Shkarko Deklaraten ne pdf
Në vazhdën e angazhimit të vet për forcimin e integritetit të zgjedhjeve në vend, përfaqësues të KRIIK u takuan sot, më datë 25 nëntor 2025, me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi.
Takimi me Komisionerin Celibashi, në vijim të një komunikimi e bashkëpunimi të pandërprerë më institucionin e KQZ-së, ndërmerret sot nga KRIIK në vigjilje të nisjes së periudhës zgjedhore për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, data e mbajtjes së të cilave pritet të dekretohet nga momenti në moment prej Presidentit të Republikës. Ky takim është gjithashtu në vijim të një numri takimesh që KRIIK po zhvillon me institucionet e aktorët kryesorë në vend, e veçanërisht më ato të cilat luajnë rol apo janë të ngarkuara me detyra në funksion të mbarëvajtjes së procesit të ardhshëm zgjedhor.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e KRIIK theksuan rolin tejet të rëndësishëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në garantimin e Integritetit të Zgjedhjeve, me fokus të veçantë në forcimin e kontrollit mbi financimin e partive politike e fushatave zgjedhore, parandalimit të përdorimit të burimeve shtetërore për avantazh elektoral, si dhe të aplikimit me sukses të procesit rregullator që do të sigurojë për herë të parë votimin e zgjedhësve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Në kushtet kur procesi i ardhshëm zgjedhor duket se do të realizohet sërish me një kuadër ligjor i cili ka një numër boshllëqesh e problematikash, KRIIK shprehu dhe nxiti Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rëndësinë e veçantë që ka tashmë plotësimi apo përmirësimi i akteve nënligjore, brenda kornizave që kuadri ligjor parësor vendos, me elementë të nevojshëm që rrisin e forcojnë integritetin e zgjedhjeve të ardhshme.
Në këtë aspekt, KRIIK vlerësoi dhe i vuri një theks të veçantë rëndësisë që ka vijimësia dhe përmirësimi i mëtejshëm i procesit të konsultimit të miratimit/amendimit të akteve nënligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në plotësim të kuadrit ligjor parësor, në radhë të parë me partitë politike por edhe me aktorë të shoqërisë civile me kontribut dhe ekspertizë, apo edhe me organizma e ekspertë ndërkombëtarë që angazhohen në këtë fushë.
Përpos procesit pozitiv e të përmirësuar të ndjekur së fundi nga KQZ-ja në miratimin e akteve që do të mundësojnë votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, përgjegjësi e jashtëzakonshme e KQZ-së e cila është duke u përmbyllur, KRIIK paraqiti nevojën e plotësimit të akteve rregullatore të KQZ-së të cilat mund të përmirësojnë akoma më tej rritjen e transparencën dhe të kontrollit mbi financat e partive politike e fushatës zgjedhore, si dhe ato që mundësojnë parandalimin me efektivitet të përdorimit të ofiqit publik dhe burimeve shtetërore për avantazh elektoral[i] në periudhën përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Në funksion të këtij përmirësimi, përfaqësuesit e KRIIK nxitën dhe parashtruan domosdoshmërinë për ndërveprimin mes tri organeve drejtuese të KQZ-së për përmirësimin e kuadrit ligjor dytësor mbi zgjedhjet, bazuar në përvojën katërvjeçare të ushtrimit të funksioneve prej tyre, ndërthurur kjo me analizat vjetore që vetë institucioni i KQZ-së ka zhvilluar, sikurse edhe duke marrë në konsideratë gjetjet dhe rekomandimet e bërë nga misionet ndërkombëtare të vëzhgimit dhe ato vendase, përfshirë ato të KRIIK.
KRIIK vlerësoi dhe mbështeti fort angazhimin e shprehur prej Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për rritjen e mëtejshme të transparencës në veprimtarinë e KQZ-së e të ndërveprimit me të gjithë aktorët relevantë në funksion të arritjes së këtij qëllimi, si dhe lidhur me disa iniciativave konkrete që KQZ-ja është duke ndërmarrë në këtë drejtim përpara Zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë.
Në vijim të problematikave të cekura edhe në këtë takim, si dhe të ndjekjes nga afër të tërë procesit politiko-institucional që po i paraprin nisjes së periudhës zgjedhore të Zgjedhjeve të ardhshme Parlamentare, KRIIK konsideron me vend dhe ndan shqetësimet publike të ngritura në lidhje me vështirësitë logjistike që mund të pengojnë votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit si pasojë e vonesave të dërgimit të fletëve të votimit.
Lidhur me adresimin e kësaj çështjeje, KRIIK u bën thirrje Partive Politike Parlamentare, Institucionit të Kuvendit dhe çdo Deputeti, të zhvillojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të plotë dhe koherente me përmbushjen e detyrimit për të siguruar votimin e shtetasve që jetojnë jashtë vendit, larg qasjeve meskine politike e partiake, e të kalkulimeve të ngushta elektorale.
Ata duhet të sigurojnë medoemos suksesin e këtij procesi, e jo në një mënyrë apo një tjetër të nxisin parealizueshmërinë e tij, duke justifikuar me pas dështimin e qëllimshëm të tij, me arsyen e mos qënies ende gati për një proces të tillë.
