Shkarko dokumentin e derguar KQZ-se
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka ndjekur në vijimësi gjithë procesin e vendimmarrjes administrative në KQZ, duke u përpjekur të japë kontributin e vet nëpërmjet rekomandimeve apo sugjerimeve konkrete përgjatë procesit të konsultimit paraprak të projekt-akteve të dërguara nga ju, apo edhe për projekt akte të tjera për të cilat vlerësohet se nevojiten t’iu bëhen përmirësime të mëtejshme.
Duke vlerësuar maksimalisht gatishmërinë dhe fleksibilitetin e treguar nga ju në këtë proces, KRIIK gjen rastin t’ju shpreh edhe njëherë falënderimet e tij për tërë këtë bashkëpunim të frytshëm të arritur deri më tani.
Me email-in e datës 31 janar jemi njohur me agjendën e mbledhjes së datës 1 shkurt 2023 nga ana e Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, ku parashikohet të shqyrtohet e miratohet edhe projektvendimi “Për miratimin e procedurave dhe kritereve të akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, komisionet e qendrave të votimit dhe vendet e numërimit të votave, nga komisioni i zonës së administrimit zgjedhor për zgjedhjet”.
Paraprakisht ju shprehim vlerësimin e KRIIK për përmirësimin e aktit, si dhe marrjen në konsideratë të shqetësimeve/rekomandimeve për të bërë publike / përcjellë në KQZ vendimmarrjet e KZAZ-ve lidhur me akreditimin e vëzhguesve, duke bërë transparencë e vënë në kontroll të KQZ-së e publikut këtë proces autorizimi të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, përfshirë mundësinë e revokimit të akreditimit të tyre.
Na lejoni t’ju risjellim në vëmendjen tuaj, se ky akt rreket të adresojë përballimin më një sërë problematikash jo të vogla, të cilat janë shkaktuar nga kjo kategori e vëzhguesve në ecurinë e procesit të votimit e të numërimit, në procese të mëparshme zgjedhore, duke filluar nga:
– orientimi i votuesve në QV;
– drejtimi i punës së komisionerëve të QV-së në disa raste;
– marrja shënim në QV, identifikimi dhe njoftimi haptazi tek të tretë mbi identitetin e shtetasit/ve që po votojnë apo edhe për ata që nuk kanë ardhur ende për të votuar, duke përbërë kështu pikënisjen e një mekanizmi të tërë organizimi, kontrolli dhe orientimi/drejtimi/intimidimi të qytetarëve/votës;
– intimidimi i votuesve/komisionerëve/vëzhguesve me akte konkrete apo edhe thjesht me prezencën e tyre brenda ambienteve të vëzhgimit nga persona me të shkuar kriminale të akredituar si vëzhgues;
– mungesa e konsiderueshme e kontrollit mbi hyrje/daljet e personave të paakredituar, kryesisht atyre me pozitë zyrtare/politike, apo të tjerë individë me influencë lokale, veçanërisht në vendet e numërimit të votave;
– akreditimi i vëzhguesve jashtë afateve të përcaktuara, prej komisionerëve të KZAZ-ve;
– nxitja e ngërçeve në ecurinë e procesit, apo e konflikteve të ndryshme, deri në konflikte fizike brenda ambienteve të vëzhgimit, e të tjera problematika.
Duke patur në konsideratë gjithë sa më sipër, si dhe projektvendimin e përgatitur, KRIIK ju paraqet në vijim disa rekomandime shtesë, të cilat në gjykimin e tij, do ta bëjnë aktin më të plotë dhe efiçent.
Konkretisht:
1. Në lidhje me verifikimin e gjendjes gjyqësore të vëzhguesve
Neni 5, pika 1.d. e projekt-vendimit përcakton se subjekti zgjedhor dorëzon në KQZ “vetëdeklarimin e vëzhguesit për gjendjen gjyqësore”.
Nga formulimi i pikës në fjalë nuk është e qartë se me çfarë dokumenti specifikisht do të duhet të vërtetohet gjendja gjyqësore e vëzhguesve, por duket se i referohet Vetëdeklarimit të Gjendjes Gjyqësore, me anë të të cilit shtetasit i japin njëkohësisht të drejtën subjektit ku dorëzohet vetëdeklarimi për të verifikuar të dhënat.
Ndërkohë, duke qenë se procedura për marrjen e certifikatës të gjendjes gjyqësore është shumë e lehtë, kryhet online nëpërmjet e-Albania, falas, dhe për një periudhë relativisht të shkurtër kohore, KRIIK sugjeron që vëzhguesve potencialë t’iu kërkohet një Çertifikatë e Gjendjes Gjyqësore dhe jo Vetëdeklarim.
Kjo do të lehtësonte administratën e KQZ-së apo subjektet zgjedhore nga nevoja për të verifikuar gjendjen gjyqësore të një numri shumë të lartë vëzhguesish.
2. Në lidhje me ruajtjen e fshehtësisë së votës në Qendrat e Votimit
Raportet e vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2021 kanë evidentuar si problematik ndikimin e paduhur nga vëzhguesit partiakë apo të të tjerë personave mbi zgjedhësit, qoftë në afërsi të qendrave të votimit, qoftë brenda tyre. Kjo bëhet akoma më problematike nëse konsiderohet në kontestin e përgjithshëm të strukturave të patronazhimit politik të ngritur dhe të drejtimit të votës. Specifikisht, përpos Raportit Përfundimtar të KRIIK, Raporti Final i ODIHR, përveç personave të vendosur jashtë qendrave të votimit, në faqen 29 përmend specifikisht faktin se “MNVZ-ja vuri në dukje shumë raste kur vëzhguesit e partive mbanin shënim ata që votonin, duke regjistruar numrat e tyre rendorë siç ishin caktuar në listat e zgjedhësve.”
Madje, kjo gjetje është një nga argumentet për Rekomandimin e dytë Prioritar të Raportit të ODIHR (faqe 30) se “Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dikush ka votuar apo jo dhe si ka votuar duhet të parandalohet.”
Risillet në vëmendje këtu se Shteti shqiptar, në Samitin e Stambollit të vitit 1999, është angazhuar për të “zbatuar në mënyrë të menjëhershme vlerësimet dhe rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet”.
Bazuar në sa më sipër, KRIIK gjykon se projektvendimi “Për procedurat dhe kriteret e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, komisionet e qendrave të votimit dhe vendet e numërimit të votave, në zgjedhje” mund të parashikojë në përmbajtje të tij, elementë që të mund të minimizojnë dhe parandalojnë këtë fenomen, të pranishëm prej vitesh në proceset zgjedhore. Kjo edhe në sinkron me frymën dhe qasjen e re që duhet manifestuar prej KQZ-së në vijim të aspiratave të marrëveshjes politike të 5 qershorit 2020.
Specifikisht, në përmbushje të parashikimit të bërë në nenin 7, pika 2.d. të Kodit Zgjedhor (detyrimi i vëzhguesve për të mos dhunuar të drejtën e votuesit për të votuar në fshehtësi), projektvendimi nuk sjell asgjë shtesë, duke u mjaftuar me përsëritjen e kësaj norme të Kodit.
Në mënyrë që akti nënligjor të jetë më efektiv, KRIIK sugjeron që kjo pikë e ligjit të zbërthehet në elementë specifikë të ndaluar (mënyra se si mund të dhunohet e drejta e zgjedhësve për të votuar në fshehtësi), duke përfshirë por pa u kufizuar në:
2.1. Ndalimin e vëzhguesve politikë për të qëndruar pranë dhomës së fshehtë apo në një pozicion të tillë që të mund të shohë apo kuptojë se për kë po voton votuesi;
2.2. Ndalimin për të marrë informacion, shënuar apo dokumentuar me çfarëdo mënyre e mjeti, brenda ambientëve të qendrës së votimit dhe/ose nga anëtarët e komisionit të qendrës së votimit, të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e zgjedhësve që po votojnë, kanë votuar apo nuk kanë votuar ende.
2.3. Në plotësim të këtij parashikimi, në rastet kur evidentohet se një vëzhgues i një subjekti zgjedhor kryen shkeljet e mësipërme, duhet që ai të përjashtohet menjëherë nga Qendra e Votimit, me vendim të Kryetarit.
Kryetari vendos pas denoncimit që mund të bëjë një anëtar i komisionit të QV-së, vëzhgues apo qytetar. Vendimi mund të parashikojë edhe nënshkrimin jo të detyruar të vëzhguesve prezentë në momentin e shkeljes.
Pas marrjes së vendimit, Kryetari i QV-së ia përcjellë menjëherë KZAZ-së emrin e vëzhguesit për revokim të akreditimit të tij. KZAZ-ja vendos vetë për revokim të akreditimit të vëzhguesit, ose ia përcjell emrin e tij KQZ-së, sipas rastit.
3. Lidhur me transparencën dhe kontrollin ndaj respektimit të kritereve dhe afateve të akreditimit të vëzhguesve prej KZAZ-ve
Në nenin 11 “Autorizimi dhe mandati i vëzhguesve” të projektvendimit, në pikën 5 e 6 të tij parashikohet:
“5. Sekretari i KZAZ-së jo më vonë se 5 ditë pas miratimit të autorizimit për akreditimin e vëzhguesve dorëzon në KQZ në formë elektronike listën e vëzhguesve të akredituar si dhe kopje të vendimmarrjeve të KZAZ-së për akreditimin e tyre.
6. Në përfundim të procesit zgjedhor KZAZ dorëzon në KQZ vendimmarrjet për akreditimin e vëzhguesve shoqëruar me listën përkatëse.” .
Në plotësim të parashikimit të mësipërm, KRIIK, duke u nisur nga:
- praktika e mosrespektimit të kritereve dhe afateve të akreditimit;
- problematikat e evidentuara në vendimmarrjet e KZAZ-ve;
- nevoja për disiplinimin e respektimit të kërkesave ligjore prej përfaqësuesve të partive politike qofshin këta autoritete apo persona të autorizuar, anëtarë të komisioneve zgjedhore apo vëzhgues;
- lehtësitë që ofron teknologjia e sotme e komunikimit,
gjykon se është me rëndësi që KZAZ-të të përcjellin në KQZ në formë elektronike jo vetëm listën e vëzhguesve të akredituar dhe kopje të vendimmarrjeve të KZAZ-së për akreditimin e tyre, por edhe tërë dokumentacionin mbështetës të dorëzuar për akreditimin e tyre nga subjektet zgjedhore.
Detyrimi për dorëzimin e tërë dokumentacionit mbështetës të dorëzuar për akreditimin e vëzhguese nga subjektet zgjedhore, nevojitet të shtohet edhe në parashikimet e bëra në pikën 6 të projektvendimit.