KRIIK po monitoron nga afër dhe në tërësi mospërdorimin e burimeve shtetërore për fushatë zgjedhore, ku element kryesor mbetet zbatimi i mekanizmit të parashikuar në kuadrin ligjor prej KQZ-së, për ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore.
Sikurse eshte bere me dije në Dokumentin “REKOMANDIME lidhur me ndërfaqen e raportimeve të veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore të ngritur prej KQZ-së” të dërguar nëpërmjet e-mailit më datën 14 janar 2023 dhe në Dokumentin “QËNDRIM PUBLIK – Mos shpërdorimi i burimeve shtetërore si dhe sjellja korrekte dhe e paanshme e nëpunësit të administratës publike, thelbësorë për sigurimin e vullnetit të pacënuar të qytetarit në ushtrimin e së drejtës së votës” të publikuar më datë 16 janar 2023, ndërfaqja e raportimeve përbën elementin kyç për zbatimin ose jo të kuadrit ligjor për raportimin e veprimtarive të institucioneve publike dhe monitorimin e tyre. Tërë kjo në përmbushje të synimit madhor për ndalimin e krijimit të avantazhit elektoral nga partia politike në pushtet.
Sektori/ët përkatës të administratës së KQZ-së, të ngarkuar për të zbatuar mekanizmin e raportimit dhe monitorimit nevojitet të bëjnë organizimin e duhur të punës për ta ndjekur atë me vëmendje, kujdes dhe rigozitet në tërë hallkat përbërëse të tij.
Gjithashtu ndërveprimi i këtyre sektorëve me Monitoruresit e fushatës në terren nevojitet të jetë në qendër të procesit verifikues e monitorues, përpara apo gjatë zhvillimit të veprimtarive, përpos procesit të verifikimit/informimit më të plotë që duhet bërë paraprakisht apo aposteriori nga vetë nëpunësit e këtyre sektorëve.
Në funksion të këtij qëllimi, në gjykimin e KRIIK, nevojitet që KQZ-ja të vërë në dispozicion në shkallën më të lartë teknologjinë e informacionit që ekziston sot në treg për të siguruar avantazhe domethënëse për monitorimin, përpunimin dhe kryqëzimin e të dhënave dhe informacioneve, verifikimin apo shpërndarjen e tyre.
Gjithashtu, të angazhojë burime njerëzore shtesë nga nëpunësit e përkohshëm të parashikuar, nëse gjykohet e nevojshme, për të ndihmuar stafin tashmë të angazhuar në përmbushjen e plotë të detyrimeve të parashikuara, duke u kujdesur së pari për trajnimin e duhur dhe të thelluar të tyre.
Në kuadër të gjithë sa më sipër, ndër të tjera, KRIIK është duke monitoruar me shumë kujdes raportimet e publikuara në ndërfaqen e raportimeve të veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore.
Gjatë monitorimit të javës së parë të funksionimit të ndërfaqes (13-19 janar 2023), KRIIK ka evidentuar disa problematika të cilat lidhen me:
1. mosrespektimin e afatit ligjor 5 ditor përpara zhvillimit të aktivitetit;
2. kryerjen e veprimtarive publike, pavarësisht se nuk janë raportuar në ndërfaqen e raportimeve në KQZ;
3. zhvillimin e veprimtarive qartazi të ndaluara për t’u zhvilluar nga institucionet;
4. domosdoshmërinë e analizimit të informacionit të përcjellë dhe kryerja e investigimit paraprak mbi veprimtaritë potencialisht në shkelje me ligjin.
Konkretisht:
- Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë (më pak se pesë ditë përpara ditës së aktivitetit) vijon të jetë shqetësuese. Siç jeni në dijeni, KRIIK ka evidentuar se gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2021, rreth 72% aktiviteteve (906/1254) janë raportuar më pak se pesë ditë përpara (Raporti Final i KRIIK për Zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021, faqe 71).
Në procesin aktual zgjedhor, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve më datë 12 janar 2023 iu kujtoi, nëpërmjet Dokumentit “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve ujtesës së dërguar institucioneve”, tërë institucioneve të parashikuara për të raportuar detyrimet ligjore të parashikuara dhe masat përkatëse.
