Gjatë monitorimit të javës së tretë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika të cilat lidhen me:
1. Mosrespektimin e afatit ligjor 5 ditor përpara zhvillimit të aktivitetit;
2. Kryerjen e veprimtarive publike, pavarësisht se nuk janë raportuar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ-së;
3. Aktivitete të raportuara nga institucionet, në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati;
4. Kryerja e aktiviteteve të ndaluara;
5. Raportimi pa detaje ose i pasaktë.
Konkretisht:
- Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë (më pak se pesë ditë në dispozicion të KQZ-së përpara ditës së aktivitetit) vijon edhe në këtë javë të tretë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se rreth 47.6% e raportimeve në javën e tretë (27 janar – 2 shkurt) janë me vonesë.
Specifikisht, nga 229 aktivitete të raportuara nga data 27 janar deri në datën 2 shkurt 2023, 109 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së). Theksohet këtu se përllogaritja e numrit të ditëve “n” në dispozicion të KQZ-së kryhet në mënyrë automatike, duke zbritur nga dita e aktivitetit të planifikuar ditën e raportimit, ashtu siç ato janë raportuar.
Nga monitorimi është vërejtur se në disa raste data e aktivitetit të planifikuar është raportuar gabim prej institucionit përkatës. Si shembuj për këtë sjellim raportimet më poshtë:
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/30/takim-me-caritas-albania-2/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/30/takim-me-oficeret-e-policise-durres/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/31/me-kerkese-te-pales-turke-do-te-organizohet-takimi-i-minsitrit-te-drejtesise-z-ulsi-manja-me-ambasadorin-e-republikes-se-turqise-ne-shqiperi-z-tayyar-kagan-atay/
Këto aktivitete, sipas raportimit, deklarohet se janë të planifikuara për tu zhvilluar ditët e para të janarit 2023.
Kjo pasaktësi në plotësim, në rastin më të mirë, mund t’i faturohet neglizhencës apo mos seriozitetit në plotësim nga ana e personit të ngarkuar.
Por, sipas opinionit të KRIIK, ky rast duhet të shërbejë për KQZ-në për të parandaluar kryerjen në mënyrë të qëllimshme të një raportimi të tillë në të ardhmen, duke synuar fshehjen e shkeljeve në afat apo shmangur mundësinë e monitorimit, dhe relativizimin e tij me argumentin e “gabimit njerëzor”.
Lidhur me këtë, KRIIK ju paraqet
Rekomandimin 1.1. që në fushën e plotësimit të datës, sapo të klikohet, të hapet një kalendar në dispozicion, i cili të japë opsionin e përzgjedhjes vetëm për datat që pasojnë datën e ditës së plotësimit shtuar numrin 5 (për sigurimin e 5 ditëshit të plotë në dispozicion të KQZ-së).
KRIIK përgëzon, në këtë pikë, saktësimin e bërë nga Drejtoresha e Drejtorisë Juridike, në seancën publike të mbledhjes të KSHZ të datës 1 shkurt 2023, se “5 ditë janë në dispozicion të KQZ-së për të marrë vendimin e tij për të ndaluar apo jo. Pra me kalimin e 5 ditëve nga e nesërmja mund të zhvillohet veprimtaria. Pra, jo më vonë se 5 ditë thotë ligji, pra është një kufi minimal në funksion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky problem nuk është vetëm për Bashkinë Dimal. Më mirë që u ngrit si shqetësim që ta sqarojmë edhe për institucionet e tjera. Pesë ditë janë në dispozicion të KQZ. Me kalimin e këtyre 5 ditëve nga e nesërmja mund të zhvillohen veprimtaritë”.
Pas saktësimit të përllogaritjes së afatit të plotë 5 ditor në dispozicion të KQZ-së, KRIIK ka rillogaritur përmbushjen e këtij afati për aktivitetet e raportuara në dy Raportimet e mëparshme të dërguara pranë KQZ-së.
Rezulton se për periudhën nga 13-19 janar 2023 janë tashmë 37 aktivitete të raportuar me vonesë dhe jo 24 sikurse janë raportuar në emailin e datës 21.01.2023.
