Shkarko Qendrimin Publik ne pdf
Ditën e sotme, datë 27 mars 2023, subjektet zgjedhore të regjistruara tashmë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, do të depozitojnë për regjistrim kandidatët e përzgjedhur prej tyre për Kryetarë të Bashkive dhe Anëtarë të Këshillave Bashkiakë, për garën elektorale të 14 majit 2023.
Kandidatët përbëjnë komponentin kryesor të ofertës elektorale që klasa politike në vend me kapacitetet, përvojën dhe maturinë që zotëron do t’i ofrojë vendit dhe popullit shqiptar, si administratorë për sigurimin e vetëqeverisjes dhe mirëqeverisjes vendore për katërvjeçarin e ardhshëm.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), në vazhdën e angazhimit të tij konstant për monitorimin e integritetit të procesit zgjedhor, i cili lidhet ngushtësisht e së pari me tërë situatën politike e institucionale që i paraprin, shpreh shqetësimin e tij për nivelin e përgjegjshmërisë, maturisë dhe dialogut politik e institucional të deritanishëm të treguar dhe zhvilluar nga klasa politike aktuale, i cili nuk i përgjigjet në asnjë formë aspiratave, pritshmërive dhe interesave të qytetarit të thjeshtë shqiptar dhe vendit.
KRIIK sjell në vëmendje të të gjithë opinionit publik, përfshi partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë të Shqipërisë, se këto zgjedhje në pikëpamje të ofertës elektorale dhe produktit që pritet prej tyre duhet të jenë dhe të mbeten tërësisht të natyrës administrative e lokale.
Por në të njëjtën kohë, ndryshe nga sa propogandohet gjerësisht, në pikëpamje të kontekstit dhe angazhimit tërësor e me çdo mjet të maxhorancës, këto zgjedhje konstatohet se janë në të vërtetë shumë më tepër se politike. Kjo konsideratë përforcohet veçanërisht në pikëpamje të përvojës demokratike që po krijon ky proces zgjedhor[i], kontekstit në të cilin po zhvillohet[ii], përvijimit të marrëdhënieve politike e institucionale, si dhe adresimit të sfidave madhore të kërkuara për tu përmbushur nëpërmjet raporteve të ODIHR[iii], Parlamentit Europian[iv], Departamentit të Shtetit[v] apo edhe të institucioneve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Procesi Zgjedhor i 14 majit 2023, është i treti[vi] i mbajtur pas krizës politike 2017-2020, Marrëveshjes Politike të 5 Qershorit 2020 dhe amendimeve të rëndësishme të Kodit Zgjedhor që pasuan, ku një pjesë e tyre u krye në mënyrë të njëanshme prej maxhorancës, përfshi ndryshimin në Kushtetutë të rregullave të lojës.
Ky proces zgjedhor vjen pas dështimit të deritanishëm të mënyrës së të bërit politikë prej aktorëve politikë e vendimmarrës; të aftësisë për të zhvilluar përgjegjësitë politike e institucionale në funksion të një dialogu të vërtetë i cili duhet të zhvillohet së pari në sallën e parlamentit; të ndërmarrjes së reformave madhore sikurse u premtua për këtë legjislaturë, duke shënuar turpshëm dështimin e reformës administrativo-territoriale dhe të reformës zgjedhore[vii]; të mundësisë për një funksionim normal të Parlamentit të Shqipërisë, Institucionit më të Lartë të Republikës i cili ushtron dhe përfaqëson sovranitetin e popullit shqiptar.
Këto zgjedhje afektohen drejtpërdrejt edhe nga mbajtja në një kontekst paqëndrueshmërie të skenës politike, përsa kohë që tërë sistemi politiko-institucional është ngritur mbi bazën e parimit të balancës politike të dy forcave më të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, i shtrirë ky në tërë kapilarët e shtetit në vend, duke mos lënë në asnjë çast hapësirën e nevojshme për rritjen dhe konsolidimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor, sikurse aspironte Kushtetuta e Republikës e miratuar me referendumin popullor të 1998-ës.
Situata e komplikuar në kampin e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, e cila ka në thelb problemin e demokracisë së brendshme, problem i cili manifestohet gjerësisht në të gjitha partitë politike në vend, përshirë Partinë Socialiste, duket se do të ketë impaktin e saj në administrimin e procesit zgjedhor, konkretisht në pikëpamje të besueshmërisë që do të manifestojë procesi pas vështirësisë konkrete për të balancuar politikisht me komisionerë komisionet e administrimit të nivelit të dytë dhe të tretë, sikurse u evidentua gjatë Zgjedhjeve të Pjesshme Vendore të 6 marsit 2022.
Në këtë kontekst politik e institucional të agravuar e të vazhdueshëm, ku përgjegjësia është tërësisht e klasës politike, veçanërisht e partive parlamentare dhe lidershipit të tyre, duket se lidershipi i partive politike kryesore ka nisur sërish turra-vrapin elektoral për të legjitimuar në zgjedhjet e rradhës establishmentin politik si dhe dominancën në pushtet. Veçanërisht maxhoranca socialiste, e cila duket se nuk do që të ndalet, por do të fitojë/mbajë me çdo kusht pushtetin, pavarësisht kostove dhe praktikës negative që krijon dhe shënjon në përvojën demokratike të institucioneve dhe demokracisë në vend.
Ndërkohë, qytetari shqiptar në funksion të të cilit dhe për interes të të cilit është ngritur tërë sistemi politiko-juridiko-kushtetues që legjitimohet përmes zgjedhjeve të lira e të pandikuara, është duke u përballur përditë me pasigurinë, korrupsionin galopant dhe kriminalitetin e lartë.
Nevojitet të sillen vazhdimisht në vëmëndje një sërë problemesh thelbësore për shtetin demokratik dhe sistemin demokratik që Shqipëria ka, si: mungesa e lirisë së medias[viii], presioni ndaj mediave nga ana e Qeverisë[ix], përdorimi i medias nga ana e pronarëve dhe grupeve kriminale në mënyrë të paduhur[x]; mungesa e pavarësisë së gjyqësorit[xi], korrupsionin endemik dhe sistematik[xii], fenomemin e përdorimit të burimeve shtetërore për përfitim elektoral përgjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021[xiii], cënimin e lirive, të drejtave politike dhe të vullnetit të lirë të zgjedhësve në zgjedhje[xiv], etj.
KRIIK si një aktor i cili e ka nisur monitorimin e këtij procesi zgjedhor që prej shpalljes së dekretit të Presidentit të Republikës, gjen rastin t’i bëjë thirrje lidershipit dhe të gjithë partive politike, si dhe funksionarëve publikë që të reflektojnë, marrin përgjegjësitë e duhura duke treguar vizion e pjekuri politike. Sovraniteti dhe pushteti i takon qytetarëve. Zgjedhjet gjithashtu.
Politika duhet të konkurrojë përpos ofertave elektorale, me cilësinë e integritetit të procesit, garës elektorale që ndërton dhe kushtet reale në të cilat fton të shprehet vullneti vetëvendosës dhe i pacënuar i të gjithë qytetarëve.
Zgjedhjet Vendore të 14 majit duhet domosdoshmërisht të mbahen me integritet dhe legjitimitet të plotë, si një kërkesë në dobi të qytetarëve në rradhë të parë, por edhe në përligjje të angazhimeve ndërkombëtare të marra nga Shqipëria si Anëtar i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, apo edhe si procesi i parë zgjedhor i organizuar pas çeljes zyrtare të negociatave me Bashkimin Europian.
Tashmë figurojnë të rregjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 47 parti politike[xv], gjashtë prej të cilave janë grupuar në dy koalicione[xvi].
Klima e tensionuar politike, si dhe problematika brenda partisë më të madhe opozitare, zhvendosën vëmendjen nga oferta elektorale që partitë duhet të prezantonin, duke filluar së pari me kandidatët e më pas edhe me platformat elektorale të vetëqeverisjes vendore për secilën bashki, këto të fundit të munguara prej kohësh.
