Gjatë monitorimit të javës së tetë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika të cilat lidhen me:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
2. Raportime ku mungojnë detajet
3. Veprimtari publike të zhvilluara, por të pa raportuara
4. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë
5. Aktivitete institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale
6. Kryerja e aktivitetit përpara datës së raportuar për zhvillimin e tij.
Konkretisht:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë (më pak se pesë ditë në dispozicion të KQZ-së përpara ditës së aktivitetit) vijon edhe këtë javë.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton se rreth 15,2% e raportimeve në javën e tetë (3 – 9 mars 2023) janë me vonesë.
Specifikisht, nga 269 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, 41 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 57, nga të cilat 18 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Këtë javë, në raport me të shkuarën, vërehet një rënie e numrit të aktiviteteve të raportuara, por rritje relative e aktiviteteve të raportuara me vonesë.
Ritheksojmë se shifrat më sipër i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty.
Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo të tjerave metodave të komunikimit dhe këto nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.
Shprehet sërish vlerësimi mbi vendimmarrjet për propozimin e sanksioneve bazuar në procesin e hetimeve administrative të zhvilluara, por vlerësohet se ka ende shumë për të bërë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Veçanërisht, KRIIK vlerëson dhe mbështet qëndrimin e shprehur nga Komisioneri në seancën publike të datës 11 mars 2023 lidhur me raportimin me vonesë prej institucioneve, për të cilat u shpreh se: “Me këtë historinë e problemeve me aksesin dhe komunikimin ne mund të vazhdojmë pafundësisht. Le të marr një vendim, tani e tutje për këtë çështje, dhe le të hetohet pastaj. Është problemi ynë i sistemit tonë, është problem i tyre në lidhje me aksesin e të tjera si këto. Por në çdo rast në vijim, nëse do ta konstatojmë tashmë qoftë edhe për një ditë, meqenëse e kemi bërë sqarimin se kur përfundon afati pesë ditor, le të vendosim qoftë edhe formalisht ndalimin e këtyre veprimtarive. Pastaj në qoftë se ka kundërshtime të ndjekin rrugën procedurale.”
Ky qëndrim është në linjë me rekomandimet që KRIIK ka bërë në vazhdimësi në raportet e veta të shtatë javëve të mëparshme.
Në përfundim të këtij seksioni, vazhdojmë të sjellim sërish në vëmendje se për adresimin e problematikave të vërejtura, KRIIK ju ka përcjellë Rekomandime konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, nëpërmjet Raporteve të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para, përkatësisht të datave 21, 28 janar dhe 4 shkurt 2023.
2. Raportime ku mungojnë detajet
KRIIK vëren se vijon mungesa e detajeve në një numër raportimesh, detaje të cilat do të bënin të mundur që monitoruesit e KQZ-së apo të tjerë aktorë të interesuar të vëzhgojnë eventet.
Të tilla raste janë të shumta, disa shembuj ilustrues do të ishin:
- “AKTIVITET” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Rrogozhinë”. linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/09/aktivitet-5/);
- “AKTIVITET”, për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “TIRANË, QARKU I TIRANËS”. linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/09/aktivitet-4/);
- “AKTIVITET FESTIV”, për të cilin tek fusha “vendi i Zhvillimit: plotësohet “ELBASAN, QARKU I ELBASANIT”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/09/aktivitet-festiv-2/, etj.
Ritheksojmë se ofrimi i informacionit të paplotë cënon të drejtën e KQZ-së të ushtrojë detyrimin e saj për të verifikuar apo edhe ndaluar potencialisht aktivitetin. Sikurse, nga ana tjetër, nuk jep informacion dhe iu mohon të drejtën aktorëve të tretë për të monitoruar apo qytetarëve për tu informuar apo edhe marrë pjesë në to.
KRIIK vlerëson se është me vend që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi me këtë mënyrë plotësimi të raportimit tregohet, së paku, neglizhencë në përmbushjen e detyrimit ligjor që iu është ngarkuar.
3. Veprimtari publike të zhvilluara, por të pa raportuara
KRIIK ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, të kryejë një monitorim jo sistematik të faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe të mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktiviteteve të këtyre institucioneve.
Gjatë periudhës 3 – 9 mars 2023, rezulton se së paku 17 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto 17 veprimtari janë kryer nga 12 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, KRIIK risjell në vëmendjen tuaj se:
- Konstatimi bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara është më i lartë, pasi siç u citua më sipër, aktivitetet e gjetura bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Bazuar në këto gjetje, duke qenë se situata mbetet e njëjtë, KRIIK risjell Rekomandimin e paraqitur tanimë në Raportet pararendëse se “nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, ndërkohë që duhet edhe të rrisë mënyrat e ndërgjegjësimit paraprakisht për zbatimin e detyrimeve ligjore të parashikuara për tu përmbushur nga aktorët institucionalë.”
4. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë
Sipas Dokumentit “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve”, nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, pikës 9 “Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore”.
Në linjë me sa më sipër, në intervistën e datës 1 mars 2023, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, z. Ilirjan Celibashi është shprehur:
“(…) Qoftë kryetarët e bashkive apo qoftë edhe funksionarët e tjerë publikë, janë të lirë të përmbushin kompetencat e tyre në përputhje me parashikimet e ligjit. Por nuk ka asnjë nevojë, madje është e dënueshme edhe nga pikëpamja ligjore, nëse këtë aktivitet ata e kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, e deputetëve apo edhe funksionarëve të tjerë politikë. Nëse do duan të promovojnë arritjet e tyre, ditën e nesërme pa pjesëmarrjen e stafit apo nëpunësve të bashkisë apo ndonjë institucioni tjetër. Por në rastin kur shkojnë për punë, nuk ka asnjë arsye, përveçse është e kundërligjshme nëse këtë e bëjnë duke shkuar me funksionarë politikë, deputetë, kryetarë partish. Nëse ne do të verifikojmë një rast të tillë nuk kemi asnjë lloj hezitimi për t’i sanksionuar këta funksionarë publikë pavarësisht hierarkisë së tyre. Kjo është kaq e thjeshtë dhe nuk ka asnjë arsye pse duhet ta sfidojnë ligjin.”
KRIIK ju sjell në vëmendje se, në fakt, kjo është një praktikë e cila ndodh rutinë, pavarësisht Kujtesës së dërguar nga KQZ, apo prononcimeve publike të Komisionerit. Jo vetëm kaq, por në së paku një rast, indicia e KRIIK në lidhje me pjesëmarrjen e deputetëve është kundërshtuar nga subjekti përkatës.
Konkretisht, në përgjigje të kërkesës së dërguar lidhur me indicien e KRIIK për KQZ në pikën 3.1. të Raportit VII, datë 4 mars 2023, të KRIIK, në lidhje me një aktivitet të Bashkisë Patos, na është vendosur në dispozicion përgjigja e kësaj Bashkie në drejtim të KQZ-së (Shkresë me lëndë: Informacion, i datës 8.3.2023. Po e bashkëlidhim shkresën si Lidhja 5 e këtij Raporti).
KRIIK vëren se përgjigja e dërguar nga institucioni anashkalon thelbin e vërtetë të problemit, praninë e një përfaqësuesi politik, deputetit dhe Drejtuesit Politik të PS për Qarkun Fier, z. Taulant Balla, në një aktivitet institucional, ndërkohë që detajon e përgjigjet për elementë anësorë të çështjes.
Ndërkohë, duke qenë se prania e z. Balla në këtë event qartas është në kundërshtim me sa citohet në dokumentin “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve”, si dhe me qëndrimin publik të Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet në intervistën e datës 1 mars (cituar më sipër), KRIIK gjykon se ky justifikim nuk duhet të merret në konsideratë si një përgjigje e pranueshme dhe se duhet që KQZ të veprojë ndaj institucionit në përputhje me ligjin.
Për më tepër, në analogji me qëndrimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve të mbajtur në seancën publike të datës 11 mars, në lidhje me ndalimin paraprak të çdo veprimtarie të raportuar jashtë afatit, KRIIK gjykon se KQZ duhet të mbajë të njëjtin qëndrim edhe ndaj aktiviteteve institucionale me natyrë inspektuese/promovuese, të cilat parashikojnë dhe kanë raportuar në përshkrimin e tyre praninë e deputetëve apo përfaqësuesve politikë.