KRIIK u bën thirrje urgjentisht për t’u angazhuar në ndryshimin e kuadrit ligjor parësor, në mënyrë që të minimizohet mundësia që votat e dërguara nga jashtë vendit të shpallen të pavlefshme si pasojë e afateve postare, pasi kjo do të krijonte një precedent tejet negativ në aplikimin për herë të parë të votimit nga jashtë vendit.
Madje në ndryshimet që do të konsiderohen të nevojshme për tu ndërmarrë, KRIIK gjykon dhe u bën thirrje që Kodi Zgjedhor të parashikojë mbulimin tërësisht të kostos së shërbimit postar prej shtetit shqiptar, sado qoftë ajo, të paktën për këto zgjedhje, duke siguruar dërgimin dhe marrjen e fletës së votimit me shërbim postar të shpejtë.
Gjithashtu, KRIIK gjykon se pavarësisht kohës së pakët në dispozicion përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ende është e mundur të kryhen ndërhyrje në kuadrin ligjor për zgjedhjet apo në ligje të tjera të caktuara, referuar edhe kalendarit të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim forcimin e transparencës së financimit politik dhe parandalimit të përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale.
Angazhimi për të kryer ndërhyrje në vijim në kuadrin ligjor për zgjedhjet, i shprehur nga disa prej anëtarëve të Komisionit të Ligjeve në seancën e datës 24 korrik 2024 të këtij Komisioni[ii], ku u votuan për të kaluar në seancë plenare amendimet e Kodit Zgjedhor, deri në këtë moment nuk është pasuar me hapa konkretë.
Pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion, ndryshime minore në legjislacion mund të kryhen ende nëse do të ketë vullnet serioz prej partive kryesore politike për të konkretizuar deklarimet publike të tyre në një dakordësi politike institucionale, e cila të shkojë jo vetëm në legjislacionin zgjedhor, por edhe në kontribute konkretë në aktet nënligjore që do të miratojë apo amendojë KQZ-ja, në funksion të rritjes cilësore të standardeve të procesit zgjedhor 2025.
KRIIK sjell në vëmendje se dakordësia politike midis dy partive kryesore politike, PS e PD, e nxitur për të adresuar tre vendimet e Gjykatës Kushtetuese, u gjet dhe shkoi më tej me amendimet e korrikut, pasi arriti të shfuqizonte edhe nenin 183 të Kodit Zgjedhor, konkretisht të pikës 7 të tij, duke zhbërë procesin e përtëritjes së pjesshmme të njërit prej organeve drejtuese të KQZ-së, konkretisht të Komisionit të Ankimimeve e Sanksioneve dhe duke ceduar kështu në aspiratën për të cilin ishte parashikuar kjo dispozitë, sigurimin e mirëfunksionimit dhe pavarësisë së këtij organi drejtues të KQZ-së[iii].
Po ashtu, ende sot, asnjë prej këtyre aktorëve nuk ka marrë asnjë nismë për zëvendësimin apo rizgjedhjen e Nënkomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, mandati i të cilit ka përfunduar më datën 5 tetor 2024.
Në përfundim të kësaj Deklarate, KRIIK u bën thirrje aktorëve ndërkombëtarë, si përfaqësive diplomatike të vendeve partnere të Shqipërisë aq edhe organizatave ndërkombëtare me ekspertizë dhe eksperiencë, që, përpos nxitjes e presionit që nevojitet t’iu bëjnë faktorëve politikë e institucionalë për të adresuar shqetësimet madhore të evidentuara nga ODIHR, të mbështetin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në misionin e vet për forcimin e integriteti të zgjedhjeve, si duke i dhënë mbështetje publike përpjekjeve të KQZ-së, aq edhe duke ofruar asistencë teknike apo edhe financiare në mbështetjen e veprimtarisë së tij.
[i] Të tilla si Vendimi nr. 9, datë 9 mars 2021 i Komisionit Rregullator “Për procedurat e funksionimit dhe mirëmbajtjes së portalit, procedurat dhe afatet e hetimit administrativ të denoncimeve dhe vendimit që merret në përfundim të tyre”.
[ii] Shih mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të datës 24 korrik 2024.
[iii] Miratimi i ndryshimeve të korrikut në Kodin Zgjedhor nga Kuvendi u bë në një mungesë të plotë transparente paraprake duke mos e publikuar as në faqen e internetit draftin e përgatitur.
Ky fakt bëri të mundur kalimin pa bujë edhe të një ndryshimi tjetër të bërë në Kodin Zgjedhor, për të cilin publikisht nuk ishte folur asnjëherë më parë, e që në thelb është në vijimësinë e zhbërjes së Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020.
Sipas pikës 7 të nenit 183, tre anëtarëve të zgjedhur me short të KAS-it iu mbaronte mandati më datën 5 tetor 2024, ndaj Kuvendit do t´i duhej të ndërmerrte procedurën e zgjedhjes së tre anëtarë të rinj përgjatë muajit shtator 2024.
Tiranë, më 25 Nëntor 2024!