Trupa e administratës zgjedhore e nivelit të dytë mbart një rëndësi madhore në vetë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Përpos kësaj, kjo trupë së bashku me atë të nivelit të tretë, mbartin rëndësi të veçantë për marrëdhënien e drejtëpërdrejtë që kanë me qytetarët, si administrues të vullnetit të tyre, e për rrjedhojë, edhe për besimin që ato përcjellin në integritetin e procesit zgjedhor.
Në këtë drejtim anëtarët e emëruar kryesisht të kësaj trupe mbartin dhe një rëndësi specifike.
Në planin afashkurtër, në mënyrën sesi kuadri ligjor e ka ndërtuar administratën me kundërbalancim politik, anëtarët e emëruar kryesisht janë përcaktues në vendimmarrjen e komisioneve dhe njëkohësisht edhe si një lloj “kontribuesi për ribalancimin” e funksionimit të komisioneve zgjedhore.
Gjithashtu, në planin afatgjatë, këta anëtarë me gjasë do të jenë pikënisja e trupës zgjedhore së ardhshme profesioniste dhe jo politike.
Vlerësohet se projekt-udhëzimi i përcjellë mbi emërimin kryesisht të anëtarëve të KZAZ-ve dhe KQV-ve paraqet plotësime dhe përmirësime të konsiderueshme në raport me atë të vititi 2013-të.
Megjithatë me anë të këtij dokumenti, KRIIK parashtron disa konsiderata në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të projekt-udhëzimit në fjalë, nisur nga përvoja e derisotme lidhur me tërë problematikat e vërejtura në procesin e administrimit dhe konkretisht edhe me anëtarët e emëruar kryesisht, parë këto nën aspiratën e sigurimit të integritetit të procesit zgjedhor.
Së pari, sjellim në vëmendje se projekt-udhëzimi në rregullimet që kryen nuk parashikon eventualitetin e një numri më të ulët të aplikantëve të interesuar në raport me vakancat e paplotësuara në KZAZ dhe KQV. Ndonëse një rrethanë e tillë mbetet gjasë e pakët, gjykohet se është e nevojshme të jetë e rregulluar prej KQZ-së.
Së dyti, lidhur me legjitimitetin e kandidatëve dhe procedurave të parashikuara të aplikimit të tyre parashtrohen më poshtë disa vërejtje.
Këto konsiderata parashtrohen në kuadër të një trupe anëtarësh që nuk vijnë me mbështetje dhe “garanci” prej partive politike si anëtarët e tjerë dhe që do t’iu duhet të manifestojnë apolitizëm, integritet moral dhe profesional, si një aspiratë që pritet të zbatohet dhe motivojë përzgjedhjen e tyre.
a. Përkatësia politike
Projekt-udhëzimi ndalon të kandidojnë si anëtarë të emëruar kryesisht të KZAZ-ve[1] dhe KQV-ve[2] ata persona që kanë qenë të përfshirë në strukturat drejtuese partiake.
Ndërkohë ky ndalim bëhet efektiv nëse provohet se ky angazhim ka ndodhur gjatë periudhës së tre viteve të fundit.
Më së pari, në këtë rregullim, mbetet e paqartë sesi KQZ-ja apo KZAZ-të do të mund të provojnë mospërfshirjen e kandidatëve në strukturat drejtuese të partive politike.
Gjithashtu, mbetet e paqartë nga relacioni se përse ky kufizim për pjesëmarrjen në strukturat partiake është i kufizuar vetëm në tre vitet e fundit.
Në frymën e apolitizmit të administratës zgjedhore, rritjes së besimit qytetar dhe parashikimit se si qytetarët anëtarë të partive politike mund të bëhen pjesë apo ndjekin funksionimin e komisioneve zgjedhore,
sugjerohet të përfshihen si rrethana ndaluese për anëtarët e emëruar kryesisht edhe:
- përfshirja në anëtarësinë e partive politike;
- pjesëmarrja e mëparshme në komisionet zgjedhore si i/e propozuar nga partitë politike;
- angazhimi apo pasja e funksioneve politike[3] të mëparshme.
Ndërsa përsa i përket periudhës kohore, sugjerohet që kjo periudhë të jetë jo më pak se katër vite, ose periudha që përfshin së paku dy zgjedhjet e përgjithshme të fundit.
b. Integriteti penal
Një tjetër rrethanë ndaluese për kandidatët është të qenurit të dënuar me vendim të formës së prerë[4].
Fillimisht në këtë drejtim shtrohet pikëpyetja e tagrit ligjor të KQZ-së dhe KZAZ-së për t’iu Drejtorisë së Burgjeve për të marrë gjendjen gjyqësore të kandidatëve si pjesë e procesit të verifikimit.
Ndërkaq vihet re se edhe në modelet e paraqitura të vetëdeklarimit për kandidatët, nuk parashikohet vetëdeklarimi i të mos qenurit i dënuar me vendim të formës së prerë.
Lidhur më këtë, arsyetohet dhe sugjerohet që kandidatët për anëtarë të KZAZ-ve dhe KQV-ve të plotësojnë një formular të ngjashëm me atë të dekriminalizimit, i cili të administrohet nga KQZ-ja.
Kjo procedurë të parashikojë që megjithëse kandidatët mund të jenë përzgjedhur, të ekzistojë mundësia në çdo moment që, në rast faktimi, të ndërmerret jo vetëm largimi prej administratës zgjedhore, por edhe të mbahet përgjegjësi ligjore për një deklarim të rremë.
c. Konflikti i interesit
Projekt-udhëzimi parashikon tre rrethana konflikti interesi për kandidatët, të papajtueshme me detyrën e anëtarit, në raport të qenurin anëtar i një komisioni tjetër zgjedhor, lidhje familjare me kandidatët e zonës zgjedhore ose marrëdhënie pune me ta.
Në këtë drejtim sugjerohet që në dokumentacionin që do të duhet të depozitojnë kandidatët të përfshihet një Curriculum Vitae dhe vërtetim nga vendi i punës.
Kjo do të mundësonte kontrollin paraprak nga KQZ-ja dhe KZAZ-ja të kandidaturave për rrethanat e mundshme të përmendura.
Në rastin e anëtarëve të KQV-ve, situata e konfliktit të anëtarëve kryesisht me kandidatët për arsye familjare kufizohet vetëm në rastin e zgjedhjeve vendore[5], si reflektim i dispozitës së Kodit Zgjedhor.
Ky kufizim sugjerohet të përfshijë edhe zgjedhjet parlamentare, duke parashikuar kësisoj konfliktin e interesit me tërë kandidaturat për deputetë të zonës zgjedhore ku ndodhet KQV-ja.
d. Trajnimi i kandidatëve
Udhëzimi parashikon nënshtrimin e kandidatëve ndaj një testimi mbi njohuritë e marra gjatë trajnimit.
Duke marrë në konsideratë edhe përvojën e deri më sotme si dhe vëmendjen e ulët të kandidatëve, sugjerohet që testimi mbi njohuritë e fituara të vendoset si kusht për marrjen e detyrës nga kandidatët[6].
Në fillimin e tij testimi mund të mbartë toleranca didaktike, por nevojitet të mbartë peshë në përzgjedhjen ose jo të kandidatëve.
Kjo qasje merr vlerë edhe më të madhe në perspektivën e një administrate zgjedhore tërësisht jo politike dhe permanente.
e. Publiciteti i dokumentacionit
Pranohet se si KQZ-ja ashtu edhe KZAZ-ja, pavarësisht vullnetit dhe angazhimit maksimal që mund të paraqesin, do t’a kenë të pamundur të kryejnë një kontroll tërësor mbi rrethanat e papajtueshmërisë së kandidaturave.
Verifikimi në një pjesë jo të pakët do të mbështet tek investimi i palëve apo të tretëve për të evidentuar rastet e kundraligjshme.
Për këto arsye, nevojitet një transparencë e shtuar mbi profilet e kandidatëve për anëtarë të emëruar kryesisht.
