Datë 25 Prill, Ora 23:30 pm – KRIIK, pas përfundimit të procesit të votimit, shpreh vlerësime për kryerjen e këtij procesi dhe pjesëmarrjen masive të qytetarëve në këtë proces të qetë dhe duke demonstruar një kulturë të lartë qytetarie.
Qytetarët respektuan thirrjet për një proces te qetë, e bërë nga të gjithë aktorët e rëndësishëm vendorë dhe ndërkombëtare, dhe duke treguar se tashmë sovrani votoi, dhe është radha e administratorëve të procesit, të përcaktuara nga partitë kryesore në vend, të cilët duhet të tregojnë objektivitet dhe korrektesë në zbatimin e të gjitha ligjeve për mbarëvajtjen e procesit të numërimit dhe respektim të vullnetit të pacenuar të sovranit.
Është për tu përgëzuar edhe sjellja e partive politike, përgjatë procesit të votimit, dhe KRIIK nxit këto parti të vijojnë këtë sjelle qytetarie edhe përgjatë procesit të numërimit dhe duke i dhënë mbështetjen e nevojshme të gjithë personave të cilët janë të angazhuar në këtë proces, në KZAZ dhe Vendet e Numërimit.
Një përgëzim, shkon edhe për të gjithë administratën e Qendrave të Votimit, e cila me gjithë sfidën madhe të përdorimit të një teknologjie të re, në një afat shumë të shkurtër kohor, bëri të mundur, funksionimin e saj. Gjithashtu është për tu vlerësuar edhe procesi i përshtatjes me procedurat e mëparshme manuale, në rastin kur teknologjia ishte e pamundur të arrihej në disa qendra votimi.
Nga informacionet që KRIIK ka arritur të marrë, besojmë se ky proces ka qenë korrekt, megjithatë vëzhguesit në terren janë ende në proces të mbledhjes së informacioneve dhe ankimimeve që mund të shprehen.
Është për tu përgëzuar edhe media e cila ka mbuluar në mënyrë të gjerë, aktive dhe korrekte, duke respektuar edhe heshtjen zgjedhore, të gjithë procesin e deritanishëm.
Për sa i përket vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtare, janë për tu falënderuar, mesazhet e forta në mbështetje të një procesi të drejtë dhe për një vullnet të pacënuar të qytetarëve, si një hap i domosdoshëm për vendin drejt vlerave euroatlantike dhe sfidave drejt rrugës për në BE.
Vëzhguesit e KRIIK dhe të gjithë partnerëve kanë një rol të paçmueshëm duke raportuar në kohë reale dhe duke përmbushur të gjithë planin e alokimeve dhe detyrave, ashtu sikurse është parashikuar. Tashmë procesi i numërimit, i cili ka filluar në 24 KZAZ dhe ZAZ në të gjithë vendin, ndërsa është ende në proces dorëzimi i materialeve në ZAZ-të e tjera.
Ndërsa është e rëndësishme të theksojmë se ndërkohë janë shënuar edhe disa incidente, si p.sh në Bashkinë Vlorë, në KZAZ 37 votimi është mbyllur në orën 20.20, për shkak të vonesës së këtij të procesi pas problemeve më pajisjen elektronike të identifikimit.
Vonesa në dorëzimin e materialeve zgjedhore, për shkaqe jo objektive ka pasur në KZAZ 398, në Fushë Arrëz, ku vëzhguesi i PSD-së ka sulmuar një polic, i cili më pas është shoqëruar nga forcat e rendit, duke vonuar në këtë mënyrë procesin e dorëzimit të materialeve zgjedhore.
Gjatë këtij procesi, në një pjesë të mirë e KZAZ-ve, kanë lejuar vëzhguesit e KRIIK të jenë prezentë në dorëzimin e këtyre materialeve. Ndërsa në disa KZAZ, si p.sh 17 dhe 18 në Bulqizë, 13 dhe 15 në Lezhë, kjo e drejtë nuk është bërë e mundur, duke mos lejuar asnjë nga vëzhguesit të marrë pjesë në këtë proces. Duke kuptuar ngarkesën e madhe të punës në këto KZAZ, KRIIK rikujton se kjo është një praktike jo korrekte, pasi Kodi Zgjedhor përcakton se të gjitha proceset duhet të zhvillohet në prani të vëzhguesve, me një transparence maksimale.
Në disa qendra procesi është vonuar për shkak të fluksit të dorëzimit të kutive në të njëjtën kohë, Mbyllja jo korrekte e disa prej kutive të votimit, ka qenë gjithashtu në disa raste shkak i vonesës së procesit të dorëzimit, dhe nisjes së procesit të numërimit.
Një tjetër incident i shënuar, ishte edhe kërcënimi i një personi ka kërcënuar më mjete të forcat komisionerët e një qendre votimit në Libofshë të Fierit. Personi më pas është shoqëruar në polici nga forcat e rendit, incident që për pasojë ka vonuar kështu procesin e dorëzimit të kutive të votimit.
Në tërësi procedurat e mbylljes janë përmbushur në kohë në 83% të qendrave të votimit. Në 3% kishte ende radhë me votues që kërkonin te votonin. Nuk janë vërejtur raste kur votuesit nuk janë lejuar të votojnë në momentin e fundit. Ka pasur dakordësi të plotë mes anëtarëve të komisionit për mbylljen e procesit.
Rreth 74% e qendrave kanë pasur vëzhgues të pranishëm në momentin e mbylljes së qendrave të votimit. Rreth 60 % vëzhgues kanë qenë vendas dhe 10% vëzhgues të huaj. Në 2% të rasteve është raportuar se ka pasur prani të personave të paautorizuar brenda qendrave të votimit në momentin e mbylljes së tyre. Këta kanë qenë persona partiakë.
Procesi i vulosjes së kutive me kodin e sigurisë ka ndodhur në 100% të rasteve, përpos disa detajeve teknike që ka ardhur si shkak i mosmarrjes së trajnimit të duhur, por kjo procedurë ka ecur normalisht. Pajisja elektronike, aty ku ka funksionuar, ka lehtësuar punën dhe ka bërë të mundur nxjerrjen e procesverbalit në formë automatike në 97% të rasteve.
Lidhur me fletët e votimit të dëmtuara, janë vërejtur raste në 12% të qendrave të votimit.
Procesverbalet e mbylljes janë firmosur me dakordësi në 100% të rasteve, e njëjta gjë vlen dhe për vulosjen dhe mbylljen e zarfeve me materialet përkatëse. Të gjithë anëtarët e komisioneve kanë marrë kopje të procesverbaleve, madje dhe vëzhguesit kanë marrë një të tillë. Vetëm në 15% të qendrave të votimit ky procesverbal nuk i është dhënë edhe vëzhguesve.
Në 97 % të qendrave të votimit, polici që shoqëronte materialet zgjedhore dhe makina që i transportonte ato ka mbërritur në kohë, ndërkohë në 99% të qendrave këto materiale janë shoqëruar nga kryetari i komisionit, nga sekretari si dhe nga punonjësi i policisë. Procesi vazhdon ende në disa prej ZAZ-ve për dorëzimin e materialeve, ndërkohë që në më shumë se 20 ZAZ, procesi i numërimit ka filluar.
Është e rëndësishme të kuptohet prej partive politike, por edhe prej kandidatëve, që të ruajnë qetësinë dhe të mos krijojnë situata artificiale të mbingarkuara dhe të tensionuar përreth vendeve të numërimit të votave.
Kuadri ligjor dhe teknologjia kanë mundësuar rritjen e transparencës, kjo falë dhe vullnetit të mirë ligj zbatues, por edhe sjelljes proaktive të KQZ, veçanërisht të komisionerit shtetëror. Gjithashtu dhe të kandidatëve, me miratimin e udhëzimit së fundmi dhe bërjes më të qartë që ne momentin e mbarimit të procesit të numërimit për subjektet zgjedhore, të gjithë subjektet dhe kandidatët, mund të marrin kopje filmike të këtij procesi për të ndihmuar në rritjen e transparencës si dhe për një vlerësim më autonom për votat e numëruara.
Duhet të mbështeten dhe të kuptohen komisionerët për përgjegjësinë e madhe që kanë në përkthimin e vullnetit të votuesve, në shifra reale, e më pas në mandate të parlamentarëve të ardhshme.