Referuar pikës 3 të Dokumentit, lidhur me detyrimin për zbatimin e afatit 5 ditor, bëhet me dije se “në rast se nuk respektohet ky afat veprimtaria do të ndalohet.”
KRIIK ka evidentuar se, megjithë këtë kujtesë dhe masën e parashikuar, raportimi me vonesë vijon të jetë mjaft i përhapur, ndërkohë që asnjë veprimtari nuk është ndaluar.
Nisur nga fakti se ndërfaqja e raportimeve u bë aktive më datën 13 janar, si dhe me mirëkuptimin ekstraligjor që mund të tregohet në këtë rast për shkak se ky proces raportimi sapo ka nisur, KRIIK ka kryer përllogaritjen e aktiviteteve të raportuara me vonesë.
Kjo përllogaritje është kryer duke eliminuar:
- të gjitha aktivitetet e parashikuara deri në datën 17 janar (pra që ishte e pamundur të raportoheshin në sistem në kohë), duke mbajtur në konsideratë faktin se sistemi i raportimit u hap për institucionet vetëm në datën 13 janar, pavarësisht se ky raportim mund të kryhej prej tyre edhe nëpërmjet adresës së dedikuar të e-mail-it;
- aktivitetet emergjente, të cilat përgjithësisht kanë të bëjnë me situatën e reshjeve ditët e fundit (6 të tilla); si dhe
- 1 aktivitet nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, i cili është raportuar dy herë;
Nga përllogaritja rezulton se sërish 30% e raportimeve janë kryer me vonesë.
Specifikisht, nga 80 aktivitete të planifikuara apo zhvilluara tanimë pas datës 17 janar dhe që nuk janë aktivitete urgjente apo të dubluara, 24 aktivitete janë raportuar me vonesë (gjeni bashkëlidhur Lidhjen 1 me listën e këtyre aktiviteteve si dhe të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
KRIIK gjykon se nevojitet një vendimmarrje e menjëhershme e KQZ-së lidhur me këtë detyrim ligjor tani në nisje të këtij procesi 4-mujor, për të zhbërë perceptimin e krijuar nga praktika e ndodhur në dy proceset e mëparshme zgjedhore, se KQZ-ja do të qëndrojë inaktive apo zemërgjerë në këtë proces.
Për të lehtësuar punën e KQZ-së dhe të institucioneve raportuese për ndalimin e aktiviteteve që raportohen me vonesë, KRIIK rekomandon se do të ishte me vlerë dhe më funksionale që në sistemin e raportimit të integrohej një mekanizëm sigurie, i cili në momentin që një veprimtari raportohet përtej afatit të përcaktuar (pra, kur numri i ditëve mes datës së aktivitetit dhe datës së raportimit është më i vogël se 5), përdoruesit të institucionit përkatës t’i shfaqet automatikisht një mesazh se ky aktivitet nuk mund të kryhet pasi është raportuar jashtë afatit.
Në këtë konfigurim duhen të parashikohen përjashtimisht rastet kur mund të ketë arsye të forta për zhvillimin e aktiviteteve që e justifikojnë kryerjen e tij, (p.sh. rastet e emergjencave, apo të tjera.)
- Veprimtari publike të zhvilluara, por të paraportuara
Bazuar në një monitorim jo sistematik të faqeve të disa institucioneve në mediat sociale dhe të mediave, KRIIK ka evidentuar se gjatë periudhës 13 – 19 janar 2023, së paku 11 veprimtari publike, të cilat rezultojnë se nuk janë raportuar nga institucionet respektive në ndërfaqen e KQZ-së. (Gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 2 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e këtyre veprimtarive).
Lidhur me këtë konstatim, KRIIK sjell në vëmendjen tuaj se:
- Konstatimi bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar pasi nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në faqen e KQZ-së.
Nga komunikimi i bërë një ditë më parë me administratën e KQZ, është bërë me dije se disa institucione kanë ende probleme me përdorimin e sistemit.
Në çdo rast, gjykohet se mosraportimi i veprimtarive nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë, pasi institucionet mund të kishin raportuar me e-mail, sikurse parashikohet qartë në udhëzimet e KQZ-së.
Nga ana tjetër, nëse njoftimi është kryer prej institucionit, postimi duhet të ishte hedhur në mënyrë të menjëhershme dhe të pasqyrohej nga administrata e KQZ-së në faqen e internetit.
Raportimi mbi veprimtaritë dhe gjykimi mbi to, nuk mund të limitohet vetëm në njoftimin e KQZ-së, pasi jo më kot ligji parashikon publikimin e menjëhershëm në faqen e internetit për opinionin publik, ndërkohë që ky moment përbën edhe faktin publik të nisjes së afateve për proceset monitoruese të parashikuara në vijim.
- Duke qenë se raportimet vijojnë të jenë jo shterueshëm të qarta, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej këtyre aktiviteteve të jetë raportuar në faqe, por përshkrimi të jetë aq i paplotë sa të mos ketë qenë e mundur të identifikohet si i raportuar.
Konkretisht, në Lidhjen nr. 2, mund të referohet aktiviteti i paraqitur nga Ministria e Kulturës për t’u zhvilluar në datën 18.01.2023.
Ministria ka raportuar për zhvillimin e një aktiviteti në këtë datë, por duke mos patur të specifikuar as temën dhe as qëllimin e tij, është i pamundur identifikimi konkret i aktivitetit. Linku për aksesimin e raportimit të Ministrisë së Kulturës https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/17/ministria-e-kultures-2022/
Mënyra e plotësimit të fushave të kërkuara për raportim lidhur me këtë aktivitet, është një sjellje totalisht joserioze dhe duket se është kryer në mënyrë të tillë për të ridikulizuar këtë mekanizëm ligjor.
KRIIK nxit KQZ-në që çdo rast të tillë të ngjashëm mosraportimi në mënyrë të qartë dhe të plotë nga ana e institucioneve, ta konsiderojë nul, pra të pa raportuar.
Nga ana tjetër, ky rast sjell edhe njëherë në vëmendje domosdoshmërinë e marrjes në konsideratë në mënyrë të menjëhershme të shqetësimit të adresuar nga KRIIK nëpërmjet emailit të datës 14.01.2023, për shtimin e fushave të detyrueshme për tu plotësuar me informacion të detajuar me synim krijimin e një panorame sa më të qartë mbi veprimtarinë publike që do të organizohet.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara duhet të jetë më i lartë, pasi siç u citua më sipër, aktivitetet e gjetura bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Ndaj nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet vendimmarjeve institucionale të sigurojë dhe propogandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, ndëkohë që duhet të rrisë mënyrat e ndërgjegjësimit paraprakisht për zbatimin e detyrimeve ligjore të parashikuara për tu përmbushur nga aktorët institucionalë.
- Aktivitete të ndaluara, të zhvilluara gjatë periudhës së ndalimit
3.1. Referuar ndalimeve të parashikuara në Vendimin nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator, ndër të tjera, ndalohet edhe shpërndarja e titujve të ndryshëm të pronësisë tek qytetaret, konkretisht neni 3, pika 1.3 gërma a dhe b, “Veprimtari të ndaluara janë ato veprimtari që përfshijnë a) shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve, në periudhën n4 mujore para datës së zgjedhjeve; b) shpërndarjen në veprimtari publike të akteve për regjistrimin e tokës bujqësore, certifikatave të pronësisë, dhe çfarëdolloj titulli pronësie ……”.
Nga vëzhgimi i KRIIK, sipas një kronike të transmetuar në media (https://tvklan.al/legalizimet-e-pronave-ne-gose-e-spille/), në datën 13 janar 2023, pra në ditën që nisi afati katër-mujor kur disa aktivitete janë të ndaluara, Drejtori i Agjencisë së Kadastrës Shqiptare, z. Artan Lame shpërndau çertifikata legalizimi për banorë të Gosës dhe Spillesë në një aktivitet publik.
Gjithashtu, theksohet se ky aktivitet nuk është raportuar në ndërfaqen e KQZ-së nga institucioni organizator.
Informacioni që KRIIK disponon lidhur me këtë aktivitet është vetëm kronika e transmetuar në mediat Klan TV dhe Klan Plus TV në datën 13 janar 2023. https://www.youtube.com/watch?v=dp4GxZ0cAQU .
Bazuar në sa më sipër, nëse aktiviteti i shfaqur më lart është realizuar më datë 13 janar 2023, ai ka qenë haptazi në shkelje të Vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator.
KRIIK nxit KQZ-në, që ta konsiderojë këtë informacion si indicie dhe të kryejë në mënyrë institucionale verifikimet e nevojshme për ta shqyrtuar dhe dhënë konsideratën e saj mbi këtë rast.
Në gjykimin e KRIIK, sikurse është bërë me dije publikisht, për çdo indicie apo informacion për të cilin vihet në dijeni, KQZ-ja duhet të marrë hapat e nevojshëm verfikues duke marrë vetë barrën e provës përballë institucioneve dhe aktorëve politikë që kryejnë shkelje, dhe jo ta lërë barrën e provës tek qytetari denoncues.
3.2 Bashkia Librazhd ka raportuar fillimisht, në datën 16.01.2023, në ndërfaqe https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/16/takim-me-pensionistet/ dhe më pas ka zhvilluar një aktivitet publik në datën 18.01.2023 me temë “Takim me pensionistët”.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Z. Damian Gjiknuri.
Aktiviteti është pasqyruar në disa media, një prej të cilave televizioni kombëtar Klan TV (e gjeni në këtë link https://tvklan.al/gjiknuri-takim-me-pensionistet-e-librazhdit-ps-vemendje-per-adresimin-e-nevojave-te-moshes-se-trete/ ).
Në fjalën e mbajtur prej tij Z.Gjikunuri ka bërë qartas fushatë elektorale, duke thënë shprehimisht: “Zgjedhjet duam t’i fitojmë, jo thjesht për të mbajtur flamurin e pushtetit sepse Partia Socialiste ka fituar gjithmonë në Librazhd. Qeveri – bashki të jemi një. Ne nuk duam që bashkitë tona të kthehen në luftëra politike. E vetmja gjë që thotë Sali Berisha është ky vend ka nevojë për revolucion për përmbysje. Pse do marrim armët ne do luftojmë, do përmbysim qeverinë tonë? Dëshirë vetëm ai ka për ta përmbysur. Njerëzit mund të kenë kritika dhe kritika e zhvillon shoqërinë. Berisha me Metën, që na janë bërë bashkë, duan si e si të kthehen në pushtet. Unë nuk shoh asnjë rrezik nga ata. Përveç dëshirës për destabilitet ata nuk ofrojnë asnjë alternativë zhvillimi. Nuk e pranon njeri as nga ndërkombëtarët. Ai ka hallin e tij. Ka ardhur dhe ish – presidenti e janë bërë bashkë. Thotë dhe ai: të më jepet dhe mua shansi. Njeri i stërprovuar që e ka tkurrur partinë, për shkak të imazhit, në nivele pothuajse të papërfillshme në elektorat”.
Në pikën 8 të Dokumentit “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve ujtesës së dërguar institucioneve”, që Komisioneri i ka dërguar institucioneve, thuhet shprehimisht se: “Gjatë zhvillimit të veprimtarive sipas pikës 7, të kësaj kujtese, ndalohen thirrjet, apo fjalimet me përmbajtje partiake ose zgjedhore në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati”.
Përgjatë aktivitetit të sipërcituar, të organizuar nga Bashkia Librazhd, janë kryer thirrje me përmbajtje partiake ose zgjedhore, përpos se aktiviteti që në lajmërimin e tij dukej qaratzi që do të ishte me natyrë elektorale.
Qëllimi i implementimit të gjithë mekanizmit ligjor të raportimit paraprak nga institucionet publike, është pikërisht parandalimi i përdorimit të burimeve shtetërore për fushatë elektorale, një rast që duket qartazi se ka ndodhur në aktivitetin e sipërcituar.
Në këto kushte në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja duhet ta marrë urgjentisht në konsideratë dhe të marrë masat përkataëse të parashikuara mnga ligji.
Mosreagimi apo reagimi i përciptë në raste të tilla, përbën një rrezik me kosto shumë të lartë jo vetëm në lidhje me zhbërjen e mekanizmit të parashikuar për parandalimin e shpërdorimit të burimeve shtetërore, por edhe për sigurinë e zbatimit të ligjit dhe të vetë autoritetit insitucional të Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në tërë procesin zgjedhor.
- Domosdoshmëria e analizimit të informacionit të përcjellë dhe kryerja e investigimit paraprak mbi veprimtaritë potencialisht në shkelje me ligjin.
KRIIK risjell në vëmendjen tuaj dhe të administratës së KQZ-së se tërë ky mekanizëm mbikëqyrës ndaj aktiviteteve të institucioneve publike gjatë periudhës katër mujore përpara zgjedhjeve, ka për qëllim parandalimin e përdorimit të burimeve publike për të krijuar avantazhe në garën zgjedhore, e në këtë rast në Zgjedhjet për Qeverisjen Vendore të 14 majit 2023.
Sikurse jeni në dijeni, qoftë raportet ndërkombëtare, qoftë ato të vëzhguesve vendorë (përfshi raportet e KRIIK) e kanë evidentuar përdorimin e burimeve shtetërore për avantazh zgjedhor, si një nga problematikat më të mprehta të zgjedhjeve në vend.
Duke qenë të ndërgjegjshëm se shpesh nuk është e thjeshtë për të kryer një ndarje të qartë mes aktiviteteve legjitime që institucionet shtetërore kanë për detyrë të kryejnë dhe aktiviteteve të cilave u jepen tone elektorale, këto të fundit konsiderohen jo-legjitime dhe jo të ligjshme, duke përbërë abuzim me burimet shtetërore, e si të tilla duhet të parandalohen.
Ky është në thelb qëllimi i gjithë mekanizmit të raportimit, pra parandalimi i këtij fenomeni, i cili shkel paragrafin 5.4. të Dokumentit të Kopenhagës.
Në këtë kuadër, KRIIK nxit KQZ-në të adoptojë qasje proaktive në shqyrtimin me shpejtësi dhe efikasitet të informacionit të përcjellë për të mundësuar parandalimin e çdo aktiviteti, i cili do të mund të manifestojë tone apo ngjyrim politik elektoral.
Nga monitorimi i bërë aktiviteteve të raportuara për tu kryer, KRIIK ka evidentuar se disa prej tyre kanë qartazi një risk të lartë për keqpërdorim, nisur vetëm nga informacioni i përcjellë.
Pa qenë shterues në numrin e rasteve, sillen në në vëmendje dy rastet e mëposhtme:
4.1. Veprimtaria publike e organizuar nga Bashkia Librazhd – Takim me pensionistët – https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/16/takim-me-pensionistet/ , në datën 18 janar 2023.
Lidhur me këtë aktivitet, Bashkia Librazhd informon se:
- Do të jetë një aktivitet “Aktivitet ndërgjegjesues/informues”, me qëllimin për të kryer “Bashkebisedim me pensionistet mbi bonusin e Pakos se Madhe dhe shperblimit te fundvitit”;
- Aktiviteti do të kryhet në “Emidesa Librazhd” (një Bar Restorant, shënim i KRIIK), në ora 11.15, me një pjesëmarrje të parashikuar prej 100 personash;
- Folësit kryesorë do të jenë: “Damian Gjiknuri | Kastriot Gurra”, përkatësisht ‘‘Sekretar i Pergjithshem i Partise Socialiste | Kryetar i Bashkise”.
Ky aktivitet konsiderohet i faktuar tashmë që u përdor për arsye elektorale, sikurse u trajtua në pikën 3.2 të këtij dokumenti.
4.2. Veprimtaria publike e organizuar nga Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët – Takim me nxënësit e senatit të gjimnazit Partizani –https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/19/takim-me-nxenesit-e-senatit-te-gjimnazit-partizani/ , e parashikuar për tu zhvilluar më datën 24 janar 2023.
- Do të jetë një aktivitet “Aktivitet ndërgjegjesues/informues”, me qëllimin për të kryer “Diskutim në grup për pjesëmarrjen e të rinjve në politike”;
- Aktiviteti do të kryhet tek “Biblioteka “Hamit Beqja””, në ora 17.30, me pjesëmarrës “Të rinj gjimnazistë”;
- Titulli aktivitetit njofton se ky takim me të rinjtë gjimnazistë është konkretisht “Takim me nxënësit e senatit të gjimnazit Partizani”;
- Folësit kryesorë do të jenë: “Znj. Bora Muzhaqi”, përkatësisht ‘‘Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët”.
Ky aktivitet duket se ka një risk shumë të lartë për tu përdorur për arsye elektorale, nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.
Gjithashtu nga shqyrtimi i informacionit të përcjellë, evidentohet mundësia e kryerjes së disa shkeljeve të tjera ligjore.
Konkretisht:
- Aktiviteti konstatohet se së pari është me të rinj gjimnazistë, një pjesë e të cilëve, me shumë gjasë, konsiderohen minorenë pasi mund të jenë nën 18 vjeç.
Kjo e bën të papërshtatshme diskutimin me ta për politikën dhe pjesëmarrjen në të.
Në një rast të tillë ngrihen pikëpyetje nëse prindërit e këtyre minorenëve janë njoftuar dhe kanë dhënë dakordësinë e tyre paraprakisht;
- Të rinjtë janë sjellë në mënyrë të organizuar në takim, pasi në të do të marrin pjesë “nxënësit e senatit të gjimnazit Partizani”, pra vetëm ata që janë anëtarë të senatit.
Duket se strukturat drejtuese të shkollës janë angazhuar për të bërë identifikimin dhe njoftimin e anëtarëve të senatit të nxënësve të gjimnazit.
Gjithashtu, duket se strukturat drejtuese të shkollës ata kanë bërë organizimin, për të siguruar pjesëmarrjen e tyre dhe zhvilluar një takim politik me Ministren përgjegjëse për interesat e të rinjve dhe fëmijëve, pas orarit zyrtar të mësimit;
- Nevojitet të bëhen verifikimet përkatëse, pasi në disa prej shkollave të Tiranës, për shkak të ngarkesës mësimore, kryhet mësim edhe mbasdite.
Nëse ky do të ishte edhe rasti i gjimnazit Partizani, shkelja do të ishte akoma më e rëndë pasi ky aktivitet kryhet gjatë orarit mësimor;
- Takimi me të rinj gjimnazistë dhe diskutimi me ta për pjesëmarrjen në politikë, nuk mund të jetë në asnjë rast, pjesë e detyrave funksionale të “Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët”, i cili duhet të sigurohet për mbrojtjen e të drejtave të tyre, përfshirë edhe mos lejimin e politikës për t’i shkelur apo shpërdoruar ato.
Në opinionin e KRIIK, ky aktivitet duket qartazi që përbën shpërdorim, ndaj duhet TË NDALET.
Por, KRIIK nxit KQZ-në që të investohet paraprakisht për t’u dhënë përgjigje gjithë pikëpyetjeve të shprehura më sipër dhe vendosur për ndalimin ose jo të veprimtarisë, pavarësisht mosrespektimit të mundshëm të afatit 2 ditor përpara datës së parashikuar të zhvillimit të veprimtarisë.
Nevojitet angazhimi i plotë i KQZ-së për verifikimin e të gjitha rrethanave dhe të qëllimit real të organizimit të këtij aktiviteti.
Kjo për të siguruar, ndër të tjera, rritjen ndjeshëm të ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë aktivitet, por edhe të gjithë aktorëve të tjerë, si dhe të gjithë opinionit publik lidhur me qasjen proaktive që do të ketë e manifestojë KQZ-së për të parandaluar çdo shkelje të ligjit, për periudhën në vijim deri në ditën e zgjedhjeve.
Madje në rastin kur nga informacioni i marrë nga procesi verifikues, nuk rezulton asnjë shkelje, KRIIK gjykon se KQZ-ja duhet ta vazhdojë angazhimin e vet duke ia përcjellë rastin Monitoruesit të fushatës në qytetin e Tiranës për ta ndjekur dhe faktuar përdorimin ose jo të veprimtarisë për çështje elektorale.
Shkarko dokumentin zyrtar derguar KQZ