Në këtë drejtim sugjerohet publikimi në faqen në internet të KQZ-së së listës së kandidatëve për anëtarë të emëruar kryesisht dhe vendit të punës së deklaruar prej tyre.
Kjo do të përbënte një mundësi për qytetarët të investonin institucionin për rastet eventuale të papajtueshmërise të këtyre kandidatëve.
f. Trajtimi financiar i komisionerëve kryesisht
Anëtarët e emëruar kryesisht vlerësohet se marrin një përgjegjësi më të madhe se ata të propozuar nga partitë politike. Njëkohësisht vlerësohet se ata ndërmarrin një angazhim në kushtet e një pasigurie totale përsa i përket kohëzgjatjes së këtij angazhimi.
Për këtë arsye dhe për të nxitur aplikimin nga figura me integritet dhe profesionalizëm sugjerohet një trajtim financiar i privilegjuar i këtyre anëtarëve, ndryshe nga të tjerët.
g. Publikimi i aktit
Në përfundim të këtij opinioni, sillet në vëmendje një element formal i këtij projekt-udhëzimi të paraqitur.
Para ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor, Neni 23, pika 5, parashikonte publikimin e Udhëzimeve të KQZ-së në Fletoren Zyrtare. Tanimë dispozita në fjalë është e amenduar en block, duke mos i vendosur një obligim eksplicit institucionit.
Megjithatë, në frymën e miratimit të një nënakti normativ, jo vetëm në këtë rast, KRIIK nxit institucionin për publikimin e këtyre akteve në Fletoren Zyrtare. Sillet në vëmendje këtu përvoja e deritanishme, që me gjithë detyrimin për publikim në Fletore Zyrtare, kishte paqartësi për tërësinë e nënakteve normative të KQZ-së. Heqja e një garancie të tillë, mbart shqetësime mbi informimin publik mbi tërësinë e akteve të miratuara.
Në fund i sillet në vëmendje Institucionit pamundësia fizike në këtë proces zgjedhor për respektimin e afateve të parashikuara për nisjen e procedurave të përzgjedhjes[7].
Ndonëse afatet e vendosura në ndryshim nga udhëzimi i mëparshëm janë për t’u përshendetur, ato janë të pamundura për këtë proces zgjedhor.
Nevojitet dhe sugjerohet që institucioni t’a marrë në konsideratë këtë shqetësim duke e vendosur këtë proces, edhe për këto zgjedhje, në kushtet e respektimit të plotë të afateve që do të parashikohen.
Tiranë, më 1
Dhjetor 2020!
[1] Neni 3 i projekt-udhëzimit “Kushtet për emërimin kryesisht të anëtarit dhe të sekretarit të KZAZ-së”, pika 1, gërma dh.
[2] Neni 8 i projekt-udhëzimit “Kushtet për emërimin kryesisht anëtar dhe sekretar i KQV-së”, pika 1, gërma dh.
[3] Për shembull: Anëtar i Këshillit Bashkiak, funksion nëpunësi publik me karakter politik, e të tjerë.
[4] Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, Neni 31 “Kushtet për emërimin e anëtarit dhe të sekretarit të KZAZ-së”.
[5] Neni 10 i projekt-udhëzimit “Njoftimi publik për emërim kryesisht anëtar dhe sekretar i KQV-së”, pika 2, gërma b “iv. deklarimin e nënshkruar të shtetasit, sipas lidhjes nr. 2 bashkëlidhur, se: … – nuk ka marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të dytë me ndonjërin nga kandidatët që konkurrojnë në zonë zgjedhore për organet e qeverisjes vendore; …” .
[6] Neni 13 i projekt-udhëzimit “Trajnimi i shtestave të cilët emërohen kryesisht anëtar apo sekretar të KZAZ/KQV-ve”.
[7] Neni 5 i projekt-udhëzimit “Njoftimi publik për emërimin kryesisht për përbërjen e KZAZ-ve”.
Opinionin ne pdf mund ta shkarkoni KETU