Shkarko dokumentin zyrtar derguar KQZ-se
Në vazhdën e gjithë procesit të konsultimit, bazuar në përvojën dhe problematikat e vërejtura në proceset pararendëse zgjedhore, KRIIK i paraqiti KQZ-se disa elementë të kuadrit ligjor të cilat të cilat në gjykimin e KRIIK janë në përgjegjësinë dhe kompetencën e KQZ-së, dhe që nevojitet të merren në shqyrtim dhe të rishikohen, për të përmirësuar gjithë kuadrin rregullator për zgjedhjet lokale të vitit 2023.
1. Listat e zgjedhësve
Emërimi i auditëve si dhe kushtet e punës së tyre bazohen në Kodin Zgjedhor, neni 61, si dhe në Udhëzimin e KQZ nr. 2 datë 28.12.2012. Ndryshimet e fundit në nenin 61 të Kodit Zgjedhor janë bërë në vitin 2020 me ligjin 101/2020. Në këto kushte edhe udhëzimi duhet përditësuar duke qenë se baza ligjore ka ndryshuar.
Sipas ligjit KQZ është institucioni që mbikëqyr procesin e hartimit të listave të zgjedhësve (neni 61, pika 1 e Kodit Zgjedhor “KQZ-ja mbikëqyr procesin e hartimit të listave, duke i kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe njësive të qeverisjes vendore për….”). Për realizimin e plotë të këtij detyrimi, disa elemente të vërejtura në vazhdimësi të proceseve zgjedhore, duhet të jenë pjesë e udhëzimit por edhe e urdhrave të Komisionerit në funksion të zbatimit të ligjit.
Specifikisht:
- Auditët teknicienë duhet të paraqesin raport auditimi çdo muaj në KQZ, Kodi Zgjedhor Neni 61 pika 7 “Auditët teknicienë i paraqesin një raport auditimi çdo muaj KQZ-së për gjetjet e auditimit, sipas detyrave të përcaktuara nga KQZ-ja ose për vërejtje apo çështje që lidhen me zbatimin e legjislacionit në lidhje me regjistrin e gjendjes civile”.
- Gjetjet e raporteve, së bashku me kërkesën për sqarime i dërgohen për shpjegime DPGJC. Neni 61 pika 8 “KQZ-ja ia përcjell gjetjet dhe rekomandimet e auditëve teknicienë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile brenda 48 orëve, duke i kërkuar njëkohësisht shpjegime për to”.
- Raportet e auditëve duhet të prezantohen, shqyrtohen dhe miratohen gjithmonë në seanca publike.
Në vijimësi të proceseve zgjedhore, pavarësisht se auditët kanë ngritur problematika shpesh të konsideruara tepër serioze, KQZ-ja është mjaftuar me përmbushjen e detyrimit ligjor të përcjelljes së raporteve në DPGJC dhe publikimin e tyre në faqen e internetit. Në zbatim të ligjit, përpos etapave të mësipërme, KQZ duhet t’i kushtojë vëmendje nëpërmjet mekanizmave të brendshëm gjithë procesit pas përcjelljes së raporteve të auditëve në DPGJC, duke:
- Publikuar të gjitha shpjegimet në faqen zyrtare të internetit, sipas Kodit Zgjedhor (Neni 61 pika 8 “Raportet e auditëve dhe shpjegimet e DPGJC-së bëhen publike nga KQZ-ja”).
- Kryer shqyrtimin e shpjegimeve të DPGJC në seancë publike, sipas rastit edhe me prezencë të DPGJC dhe auditëve.
- Përcaktuar afate lidhur me gjithë procesin sa më sipër,
Zbatimi i sa më sipër bazohet në gjykimin se, sipas gërmës dhe frymës së ligjit, qëllimi i mbikëqyrjes nga KQZ të procesit të hartimit të listës së zgjedhësve konsiston në qëndrimin aktiv ndaj problematikave të vërejtura prej auditëve, duke ndërmarrë hapa konkretë në ndjekjen e deri në zgjidhjen e tyre.
1.2. Në vazhdimësi, në çdo raund zgjedhor KRIIK ka vërejtur se detyrimi i pushtetit vendor për të realizuar njoftimin me shkrim të zgjedhësve (Neni 52 i Kodit Zgjedhor) përmbushet në mënyrë të pjesshme dhe jo konsistente.
Nga komunikimi që KRIIK ka patur me Ministrinë e Brendshme, bashkitë dhe KQZ-në për të kryqëzuar informacionin në Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2021 u vërejt se informacioni që bashkitë i kanë dërguar KRIIK në shumë raste nuk përputhej me atë të dërguar nga Ministria e Brendshme apo me atë që ishte raportuar në KQZ.
Duke e vlerësuar si veçanërisht të rëndësishëm këtë proces, i cili shërben jo thjesht si njoftim që rrjedh nga një detyrim ligjor i mirëpërcaktuar, por edhe si forma më e mirë për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për zgjedhjet dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në to, KRIIK sugjeron që KQZ t’i kushtojë vëmendje të veçantë nëpërmjet nxjerrjes së urdhrave procesit të mbikëqyrjes së përmbushjes së këtij detyrimi prej bashkive në mënyrën e duhur, duke intensifikuar komunikimin me to.
2. Regjistrimi i subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve
Udhëzimi nr. 1 datë 23.12.2020 i cili përcakton rregullat për regjistrimin e kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore, përmban disa elementë të cilët, sipas gjykimit të KRIIK, kanë nevojë për ndryshime.
2.1. Udhëzimi parashikon, ndër të tjera, detyrimin për hapjen prej subjekteve zgjedhore të numrit të llogarisë së posaçme bankare dhe dorëzimin e saj në KQZ.
Në zgjedhjet e vitit 2021, KQZ ka bërë një hap pozitiv në aplikimin e kthimit të dokumentacionit në rast mungese të kësaj pike. Megjithatë, më pas u konstatua nga auditët se, në disa raste llogaria nuk ishte llogari e posaçme për fushatën, por një llogari që partia përdorte në aktivitetin e saj normal.
Në këto rrethana sugjerohet që KQZ të aplikojë paraprakisht mekanizma kontrolli për të verifikuar nëse numri i llogarisë së dorëzuar është ai i një llogarie bankare të hapur posaçërisht për fushatën elektorale. I njëjti mekanizëm duhet të aplikohet edhe për kandidatët.
2.2. Gjithashtu udhëzimi përcaktoi si detyrim për kandidatët dorëzimin dhe publikimin në faqen zyrtare të internetit të jetëshkrimit. Formati përkatës i miratuar ishte minimalist dhe i tillë që u lë mundësi kandidatëve të shmangen nga detyrimi për të ofruar transparencë të plotë mbi edukimin, formimin, angazhimin dhe të shkuarën e tyre.
KRIIK gjykon se qytetarët duhet të jenë sa më mirë të informuar lidhur më çfarë përfaqësojnë kandidaturat e propozuara nga subjektet zgjedhore, aq më tepër në rastin e zgjedhjeve për këshillat bashkiakë ku tipikisht, një pjesë e konsiderueshme e kandidatëve bëjnë pak fushatë të drejtpërdrejtë.
Në këtë kontekst KRIIK gjykon se krijimi i një formati jetëshkrimi sa më të detajuar të kandidatëve do t’i shërbente informimit më të mirë të publikut mbi integritetin dhe angazhimet e tjera që secili kandidat ka patur ose ka.
2.3. Partitë politike janë subjekte juridike të cilat manifestojnë “bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkët politikë, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje” (Ligji Për partitë politike, Neni 1).
Në raport me funksionimin në praktikë mbetet problem sjellja e tyre jo në përputhje të plotë me detyrimet ligjore të parashikuara prej legjislacionit në fuqi dhe vetë statuteve të partive, ku në vijimësi ka patur pjesëmarrje në zgjedhje të partive kryetarët apo organizmat drejtuese të të cilave nuk kanë qenë legjitim, në kuptim të statutit të partisë.
Në këto kushte procesi i regjistrimit të partive politike si subjekte zgjedhore, fillimisht duhet të konsiderojë edhe përmbushjen e detyrimeve statutore nga vetë ato.
3. Monitorimi i medias
Ndryshimet ligjore të vitit 2020 eliminuan Bordin Mbikëqyrës të Mediave duke e kaluar totalisht përgjegjësinë e monitorimit tek AMA. Në Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2021 metodologjia e monitorimit u bazua në vendimin nr. 2 datë 30.01.2021 të Komisionit Rregullator.