Pra, nxitet që Komisioneri të udhëzojë administratën e KQZ-së që të ndalojë automatikisht të gjitha eventet me natyrë inspektuese/promovuese, të cilat deklarojnë në raportim se do mbahen me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politikë.
Theksojmë se në raportin e javës së shkuar ka patur së paku 18 aktivitete të tilla të deklaruara.
Ndërkohë edhe në javën që mbulon ky Raport, janë evidentuar aktivitete me praninë e përfaqësuesve politikë.
Disa të tilla janë të paraqitura edhe në Seksionin 5 më poshtë por në to, përveçse kanë marrë pjesë përfaqësues politikë, është kryer haptas edhe fushatë elektorale.
Ndërkaq, më poshtë paraqiten disa veprimtari publike në të cilat konstatohet së paku se zyrtarët publikë kanë qenë të shoqëruar me përfaqësues politikë .
Konkretisht:
4.1. Ditën e enjte, datë 9 mars, deputeti dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Elbasan, z. Damian Gjiknuri ka postuar në faqen e vet në Facebook:
“Me Arif Tafanin në Belsh ku ndoqëm nga afër punimet që po kryhen në rrugën që lidh qytetin me fshatin Stanaj.
Investimi përfshin sistemimin, shtrimin me asfalt të katër kilometrave rrugë dhe pajisjen e saj me të gjithë sinjalistikën e nevojshme.
Taksat e qytetarëve, Arifi si kryebashkiak model, ka ditur ti përkthejë në investime për ta.
Ndryshimi në të gjithë zonën e Dumresë është i prekshëm kudo ndaj në 14 maj qytetarët e Belshit e kanë të qartë zgjedhjen e tyre për më shumë punë transformuese në interes të tyre.
Ky postim është ndarë edhe në faqen e kryetarit të Bashkisë Belsh, z. Arif Tafani.
Një aktivitet i Bashkisë Belsh në këtë zonë dhe që përfshin inspektim rruge është raportuar në ndërfaqen e KQZ-së për në datën 3 mars dhe duket të jetë i njëjti.
Qartas, sipas këtyre postimeve Kryetari i Bashkisë Belsh, z. Tafani, dhe Deputeti Gjiknuri, njëkohësisht Drejtues Politik i PS për Qarkun Elbasan kanë marrë pjesë së bashku në një inspektim të punimeve publike.
4.2. Ditën e hënë, në datë 6 mars, Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë ka postuar në faqen e vet në Facebook:
“ Gjatë inspektimit të punës për sistemimin e kanalit Peqin-Kavajë në njësinë administrative Gosë.
Një postim në lidhje me këtë aktivitet ka ndarë në faqen e vet në Facebook edhe deputeti Etjen Xhafaj, i pranishëm në inspektim, postim i cili ka përmbajtjen e mëposhtme:
“📍Gosë- Kanali i vaditjes Peqin-Kavajë është një nga pikat kyçe për bujqësinë dhe për komunitetin e zonës.🚜🌾👨👩👧👦
Me Edisonin dhe banorë për të parë nga pranë punimet për sistemimin dhe pastrimin e kanalit. 👷♀️🚧
#ShqiperiaEArdhmjaJone☀️🇦🇱
#SkaKohëPërPushim 🏃♀️
#VazhdojmëBashkë🤝
Edison Memolla”
Ky aktivitet është raportuar nga Bashkia Rrogozhinë për t’u kryer pikërisht në këtë datë.
Qartas, në këtë inspektim të punimeve publike, Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Memolla, ka qenë i shoqëruar nga deputeti Xhafaj.
4.3. Ditën e hënë, datë 6 mars, deputeti dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Fier, z. Taulant Balla ka postuar në faqen e vet në Facebook :
“Fier Në Kompleksin e përpunimit të mishit “Semanjaku”, një investim sipas standardeve më të mira europiane.
Me një cikël të mbyllur prodhimi, ky kompleks është një nga investimet më të mëdha në këtë fushë në Shqipëri
#SkaKohëPërPushim ”
Ky postim është ndarë edhe në faqen e kryetarit të Bashkisë Fier, z. Armando Subashi:
“Fier Në Kompleksin e përpunimit të mishit “Semanjaku”, një investim sipas standardeve më të mira europiane.
Me një cikël të mbyllur prodhimi, ky kompleks është një nga investimet më të mëdha në këtë fushë në Shqipëri
Ky aktivitet i Bashkisë Fier është raportuar në ndërfaqen e KQZ-së në datën 18.02.2023, për tu zhvilluar më datë 24.02.2023.
Qartas, sipas këtyre postimeve Kryetari i Bashkisë Fier dhe Deputeti Balla, njëkohësisht Drejtues Politik i PS për Qarkun Fier kanë marrë pjesë së bashku në një aktivitet publik të Bashkisë Fier.
4.4. Ditën e premte, datë 3 mars, deputeti dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Fier, z. Taulant Balla ka postuar në faqen e vet në Facebook :
Lushnje Ka përfunduar puna për asfaltimin e rrugës në Lumth, Njësia Administrative #Kolonjë. Premtim i mbajur
Ky postim është ndarë edhe në faqen e kryetares së Bashkisë Lushnje, znj. Eriselda Sefa
“Në punë, Me Njerëzit Për Njerëzit!
Nga rruga e asfaltuar në Lumth ( Kolonjë)”
Ky aktivitet i Bashkisë Lushnje është raportuar në ndërfaqen e KQZ-së për në datën 28 shkurt 2023.
Qartas, sipas këtyre postimeve Kryetarja e Bashkisë Lushnje dhe Deputeti Balla, njëkohësisht Drejtues Politik i PS për Qarkun Fier kanë marrë pjesë së bashku në një aktivitet publik të Bashkisë Lushnje.
KRIIK jua paraqet këto denoncime si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rastet të merren në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Për më tepër, KRIIK vëren se me regjistrimin e partive politike si subjekte zgjedhore, tanimë deputetët apo përfaqësuesit politikë që marrin pjesë në aktivitete institucionale në shkelje të dispozitave ligjore janë jo thjesht përfaqësues të një partie politike, por të një subjekti zgjedhor garues.
Si rrjedhim, sanksionimi për shkeljet e cituara në këtë seksion mund të ndërmerret jo vetëm ndaj institucioneve publike që organizojnë aktivitetet, por edhe ndaj subjekteve zgjedhore që lejojnë që përfaqësues të tyre të shkelin dispozitat ligjore, në përputhje me Nenin 172 të Kodit Zgjedhor.
5. Aktivitete institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale.
5.1. Bashkia Cërrik ka raportuar në ndërfaqe në datën 25.02.2023 zhvillimin e veprimtarisë publike “Inspektim ne kantierin e zbatimit te infrastrukturës publike Selvijas” në datën 06.03.2023. Vendi i Zhvillimit: Selvijas, NJA Klos.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, deputet i Qarkut Vlorë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste z. Damian Gjiknuri.
Zhvillimi i këtij aktiviteti është publikuar në faqen Facebook të kryetarit të Bashkisë Cërrik në datën 07.03.2023:
“ SELVIAS Bashkë me banorët e fshatit Selvias dhe drejtuesin politik të qarkut Elbasan Damianin, pamë nga afër punimet që kemi nisur për rregullimin dhe asfaltimin e rrugës ë këtij fshati. Ka vetëm pak kohë që ka nisur puna dhe ky investim i financuar tërësisht me fondet e bashkisë, përfshin shtrimin me asfalt, ndërtimin e mureve rrethues dhe pajisjen me ndriçim e trotuare sipas standardeve.
#SkaKohëPërPushim ”
si dhe në faqen Facebook të drejtuesit politik Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri në datën 04.03.2023:
“Cërrik Në Njësinë Administrative Klos ku vijon puna për rehabilitimin e plotë të rrugës në fshatin Selvias.
Ky aktivitet “Inspektim” i organizuar nga Bashkia Cërrik është përdorur haptas dhe qartas për të kryer diskutime elektorale dhe hedhur premtime të drejtpërdrejta në emër të maxhorancës në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Drejtuesi politik i PS për Qarkun Elbasan z. Damian Gjiknuri:
“(…) Ky e ka justifikuar me punë, dhe jo më kot Edi Rama thotë është nga kryebashkiakët më të mirë, dhe ne do ta mbështesim. Se ne do mbështesim njerëzit e punës. Ky e ka mirëadministruar fondet e bashkisë. Po ndërhyn, dhe qytetin, madje për mua i ka mbyllur gjithë lagjet në qytet, sot ishim të gjithë, edhe me fshatin po ndërhyet avash avash dhe gjërat do shkojnë aty ku duhet. E rëndësishme është që ky të vazhdojë këtë ritëm, por edhe ky do mbështetjen tuaj. (…)
Ne kemi njerëzit më të mirë dhe po bëjmë më shumë për Shqipërinë se sa të tjerët. Tashi të tjerët kanë hallet e revolucionit, ne kemi hallin si të rregullojmë rrugët e fshatrave, si të rregullojmë energjinë, kjo është detyra jonë. Edhe kështu do të vazhdojmë. Ata le të merren me revolucionin e Saliut me Ilirin. Kështu që dy zgjedhje kanë njerëzit, revolucionin e tyre dhe punën e njerëzve të thjeshtë. T’i gëzoni dhe paçi vetëm të mira.”
Fjalimi i plotë në këtë link https://www.facebook.com/Gjiknuri.Damian/videos/168829365909119 .
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
5.2. Bashkia Cërrik ka raportuar në ndërfaqe në datën 25.02.2023 zhvillimin e veprimtarisë publike “Inspektim ne kantierin e zbatimit te infrastrukturës publike Shales” në datën 04.03.2023. Vendi i Zhvillimit: Shalës, NJA Shales.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, deputet i Qarkut Vlorë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste z. Damian Gjiknuri.
Zhvillimi i këtij aktiviteti është publikuar në faqen Facebook të kryetarit të Bashkisë Cërrik në datën 05.03.2023:
“ SHALËS
Lagja e “Çapallarëve” në fshatin Shalës është një tjetër kantier pune, të cilin e vizituam me Damianin. Në këtë lagje kemi nisur punën për rregullimin dhe asfaltimin e rrugës së kësaj lagje duke i dhënë në këtë mënyrë zgjidhje një prej shqetësimeve më madhore të këtyre banorëve.
si dhe në faqen Facebook të drejtuesit politik Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri në datën 04.03.2023:
“Cërrik Në fshatin Shalës, ku janë drejt fundit punimet dhe brenda 1 muaji banorët do kenë gati rrugën e re me të gjitha standardet.
Ky aktivitet “Inspektim” i organizuar nga Bashkia Cërrik është përdorur haptas dhe qartas për të kryer diskutime elektorale dhe hedhur premtime të drejtpërdrejta në emër të maxhorancës në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Drejtuesi politik i PS për Qarkun Elbasan z. Damian Gjiknuri:
“(…) Mirë mirë po ja edhe ky do mbështetje. Ky bën punë, ju e mbështesni më shumë, do bëjë edhe më shumë punë. Kështu funksionon. (…)
Ama, ne duhet ta falënderojmë këtë si kryetar bashkie për punët që ka bërë, dhe ju jap llafin që ky ka punuar shumë mirë, me mbështetjen tuaj do marrë dhe mbështetjen tonë më të madhe, edhe të kryeministrit Rama me projekte të tjera.”
Fjalimi i plotë në këtë link https://www.facebook.com/Gjiknuri.Damian/videos/6308649892479310/
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
6. Kryerja e aktivitetit përpara datës së raportuar për zhvillimin e tij
Nga monitorimi i kryer është vërejtur edhe një problematikë e cila konstatohet të jetë e përsëritur (për analogji raste të tilla ju janë përcjellë nëpërmjet raportit të javës së katërt të monitorimit). Rasti konsiston në zhvillimin e aktivitetit përpara datës së raportuar për zhvillimin e tij.
Janë konstatuar së paku 2 aktivitete të tilla:
6.1 Bashkia Cërrik ka raportuar në ndërfaqen e raportimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në datën 4 mars 2023 zhvillimin e aktivitetit me temë “Inspektim ne kantierin e zbatimit te infrastruktures publike Dasar”, të planifikuar për t’u zhvilluar në datën 10 mars 2023.
Drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, z. Damian Gjiknuri në datën 6 mars 2023 ka postuar në faqen e tij në Facebook foto dhe video të zhvillimit të aktivitetit me tekstin:
“Banorët e fshatit Dasar në Njësinë Administrative Mollas së shpejti do kenë gati rrugën e re me të gjitha standardet.
Ky investim, një kërkesë e kahershme e komunitetit, ishte tepër i domosdoshëm edhe për fermerët të cilëve u krijohet mjaft lehtësi për transportin e prodhimeve të tyre.
Realizimi i projektit që përfshin ndërtimin e mureve mbajtës dhe asfaltimin e rrugës vjen edhe falë mirëmënaxhimit të fondeve nga bashkia Cërrik dhe kryetari Andis Salla i cili taksat e qytetarëve i përkthen në investime për ta.
Në Njësinë Administrative Mollas para pak kohësh ka përfunduar edhe rrjeti ujësjellës që furnizon me ujë 24 orë në ditë të gjithë zonën.
Zhvillimi i aktivitetit është postuar në datën 10 mars 2023 në faqen Facebook të Bashkisë Cërrik dhe në faqen Facebook të kryetarit të Bashkisë Cërrik Z. Andis Salla.
Postimi ka përmbajtjen e mëposhtme:
“ DASAR
Ku bashkë me Damianin inspektuam punimet që kanë nisur për rregullimin dhe afaltimin e rrugës së këtij fshati. Ky inevstim vjen si zgjidhje e një kërkese të kahershme të banorëve të këtij fshati, të cilën sot ne e realizojmë me fonde totalisht të Bashkisë Cërrik.
6.2 Bashkia Cërrik ka raportuar në ndërfaqen e raportimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në datën 25 shkurt 2023 zhvillimin e aktivitetit me temë “Inspektim në kantierin e zbatimit të infrastrukturës publike”, të planifikuar për t’u zhvilluar në datën 6 mars 2023.
Drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, Z. Damian Gjiknuri në datën 4 mars 2023 ka postuar në faqen e tij në Facebook foto dhe video të zhvillimit të aktivitetit me tekstin:
“Banorët e fshatit Selvias në Njësinë Administrative Klos brenda muajit do kenë gati rrugën e re, një ndihmë e jashtëzakonshme për ta sepse përveçse shkurton distancën me qytetin, sjell edhe lehtësi në qarkullimin e automjeteve dhe transportin e prodhimeve.(…)”.
Zhvillimi i aktivitetit është postuar në datën 7 mars 2023 në faqen Facebook të Bashkisë Cërrik dhe në faqen Facebook të kryetarit të Bashkisë Cërrik Z. Andis Salla.
Nga kontrolli që u bë në kanalet zyrtare të informimit të titullarit dhe institucionit përkatës, nuk evidentohet asnjë postim tjetër online për zhvillimin e këtij aktiviteti. Pra, rezulton se aktiviteti është kryer dhe data e deklaruar për zhvillimin e tij, në ndërfaqen e raportimit të KQZ-së, ka qenë e plotësuar gabim.
Në gjykimin e KRIIK, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të thellohet në hetimin administrativ të këtyre rasteve.
Në rastin më të mirë, gjykohet se gabimi në datën e raportuar mund të jetë një gabim njerëzor ose një ndryshim i agjendës së punës së institucionit pasi është bërë raportimi në ndërfaqe.
Në këtë rast, për të dy aktivitetet, duhet proceduar si ndaj aktiviteteve të cilat janë raportuar në shkelje të afatit ligjor.
Ndërkohë, nga ana tjetër, duke parë edhe përsëritjen e rasteve (ndonëse jo nga të njëjtat institucione), ngrihen dyshime se mund të jemi në rastin e raportimit të qëllimshëm me datë zhvillimi fiktive, në mënyrë që të mos cenohet afati 5 ditor i raportimit në ndërfaqe, meqenëse kjo e fundit kontrollohet me rigorozitet nga KQZ-ja.
Këto raste duhet të nxisin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të parandaluar dhe marrë masa konkrete për të mos lejuar përsëritjen dhe masivizimin e kësaj mënyre të raportuari, e cila mban edhe përgjegjësinë e mashtrimit në vetvete.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara