Procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të 25 Prillit 2021, KRIIK ka nisur ta monitorojë në tërësi që prej momentit të shpalljes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, më 6 Shtator të vitit 2020. Aksioni i Vëzhgimit u shpall publikisht gjatë Konferencës Kombëtare “Kostot e Demokracisë II – Paratë në Politikë dhe Integriteti Zgjedhor”.
KRIIK angazhoi një ekip ekspertësh në nivel qendror, 22 vëzhgues afatgjatë në të gjithë vendin, të cilat vëzhguan elementë kyç të procesit nga fundi i shkurtit deri në një javë pas aprovimit të tabelave përfundimtare të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; 184 vëzhgues afatshkurtër të cilët ndoqën aktivitetin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nga dita e premte, 23 prill, deri në përfundimin e numërimit në zonën zgjedhore përkatëse (2 për çdo KZAZ); 360 vëzhgues afatshkurtër që vëzhguan procesin në po aq qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë rastësore në të gjithë vendin; 184 vëzhgues afatshkurtër të lëvizshëm, në ekipe prej dy vëzhguesish secili, që vëzhguan situatën rreth qendrave të votimit dhe procesin e votimit gjatë ditës së zgjedhjeve (një ekip për çdo zonë të administrimit zgjedhor); si dhe 184 vëzhgues afatshkurtër që vëzhguan procesin e numërimit të votave në të gjithë vendet e numërimit të votave në vend (dy për çdo VNV). Vëzhgimi i 360 qendrave të votimit të përzgjedhura në mënyrë rastësore garanton përgjithësimin e gjetjeve me një marzh gabimi prej ±5%, me një interval besueshmërie prej 95%.
KRIIK e vlerëson procesin zgjedhor duke përdorur si kritere standardet e njohura ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike, si dhe kuadrin ligjor shqiptar.
Gjetjet nga procesi i vëzhgimit janë bërë publike nëpërmjet një numri raportesh e prononcimesh publike, si më poshtë:
Në datën 11 Mars 2021, KRIIK organizoi një Konferencë për Shtyp në të cilën u bënë publike disa shqetësime të KRIIK në lidhje me katër çështje të rëndësishme të procesit zgjedhor: (1) ndikimin që Covid-19 do të kishte mbi organizmin e procesit zgjedhor, (2) integritetin e kandidatëve të propozuar nga subjektet zgjedhorë; (3) e drejta e votës për zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit; si dhe (4) përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore.
Në datë 29 mars u publikua Raporti i Parë i Ndërmjetëm i Vëzhgimit, i cili mbulonte periudhën nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve (6 shtator 2020) deri në nisje të fushatës zgjedhore (25 mars 2021).
Në datë 24 prill u publikua Raporti i Dytë i Ndërmjetëm i Vëzhgimit, i cili mbulonte periudhën e fushatës zgjedhore (nga data 26 mars deri në datë 23 prill 2021).
Gjatë ditës së zgjedhjeve KRIIK realizoi katër konferenca për shtyp, me qëllim informimin e publikut mbi procesin zgjedhor gjatë asaj dite. Të hënën, datë 26 prill, u publikua Deklarata e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake mbi Procesin Zgjedhor deri në atë pikë, përfshi ditën e zgjedhjeve dhe nisjen e procesit të numërimit të votave.
Gjatë procesit të numërimit u mbajtën tri konferenca për shtyp, në të cilat u informua publiku mbi mbarëvajtjen e këtij procesi. Të premten, datë 30 prill 2021 u publikua Deklarata Paraprake mbi Procesin e Numërimit.
Ne shkurt 2022 u publikua Raporti Final i Vezhgimit, i cili mbulon nga shtatori 2020 (shpallja e dates se zgjedhjeve nga Presidenti) deri ne janar 2022.
Ne perfundim te Aksionit te Vezhgimit, KRIIK realizon, ne date 16 shkurt 2022 KONFERENCËN KOMBËTARE “SHOQËRIA CIVILE DHE POLITIKE; PËR NJË DIALOG DHE PJESËMARRJE GJITHËPËRFSHIRËSE” – “Nevoja për një Reformë të Plotë Zgjedhore; Financimi i Politikës”.
Përgjatë gjithë aktivitetit të vet, synimi parësor i KRIIK mbetet fryma kritike dhe konstruktive, evidentimi i pikave të forta dhe i problematikave që kërkojnë përmirësim, si dhe ofrimi i rekomandimeve për përmirësim. Raporti Përfundimtar i Vëzhgimit dhe Raporti për Financimin e Subjekteve Zgjedhore dhe Kandidatëve do të shoqërohen me rekomandime për përmirësim dhe ndiqen nga aktivitete advokuese dhe ndërgjegjësimi me qëllim që këto rekomandime të përmbushen, me synim final forcimin e integritetit të procesit zgjedhor në Shqipëri.
Përpos ndjekjes në vazhdimësi të elementëve kontekstualë politikë e institucionalë, vëzhgimi i
elementëve teknikë të procesit është fokusuar në sjelljen dhe vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe sjelljen dhe ligjzbatueshmërinë e administratës së KQZ-së; përmbushjen e detyrimeve ligjore prej Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, institucioneve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në procesin zgjedhor apo që luajnë një rol në të; fushatën parazgjedhore të zhvilluar; sjelljen e subjekteve zgjedhore dhe institucioneve, si dhe përdorimin e burimeve shtetërore për përfitim elektoral; etj.
Aksioni i Vëzhgimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 25 Prillit 2021 është duke u realizuar në bashkëpunim me 33 organizata partnere, të cilat operojnë në të gjithë vendin:
- Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias, Informacionit – Sarandë;
- E Shkuara për të Ardhmen – Korçë;
- Epoka e Re – Fier;
- Forumi Civil Selenicë – Selenicë;
- Forumi i Gruas Elbasan – Elbasan;
- Gruaja Naftëtare në Fokusin e Zhvillimit – Kuçovë;
- Gruaja në Zhvillim – Korçë;
- Grupi Lokal i Veprimit Integrimi – Dibër;
- Lëvizja Rinore për Demokraci Pukë – Pukë;
- Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit – Ksamil;
- Shoqata Mbrojtja e Mjedisit dhe Zhvillimi i Turizmit – Has;
- Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara (MEDPAK) – Librazhd;
- Nisma e Luleve – Sarandë;
- Platforma Kombëtare për Gratë – Fier;
- Porta Rome për Integrim – Krujë;
- Shoqata Qëndistaret – Korçë;
- Unë Gruaja – Pogradec;
- Qendra e Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale – Kukës;
- Qendra Këshillimore për Njerëzit me Aftësi të Kufizuar – Shkodër;
- Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë – Fushë Arrëz;
- Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile – Durrës;
- Hand to Hand Against Nation Apathy – Lezhë;
- Qendra Rinore e Vlorës – Vlorë;
- Shoqata Mbrojtja e të Drejtave të Gruas Fshatare dhe Qytetare – Berat;
- Shoqata Alpin – Tropojë;
- Shoqata Ekspertët e Rinj Mjedisor – Bulqizë;
- Shoqata për Gratë dhe Fëmijët – Tiranë;
- Shoqata Rreze Shprese – Vau Dejës;
- Sindikata e Pavarur e Tipografëve – Tiranë;
- The Youth of Ura Vajgurore – Ura Vajgurore;
- Together for Roma Integration – Fier;
- Youth for Social Changes – Vorë;
- Consulting and Development Partners – Shkodër.