3.1. KRIIK ka vlerësuar se në dy proceset e fundit zgjedhore, KQZ dështoi të garantonte synimin parësor të mekanizmit mbikëqyrës të medias: informimin e publikut në mënyrë të paanshme e objektive gjatë fushatës. Përpos kësaj një pjesë e konsiderueshme e mediave e tejkaluan kufirin ligjor prej 90 minutash reklamë politike për një subjekt.
Në këtë kuadër, KRIIK sugjeron aplikimin e procedurës së reagimit të menjëhershëm pas konstatimit të shkeljes në raportin ditor apo javor, duke mos lejuar vazhdimin e shkeljes.
Së pari, AMA të njoftojë menjëherë OSHMA-në përkatëse dhe KQZ-në në rast se një OSHMA i afrohet limitit të reklamave dhe ta kujtojë për pasojat ligjore të rast të tejkalimit.
Së dyti, afatet e kompensimit duhet të përcaktohen në mënyrë të tillë që të kenë efekt të menjëhershëm përgjatë periudhës së monitorimit (p.sh. KQZ të përcaktojë afatin brenda të cilit mediat përkatëse do të duhet të kompensojnë kohën e munguar; afati duhet të jetë jo më i gjatë se dy deri në tre ditë nga momenti i konstatimit të disbalancës dhe në ccdo rast përpara ditës së zgjedhjeve). Kjo me qëllim që të sigurohet informimi i paanshëm i publikut, përkundër sanksionimit post-factum.
3.2. Edhe depozitimi i tarifave të reklamës në media, ishte një detyrim ligjor i pa përmbushur nga të gjitha OSHMA-të në zgjedhjet pararendëse. Në mënyrë që shkelja të evitohet për sa është e mundur, dhe të gjithë aktorët të jenë të informuar, KQZ duhet të jetë në komunikim të vazhdueshëm me AMA-n si dhe çdo OSHMA, për të përmbushur detyrimin ligjor të depozitimit të tarifave të reklamës prej tyre në afatin e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor.
Gjithashtu, për çdo OSHMA duhet të bëhet me dije se privilegjimi në tarifa për subjektet zgjedhore nuk është i lejuar. Për një transparencë sa më të lartë në raport me qytetarët, vetë subjetet zgjedhore, si dhe palët e treta të interesuara për të punuar me to, sugjerohet që të gjitha tarifat e depozituara nga OSHMA-të në KQZ, duhet të publikohen edhe në faqet e tyre zyrtare në internet.
4. Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor
4.1. Referuar akteve ligjore në fuqi, çdo KZAZ-ja ka detyrimin ligjor që të përcjellë vendimmarrjen e saj në KQZ. Në vijimësi të proceseve zgjedhore përcjellja e vendimmarrjes së KZAZ-ve në KQZ është shoqëruar me vonesa, paplotësi të dokumentacionit të përcjellë apo edhe raste kur dokumentacioni dhe vendimet e KZAZ-së nuk janë përcjellë fare.
Nisur nga kjo eksperiencë, si dhe duke marrë në konsideratë rolin e shtuar të KZAZ-ve në zgjedhjet vendore, në mënyrë që vendimmarrja të jetë transparente në raport me të gjithë aktorët në proces dhe qytetarët, KQZ duhet të ndërmarrë masat e nevojshme që vendimmarrja e KZAZ-ve të publikohet në internet, me të njëjtat standarde dhe afate kohore si ajo e KQZ-së.
4.2. Ndryshimi i anëtarësisë së KZAZ-ve nga partitë politike ka qene problem ne vazhdimësi. I kombinuar me mostrajnimin e anëtareve të emëruar rishtas mund te passjellë vështirësi të komisionerëve për përmbushjen me efektivitet të detyrave të tyre, veçanërisht kur ata zëvendësohen shumë pranë ditës së zgjedhjeve apo edhe në ditën e zgjedhjeve.
Ndërkohë që kuadri ligjor nuk e lejon KQZ-në të kufizojë zëvendësimin e komisionerëve, ajo çka KQZ mund të bëjë është që të parashikojë në programin e trajnimit mekanizma shumë fleksibël në mënyrë që të garantojë trajnimin e të gjithë komisionerëve, menjëherë pasi ata zëvendësohen, qoftë edhe në ditën që paraprin ditën e zgjedhjeve.