Gjeni bashkëlidhur tabelën e përditësuar me aktivitetet e raportuara me vonesë për këtë periudhë, të titulluar “Update_Lidhje_2-Raporti-I_KRIIK_AktiviteteTeRaportuaraMeVonese”.
Ndërkohë për periudhën 20 – 26 janar 2023 janë tashmë 113 aktivitete të raportuara me vonesë dhe jo 90 sikurse janë raportuar në emailin e datës 28.01.2023. Gjeni bashkëlidhur tabelën e përditësuar me aktivitetet e raportuara me vonesë për këtë periudhë, të titulluar “Update_Lidhje_2-Raporti-II_KRIIK_AktiviteteTeRaportuaraMeVonese”.
Ndërkohë, shprehet sërish shqetësimi dhe nevoja për adresimin e duhur nga KQZ të problematikës së vonesave në raportime.
Ky adresim duhet bërë sa më parë, në mënyrë që të ndikojë në mënyrë efiçente në raportimin në vijim për 14 javët e mbetura, ku, me shumë gjasë, problematikat do të shtohen e masivizohen në mungesë të një qasje proaktive prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Përsa i përket kontributit dhe përvojës së KRIIK lidhur me mënyrat e adresimit të kësaj problematike, juve ju janë përcjellë Rekomandime konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, nëpërmjet e-maileve të dërguara për Raportet e Monitorimit të javës së parë dhe të javës së dytë të monitorimit, konkretisht në datat 21 dhe 28 janar 2023.
Konkretisht, nevojitet ende t’ju risjellim në vëmendje, në mënyrë të shkurtuar:
- Rekomandimin nr. 3 të Raportit të Gjetjeve dhe Rekomandimeve nr. II, të përcjellë tek ju me email-in e datës 28 janar 2023, lidhur me afatet e parashikuara për raportimin e veprimtarive të institucioneve publike.
KRIIK vlerëson saktësimin e bërë nga Drejtoria Juridike, në seancën e datës 1 shkurt 2023, por gjykon se nevojitet domosdoshmërisht që KQZ-ja të saktësojë në mënyrë të detajuar përllogaritjen e afateve dhe unifikimin në parashikim të tyre, nëpërmjet një komunikimi zyrtar, i cili duhet t’i përcillet në mënyrë zyrtare çdo institucioni. Gjithashtu sugjerohet që ky saktësim të publikohet masivisht nëpërmjet formave që përdor KQZ-ja për t’ia bërë me dije tërë opinionit publik.
Procesi i depozitimit të indicieve apo denoncimeve që mund të vijnë nga aktorë të tretë, përfshirë qytetarët, kërkon së pari qartësimin e afateve ligjore të parashikuara, ndërkohë që është KQZ-ja institucioni që ka detyrimin për të bërë interpretimin e duhur, si dhe për t’ua bërë me dije në një formë sa më të thjeshtuar qytetarëve.
- Rekomandimin lidhur me një vendimmarrje të menjëhershme sanksionuese nga ana e KQZ-së, i cili ju është përcjellë i argumentuar edhe në e-mail-et pararendëse.
KRIIK e vlerëson fillimin e procedurave administrative dhe thirrjet e Komisionerit në seancat publike të zhvilluara, madje i nxit më tej ato në volum dhe intensitet.
KRIIK gjykon se, vendimmarrja sanksionuese, si një veprim ligjor në vetvete, do të zhdukë çdo paqartësi apo perceptim të krijuar për zbatimin ose jo të ligjit lidhur me këtë proces në këto zgjedhje.
Nga ana tjetër kjo vendimmarrje, do të nxisë vetë strukturat dhe administratën e KQZ-së për të shuar çdo dyshim lidhur me këtë qasje, si dhe nxisë më tej atë në një qasje proaktive më pas, në emër të sigurimit të parimit të barazisë përpara ligjit për çdo titullar apo nëpunës i cili shkel apo nuk zbaton ligjin.
- Rekomandimi i përcjellë në dy email-et pararendëse për integrimin e një mekanizmi sigurie automatik “ndalimi” në rast raportimi të një veprimtarie në një periudhë më të shkurtër se afati i kërkuar (5 ditë të plota në dispozicion të KQZ-së).
Ky rekomandim mund të shkrihet tashmë brenda Rekomandimit 1.1 të bërë më sipër.
Thjesht nevojitet që në rast moslejimi nga sistemi për të zgjedhur një datë të mëhershme, të jepet opsioni shtesë për të zgjedhur/argumentuar domosdoshmërinë e zhvillimit të aktivitetit, si rast emergjence. Madje, mundësisht duke i parashikuar edhe alternativat e mundshme për të zgjedhur llojin e aktivitetit për shkak emergjence në mënyrë shteruese.
- Rekomandimet nr. 1.5. dhe nr. 1.6. të përcjellë në Raportin II, për nevojën e organizimit të një trajnimi online me të gjithë nëpunësit e ngarkuar për raportimin në ndërfaqe, si dhe të një sesioni informimi për titullarët e institucioneve si përgjegjës direkt për procesin e raportimit prej institucioneve përkatëse, apo për stafet e ngushta të tyre / këshilltarët / asistentët e tyre.
Gjykohet se përbën një domosdoshmëri informimi i zgjeruar mbi tipologjinë e rasteve / aktiviteteve që duhen raportuar dhe atyre që ndalohen, si dhe orientimi i duhur i raportuesve drejt unifikimit të mënyrave të raportimit.
Një gjë e tillë do të sjellë mjaft dobi së pari në funksion të parandalimit të shkeljeve, e së dyti, edhe në funksion të shmangies së kostove të panevojshme dhe energjive të harxhuara në proceset institucionale që pasojnë sipas parashikimeve ligjore.
Rekomandimet e përcjella për një intensitet më të madh të publikimeve me të gjitha mjetet në dispozicion, si dhe nëpërmjet komunikimeve zyrtare publike më të shpeshta dhe të posaçme, vetëm në funksion të informimit dhe ndërgjegjësimit mbi elementë të ndryshëm që përbëjnë procesin e raportimit të institucioneve.
- Rekomandimet për nevojën e publikimit me çdo formë dhe të qartësimit paraprakisht për qasjen pa asnjë ekuivok të KQZ-së për zbatimin e ligjit në këtë proces, si dhe të mospranimit në asnjë rast të çdo relativizimi apo pikëpyetje që mund të ngrihet.
KQZ-ja duhet të shprehet qartazi e prerë se kuadri rregullator është mëse i mjaftueshëm e i plotë për të mos toleruar asnjë relativizim për mos zbatimin e ligjit për shkaqe apo rrethana që lidhen me pamundësinë e aksesit në sistemin e raportimit, apo edhe për çdo justifikim tjetër të ngjashëm të përcjellë apo servirur ndaj administratës së KQZ-së, qoftë verbalisht, qoftë edhe zyrtarisht.
- Veprimtari publike të zhvilluara, por të paraportuara
KRIIK ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, të kryejë një monitorim jo sistematik të faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe të mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktivitetit institucional të këtyre institucioneve.
Gjatë periudhës 27 janar – 2 shkurt 2023, rezulton se së paku 17 veprimtari publike rezultojnë se nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. (për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, KRIIK risjell në vëmendjen tuaj se:
- Konstatimi bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara duhet të jetë më i lartë, pasi siç u citua më sipër, aktivitetet e gjetura bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Bazuar në këto gjetje, duke qenë se situata mbetet e njëjtë, KRIIK risjell Rekomandimin e paraqitur tanimë në Raportin e parë se “nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, ndërkohë që duhet edhe të rrisë mënyrat e ndërgjegjësimit paraprakisht për zbatimin e detyrimeve ligjore të parashikuara për tu përmbushur nga aktorët institucionalë.”
- Aktivitete të raportuara nga institucionet, në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati.
Nga pasqyrimi në rrjete/media sociale dhe media të tjera online të dy aktiviteteve të zhvilluara në Bashkinë Fier, është konstatuar se përpos Kryetarit të Bashkisë, prania e të cilit është mëse e natyrshme në një aktivitet të organizuar prej tij dhe institucionit të Bashkisë, ka patur edhe prezencë të drejtuesit politik të Partisë Socialiste për Qarkun Fier, si dhe të deputetit socialist të zonës.
Sikurse ju është paraqitur në Raportin e II, të përcjellë nëpërmjet e-mailit të datës 28 janar 2023, pjesëmarrja e përfaqësuesve politikë është e pajustifikuar në asnjë rast dhe lejon mundësinë që nëpërmjet artikulimeve dhe fjalimeve ta shndrrojë aktivitetin e organizuar nga institucioni në një aktivitet politik për përfitim elektoral.
Konkretisht, më poshtë ju paraqiten dy aktivitetet e zhvilluara në Bashkinë Fier:
- Bashkia Fier ka raportuar si aktivitet të institucionit në ndërfaqen e raportimeve të KQZ aktivitetin e planifikuar për t’u zhvilluar në datën 28 janar 2023, sipas përshkrimit të të cilit deklarohet se “Komuniteti i Njesisë Administrative Topojë ka paraqitur një kërkesë pranë njësisë, ku ka kërkuar një takim me kryetarin e bashkisë për t’u njohur nga afër me investimet që janë parashikuar te bëhen në zonën e tyre nga Bashkia Fier gjate vitit 2023”.
Në aktivitet, përpos të tjerëve, kanë marrë pjesë dhe folur për pjesëmarrësit, z. Taulant Balla dhe z. Petro Koçi, deputetë të Partisë Socialiste.
Në përmbajtje të fjalimit të tyre, u konstatuan lehtësisht dhe haptazi thirrje që e bënë këtë aktivitet me natyrë elektorale. Konkretisht:
Taulant Balla: “Më thoni kë kemi përballë. Unë nuk e di kë kemi përballë sepse duhet ta dini Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë mbyllur me shqiptarët. Nuk votojnë më shqiptarët as Saliun as Ilir Metën. Nuk mund të bëjmë më dhëndër as Saliun as Ilir Metën. I kanë bërë, sa u ka dash qejfi. Dy herë president Saliu, dy herë kryeministër. Pastaj për Ilir Metën ne e bëmë, socialistët e bënë. Dhe pastaj bëri partinë e vet, pastaj ishte kryeministër, kryetar parlamenti, president, dhe çfarë bëri. Dhe të gjitha këto janë arsyet që këta nuk mund të vijnë më, si mund të vijnë këta.
Se këta në Topojë nuk marrin vota, këtu e kanë parë si dalin ata, por ne duhet t’ua bëjmë që mos marrin asnjë fare, fare.
Sepse 14 maji është ajo goditja përfundimtare që ne duhet t’u japim këtyre që këta mos kenë më asnjë lloj arsye. (…)
Fitoren e keni ju në dorë, ju që jeni këtu ata që nuk kishin mundësi të ishin këtu se janë në arë duke punuar tokën, nëpër sera. Ne nuk duhet të rrimë asnjë moment pushim, s’kemi kohë për pushim. Duhet të shkojmë shpi më shpi, derë më derë, arë më arë, serë më serë, për të komunikuar me njerëzit.
Njerëzit e dinë që ky vend bëhet vetëm me partinë socialiste.”
Petro Koçi: “Kjo zonë e ka mbështetur gjithmonë Partinë Socialiste, duke përfshirë edhe zgjedhjet e fundit që sapo kaluam. Edhe unë personalisht (…)
Ne jemi në prag të një sfide të madhe, janë zgjedhjet vendore, megjithëse nuk janë zgjedhje politike, kanë një rëndësi të madhe politike.
Ka shuma argumente që e bëjnë çdo zgjedhës ta mendojë mirë dhe të zgjedhë Partinë Socialiste, por unë dua të ndalem tek njëri.
Partia Socialiste ka krijuar modelin e vërtetë të qeverisjes vendore në të gjithë vendin. (…) Kështu që jam i bindur që në 14 maj ne do të mbështesim Partinë Socialiste, kandidatët e saj, sepse nuk do të lejojmë që Shqipëria të kthehet mbrapa. (…)”.
Video e aktivitetit gjendet e postuar në Faqen Zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Fier, z. Armando Subashi (https://www.facebook.com/watch/armandosubashi.al/), në linkun: https://www.facebook.com/armandosubashi.al/videos/717703839822188 .
Aktiviteti është transmetuar gjithashtu, të paktën edhe nga një media, TV Kombi:
https://tvkombi.com/balla-nga-topoja-halli-i-saliut-eshte-drejtesia-14-maji-eshte-goditja-perfundimtare-qe-ne-duhet-tu-japim-sali-berishes-dhe-ilir-metes/ Bazuar në gjithë sa më sipër, në gjykimin e KRIIK, aktiviteti është haptas elektoral dhe përbën shpërdorim të burimeve publike në fushatën zgjedhore, pasi është përdorur një aktivitet zyrtar i Bashkisë Fier për propagandë elektorale.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
- Bashkia Fier ka raportuar si aktivitet të institucionit në ndërfaqen e raportimeve të KQZ aktivitetin e planifikuar për t’u zhvilluar në datën 28 janar 2023, sipas përshkrimit të të cilit “Komuniteti i Njësisë Administrative Dermenas ka paraqitur pranë njësisë një kërkesë me shkrim, ku ka kërkuar një takim me kryetarin e bashkisë”.
Në takimin e zhvilluar ka marrë pjesë edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun Fier, i zgjedhur deputet në Qarkun e Elbasanit, z. Taulant Balla.
Në përmbajtje të fjalimit të tij, u konstatuan lehtësisht dhe haptazi thirrje që e bënë këtë aktivitet me natyrë elektorale. Konkretisht:
Taulant Balla: “Kjo është një zonë që i’a ka dhënë votën Saliut dhe çfarë bëri Saliu, asgjë. Ka marrë votën, ka parë hallet e veta dhe mendoj që njerëzit duhet ta peshojnë fort votën e tyre.
Më 14 maj vota për Partinë Socialiste është votë për të diskutuar për çështjet që vërtetë shqetësojnë qytetarët. (…)
Partia Socialiste e ka vendosur Shqipërinē në rrugën e duhur, mund të kishim ecur më shpejt, por mos të harrojmë ku e nisëm në vitin 2013 dhe ku jemi sot dhe ndaj ne na duhet Edi Rama në krye të qeverisë.
Saliu dhe Ilir Meta i kanë mbaruat orët e punës me Shqipërinë, u ka dhënë Shqipëria çfarë kanë dashur ata President, Kryeministër, Kryetar Parlamenti të gjitha.
Ndaj jam i bindur që ne do të fitojmë edhe mandatin e katërt në 2025”
Video e aktivitetit gjendet e postuar në Faqen Zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Fier, z. Armando Subashi (https://www.facebook.com/watch/armandosubashi.al/), në linkun:
https://www.facebook.com/armandosubashi.al/videos/898967471136975/ .
Ky aktivitet është transmetuar të paktën nga dy media audiovizive, konkretisht nga:
- Vizion Plus TV: https://www.vizionplus.tv/balla-bujqesia-motor-i-zhvillimit-te-fierit-saliu-shqetesohet-per-hallet-e-veta-21-janarin-dhe-gerdecin/ ;
- Tv Kombi: https://tvkombi.com/42619-2/?fbclid=IwAR0M7eMosT35p3PLRwMLl_IfOSwetO2hG9H3tLbRVqEn4WZq2Vd2upNLjIU ;
- Balla: Bujqësia motor i zhvillimit të Fierit. Saliu shqetësohet për hallet e veta, 21 janarin dhe Gerdecin – TV Kombi;
Bazuar në gjithë sa më sipër, në gjykimin e KRIIK, aktiviteti është haptas elektoral dhe përbën shpërdorim të burimeve publike në fushatën zgjedhore, pasi është përdorur një aktivitet zyrtar i Bashkisë Fier për propagandë elektorale.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Neni 91, pika 1 e Kodit Zgjedhor parashikon se “Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia.”
Gjithashtu, në kujtesën drejtuar institucioneve nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, pika 7 citohet se “Gjatë zhvillimit të veprimtarive sipas pikës 7, të kësaj kujtese, ndalohen thirrjet, apo fjalimet me përmbajtje partiake ose zgjedhore në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati.”
- Kryerja e aktiviteteve të ndaluara
Referuar ndalimeve të parashikuara në Vendimin nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator, ndër të tjera, ndalohet edhe shpërndarja e titujve të ndryshëm të pronësisë tek qytetaret, konkretisht neni 3, pika 1.3 gërma a dhe b:
“Veprimtari të ndaluara janë ato veprimtari që përfshijnë a) shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve, në periudhën 4 mujore para datës së zgjedhjeve; b) shpërndarjen në veprimtari publike të akteve për regjistrimin e tokës bujqësore, certifikatave të pronësisë, dhe çfarëdolloj titulli pronësie …”.
Në faqen Facebook të Bashkisë Patos, është publikuar një postim në përshkrimin e të cilit citohet:
Familja Abazi me shtëpi të re!
Kryebashkiakja Balilaj i ka dorëzuar çelësat e shtëpisë së re Viktorit, duke realizuar kështu ëndrrën e 5 anëtarëve të kësaj familje me probleme sociale.
Nga data e postimit, 26 janar 2023 rezulton se ky aktivitet është kryer në periudhën 4 mujore para ditës së zgjedhjeve, periudhë në të cilën sipas bazës ligjore të sipërpërmendur, ky aktivitet është i ndaluar.
Gjithashtu, theksohet se ky aktivitet nuk është raportuar në ndërfaqen e KQZ-së nga institucioni organizator.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkeljes sipas ligjit.
- Raportimi pa detaje ose i pasaktë
Raportimi në ndërfaqe përbën hallkën e parë për pasqyrimin e llojit dhe nivelit të informacionit që transmetohet në KQZ, mbi të cilin kjo e fundit duhet të gjykojë paraprakisht nëse aktiviteti mund të lejohet për t’u zhvilluar ose jo.
Me qëllim zotërimin e çdo informacioni në mënyrë të detajuar, nevojitet saktësi dhe kujdes në hedhjen e informacionit në raportim.
KRIIK vazhdon të vërejë se një numër i konsiderueshëm institucionesh nuk i plotësojnë detajet në mënyrën e duhur apo me saktësinë dhe seriozitetin e duhur.
Përveç mungesës së detajeve në informacionet e plotësuar në disa prej fushave, në javën që lamë pas, u vërejt edhe neglizhencë në plotësimin e datës së aktivitetet të raportuar (shih më sipër pikën 1 në këtë raport).
Sjellim në vëmendjen tuaj se, ndërkohë që në rastet e përshkruara më sipër ishte e mundur të evidentohet me besueshmëri të pranueshme se me gjasë data e aktivitetit është raportuar gabim, mund të ketë të tjera raste kur data është e gabuar por kjo nuk mund të dallohet me pamje të parë. Si rrjedhim, ky informacion konsiderohet i padobishëm, në rastin kur KQZ mund të vlerësojë të nevojshëm dërgimin e monitoruesit për ndjekjen e aktivitetit përkatës, duke krijuar kështu ngërç artificial në procesin mbikëqyrës apo verifikues që mund të kryhet.
Jo vetëm kaq, por ky informacion i paspecifikuar e bën të pamundur ndjekjen e aktivitetit nga aktorët e tjerë monitorues, media apo edhe vetë qytetarët, të cilët mund të duan që të bëhen pjesë e tij, por e kanë të pamundur për shkak të mos pasjes së mundësisë për tu informuar për vendndodhjen e saktë të zhvillimit të aktivitetit.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese