Shkarko dokumentin e derguar KQZ-se
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka ndjekur në vijimësi gjithë procesin e vendimmarrjes administrative në KQZ, duke u përpjekur të japë kontributin e vet nëpërmjet rekomandimeve apo sugjerimeve konkrete përgjatë procesit të konsultimit paraprak të projekt-akteve të dërguara nga KQZ, apo edhe për projektakte të tjera për të cilat vlerësohet se nevojiten t’iu bëhen përmirësime të mëtejshme.
Duke vlerësuar maksimalisht gatishmërinë dhe fleksibilitetin e treguar nga KQZ në këtë proces, KRIIK gjen rastin te shprehe edhe njëherë falënderimet e tij për tërë këtë bashkëpunim të frytshëm të arritur deri më tani.
Në kuadër të këtij procesi, sjellim në kujtesë te KQZ-se se më datë 10 janar 2023, KRIIK ka dërguar një Dokument me Rekomandime për përmirësimin e kuadrit rregullator ligjor për zgjedhet vendore 2023 lidhur me disa çështje si:
1) Listat e zgjedhësve; 2) Regjistrimi i subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve; 3) Monitorimi i medias; 4) Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor; 5) Vëzhguesit; 6) Parandalimi i abuzimit me burimet shtetërore; 7) Financimi i subjekteve zgjedhore dhe 8) Auditimi pas zgjedhor.
Theksohet se rekomandimet e paraqitura në Dokument janë ndër konsideratat më kryesore të KRIIK në raport me këto çështje, ndërkohë që më të plota apo edhe të tjera rreth tyre do të paraqiten në momentin që KQZ-ja do të konsiderojë dhe ndërmarrë rishikimin e akteve rregullatore përkatëse.
Duke konsideruar rendin e ditës të njoftuar për seancat publike që do të mbahen në datën 25.01.2023 nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Komisioni Rregullator, si dhe duke shmangur rekomandimet lidhur me vëzhguesit politikë (disa prej tyre pasqyrohen në Dokumentin e lartpërmendur), për të cilët parashikohet të ketë një akt tjetër nënligjor,
KRIIK konsideron me vend përcjelljen e rekomandimeve të mëposhtme, të cilat gjykohen se janë me shumë rëndësi të merren në konsideratë dhe të shqyrtohen prej jush.
Konkretisht:
1. Lidhur me projekt-aktin “Rregullat procedurale për përdorimin e kamerave regjistruese e monitorëve (ekraneve) në vendet e numërimit të votave dhe transmetimin në kohë reale nga vendet e numërimit të votave në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Në pikën 3 të vendimit parashikohet se “Administrata e KQZ-së, ose kur është e mundur edhe Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor, riprodhon dhe vë në dispozicion të subjekteve zgjedhore, me kërkesë të tyre, kopje të materialit të regjistruar nga kamerat e tavolinave kundrejt pagesës së një tarife që mbulon koston e riprodhimit…” .
Ndërkohë, në pikën 6 të tij parashikohet se “Regjistrimi filmik (video) i procesit të numërimit të votave nga kamerat e vrojtimit në VNV, të cilat përmbajnë të dhëna personale i vihen në dispozicion vetëm organeve ligjzbatuese me kërkesë të tyre”.
Në referencë të Ligjit Nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, neni 2 pika 1 “ ‘Të dhëna personale’ është çdo informacion në lidhje me një person fizik, të identifikuar ose të identifikueshëm, direkt ose indirekt, në veçanti duke iu referuar një numri identifikimi ose një a më shumë faktorëve të veçantë për identitetin e tij fizik, fiziologjik, mendor, ekonomik, kulturor apo social”.
Duke patur në konsideratë bazën ligjore mbi të dhënat personale dhe Udhëzuesin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili përkufizon çfarë janë të dhëna personale në mënyrë shteruese, e dhënë personale, ndër të tjera, mund të konsiderohet edhe fotografia e personit, emri, mbiemri, gjeometria e fytyrës ose duarve, etj. (faqe 4 e Udhëzuesit).
Disa nga këto të dhëna mundet gabimisht apo qëllimisht të filmohen dhe regjistrohen prej kamerave në tavolinat e numërimit.
Një rast i tillë do ta bënte të pazbatueshëm të drejtën e subjekteve zgjedhorë të sanksionuar edhe në pikën 3 të aktit.
Një situatë e tillë, cënon në mënyrë të padiskutueshme, jo vetëm transparencën e procesit, por edhe të drejtën e subjekteve zgjedhore për ta patur këtë informacion dhe përdorur atë sipas nevojave, duke filluar së pari në procesin ankimues të asaj që konsiderohet drejtësia zgjedhore.
Gjithashtu, regjistrimet video nga kamerat 360º të vendosura në VNV përmbajnë automatikisht të dhëna personale të të gjithë personave që janë prezentë në VNV (pamje të tyre) e ndofta mund të përmbajnë edhe elementë të tjerë.
Neni 6 i aktit e bën këtë proces filmimi dhe regjistrimi të dobishëm vetëm në funksion të rastit kur ato do të kërkohen nga organet ligjzbatuese.
Madje, sipas Lidhjes 1 që i bashkangjitet aktit, edhe vetë KQZ-ja, megjithëse do të krijojë në ambientet e saj mundësi monitorimi të njëkohshëm të procesit të numërimit në 8 tavolina dhe në ambientet e 8 VNV-ve, do të ketë mundësi të shikojë imazhet e filmuara vetëm në rastet kur paraqitet ndonjë problematikë ose kur kjo do të kërkohet nga KQZ-ja me akt të Komisionerit Shtetëror.
Nga gjithë sa më sipër, duket se tërë investimi i kushtueshëm i dakordësuar politikisht për tu shpenzuar në teknologji për të rritur transparencën e procesit në kohë reale, bëhet totalisht i padobishëm në raport me atë që kjo transparencë në kohë reale, ndërlidhur me procese të tjera që mund të nxisë dhe mbështesë, ofron për të përmirësuar integritetit e procesit zgjedhor, dhe konkretisht, për të siguruar që procesi i numërimit nuk do të cënojë në asnjë rast vullnetin e shprehur tashmë të sovranit e të depozituar në kutitë e votimit.
Kufizimi i të mirave madhore të transparencës, përfshirë indiciet/provat e mundshme të ofruara nga teknologjia e investuar, vetëm si një proces post-factum, është së pari në kundërshtim me tërë aspiratat e shprehura dhe dakordësuar gjatë procesit reformues të kuadrit ligjor mbi standardet e procesit zgjedhor e të shprehura si frymë e gërmë në Kodin Zgjedhor.
Nga ana tjetër, ky proces shqyrtimi post-factum në tërësinë e përvojave të procesit të ankimim/apelimeve përgjatë procesit të drejtësisë zgjedhore, ka treguar se është totalisht joefiçent dhe ka vuajtur nga shkelja e ligjit, dhe anshmëria poltike, diskrecionet e tepruara shpesh ekstraligjore apo tendenca për të mbyllur çdo proces ankimues i cili mund të bëjë pis rezultatin apo edhe vetë procesin zgjedhor, tashmë të çertifikuar.
Për gjithë sa më sipër parashtrohet dhe nisur nga fakti se KQZ-ja parashikon se ky projektvendim është i natyrës normative dhe për këtë arsye propozohet që procedurat të jenë të aplikueshme për të gjithë proceset zgjedhore.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) :
- duke sjellë në vëmëndje se kufizimi i parashikuar në öpikën 6 të projektaktit nuk gjendet i shprehur shprehimisht në Kodin Zgjedhor;
- duke sjellë në vëmendje parashikimin e bërë në nenin 22, pika 2 të Kodit Zgjedhor ku autorizohet KQZ-ja për të instaluar dhe përdorur sistemet e videomonitorimit në VNV-të për të monitoruar dhe provuar rregullshmërinë e procesit në mjediset e brendshme të tyre. Pra KQZ-ja përdor filmimin për të monitoruar ecurinë dhe provuar se kjo ecuri është në çdo hap e rregullt dhe në përputhje me ligjshmërinë, çka do të thotë se monitorimi duhet të jetë i pandërprerë dhe në kohë reale prej KQZ-së, në mënyrë që të parandalojë apo ndalojë në kohë çdo shkelje të mundshme që mund të vërehet, e cila mund të cënojë integritetin e procesit.
Kjo e drejtë dhe detyrim i KQZ-së nuk mund të limitohet vetëm atëherë kur ka problematika, kur ndërkohë këto të fundit evidentohen dhe nxiten vetëm atëherë kur palët politike kryesore të përfaqësuara në komisionet zgjedhore, nëpërmjet komisionerëve të tyre, nuk gjejnë dakordësi dhe krijojnë përplasje për çështje nga nga më të ndryshmet, qoftë përmbajtësisht qoftë artificialisht.
Monitorimi dhe aksesi i KQZ-së duhet të jetë i pandërprerë, edhe në rastet kur nuk raportohen problematika, por palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe i kanë mbyllur problemet midis tyre. Pasi shpesh kjo dakordësi , sikurse është bërë e ditur nga vëzhguesit është në cënim të integritetit të procesit në vetvete dhe të paprekshmërisë së vullnetit të votuesit, si dhe në cënim të të drejtave të subjekteve të tjera zgjedhore apo kandidatëve.
Kjo e drejtë, detyrim dhe mënyrë kontrolli e KQZ-së, automatikisht bëhet e detyrueshme për tu monitoruar dhe ndarë edhe me aktorët vëzhgues të procesit si dhe me subjektet elektorale pjesëmarrëse në proces.
Në fjalinë pasardhëse të pikës 2 të nenit 22, ligji parashikon të vetmin kufizim në këtë proces të ngarkuar ndaj KQZ-së, pra që “sistemi i videomonitorimit nuk mund të instalohet në qendrat e votimit në mënyrë të tillë që të cenojë ose të rrezikojë kryerjen në fshehtësi të votimit”.
- duke sjellë në vëmendje se ky kufizim nuk ka qenë i parashikuar në aktet e mëparshme të rregullimit të këtij procesi prej Komisionit Rregullator dhe përkatësisht në Vendimin nr. 8, datë 14.12.2020 “Për përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit ë Vendet e Numërimit të Votave në zgjedhjet për Kuvend, të datës 25 prill 2021” dhe në Vendimin nr. 01, datë 22.01.2021 “Për rregullat proceduriale për përdorimin e kamerave regjistruese e monitorëve (ekraneve) në Vendet e Numërimit të Votave”.
- duke sjellë në vëmendje se mbetet detyrë e KQZ-së që të bëjë përpjekje maksimale e të ketë qasje proaktive, brenda kuadrit ligjor ekzistues, për të parashikuar të gjitha situatat e mundshme që mund të çojnë në cënimin e integritetit të procesit, nisur nga përvojat e mëparshme negative dhe raportet e vëzhgimit ndërkombëtare e vendase, dhe bërë adresimet e duhura në kuadrin rregullator.
Gjithashtu, në veprimtarinë e tyre, të tre organet drejtuese të KQZ-së dhe administrata e saj nevojitet të kenë si objektiv madhor e prioritar të drejtat dhe liritë kushtetuese të shtetasve, mbrojtjen e votës dhe moscënimin e vullnetit të shprehur, si dhe ndërtimin e mekanizmave funksionalë e efikasë për mbrojtjen e interesave të ligjshme nga të gjithë subjektet e interesuar, qoftë subjekte zgjedhore, qoftë kandidatë apo edhe të tretë, përgjatë ecurisë së procesit zgjedhor, përfshirë procesin e drejtësisë zgjedhore.
KQZ-ja duhet të shmangë dhe mosndjekë në asnjë rast praktikën e ndjekur nga KQZ-të e mëparshme për të kryer një proces fiktiv shqyrtimi ankesash e problematikash të paraqitura, duke u dakordësuar në nivel politik për mbylljen me procedurë të tyre, me vetëm një qëllim, konkludimin sa më shpejtë të procesit zgjedhor dhe mosbërjen pis të tij;
- duke sjellë në vëmendje se aplikimi i teknologjisë prezumohet të sigurojë transparencë në shkallë të lartë, mundësi kontrolli nga të gjithë subjektet garuese e aktorët vëzhgues, e rrjedhimisht të nxisë dhe rrisë besimin e qytetarëve në rradhë të parë, por edhe të të gjithë aktorëve pjesëmarrës në zgjedhje, si: parti politike, veçanërisht ato të cilat nuk kanë anëtarë në Grupet e Numërimit të Votave, ato që nuk kanë vëzhgues apo mundësi për të mbuluar tërë VNV-të me të tillë; kandidatët e të gjithë subjekteve veçanërisht në rastin e zgjedhjeve parlamentare, përsa i përket leximit të drejtë të votimit preferencial, të vëzhguesve, etj;
- duke sjellë në vëmendje se dhënia e së drejtës për të patur regjistrimet vetëm të tavolinave të numërimit, pa u shoqëruar edhe me ato të vrojtimit të ambientit përreth, të cilat duhet të sigurojnë se kutitë e votimit dhe fletët e votimit nuk janë prekur deri në momentin e shfaqjes së tyre në tavolinat e numërimit, është një process i paplotë, i përgjysmuar dhe fiktiv.
Kamerat duhet të filmojnë dhe transmetojnë në mënyrë të pandërprerë, 24 orë rresht, të gjithë ambientin e VNV-së, duke siguruar moscënimin në asnjë formë të materialeve zgjedhore.
Përvojat e mëparshme të zgjedhjeve janë alarmante në këtë drejtim. Përmendim rastet kur vëzhgues të partive politike qëndronin në mënyrë të pandërprerë me ditë të tëra në VNV, pavarësisht se GNV-të mund të ishin në pushim, apo rastet e zgjedhjeve 2021, ku komisionerët në ambientet e VNV-ve në prezencë edhe të komisionerëve të tjerë ndërhynin e bënin shënime në fletët e votimit. Këto të fundit u zbuluan e bënë publike nga kamerat vrojtuese dhe jo ato të tavolinave të numërimit;
- duke sjellë në vëmendje se subjektet e autorizuara si vëzhgues në proces, nuk ndalohen të bëjnë filmime ambientale brenda VNV-ve, në raport me ato që mund të konsiderohen shkelje të të dhënave personale të individëve të pranishëm.
Madje këto filmime mund të bëhen në tërë VNV-të, prej tyre e të përdoren prej tyre sipas nevojave, sikurse ka ndodhur.
Kjo de facto e zhbën totalisht qëllimin e aktit për të siguruar të dhënat personale.
Për më tepër që në çdo rast, sipas gjykimit të KRIIK, ky detyrim është minor përpara detyrimeve të tjera primare që vendos kushtetuta e që lidhen me themelin e sistemit juridik e të sigurimit të vullnetit të sovranit në procesin shtetformues.
gjykon se kufizimi i parashikuar në pikën 6 të aktit duhet të hiqet.
Gjithësesi, KRIIK, mbështet qasjen se kjo problematikë duhet të rregullohet për të siguruar jo vetëm respektimin e legjislacionit për të dhënat personale , por edhe për të siguruar që të mos keqpërdoren këto të drejta për të krijuar ngërçe institucionale të paqëna apo cënuar transparencën që duhet të sigurohet përgjatë të gjithë procesit zgjedhor.
Ndaj për të evituar çdo pretendim të individëve prezentë në VNV, lidhur me keqpërdorimin e mundshëm të të dhënave të tyre personale, do të ishte me vend që të parashikohet në akt njoftimi i tyre nëpërmjet vendosjes së tabelave informuese në VNV, se ambienti është i monitoruar nga kamerat, si dhe filmimet janë me rezolucion të lartë, ruhen e shpërndahen me palë të treta ose/edhe me institucione ligjzbatuese, në rast kërkese prej tyre.
Në funksion të sa më sipër, duke mbajtur në vëmendje se, sipas përcaktimeve ligjore, personat prezentë në VNV gjatë numërimit të votave duhet të jenë të akredituar, do të ishte e udhës dhe që, në momentin e akreditimit ata të informohen dhe japin pëlqimin për shpërndarjen e mundshme të të dhënave të tyre personale, të cilat mund të jenë të identifikueshme në video-regjistrimet e VNV-ve me subjektet që mund të kërkojnë këto regjistrime.
Kjo hallkë duhet të parashikohet edhe në vendimmarrjen e Komisionerit lidhur me projektvendimet për akreditimin e vëzhguesve. (shih pikën 2 më poshtë).
Gjithashtu , vlen të theksohet se në autorizimin e dhënë subjekteve që shprehin interesin e tyre për t’i patur regjistrimet, të përcaktohen detyrimet dhe përgjegjësitë ligjore përkatëse, se këto regjistrime do të përdoren vetëm për informim dhe interes të ligjshëm të tyre, dhe, si materiale që mund të përmbajnë të dhëna personale, ata nuk duhet të bëjnë në asnjë rast të bëjnë publikimin e tyre apo shpërndarjen e tyre tek të tretë.
2. Lidhur me projekt vendimin “Për procedurat e akreditimit dhe rregullat e vëzhgimit të zgjedhjeve nga organizatat joqeveritare shqiptare dhe të huaja, organizatat ndërkombëtare, përfaqësues të shteteve të huaja dhe mediave”
Në vijim të argumentimit të bërë më sipër, të sigurimit të parimit të ligjshmërisë në tërësinë e rregullimit të së drejtës për të vëzhguar pa pengesë të gjitha aspektet e përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve, si dhe të shmangies së situatave që mund të krijohen apo nxiten për të krijuar ngërçe në procesin e sigurimit të transparencës dhe besimit ndaj ecurisë së tërë procesit zgjedhor,
KRIIK gjykon se është e nevojshme që vëzhguesit:
a) së pari, të vihen në dijeni se ambientet, ku ata do të ushtrojnë misionin e tyre (QV, VNV), janë të survejuara me kamera 360º të cilat regjistrojnë në mënyrë të pandërprerë dhe gjatë të cilit mund të regjistrohen elementë që mund të përbëjnë të dhëna të tyre personale. Regjistrime këto të cilat do të ruhen për një afat 10 vjeçar dhe mund të përdoren për efekt të verifikimeve që mund të bëjnë subjektet zgjedhore dhe kandidatët, vëzhguesit dhe organet ligjzbatuese, apo që edhe mund të publikohen eventualisht në rast të ngjarjeve problematike;
b) së dyti, të shprehin dakordësinë e tyre dhe japin pëlqimin paraprakisht, edhe në rast të filmimit të mundshëm të të dhënave të tyre personale, për përdorimin e regjistrimeve në funksion të verifikimeve që mund të bëjnë subjektet zgjedhore dhe kandidatët, vëzhguesit dhe organet ligjzbatuese, apo edhe për publikimin eventualisht të tyre në rast të ngjarjeve problematike.
Për këtë propozohet që KQZ-ja të hartojë dhe miratojë një deklaratë shtesë me përmbajtje informimin dhe dhënien e dakordësisë paraprake prej vëzhguesit, e cila duhet të firmoset prej tij.
Kjo deklaratë e vezhguesit duhet të jetë pjesë e dokumentacionit të nevojshëm që paraqitet për tu akredituar nga ana e subjekteve të parashikuara nga ligji.
3. Lidhur me afatet e parashikuara në Vendimin nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator, lidhur me raportimin e veprimtarive të institucioneve publike.
KRIIK ka filluar tashmë procesin e monitorimit të sjelljes së institucioneve publike, si dhe përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë elektorale, procese për të cilat është mbajtur një komunikim i vazhdueshëm me KQZ-në.
Përpos elementëve që KRIIK i konsideron me shumë rëndësi për t’u adresuar dhe përfshirë në Vendimin nr. 9 të Komisionit Rregullator, të përcjella në KQZ nëpërmjet Dokumentit me Rekomandime për përmirësimin e kuadrit rregullator ligjor për zgjedhet vendore 2023 , një element tjetër i parashikuar në këtë Vendim dhe që ka nevojë për qartësim janë afatet lidhur me raportimin e institucioneve dhe ndalimin që mund të bëjë KQZ-ja.
Konkretisht, neni 4 pika 4 e vendimit nr. 9 parashikon se “raportimi në ndërfaqe duhet të kryhet jo më vonë se 5 ditë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë ose aktivitetit publik”.
Edhe në pikën 2 të nenit 9 caktohen afatet e kontrollit, paraqitjes së kërkesave nga të tretë dhe ndalimit të zhvillimit të aktivitetit: “Personat e tretë që paraqesin kërkesë tek Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve për të kërkuar ndalimin e një veprimtarie publike, duhet ta paraqesin jo më vonë se tre ditë nga data e planifikuar e mbajtjes së saj.
[…] Komisioneri bën shqyrtimin administrativ të kërkesës dhe vendos në lidhje më të jo më vonë se dy ditë para zhvillimit të veprimtarisë”.
Pra nëse i referohemi afateteve të raportimit ato llogariten me ditë kalendarike, ndërkohë që në pjesën e kontrollit dhe ndalimit këto afate nevojiten të konsiderohen me ditë pune, në mënyrë që të bëhet i mundur shqyrtimi administrativ dhe vendimmarrja e Komisionerit.
Duke qenë afate shumë të ngushta, koha në dispozicion të KQZ-së për të shqyrtuar e verifikuar rastin është mjaft e limituar, madje potencialisht edhe e pamundur të ndërmerret.
Konkretisht, në rastin e ditëve të pushimit apo të festave zyrtare, bëhet gati e pamundur vendimmarrja e KQZ-së për shkak se dita e punës, në të cilën duhet bërë shqyrtimi administrativ dhe duhet marrë vendim për ndalimin e mundshëm të një veprimtarie, mund të bjerë në ditën kur veprimtaria zhvillohet apo pasi ajo është zhvilluar, duke bërë kështu nul mekanizmin parandalues.
Në Raportin e Konstatimeve të përcjella mbi javën e parë të raportimeve, KRIIK, ashtu sikurse administrata e KQZ-së, i ka përllogaritur afatet e raportimit prej institucioneve si ditë kalendarike.
Nevojitet që KQZ të saktësojë në mënyrë të detajuar përllogaritjen e afateve dhe unfikimin në parashikim të tyre.
Lidhur me gjithë sa më sipër, për të siguruar një tablo sa më të qartë dhe bërë funksional mekanizmin parandalues të parashikuara nga ligji, KRIIK sugjeron se:
a) nevojitet që tërë afatet të llogariten me ditë pune, pasi qoftë institucionet qoftë KQZ-ja ushtrojnë veprimtarinë e tyre në ditët zyrtare të punës.
Gjithashtu, për efekt të pasjes së kohës së nevojshme në dispozicion, për të bërë shqyrtimin administrativ të çështjes apo edhe verifikimet e nevojshme, afati 5 ditor i ditëve të punës për deklarimin e veprimtarisë nevojitet të jetë i plotë, përjashtuar ditën e deklarimit dhe të mbajtjes së veprimtarisë.
Komisioni Rregullator nxitet të marrë sa më parë në konsideratë këtë shqetësim dhe adresojë atë nëpërmjet saktësimit të afateve në vendimin 9 të tij të datës 24.12.2020.
b) nevojitet që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve të bëjë interpretimin e duhur të afateve aktuale të parashikuara sipas gjykimit të tij, duke orientuar dhe qartësuar të gjithë aktorët e përfshirë në vijimin e procesit.
Nga komunikimi i KRIIK me administratën e KQZ-së, parashikohet që në seancën e datës 25.01.2023, Komisioneri të shqyrtojë raste të institucioneve të cilët kanë raportuar në shkelje të afatit ligjor në ndërfaqen e dedikuar.
Konsiderimi i shqetësimit, njoftimi publik mbi mënyrën e leximit dhe vendosja e praktikës nëpërmjet vendimmarrjes së Komisionerit, do t’i shërbejnë qartësimit të përllogaritjes që duhet bërë për respektimin e afatit nga institucionet raportuese, informimin e palëve të treta që mund të depozitojnë indicie se veprimtaria mund të përbëjë shpërdorim të burimeve shtetërore, apo edhe për aktorët monitorues të këtij procesi.