. Teksti që shoqëron postim ka përmbajtje elektorale dhe sloganet e Partisë Socialiste. Postimi mban datën 19 shkurt 2023 dhe gjendet në këtë link: https://fb.watch/jjSshG6TOS/ .
- Kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, z. Fran Tuci, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook (page) “Fran Tuci – Faqja Zyrtare” ka të paraqitur: “Intro: Zhvillimi ekonomik i Fushë-Arrëzit lidhet me vijimësinë e vizionit tonë”, “page: Public figure” dhe “Contact info: Fushë-Arrëz, Fushë-Arrëz, Albania, 4402”, e cila është adresa zyrtare e Bashkisë Fushë Arrëz. Në këtë faqe zyrtare të tij si Kryetar i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ai ka postuar materiale partiake e elektorale të Partisë Socialiste. Postimet mbajnë datat 13, 15 dhe 16 mars 2023 dhe gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/profile.php?id=100090320677040 .
- Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, z. Flamur Golemi, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Gjirokastër”, ka postuar foto të aktiviteteve të kryera nga Partia Socialiste. Postimet mbajnë datat 15 mars, 13 mars dhe 21 shkurt 2023 dhe gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/psocialiste.al .
- Kryetari i Bashkisë Gramsh, z. Klodian Taçe, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Klodian Taçe – Faqja Zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Gramsh”, ka postuar foto të aktivitetit të Partisë Socialiste. Postimi mban datën 12 mars 2023 dhe gjendet në këtë link: https://www.facebook.com/KlodianTaceBG .
- Kryetari i Bashkisë Himarë, z. Jorgo Goro, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook “Jorgo Goro për Himarën”, në të cilën citohet “Jorgo Goro, Kryetar i Bashkise Himare (2011-2015-2019-2023) – Partia Socialiste e Shqiperise”, ka publikuar së paku një postim të aktivitetit të Partisë Socialiste, takim me Drejtuesin Politik të Qarkut Vlorë z. Blendi Klosi dhe Deputetin z. Vullnet Sinaj. Postimi mban datën 11 mars 2023 dhe gjendet në këtë link: https://www.facebook.com/JorgoGoro .
- Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Rakip Suli, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Kamëz”, ka publikuar së paku dy postime të aktivitetit të Partisë Socialiste, takime me të Deleguarën Politike znj. Lindita Nikolla. Postimet mbajnë datat 4 mars e 17 shkurt 2023 dhe gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/profile.php?id=100044332874482 .
- Kryetari i Bashkisë Klos, z. Ilmi Hoxha, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook “Ilmi Hoxha Faqja Zyrtare”, në të cilën citohet “Kjo është Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë e cila menaxhohet nga stafi”, ka publikuar së paku dy postime të aktivitetit të Partisë Socialiste, takime me Drejtuesen Politike të Qarkut Dibër znj. Belinda Balluku. Postimet mbajnë datën 3 mars dhe 25 shkurt 2023 dhe gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/profile.php?id=100076330207139 .
- Kryetarja e Bashkisë Kurbin, znj. Majlinda Cara, në Faqen e saj Zyrtare në Facebook “Majlinda Shqalsi Cara”, në të cilën paraqitet si “Kryetare e Bashkisë Kurbin”, ka publikuar së paku gjashtë postime të aktivitetit të Partisë Socialiste, takime me Drejtuesin Politik të Qarkut Lezhë z. Ulsi Manja, si dhe me shtabet e forumet e Partisë Socialiste. Postimet mbajnë datat 15 e 14 mars, si dhe 24, 17, 15 dhe 3 shkurt 2023. Ato gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/MajlindaShqalsiCara .
- Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Lezhë”, ka publikuar së paku dy postime të aktivitetit të Partisë Socialiste, takim me të Drejtuesin Politik të Qarkut Lezhë z. Ulsi Manja dhe forumet e PS. Postimet mbajnë dt. 12 mars e 21 shkurt 2023 dhe gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/profile.php?id=100009765763688 .
- Kryetari i Bashkisë Mat, z. Agron Malaj, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Mat” dhe citohet “www.bashkiamat.gov.al / Fb: Agron Malaj”, ka publikuar së paku nëntë postime të aktivitetit të Partisë Socialiste, takime me Drejtuesen Politike të Qarkut Dibër znj. Belinda Balluku, si dhe me forumet e PS. Postimet mbajnë datat 11, 10 e 2 mars dhe 28, 27, 26, 18 e 11 shkurt, si dhe 29 janar 2023. Ato mund të gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/BashkiaQeDuamMat .
- Kryetari i Bashkisë Memaliaj, z. Gjolek Guci, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Memaliaj, Qarku Gjirokastër” ka publikuar së paku dy postime të aktivitetit të Partisë Socialiste, takim me Drejtuesen Politike të Qarkut Gjirokastër znj. Mirela Kumbaro e mbledhje të forumeve të PS. Postimet mbajnë datat 11 mars dhe 29 janar 2023 dhe gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/gjolek.guci .
- Kryetarja e Bashkisë Patos, znj. Rajmonda Balilaj, në Faqen e saj Zyrtare në Facebook “Rajmonda Balilaj – Faqja Zyrtare”, në të cilën citohet “Rajmonda Balilaj, Kryetare e Bashkisë Patos !”, ka publikuar së paku dy postime të aktivitetit të Partisë Socialiste, postim të Drejtuesit Politik të Qarkut Fier z. Taulant Balla për forumin e PS, si dhe postim mbi FRESSH. Postimet mbajnë datat 1 mars e 15 janar 2023 dhe gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/rajmondabalilaj .
- Kryetarja e Bashkisë Përmet, znj. Alma Hoxha, në Faqen e saj Zyrtare në Facebook, në të cilën citohet “Faqja Zyrtare e Znj.Alma Hoxha, Kryetare e Bashkisë Përmet prej vitit 2019”, ka publikuar së paku dy postime të takimeve të strukturave të Partisë Socialiste, me Drejtuesen Politike të Qarkut Gjirokastër znj. Mirela Kumbaro. Postimet mbajnë datat 12 mars 2023 dhe gjenden në këtë link: https://www.facebook.com/profile.php?id=100083839698773 .
- Kryetari i Bashkisë Sarandë, z. Adrian Gurma, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Sarandë”, ka publikuar foto të një takimi të strukturave të Partisë Socialiste me Drejtuesin Politik të Qarkut Vlorë z. Blendi Klosi dhe Deputeten znj. Anila Denaj. Postimi mban datën 15 mars 2023 dhe gjendet në linkun e mëposhtëm: https://www.facebook.com/Adrian.Gurma.official .
- Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Bardh Spahia, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Shkodër”, ka publikuar foto nga aktiviteti me anëtarë e forume të Partisë Demokratike. Postimet mbajnë datat 14 mars e 28 shkurt 2023 dhe mund të gjenden në linkun: https://www.facebook.com/bardhspahia .
- Kryetari i Bashkisë Tropojë, z. Rexh Byberi, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkisë Tropojë”, ka postuar një takim me shtabin elektoral të Partisë Socialiste në Tropojë. Postimi mban datën 13 mars 2023 dhe mund të gjendet në linkun e mëposhtëm: https://www.facebook.com/RexhByberi .
- Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në Faqen e tij Zyrtare në Facebook, në të cilën paraqitet si “Kryetar i Bashkise Tirane”, ka publikuar së paku 5 postime mbi aktivitetet e Partisë Socialiste. Postimet mbajnë datat 13, 6, 5 dhe 4 mars 2023 dhe mund të gjenden në linkun e mëposhtëm: https://www.facebook.com/ErionVeliaj .
Të gjitha rastet e mësipërme të postimeve me përmbajtje partiake në në Faqet Zyrtare të Kryetarëve të Bashkive, të detajuara me link-et dhe printscreen-et përkatëse, gjenden bashkëlidhur në Lidhjen nr. 6.
Në gjykimin e KRIIK, këto postime me përmbajtje partiake në Faqet Zyrtare të Bashkive dhe të Kryetarëve të Bashkive, përbëjnë përdorim të institucionit në funksion të partisë politike, e konkretisht të subjektit zgjedhor: Partia Socialiste.
KRIIK nxit KQZ-në t’i marrë në konsideratë këto denoncime e procedojë sipas parashikimeve ligjore për të sanksionuar jo vetëm institucionin, por edhe Kryetarët e Bashkive si dhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste, sipas nenit 172 pika të Kodit Zgjedhor, pasi në favor të kësaj të fundit janë kryer shkeljet e mësipërme.
5. Kryerja e aktivitetit përpara datës së raportuar për zhvillimin e tij
Nga monitorimi i kryer është vërejtur edhe një problematikë e cila konstatohet të jetë e përsëritur (për analogji raste të tilla ju janë përcjellë nëpërmjet raportit të javës së katërt dhe të tetë të monitorimit). Rasti konsiston në zhvillimin e aktivitetit përpara datës së raportuar për zhvillimin e tij.
Është konstatuar së paku 1 aktivitet i tillë:
5.1 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka raportuar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ në datën 11 mars 2023 zhvillimin e aktivitetit me temë “Inspektim i punimeve në Unazën e madhe të Tiranës” në datën 16 mars 2023.
Ndërkohë nga konsultimi i faqes Facebook të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, vërehet se aktiviteti me këtë temë është postuar në datën 13 mars 2023.
Gjithashtu aktiviteti është postuar edhe në faqen zyrtare të Zv. Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Belinda Balluku në datën 13 mars 2023.
Shkrimi që shoqëron postimin ka këtë përmbajtje:
“Në lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës puna po ecën me ritme të kënaqshme, falë edhe bashkëpunimit me banorët, të cilët kanë mbështetur realizimin e këtij projekti. Në këtë zonë, projekti nuk parashikon vetëm ndërtimin e aksit për qarkullimin e automjeteve, por do të ketë edhe hapësira të dedikuara për qytetarët. Puna nuk do të ndalet deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës.”
Nga kontrolli që u bë në kanalet zyrtare të informimit të titullarit dhe institucionit përkatës, nuk evidentohet asnjë postim tjetër online për zhvillimin e këtij aktiviteti. Pra, rezulton se aktiviteti është kryer dhe data e deklaruar për zhvillimin e tij, në ndërfaqen e raportimit të KQZ-së, ka qenë e plotësuar gabim.
Ky aktivitet është transmetuar edhe nga media, në datën 13 mars 2023, konkretisht nga:
– TV Klan https://tvklan.al/ministrja-balluku-inspekton-punimet-ne-lotin-e-7-te-te-unazes-se-madhe/ ;
– Agjencia Telegrafike Shqiptare https://ata.gov.al/2023/03/13/balluku-unaza-e-madhe-e-tiranes-perfundon-brenda-2023-shit/ ;
Në gjykimin e KRIIK, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të thellohet në hetimin administrativ të këtij rasti dhe atyre të përcjella në raportet pararendëse.
Në rastin më të mirë, gabimi në datën e raportuar mund të jetë një gabim njerëzor ose një ndryshim i agjendës së punës së institucionit pasi është bërë raportimi në ndërfaqe.
Por në çdo rast, gjykohet se duhet proceduar njësoj si ndaj aktiviteteve të cilat janë raportuar në shkelje të afatit ligjor.
Ndërkohë, nga ana tjetër, duke parë edhe përsëritjen e rasteve (ndonëse jo nga të njëjtat institucione), ngrihen dyshime se mund të jemi në rastin e raportimit të qëllimshëm me datë zhvillimi fiktive, në mënyrë që të mos cenohet afati 5 ditor i raportimit në ndërfaqe, meqenëse kjo e fundit kontrollohet me rigorozitet nga KQZ-ja.
Këto raste duhet të nxisin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të parandaluar dhe marrë masa konkrete për të mos lejuar përsëritjen dhe masivizimin e kësaj mënyre të raportuari, e cila mban edhe përgjegjësinë e mashtrimit në vetvete.
6. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë
Dokumenti “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve” i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në pikën 9 të tij përcakton se “Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore”.
Në linjë me sa më sipër, në intervistën e datës 1 mars 2023, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, z. Ilirjan Celibashi është shprehur:
“(…) Qoftë kryetarët e bashkive apo qoftë edhe funksionarët e tjerë publikë, janë të lirë të përmbushin kompetencat e tyre në përputhje me parashikimet e ligjit. Por nuk ka asnjë nevojë, madje është e dënueshme edhe nga pikëpamja ligjore, nëse këtë aktivitet ata e kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, e deputetëve apo edhe funksionarëve të tjerë politikë. Nëse do duan të promovojnë arritjet e tyre, ditën e nesërme pa pjesëmarrjen e stafit apo nëpunësve të bashkisë apo ndonjë institucioni tjetër. Por në rastin kur shkojnë për punë, nuk ka asnjë arsye, përveçse është e kundërligjshme nëse këtë e bëjnë duke shkuar me funksionarë politikë, deputetë, kryetarë partish. Nëse ne do të verifikojmë një rast të tillë nuk kemi asnjë lloj hezitimi për t’i sanksionuar këta funksionarë publikë pavarësisht hierarkisë së tyre. Kjo është kaq e thjeshtë dhe nuk ka asnjë arsye pse duhet ta sfidojnë ligjin.”
KRIIK ju sjell në vëmendje se, në fakt, kjo është një praktikë e cila ndodh rutinë, pavarësisht Kujtesës së dërguar nga KQZ, apo prononcimeve publike të Komisionerit. Jo vetëm kaq, por në së paku një rast, indicia e KRIIK në lidhje me pjesëmarrjen e deputetëve është kundërshtuar nga subjekti përkatës.
Për më tepër, në analogji me qëndrimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve të mbajtur në seancën publike të datës 11 mars, në lidhje me ndalimin paraprak të çdo veprimtarie të raportuar jashtë afatit, KRIIK gjykon se KQZ duhet të mbajë të njëjtin qëndrim edhe ndaj aktiviteteve institucionale me natyrë inspektuese/promovuese, të cilat parashikojnë dhe kanë raportuar në përshkrimin e tyre praninë e deputetëve apo përfaqësuesve politikë.
Pra, nxitet KQZ-ja që të ndalojë automatikisht të gjitha eventet me natyrë inspektuese/promovuese, të cilat deklarojnë në raportim se do mbahen me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politikë.
Theksohet se në raportin e javës së shkuar (raporti VIII) ka patur së paku 18 aktivitete të tilla të deklaruara.
Ndërkohë edhe në javën që mbulon ky Raport, janë evidentuar së paku 4 aktivitete me praninë e përfaqësuesve politikë.
Më poshtë paraqiten disa veprimtari publike në të cilat konstatohet se, së paku, zyrtarët publikë kanë qenë të shoqëruar me përfaqësues politikë .
Konkretisht:
6.1. Ditën e shtunë, në datë 11 mars 2023, Bashkia Patos ka postuar në faqen e vet në Facebook:
“Mirëmëngjes dhe fundjavë të këndshme me rubrikën #fermART
I japim zë angazhimit në Bujqësi!
Kryebashkiakja Balilaj sëbashku me Drejtuesin Politik të Qarkut Z. Taulant Balla dhe Deputeten e Zonës Znj. Antoneta Dhima vizituan nga afër serën e fermerit Jurgen Belulaj në Zharrëz për tu njohur me ecurinë e veprimtarisë së tij, sfidat që ka hasur dhe kërkesat specifike që mund të ketë.
Në serën e tij Jurgeni ka kultivuar speca dhe domate . Shumica e prodhimit të Jurgenit shitet pranë pikave të grumbullimit, ku produkti lëviz me destinacion në tregun vendas dhe të huaj.
Përkushtimi dhe pasioni i tij në aktivitetin e serës, ka bërë që vit pas viti prodhimi dhe cilësia të rritet.
Bujqësia dhe fermerët janë në fokus të Bashkisë Patos, për këtë arsye promovojmë punën e palodhur dhe produktivitetin e këtij sektori.
Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Fier, Deputeti, z. Taulant Balla:
“Patos Ne serat me perime të fermerëve Jurgen Belulaj dhe Roland Xhepaj në #Zharrës. Falë edhe skemës së mbështetjes nga AZHBR Rolandi ka përfituar mbështetje në implementimin e serës diellore, ku brenda 3 viteve vazhdon kultivimin e kulturave bujqësore.