Ndërkohë, në mënyrë që trajnimi të jetë sa më efektiv, duhet që Udhëzuesi i Punës së Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor të ketë përfunduar përpara realizimit të trajnimit të tyre, në mënyrë që komisionerët të kenë kohën e nevojshme në dispozicion për konsultimin e tij.
Kjo t’u dërgohet partive politike që kanë anëtarë komisionesh për njohje paraprake nga kandidatët e mundshëm që do propozohen prej tyre si anëtarë të komisioneve zgjedhore
4.3. Mungesat materiale (seli jo totalisht të përshtatshme, mungesa në pajisje apo bazë materiale, etj.) kanë qenë elemente që kanë vështirësuar aktivitetin e KZAZ-ve në zgjedhjet e mëparshme.
Në mënyrë që në momentin e konstituimit të KZAZ-ve çdo gjë teknike dhe materiale të jetë gati, KQZ duhet të ndërmarrë masat paraprakisht për pajisjen e selive të KZAZ-ve me të gjithë bazën materiale të nevojshme, përfshi pajisjen me internet apo pajisje elektronike për komunikim dhe printim) për çdo KZAZ.
5. Vëzhguesit
5.1. E drejta e vëzhgimit të zgjedhjeve garantohet si për vëzhguesit e partive politike ashtu edhe për ata të pavarur. Ndërkohë që për të qenë prezent si i tillë në KZAZ, KQV dhe VNV nevojitet një dokument i lëshuar nga KQZ-ja apo KZAZ-ja që konfirmon akreditimin. Në shumë raste mjediset. sidomos gjatë numërimit janë mbipopulluar nga prezenca e individëve në statusin e vëzhguesit, çka shpesh ka sjellë ngadalësim apo edhe bllokim të procesit dhe ndërhyrje të forcave të rendit për të rivendosur rregullin në KZAZ.
Për të patur mundësinë e kontrollit të numrit të individëve që akreditohen nga KQZ dhe KZAZ-të, sipas limiteve të përcaktuara në ligj por edhe në funksion të transparencës mbi çdo subjekt apo aktor që akrediton vëzhgues, do të ishte me vend publikimi online i bazës së të dhënave të vëzhguesve.
Serish në funksion të transparencës, dhe në linjë me sugjerimin e mësipërm për nevojë për transparencë të vendimmarrjes së KZAZ-ve, KRIIK sugjeron se edhe vendimet e KZAZ-ve për çdo akreditim vëzhguesish të publikohen online.
6. Parandalimi i abuzimit me burimet shtetërore
KRIIK sjell në vëmendje se përdorimi i burimeve shtetërore në funksion të fushatave zgjedhore ka qenë dhe mbetet një problematikë madhore.
Sofistikimi i këtij fenomeni në raundet e fundit zgjedhore, dhe veçanërisht sistemi i patronazhit politik të ngritur, kërkon kontributin dhe ndërveprimin e të gjithë aktorëve dhe të gjithë qytetarëve për çlirimin e vullnetit të votuesit nga detyrimi apo çdo ndikim tjetër i paligjshëm në abuzim të administrimit dhe përgjegjësive shtetërore e publike të marra përsipër.
Vendimi nr. 9 datë 24.12.202 i Komisionit Rregullator u hartua dhe miratua në funksion të ndryshimeve ligjore të njëjtit vit, dhe nga artikulimi i palëve politike ishte një nga dakordësitë kryesore të marrëveshjes politike të datës 5 qershor 2020. Ndonëse një zhvillim dhe vendim shumë i rëndësishëm, implementimi nuk ishte në nivelet optimale, si dhe eksperienca nxori në pah elemente që kanë nevojë të plotësohen apo edhe rishikohen.
Administrata shtetërore, burimet njerëzore të saj kanë qenë gjithmonë pjesë e fushatave elektorale. Në gjykimin e KRIIK, kjo përbën një nga mënyrat kryesore të keqpërdorimit të burimeve shtetërore, për të mos përmendur se shpesh kombinohet me elementë të intimidimit/detyrimit.
6.1. Pjesëmarrja e administratës shtetërore në fushatë, nevojitet të përshtatet, duke marrë në Konsideratë, në amendimin e Vendimit nr. 9 interpretimet ligjore të kryera nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil në ligjin për këta të fundit.
Veçanërisht, duke mbajtur në konsideratë përdorimin masiv dhe të koordinuar të rrjeteve sociale prej punonjësve të administratës shtetërore për qëllime fushate, KRIIK sugjeron që KQZ-ja të parashikojë specifikisht në vendim edhe ndalimin e postimeve me natyrë elektorale, ndarjes të postimeve të të tjerëve apo reagimeve ndaj tyre nëse ata kanë natyrë elektorale, në kanalet personale të mediave sociale prej punonjësve të administratës shtetërore.
Konsiderimi i rrjeteve sociale si një platformë private komunikimi, në gjykimin e KRIIK është një lexim tejet i ngushtë i ligjit dhe le hapësirë për abuzimin e/ndaj administratës publike për qëllime elektorale. Mosadresimi i kësaj problematike, e përdorur masivisht në zgjedhjet e vitit 2021, legjitimon përsëritjen dhe rritjen e mëtejshme të saj në këtë proces zgjedhor.
6.2. Përpos rishikimit të Vendimit nr. 9, edhe sjellja e KQZ-së në vijimësi nevojitet të ndjekë një frymë sa më ndërvepruese me institucionet e tjera përgjegjëse që ndjekin veprimtarinë e administratës publike në periudhën që paraprin, përgjatë fushatës zgjedhore, apo edhe pas zgjedhjeve, deri në konstituimin e Këshillave Bashkiakë (si p.sh. Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Policia Bashkiake, apo Policia e Shtetit, personat e caktuar si nëpunës ndërlidhës me Bashkitë, etj.)
6.3. Raportimi i aktiviteteve të institucioneve në periudhën 4 muaj para ditës së zgjedhjeve, ishte një proces i aplikuar për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2021, por që rezultoi joeficient në kuptim të kontrollit real. Edhe pak institucione të cilat raportuan e bënë këtë shpesh në tejkalim të afateve ligjore dhe me mungesa në të dhënat më thelbësore të aktivitetit.
Në mënyrë që informacioni paraprak për aktivitetin e raportuar të jetë sa më i plotë, KQZ duhet të angazhohet në ndërtimin e një sistemi raportimi me fusha të detyrueshme, si dhe të përfshijë pyetje apo fusha që shërbejnë për të detajuar dhe kuptuar me mirë aktivitetin si dhe të mundësohet monitorimi i tyre nga ana e monitoruesve të KQZ-së (p.sh. përcaktimi i saktë i vendndodhjes, përcaktimi i saktë i folësve, etj.)
6.4. Në asnjë rast nuk është e pranueshme që aktivitetet institucionale të marrin natyrë elektorale (duke zbehur vijën ndarëse të partisë me shtetin). KRIIK gjykon se KQZ, në mënyrë proaktive, duhet t’u bëjë të qartë, e të njoftojë zyrtarisht edhe publikisht, të gjithë institucionet që kanë detyrimin të raportojnë se dhënia e mesazheve elektorale, të çdo lloji, në një aktivitetet institucional ndalohet.
Për më tepër, KQZ do të duhet t’i kushtojë një vëmendje maksimale, nëpërmjet monitoruesve të vet në terren të tilla aktiviteteve. Monitoruesit e KQZ duhet të monitorojnë të tilla evente me qëllim identifikimin e mesazheve elektorale në to (përfshi mesazhe denigruese për kundërshtarët politikë). Në të tilla raste, KQZ do të duhet të aplikojë sanksione.
6.5. KRIIK sugjeron që KQZ të ndalojë çdo aktivitet institucional i cili raportohet përtej afatit prej pesë ditësh përpara kryerjes së tij.
6.6. Gjithashtu të dhënat e hedhura nga institucionet në këtë ndërfaqe mund dhe duhet t’i ofrohen publikut edhe në formën e të dhënave të hapura (të përpunueshme nga makinat) përveçse në formatin aktual. Sugjerohet gjithashtu përcaktimi apo ngritja e strukturës specifike të KQZ që do të ndjekë këtë proces.
6.7. Denoncimi nga palë të treta ishte gjithashtu një risi e përfshirë në ligj dhe aplikuar nga KQZ. Ky është një mekanizëm që i siguron çdo individi apo subjekti, qoftë edhe në mënyrë anonime, të denoncojë çdo rast abuzimi me ligjin të vërejtur në çdo formë.
Në kushtet kur denoncuesi jo vetëm mund të jetë anonim, por edhe në kushtet e pamundësisë apo vështirësisë për të patur apo mbledhur prova në funksion të hetimit nga KQZ, është KQZ që duhet të vlerësojë çdo denoncim duke marrë vetë barrën e provës dhe jo duke ja lënë atë denoncuesit, sikurse është aplikuar në praktikën e denoncimeve të shqyrtuara deri tani.
6.8. Fushata nga palë të treta, e pa rregulluar në Kodin Zgjedhor, ka qenë gjithashtu një fakt i vërejtur dhe ndodhur në vazhdimësi, duke krijuar mundësi për fshehje të shpenzimeve por edhe prishjes së parimit të barazisë së palëve në garë. Pavarësisht se e pa rregulluar në ligj në mënyrë specifike, KRIIK gjykon se disa elementë të saj mund të rregullohen brenda kuadrit aktual ligjor, sikurse u’a kemi bërë me dije verbalisht dhe zyrtarisht edhe më herët.
Konkretisht një pjesë e konsiderueshme e partive politike, në përgjigje të komunikimit me KQZ për zyrat zgjedhore të paraportuara në zgjedhjet e vitit 2021 janë përgjigjur se këto nuk janë zyra por postera të vendosur në mjedise që në fakt nuk kanë shërbyer si zyra zgjedhore. Kjo është një shkelje ligjore, pasi sipas Kodit Zgjedhor (neni 79, pika 2) ndalohet vendosja e materialeve propagandistike elektorale përveçse në vendet e caktuara me vendim nga Kryetari i Bashkisë apo 5 metra pranë zyrave zgjedhore dhe këto materiale hiqen nga policia bashkiake dhe/ose Policia e Shtetit.
Në këtë pikë, do të ishte me vlerë një komunikim i KQZ-së me bashkitë dhe me subjektet zgjedhore, në funksion të rikujtesës ndaj tyre se subjektet zgjedhorë duhet të njoftojnë në bashki zyrat zgjedhore të hapura dhe përmbushjen e detyrimit shoqërues për heqjen nga policia bashkiake ose ajo e shtetit të materialeve propagandistikë në të gjithë mjediset të cilët nuk janë njoftuar në bashki si zyrë zgjedhore. Nga ana tjetër të përdoren monitoruesit për identifikimin dhe verifikimin e zyrave zgjedhore, dhe çdo materiali propagandistik të vendosur në ambjente publike e private, si dhe, investimi i subjekteve zgjedhore lidhur me pronësinë ndaj tyre.
7. Financimi i subjekteve zgjedhore
Raportimi financiar i subjekteve zgjedhore, partive politike dhe kandidatëve kryhet bazuar në bazë të Kodit Zgjedhor dhe udhëzimeve të Komisionit Rregullator. Në udhëzim përcaktohen gjithashtu edhe formatet e raportimit me detajimet përkatëse dhe shembuj konkretë raportimi. Lidhur me raportimin problemet kanë qenë disa dimensionale, duke filluar me shkelje të karakterit formal në mos plotësimin apo plotësimin me mangësi të raporteve të vetëdeklarimit nga partitë apo kandidatët, dorëzimi i tyre në formate thuajse të palexueshme në KQZ, dhe më pas shkeljet e evidentuara nga KQZ apo edhe palë të treta në bazë të raportimit të kryer.
7.1. Do të ishte e udhës që format e raportimit të rishikohen me synim përditësimin dhe përmirësimin me çfarë nevojash janë evidentuar gjatë aplikimit.
Formatet duhet të programohen në mënyrë të tillë që çdo fushë apo qelizë detajuese të jetë e detyrueshme për t’u plotësuar, duke nxitur paraprakisht përgjegjshmërinë e partive politike ndaj detyrimit ligjor për të detajuar në mënyrë korrekte të ardhurat dhe shpenzimet e kryera prej tyre.
Në vijimësi KQZ ka pranuar dhe publikuar raporte jo vetëm jashtë formateve të standardizuara, por edhe me mangësi të mëdha në plotësim apo ne forma të palexueshme, duke treguar një mirëkuptim dhe tolerim deri në kufijtë e shkeljes së ligjit.
7.2. Në mënyrë që ky proces të mos i ngelet subjektivizmit të administratës së KQZ, duhet që kjo e fundit të ketë rregulla të mirëpërcaktuara për verifikimin paraprak, të kthejë për plotësim çdo raport me mangësi referuar këtyre rregullave, si dhe në funksion të transparencës të publikojë komunikimin e plotë zyrtar me partitë në funksion të kësaj çështjeje.
Gjithashtu në funksion të rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë së subjekteve zgjedhore, si dhe hapjes së të dhënave që përfshihen në raportet financiare, këto raporte duhet të publikohen në formate të lexueshme dhe përpunueshme nga makinat (të dhëna të hapura) dhe jo në formatin aktual. Që kjo të mundësohet, subjektet zgjedhore do të duhet të detyrohen që t’i sjellin raportimet në formatin Excel që përdorin dhe jo të printuara apo të konvertuara në pdf. Çdo format tjetër të kthehet mbrapsht.
7.3. Bilanci i aseteve dhe detyrimeve është një pjesë e rëndësishme e raportimit financiar. Sipas ligjit (Kodi Zgjedhor Neni 92/3 pika 2/ç) raporti i vetëdeklarimit të partisë, si rregull, duhet të përmbajë informacion, për bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve.
Ky ngeli një detyrim i papërmbushur nga partitë politike në zgjedhjet e vitit 2021.
Në mënyrë që bilanci i aseteve dhe detyrimeve të bëhet pjesë e raportit të partive politike, duhet që të hartohet dhe miratohet formati i standardizuar i tij, si një bilanc pjesor, e konkretisht për zgjedhjet që vijnë bilanc pjesor për periudhën nga data 24 tetor 2023 deri në 14 maj 2023. Ky bilanc, në formatin e miratuar duhet t’i bashkëlidhet raportit të vetëdeklarimit.
8. Auditimi pas zgjedhor
Këqyrja e mëpasshme e fletëve të votimit dhe materialit zgjedhor (i ashtuquajturi “audit zgjedhor”), u aplikua për herë të parë ne 2021 dhe procesi në vetvete u shoqërua me disa problematika. Në këtë kuadër udhëzimi që detajon kryerjen e tij nevojitet të rishikohet.
8.1. Në udhëzimin e miratuar parashikohet se qendrat e votimit të cilat janë hapur njëherë për efekt të kërkesave apo çështjeve të ndryshme të shqyrtuara nga KAS, përjashtohen nga shorti. Ky përcaktim nuk reflekton në mënyrën e duhur parashikimin e neni 167/2 pika 5 të Kodit Zgjedhor.
Në gjykimin e KRIIK, gërma e Kodit bën konsiderimin veçmas të fletëve të votimit nga kutia e materialeve zgjedhore, ndaj udhëzimi i KQZ-së nuk duhet të ketë qasje tërësisht përjashtimore të të dy kutive, duke qenë se vetëm njëra i është nënshtruar hapjes më parë. Duke i përjashtuar totalisht këto qendra votimi fitojnë status të privilegjuar dhe përjashtohen nga këqyrja e materialeve zgjedhore.
Në mënyrë që asnjë komision apo komisioner të mos përjashtohet nga mundësia e auditimit, duhet që edhe QV- të e rinumëruara në funksion të kërkesave ankimore, të mos përjashtohen nga shorti.
8.2. Administrata e KQZ është përgjegjëse për reflektimin e shkeljeve të konstatuara duke propozuar sanksione apo referime në organet ligjzbatuese në rast konstatimi të shkeljes. Në mënyrë që të evitohet gjykimi post fakt si dhe duke patur në konsideratë që qëllimi i këqyrjes është pikërisht kontrolli i respektimit të ligjit nga Komisionerët, duhet të vendosen paraprakisht rregulla të qarta lidhur me kufirin e konsiderimit të “gabimeve njerëzore” qoftë kjo në rastet e vlerësimit cilësor qoftë në ato të vlerësimit sasior.
8.3. Gjithashtu formulari i miratuar dhe përdorur nga KQZ në funksion të auditimit mbart disa problematika thelbësore si në kuptim të përmbajtjes dhe linjës logjike të pyetjeve edhe në funksion të përpunimit të të dhënave të nxjerra apo edhe formatimit. Në mënyrë që informacioni të jetë koherent, i kuptueshëm, i përpunueshëm por mbi të gjitha të realizimit të qëllimit të tij, formulari duhet të ribëhet, duke patur në konsideratë shumë elementë teknikë.
8.4 Për rritjen e saktësisë dhe shmangien e gabimit njerëzor dhe rritjen e përgjegjësisë të dhënat në sistem për çdo Qendër Votimi të hidhen nga grupi i numërimit.