lidhur me projektvendimin “Për caktimin e rregullave për raportimin financiar vjetor të partive politike, miratimin e formatit të standardizuar për raportimin financiar të partive politike gjatë vitit kalendarik, kontrollin, verifikimin e financimeve dhe shpenzimeve të tyre, si dhe mënyrën e pagesës së audituesve ligjorë”.
Raportimi i plotë dhe i detajuar i të ardhurave dhe shpenzimeve të partive politike përbën një domosdoshmëri thelbësore nga e cila të mund të sigurohet më pas, së pari, transparenca e plotë e së dyti edhe mundësia për një kontroll efikas dhe sa më të tërësor.
Transparenca dhe Kontrolli mbeten procese jetike për sigurimin e një qeverisjeje të mirë, funksionimit normal të shtetit ligjor e të së drejtës, si dhe të së ardhmes demokratike të vendit.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë detyron që burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre duhet të bëhen kurdoherë publike.
Sa i përket aktivitetit financiar gjatë vitit kalendarik, ai rregullohetnga Ligji “Për partitë politike”, normat e përcaktuara në statutin e secilës parti, si dhe ligje apo akte të tjera nënligjore në fuqi të parashikuara ndaj çdo subjekti juridik që operon në Republikën e Shqipërisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është institucioni i ngarkuar nga ligji si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive, çka do të thotë që ka një rol dhe përgjegjësi madhore në mbikqyrjen dhe kontrollin e financave të partive politike në tërë spektrin e elementeve që përfshin procesi.
KQZ ka kompetencën për të hartuar dhe miratuar rregullat për raportimin e financimit, për monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike, si dhe për formatet e standardizuara për raportimin financiar vjetor.
Gjithashtu, KQZ-ja ka kompetencën dhe përgjegjësinë për të monitoruar, mbikëqyrur dhe audituar financimin e partive politike, nëpërmjet kontrollit të dokumentacionit financiar e të llogarive kontabël të partive politike, të subjekteve të lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë politike apo që ndodhen nën kontrollin e tyre.
Madje, vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit, nëpërmjet pyetjes së personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjes së dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të partive politike që kanë paraqitur raportin, si dhe marrjes së çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë.
Në përmbushje të këtyre kompetencave dhe përgjegjësive, ligjvënësi i jep KQZ-së edhe kompetencën e përgjegjësinë për të nxjerrë akte nënligjore në bazë dhe për zbatimin e dispozitave të mësipërme apo edhe të tjerave të përcaktuara në Ligjin e Partive Politike.
Nga përvoja e deritanishme monitoruese, analizuese dhe advokuese e KRIIK në fushën e financave të politikës, konstatohet se prej aplikimit për herë të parë të detyrimit për raportim financiar vjetor në vitin 2011 e deri më sot, KQZ nuk ka ndërmarrë asnjëherë një proces kontrolli dhe verifikimi të mirëfilltë të raportimit për veprimtarinë vjetore financiare të partive politike. Edhe në ato pak tentativa për të ndërmarrë disa hapa mbikëqyrës, ato kanë qenë tejet të limituar e të fokusuar vetëm tek zbatimi i detyrimit për dorëzimin e një raporti financiar vjetor formal prej partive politike. Madje, edhe ky detyrim ligjor mbetet i zbatuar pjesërisht nga një numër jo i vogël i partive politike që figurojnë të regjistruara.
Në një situatë të tillë, KRIIK vlerëson maksimalisht këtë angazhim mjaft të rëndësishëm të KQZ-së, si dhe procesin e nisur për futjen në shina ligjore të procesit të raportimit financiar të partive politike.
Raportimi vjetor, në gjykimin e KRIIK, mbetet akoma edhe më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të qenë i plotë, duke qenë se e ka pjesë të tij edhe atë të fushatës zgjedhore (në rastet e viteve zgjedhore) për të siguruar detyrimin kushtetues të publikimit të çdo të ardhure e shpenzimi, i cili kontribuon në krijimin e opinionit dhe vullnetit politik në vend.
Raportimi i detajuar si dhe publikimi i çdo të ardhure e shpenzimi prej partive politike duhet të jetë fryma e cila duhet të përshkojë tërë kuadrin rregullator që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të hartojë për raportimin vjetor.
Jo vetëm kaq, por në gjykimin e KRIIK, përpos shumë elementëve teknikë të cilat lipsen të plotësohen e detajohen, nevojiten së pari disa qasje të standardizuara të cilat duhet të përcaktohen nga KQZ-ja dhe ndiqen më pas në hartimin e këtij projekt-vendimi.
Kjo në funksion të nxitjes së ligjzbatimit e përgjegjshmërisë prej partive politike dhe kufizimit të hapësirave të mundshme e minimizimit të çdo lloj fiktiviteti në sjellje apo deklarim prej tyre.
Konkretisht KRIIK sugjeron që disa prej tyre të jenë:
- Formatet e raportimit financiar duhet të japin mundësinë dhe lehtësinë për të monitoruar çdo aspekt e zë të veprimtarisë financiare, si dhe për të kontrolluar e kryqëzuar më pas të dhënat e përfshira në raport, si nga administrata përkatëse në KQZ, ashtu edhe për palë të treta të interesuara, apo edhe çdo shtetas shqiptar të interesuar.
- Shmangia e pasqyrimit në bllok të shpenzimeve të fushatës zgjedhore (për vitet zgjedhore) si mjet për të shmangur pasaktësisë apo fshehjet e zërave të veprimtarisë financiare.
Monitorimi i financimit të fushatës zgjedhore, është i rregulluar mbi të tjera premisa të cilat më së shumti, për aq sa përbën qasjen thelbësore mbikqyrëse të KQZ-së, synojnë të sigurojnë parimin e barazisë së armëve në garën elektorale.
Madje mund të mirëkuptohet edhe një qasje jo fort skrupuloze nga KQZ-ja në mbikqyrjen e procesit të raportimit të parashikuar, për shkak të rrethanave objektive, si koha e shkurtër, burimet në dispozicion, angazhimi tërësor i subjekteve zgjedhore në fushatë, etj, të cilat, në fund të fundit, duhet të mos cënojnë lirinë politike dhe shprehjen lehtësisht të ofertave elektorale.
Nga ana tjetër, megjithë përpjekjet e përmirësimet e bëra, pranohet gjerësisht se procesi mbikqyrës dhe kontrollues prej KQZ-së nuk është i plotë lidhur me veprimtarinë financiare të subjeketev zgjedhore për fushatën zgjedhore.
Duke marrë në konsideratë gjithë sa më sipër, totalisht ndryshe paraqiten rrethanat në përgatitjen dhe raportimin e raportit vjetor financiar.
Në këtë raport partia politike duhej të bëjë transparencë të plotë për çdo zë të veprimtarisë financiare, qoftë ai si “e ardhur” apo si “shpenzim”. Për më tepër që vetëdeklarimi vjetor, është një bilanc që mund dhe duhet të konsultohet edhe nga institucione të tjera përgjegjëse në funksion të kontrollit dhe verifikimit që ato kanë ndaj subjekteve juridike që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
- Nxitja e partive politike drejt kryerjes së aktivitetit financiar mundësisht vetëm nëpërmjet llogarisë bankare.
Në raport me këtë qasje sugjerohet që të parashikohet rregullimi i nevojshëm që:
- Donacionet më të vogla se 100,000 lekë që mund të jenë depozituar cash, të hidhen nga financieri apo personi i ngarkuar sipas statutit në llogarinë bankare të posaçme të partisë në mënyrë periodike në fund të çdo muaji. Depozitimi të shoqërohet së bashku me një deklartë të hartuar me të dhënat e donatorëve, duke u kujdesur për sa të jetë e mundur për ruajtjen e të dhënave personale të tyre;
- Kuotizacionet e derdhura cash prej anëtarëve të partisë të ndjekin të njëjtin mekanizëm si në rastin e donacioneve më sipër.
- Hartimi i një formati tip me të dhënat e nevojshme, lidhur me kuotat e anëtarësisë në secilën parti si dhe detyrimi për raportimin në format të posaçëm të:
- Llojit të kuotizacioneve të aplikuara nga secila parti për atë vit financiar, në rast të aplikimit të kuotizacioneve sipas disa kategorive;
- Shumën e akumuluar nga secila prej kategorive së bashku me numrin e anëtarëve sipas secilës kategori të ndarë sipas degëve, apo edhe listën e emrave të tyre bashkëlidhur deklarimit, duke u kujdesur për ruajtjen e të dhënave personale;
- Shumës totale të arkëtuar prej kuotizacioneve dhe numrit total të anëtarëve që kanë derdhur kuotizacionet për atë vit financiar, të ndarë sipas degëve apo forumeve që ka partia.
- Deklarimi me hollësi, së bashku me dokumentacion mbështetës, i aseteve dhe detyrimeve të partisë, përpos se duhet të përfshihet në bilancin vjetor, duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë që të lejojë mundësi kontrolli e verifikimi më pas.
Për këtë KQZ-së i nevojitet koordinim me institucione të tjera përgjegjëse, me qëllim pasjen e informacionit për të kryer më pas kontrollin.
- Dorëzimi i bilanceve të pjesshme për aktivitetet që nxjerrin të ardhura nga ushtrimi i aktiviteteve sipas ligjit, për të bërë transparencë mbi rentabilitetin e tyre dhe shmangur përdorimin e këtyre aktiviteteve si mjet për të fshehur të ardhura të paligjshme.
- Rregullimi i adresimit të përgjegjësisë përsonale tek individi që ka kryer shkeljen, veçanërisht në partitë e mëdha, në mënyrë që mos bëhet inefikas mekanizmi i verifikimit apo përgjegjësisë ligjore të konstatuar.
Partitë politike duhet të detyrohen të nxjerrin akte që të rregullojnë këtë marrëdhënie të brendshme të tyre dhe të njoftojnë KQZ-në në fillim të çdo viti për tërë piramidën përgjegjëse në menaxhimin financiar, sipas nevojave të përmbushjes së parashikimeve ligjore.
- Deklaratat e dhurimit ndaj partisë, qofshin këto në para apo në natyrë, duhet të përmbajnë edhe deklarimin e burimit të tyre për dhuruesin.
Për gjithë sa më sipër, KRIIK konstaton se drafti i përgatitur nuk i përmban në mënyrë të plotë, ndaj i sugjeron Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që me sa të jetë e mundur të shtyjë datën e shqyrtimit dhe miratimit të këtij akti dhe të shtrimit të tij për diskutim edhe me aktorë të tjerë të ngarkuar nga ligji në mbikqyrjen financiare të subjketeve juridike.
Për sa na përket ne si KRIIK, por ndofta edhe për aktorë të tjerë, gjykojmë se rëndësia e aktit dhe koha e shkurtër në dispozicion meritojnë më shumë kohë në dispozicion për një hartim më të plotë dhe konsultim më të gjerë të tij. Nga ana tjetër, sjellim në vëmendjen tuaj se periudha e shkurtër në dispozicion, përpos se është një periudhë e ngarkuar me mbylljet e vitit, ishte edhe një periudhë pushimesh.
Në përfundim Ju sjellim në vëmendje një nga rekomandimet thelbësore të dala nga studimi mbi Transparencën, Kontrollin dhe Reformimin e kuadri ligjor mbi veprimtarinë financiare të partive politike, i realizuar nga KRIIK në vitin 2020, ku pjesa dërrmuese prej 120 respondentëve të intervistuar në funksion të tij, ndër të tjera ka pohuar domosdoshmërinë e ndërveprimit të KQZ me institucione të tjera përgjegjëse në funksion të mbikëqyrjes efektive të financave politike.
Në këtë kuadër KRIIK sugjeron për sa të jetë e mundur ngritjen e një komiteti ndërinstitucional për konsultimin e këtij projektvendimi, me përfaqësues të institucioneve si më poshtë:
- Ministria e Financave, me institucionet në varësi të saj si Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, etj.
- Kontrolli i Lartë i Shtetit.
- Banka e Shqipërisë.
- Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Kodifikimit.
- Ministria e Brendshme.
- Prokuroria e Përgjithshme.
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës
- Ekspertë të huaj të angazhuar në hartimin e politikave për parandalimin e pastrimit të parave.
- Organizata vendase me ekspertizë në fushën e zgjedhjeve, etj.