Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) është një organizatë jo-fitimprurëse dhe jo-qeveritare, e themeluar në tetor të vitit 1997 nga një grup studentësh. Qendra e organizatës është në Tiranë, dhe aktiviteti i saj shtrihet në të gjithë vendin, duke operuar nëpërmjet përfaqësuesve lokalë dhe/ose organizatave partnere.
KRIIK është regjistruar më 26 dhjetor 1997, me Vendimin Nr. 6493 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në formën e shoqatës me anëtarësi. Trupa më e lartë vendimmarrëse e organizatës është Mbledhja e Përgjithshme e Anëtarëve. Mbledhja e Anëtarëve zgjedh organet drejtuese të organizatës – Kryetarin dhe Kryesinë, miraton dokumentet e rëndësishme statutore, strategjike dhe politike dhe monitoron punën e organeve drejtuese.
Vlerat themelore
Vlerat themelore në të cilat bazohet aktiviteti i KRIIK janë angazhimi qytetar vullnetar; paanësia dhe pavarësia; integriteti; konsekuenca në përmbushjen e misionit me profesionalizëm dhe përkushtim; objektiviteti në vlerësimin e fakteve dhe argumenteve; respekti për diversitetin njerëzor dhe atë të opinioneve; transparenca në veprimtari dhe ruajtja e mjedisit.
Vizioni
Vizioni i KRIIK është ai i një shoqërie ku mbizotëron shteti ligjor; respektohen katërcipërisht dhe pa kompromis të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, liritë qytetare, politike dhe të ndërgjegjes të të gjithë individëve, pa asnjë dallim; ku mbizotëron sensi i komunitetit dhe qytetarët janë të angazhuar në hartimin e politikave publike në mënyrë domethënëse dhe sovranë dhe ku përfaqësuesit e zgjedhur e zyrtarët e tjerë publikë kanë si interes parësor mirëqenien e qytetarëve
Misioni
KRIIK punon për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sigurisë njerëzore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjes demokratike; nxitjen e aktivizmit dhe angazhimit qytetar dhe nxitjen e llogaridhënies së institucioneve publike dhe politike.