D E K L A R A T Ë
Sot, me datë 13.10.2020, përfaqësues të Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) zhvilluan një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve të sapoemëruar, z. Ilirjan Celibashi.
Ky takim përgëzimi për detyrën e rëndësishme të marrë, shërbeu si një mundësi për të ndarë konsideratat dhe opinionet e KRIIK mbi përvojën e derisotme dhe situatën faktike të institucionit të KQZ-së, si dhe mbi disa nga çështjet më prioritare lidhur me përgatitjet për procesin zgjedhor të ardhshëm. Konsiderata dhe opinione që gjetën mirëkuptim të plotë të Komisionerit dhe që u pasuan me zotimin për përmirësimin e mëtejshëm të praktikës institucionale dhe të konsolidimit të KQZ-së si një institucion i pavarur e transparent.
Amendimet e fundit të Kodit Zgjedhor ri-modeluan trupën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në një strukturë trilaterale. Trupë kjo që tashmë mbart peshën e rëndë për të vendosur një frymë të re të këtij institucioni, por që pritet të përballet me rrethana që do e vështirësojnë edhe më shumë këtë objektiv.
Ridimensionimi i institucionit të KQZ-së është hapi i parë në zbatim të frymës dhe gërmës së marrëveshjes politike të 5 Qershorit 2020. Atë të prevalimit të institucioneve të pavarura, me integritet e ligjzbatuese, përkundër modelit të dështuar të ndarjes së tyre mbi bazën e balancimit politik, në vuajtje prej sistemit të patronazhit politik të ndërtuar prej partive politike përgjatë gjithë kësaj periudhe të stërgjatë tranzicioni.
KRIIK solli në vëmendje të Komisionerit këtë perspektivë duke shprehur besimin e plotë se figura e kompletuar dhe me integritet të lartë profesional e tij, sikurse edhe përvojat e mëparshme në drejtim të këtij institucioni apo edhe angazhimet e tjera publike, përbëjnë një garanci më shumë për jetësimin e kësaj perspektive në institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Institucioni i KQZ-së nevojitet të fitojë sa më parë integritetin e munguar si dhe të reflektojë modelin më të mirë të institucioneve të pavarura, si një institucion ligjzbatues që gëzon besimin e qytetarëve dhe të publikut të gjerë.
Në këtë kuadër, KRIIK shprehu mbështetjen e tij të plotë si një aktor vendor me ekspertizë në çështjet zgjedhore, si dhe me një eskperiencë të gjatë angazhimi në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, në mbështetje të forcimit të rolit, integritetit dhe funksionalitetit më të mirë të KQZ-së, në përmbushje të detyrave të ngarkuara nga tërë kuadri ligjor.
Ndryshimet e rëndësishme që pësoi kuadri ligjor, përbëjnë një sfidë jo të vogël në zbatim, ndërkohë që periudha zgjedhore ka nisur dhe data e zgjedhjeve është vetëm gjashtë muaj larg.
Përpos një game të gjerë rregullimesh, përgatitje dhe mbikqyrje të elementëve të procesit të ardhshëm zgjedhor, përballë KQZ-së paraqitet sfida e ndërmarrjes dhe realizimit për herë të parë e votimit të shtetasve me banim jashtë vendit, si dhe e procesit të verifikimit biometrik të zgjedhësve. E gjitha kjo në kontekstin social të një gjendje kritike për shëndetin publik dhe që mund të preket në vijimësi nga një agravim i mëtejshëm i situatës.
Në adresim të këtij konteksti, KRIIK, në vijimësi të qendrimeve të mëparshme publike, risolli në vëmendje të Komisionerit dhe morri zotimin e tij për domosdoshmërinë e një transparencë proaktive në vendimmarrjen e këtij institucioni, përtej parashikimeve ngushtësisht të kërkesave ligjore.
Gjithashtu, në këtë drejtim, përfaqësuesit e KRIIK parashtruan nevojën për ndërtimin e një procesi konsultativ të vazhdueshëm, për aq sa mund të bëhet e mundur, në vendimmarrjet e institucionit në aspektet rregullatore të procesit. Për më tepër, për shkak të mosgjetjes së dakordësisë së plotë politike për t’i kryer këto ndryshime legjislative, miratimi i nënakteve ligjore do të duhet balancojë atë unison dakordësie që nuk u arrit nga establishmenti politik.
Në këtë kuadër, nevojitet që të gjithë aktorët politikë ose jo, si dhe ata institucionalë të përfshirë të vazhdojnë të ofrojnë kontributet dhe opinionet e tyre, në mbështetje të procesit hartues të akteve rregullatore për procesin zgjedhor sipas planit të përgatitur dhe nevojave që paraqiten prej KQZ-së.
Në përfundim, në raport me nevojat imediate për procesin e ardhshëm zgjedhor, KRIIK ndau me Komisionerin shqetësimin e miratimit sa më të shpejtë të protokolleve anti Covid në tërë nivelet e administrimit zgjedhor, si dhe në ndjekjen me përparësi të ecurisë së hartimit të listave të zgjedhësve.
Lidhur me këtë të fundit, KRIIK paraqiti shqetësimin e bërë publik lidhur me mungesën e transparencës në procesin e hartimit të këtyre listave dhe nxiti Komisionerin dhe NënKomisioneren të emërojnë sa më parë auditët teknicienë për të mbikqyrur dhe bërë transparencë mbi këtë proces shumë të rëndësishëm, i cili afekton drejtëpërsëdrejtë besimin e qytetarëve në procesin e ardhshëm zgjedhor.
Tiranë, më 13 Tetor 2020!
Deklaratën, në format .pdf mund ta shkarkoni KETU.