6.2. Në datën 15 mars 2023, Bashkia Patos ka postuar në faqen e vet në Facebook:
“I japim zë angazhimit në bujqësi
Vazhdojmë takimet me fermerët tanë për tu njohur me ecurinë e veprimtarisë së tyre, sfidat që kanë hasur dhe kërkesat specifike që ata mund të kenë.
Ndodhemi në serën e Vasil Cupës, i cili ka kultivuar domate . Shumica e prodhimit të Vasilit shitet pranë pikave të grumbullimit.
Iniciativa për të furnizuar tregun e brendshëm dhe përkushtimi i punës së tij në sera forcon imazhin e fermerit në bujqësi si dhe përcjell frymë pozitive të angazhimit në sera.
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Patos. Në njoftim nuk lajmërohet prezenca e Drejtuesit Politik të Qarkut Fier z. Taulant Balla dhe Deputetes znj. Antoneta Dhima.
6.3. Në datën 10 mars 2023, Kryetari i Bashkisë Belsh ka postuar në faqen e vet në Facebook:
“Belsh Bashkëbisedim me fermerët, për krijimin e Grupit Vendor të Veprimit, që duke u bërë bashkë u krijohet mundësia për të marrë më shumë financim.
Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, Deputeti, z. Damian Gjiknuri:
“Në Belsh Ku bashkë me Arifin dhe ekspertin e fushës Ermal Elezi zhvilluam një bashkëbisedim me fermerë, pronarë të bujtinave e sipërmarrës në fushën e agro-turizmit për iniciativën e krijimit të Grupit Vendor të Veprimit në zonën e Dumresë.
Aplikimi i kësaj skeme, e njohur edhe në vendet e Bashkimit Europian me të cilët kemi përafruar edhe legjislacionin shqiptar, do sjellë bashkëpunimin e aktorëve të zonës duke fuqizuar më tej dy sektorë të rëndësishëm për Belshin, agro-turizmin dhe bujqësinë.
Kjo nënkupton edhe më shumë financim nga Bashkimi Europian sikurse është edhe aplikimi i programit “IPARD”.
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Belsh. Në njoftim nuk lajmërohet prezenca e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri.
6.4 Në datën 10 mars 2023, Bashkia Dibër ka postuar në faqen e vet në Facebook:
“Në #Muhurr me deputetin Lavdrim Krashi inspektuam fazën përfundimtare të punimeve për ndërtimin nga e para të Urës së Çikut, pas dëmtimit të asaj ekzistuese.
Falë bashkëpunimit të shpejtë midis Bashkisë Dibër dhe Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes, ura e re do të jetë lehtësim i madh për lëvizjen e banorëve të Selishtës dhe Muhurrit. ”
Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Deputeti i Qarkut Dibër, z. Lavdrim Krrashi:
“Me kryetarin e palodhur, Rahim Spahiu, pamë nga afër vijimin e punimeve për ndërtimin e Urës së Çikut mbi lumin Murrë, në Muhurr që lidh gjithë trevën me Katër Grykët e deri në Mat, shumë shpejt shumë më e bukur e më e fortë se e vjetra.
Shembull fantastik i bashkëpunimit të Bashkisë me Forcat e Armatosura për realizimin e këtij projekti.
Mirënjohje pafund për Forcat e Armatosura, që përveç misionit të tyre në mbrojtje të integritetit të vendit, japin kontributin e tyre në ndihmë të komunitetit.
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Dibër. Në njoftim nuk lajmërohet prezenca e Deputetit z. Lavdrim Krrashi.
KRIIK jua paraqet këto denoncime si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rastet të merren në konsideratë prej jush, të shqyrtohen duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Krahas sanksionimit të personave përgjegjës të institucioneve respektive, lidhur me shkeljet e kryera prej përfaqësuesve politikë, njëkohësisht deputetë, KRIIK nxit KQZ-në që, sipas nenit 172 pika 1 të Kodit Zgjedhor, të sanksionojë subjektin zgjedhor Partia Socialiste, në favor të të cilit është bërë shkelja e ligjit.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara
Shkarko Lidhjen 5 – Postime aktivitetesh partiake ne faqe institucionesh
Shkarko Lidhjen 6 – Postime aktivitetesh partiake ne faqe kyetaresh bashkie