NJOFTIM PER SHTYP
Më datë 3 Korrik 2020, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara me publikoi DEKLARATËN “Pas përmbylljes së tekstit ligjor të Reformës Zgjedhore, koha për t’i kushtuar vëmendje gjendjes institucionale në vend”.
Pas konkretizimit të vullnetit të përbashkët politik, në tekstin ligjor të amendimeve të Kodit Zgjedhor në zbatim të Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020 dhe pas depozitimit dy ditë më parë të tij pranë Komisionit të Ligjeve në Kuvend, KRIIK, nëpërmjet kësaj Deklarate, sjell në vëmendje të aktorëve politikë dhe vendimmarrës, se është koha për t’iu kushtuar një problematike po aq madhore, gjendjes institucionale në vend.
Ky konkluzion vjen si pasojë e konkludimit të një monitorimi më shumë se 16 mujor, mbi ecurinë politiko-institucionale që i parapriu, shoqëroi dhe pas-solli procesi i 30 Qershorit 2019, ecuri e cila u ndoq si një përvojë laboratorike në analizimin e kapacitetit ligjor dhe institucional për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore me integritet.
RAPORTI I MONITORIMIT “Sjellja ligjore dhe institucionale e institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019” që bëhet publik së bashku me këtë Deklaratë, vjen në frymën e një auditimi post zgjedhor të ecurisë proceduriale dhe sjelljes institucionale, të cilin KRIIK e ka advokuar si një instrument të rëndësishëm në garantimin e integritetit zgjedhor.
Në konkluzion të Këtij Raporti, definohet se çdo rrethanë e realitetit ligjor-institucional paraqitet e nënshtruar ndaj vullneteve të establishmentit politik. Madje, konstatohet se tërë mekanizmi shtetëror manifeston një sjellje institucionale dhe një zbatim të ligjit në funksion të dinamikave bi-partizane.
Në konsideratën e KRIIK, kjo gjendje e kapacitetit ligjor-institucional paraqitet si përgjegjësi direkte e tërë establishmentit politik dhe rëndon në jetët e tërë qytetarëve shqiptarë.
Si e tillë, nevojitet një zgjatim i kësaj dakordësie politike për një reformim madhor dhe integral të mekanizmit, si një sfidë më vetë, përtej zgjedhjeve që priten.
Kjo reformë, asesi, nuk mund të mendohet si e përciptë dhe dritëshkurtër, por nevojitet të jetë një proces afatgjatë, i mirëmenduar dhe radikal.
Në ekspertizën e KRIIK, kjo reformë duhet të ndërmarrë masa radikale që nga rritja domosdoshmërisht e transparencës së institucioneve, e deri tek ridimensionimi i administratës zgjedhore.
Ky proces ridimensionimi, nevojitet të sillet me objekt jo vetëm ndërtimin e një administratë jo-politike, por të shkohet deri tek realiteti ku “barra e provës” në drejtësinë zgjedhore t’i kalojë vetë kësaj administrate.
Në përfundim, sillet në kujtesë se në funksion të amendimeve që priten të miratohen, shumë shpejt do të kryhet edhe emërimi i anëtarëve të tre strukturave të reja zgjedhore në zhbërje të trupës së KQZ-së aktuale.
Në përzgjedhjen e kandidaturave nxiten të gjithë aktorët politikë e vendimmarrës, të kenë parasysh sjelljen e kritikueshme në vijimësi të anëtarësisë së trupave të KQZ-së, madje edhe përvojat e praktikat e deritanishme të ligjzbatimit dhe integritetit institucional të sjellë në vëmendje të opinionit publik edhe nëpërmjet këtij Raporti Monitorimi 16 mujor, në mënyrë që të ndërtohet një proces garimi dhe filtrimi i barabartë, me standarde rigoroze vlerësimi në raport me integritetin profesional dhe atë personal në raport me ligjin dhe institucionet.
DEKLARATËN e plotë në formatin .pdf mund ta shkarkoni KËTU.
Gjithashtu, RAPORTIN E MONITORIMIT mbi sjelljen ligjore dhe institucionale përgjatë periudhës nëntor 2018 – shkurt 2020, mund ta shkarkoni KËTU.
Tiranë, më 3 korrik 2020!