Datë 25 Prill 2021, Ora 15:30 pm – KRIIK ju bën thirrje partive politike dhe mbështetësve të tyre të ndihmojnë procesin dhe të largojnë grupet e mbështetësve nga afërsia e qendrave të votimit. Komisionerët dhe gjithë stafet në mbështetje të tyre duhet te respektojnë dispozitat e Kodit duke mos lejuar grumbullime në 150 metra afër qendrave të votimit, dhe të lehtësojnë sa të jetë e mundur rrugën e qytetarëve drejt tyre. Kemi disa raste të tilla, kryesisht në zonën e Durrësit dhe ish Kënetës. Është një fenomen që sipas vëzhguesve na ka ardhur në rreth 6% të qendrave të votimit. Është e rëndësishme që qytetarët që shkojnë të votojnë të ndihen të sigurt, të ndihen të pa cenuar dhe të paintimiduar në vullnetin e tyre ndërkohë që shkojnë të votojnë. Është e rëndësishme që partitë politike të shprehin vullnetin e qarte dhe te plotë sikurse e kanë shprehur deri tani. Vullneti i shprehur i aktorëve politikë, i mbështetur dhe përshëndetur e përgëzuar nga të gjitha aktorët, përfshirë edhe nga ky aksion vëzhgimi, reflektohet në të gjitha nivelet e partive, përfshirë simpatizantët dhe anëtarët e tyre në bazë. Lërini qytetarët të votojnë të qetë dhe largojini militantët nga qendrat e votimit. Prezenca e tyre është një formë intimiduese, sidomos për qytetarët që janë të lëkundur për të votuar apo që nuk i përkasin një kahu politik.
Gjithashtu në linjë me këtë thirrje është e rëndësishme që vëzhguesit politik te ruajnë rolin e tyre brenda qendrave të votimit. Është e padrejtë dhe shkelje e parimit të votës sekrete që vëzhguesit politikë të informojnë strukturat e tyre partiake për qytetarët që shkojnë të votojnë në qendrat e votimit. Në të gjitha QV janë evidentuar vëzhgues politik të cilët informojnë subjektet e tyre nëpërmjet smartphon-eve, tablete apo edhe me zë të lartë emrin e personave që votojnë. Kjo është fillimi i zinxhirit që partitë politike kanë ngritur qoftë për mbështetësit e tyre, qoftë për të marrë informacion se cilët persona kanë votuar. Kjo nuk është në linjë me sigurimin e pavarësisë dhe fshehtësisë së votës. Pavarësisht se partitë politike, mund të justifikohen në këtë pikë për të sjellë mbështetësit e tyre, kjo është ajo që KRIIK ka evidentuar në vazhdimësi që lidhet me pjesën e patronazhit apo intimidimit politik. Nuk ka arsye që vëzhguesit politik të kenë informacion se cilët janë qytetarët që votojnë në kohë reale. Komisionerët e QV-ve nuk duhet të lejojnë që kjo të ndodhë, ashtu si nuk duhet të lejojnë përdorimin e telefonave dhe pajisjeve elektronike.
Gjetjet e evidentuara deri tani lidhur me ecurinë e procesit, bazuar në vëzhgimin me bazë statistikore, me marzh gabimi 5% dhe nivel besimi 95%. Deri në orën 15.00, janë evidentuar persona të paautorizuar në qendrat e votimit në masën 7% dhe partiakë ka qenë rreth 50% e tyre. Në 9% të qendrave të votimit jo të gjithë vëzhguesit i shohin lehtësisht dhomat e fshehtësisë. Në 7% të qendrave, procedurat e votimit janë bërë pa afishuar posterat e orientimit që KQZ ka publikuar. Në 6,5% të QV-ve mungon afishimi i listave të kandidatëve, një proces thelbësor për të informuar qytetarët se cili është numri me të cilin identifikohet kandidati që ata duan të mbështesin në forcën politike përkatëse. Lista e zgjedhësve mungon në 7% të QV-ve në pjesën e jashtme. Në një pjesë të konsiderueshme të QV-ve mungon lehtësia për personat me aftësi të veçanta për të votuar. Në mjaft raste, në 4% të QV-ve, votohet pa timbrosur gishtin, por kjo është duke u verifikuar pasi është brenda marzhit të gabimit. Kemi raste kur qytetarët janë lejuar të votojnë jashtë dhomës së fshehtë, 3 raste. Ndërkohë që janë lejuar zgjedhës që përdorin telefonin në Qendrat e votimit në 8% të QV-ve. Ndërkohë që në 5% të QV-ve janë lejuar ta mbajnë celularin në dorë brenda dhomave të fshehta. Kjo është e ndaluar, madje në këtë çështje është vënë theksi edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Anëtarët e KQV-ve duhet të ushtrojnë funksionin e tyre në zbatim të ligjit. Në disa QV janë evidentuar persona që ndihmojnë më shumë se sa një zgjedhës me aftësi të kufizuara për të votuar, në 6 raste. Gjithashtu në 4 raste janë komisionerët që kanë ndihmuar këta zgjedhës, pavarësisht se kjo është e ndaluar nga ligji. Është shqetësuese që edhe në këto zgjedhje votimi familjar është vërejtur në 24% të QV-ve. I bëjmë thirrje gjithë trupës së administrimit të votimit dhe qytetarëve që të shmangin votimin familjar, i cili është një akt që dënohet nga ligji dhe cenon vullnetin e votuesit.
Në disa raste është pezulluar procesi i votimit për shkak të mosfunksionimit të PEI, dhe më pas është kaluar në votimin manual, në disa QV në Bashkinë Shkodër, Peshkopi, etj. Kjo situatë ka shkaktuar vonesa dhe radhë të votuesve. Në QV 4307 në Bashkinë Gjirokastër është evidentuar një votues teksa fotografonte votën. Vota është shpallur e pavlefshme dhe rasti i është referuar në polici. Në QV 4368, Memaliaj është bllokuar procesi i votimit për shkak të mosmarrëveshjeve midis anëtarëve të komisionit për shoqërimin e një çifti të moshuarish të verbër të cilët nuk kanë qenë të shoqëruar nga familjarë. Në QV 2396 në bashkinë Elbasan, votimi kryhet manualisht, dhe komisionerët ankohen për prezencë të shtuar përpara qendrës së votimit, por s’ka vendim për lajmërimin e forcave policore. Në këtë rast ligji parashikon se duhet të njoftohet policia e shtetit. Po ashtu ne QV-të nr. 23 96, 362, 2316, 2301 ka mungesë të infrastrukturës, për personat me aftësi ndryshe, duke krijuar vështirësi në paraqitjen për votim të këtyre personave.
Në KZAZ 79, në QV 43 91 është ndërruar një komisioner i LSI, për shkak të gjendjes shëndetësore. Në QV 28 60/1 në Lushnje, janë evidentuar votues të së njëjtës familje që nuk janë votues të kësaj qendre por figurojnë votues, njëri në shkollën 9-vjeçare ne Yzberisht Tiranë, ndërsa tjetri në KZAZ- 54.
Në KZAZ 08 në njësinë administrative, Qafë Mali, QV 398, nuk është lejuar të votojë një person me kartë identiteti të skaduar, pavarësisht urdhrit për zgjatjen e afatit për vlefshmërinë e tyre.
Në QV 44 98, në orën 14.30, është identifikuar një person që ka fotografuar votën në Vlorë, ndërkohë që është njoftuar dhe policia.
Në Tiranë, është evidentuar prania e personave të paautorizuar në ambientet e jashtme dhe është thirrur Policia e Shtetit, duke normalizuar situatën dhe procesi ka vijuar normalisht.
Në QV 1767 ne Tiranë ka pasur tentativa për të fotografuar votën.
Në fshatin Lekbibaj, Tropojë QV 489 është raportuar që ka pasur një konflikt fizik, për arsye të bindjeve politike. Është ndërprerë votimi për rreth katër orë dhe një nga anëtarët e komisionit është larguar me fletën e votimit.