KRIIK është ndër aktorët që ka bërë vazhdimisht thirrje para çdo procesi zgjedhor, duke iu bashkuar kërkesës dhe nevojës së qytetarëve për të patur kandidatë të cilët gëzojnë integritet të plotë moral, ligjor dhe profesional, si dhe kapacitetin e nevojshëm për të marrë përsipër e zhvilluar përgjegjësitë e të zgjedhurit vendor.
Ashtu sikundër ka vënë theksin edhe në rëndësinë që këta kandidatë, qoftë ata për kryetar bashkie, qoftë ata për anëtarë të këshillave bashkiakë, të legjitimohen nëpërmjet forumeve demokratike brenda partive politike, sikurse parashikon fryma e gërma e Kushtetutës.
Por pavarësisht qëndrimeve konstante të qytetarëve dhe aktorëve vendas, përfshirë edhe partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë, deri më tani nuk është bërë asnjë transparencë e plotë mbi procesin dhe kandidaturat e përzgjedhura. Madje nga sa është bërë publike, nga maxhoranca duket se disa kandidatura janë (ri)kandiduar pavarësisht standardit dhe pritshmërive të vendosura e të legjitimuara nga tërë konteksti i përshkruar më sipër.
Në këtë kuadër, duke marrë në konsideratë parimet kushtetuese, standardet ligjore e demokratike, pritshmëritë ndaj vlerave euro-atlantike, problematikat e sipërpërmendura e sfidat që ka vendi, si dhe nisur nga përvoja e KRIIK në analizat e proceseve të mëparshme zgjedhore,
u bëhet thirrje partive politike dhe subjekteve zgjedhore që në ndërtimin e ofertës elektorale për qeverisjen vendore të vendit të marrin në konsideratë:
§ Dhënien e vëmendjes së duhur, hapësirës së plotë dhe mbështetjen pa rezerva të legjitimimit, së pari gjatë fushatës elektorale dhe, më pas, funksionimit real të vetëqeverisjes vendore përgjatë mandatit të ardhshëm 2023-2027;
§ Ndërtimin e programeve konkurruese elektorale vendore, të përshtatura sipas specifikave të nevojave, kapaciteteve dhe perspektivave të zhvillimit të secilës bashki, duke materializuar aty vizionin dhe interesat më të mira të komunitetit, të konsultuara paraprakisht, në mënyrë domethënëse, gjithëpërfshirëse e të vërtetë me komunitetet lokale respektive;
§ Vlerësimin real të komunitetit lokal në çdo bashki, duke zgjedhur dhe promovuar kapacitetet lokale ekzistuese, e zgjedhur prej tyre kandidatët më të mirë për drejtimin e organeve të nesërme të qeverisjes vendore.
Një qasje e tillë është jo vetëm konform frymës dhe gërmës së Kushtetutës[xvii], por nga ana tjetër nxit dhe siguron jetësimin e parimeve të demokracisë vendore, zhvillimin dhe vlerësimin e kapaciteteve lokale partiake dhe politike, si dhe jetësimin e të bërit politikë dhe të mbajtjes gjallë të demokracisë në lokalitet dhe në brendi të vetë partive politike;
§ Heqjen dorë nga mbajtja peng e qeverisjes dhe demokracisë vendore, nëpërmjet të katapultuarve nga partia në qëndër të atyre individëve kandidatë, të cilët, megjithëse mund të jenë me origjinë nga bashkia ku kërkojnë të kandidojnë, kanë kohë e vite që e kanë ndërtuar jetën në kryeqytet apo jashtë vendit dhe nuk kanë asnjë lidhje të vërtetë me komunitetin[xviii], përpos lidhjes së ngushtë si përfaqësues i besuar dhe me lidhje të drejtpërdrejtë me lidershipin e partisë politike përkatëse, apo edhe i interesave të ngushta politike apo private të këtyre të fundit.
Kjo lloj qasjeje në vite ka krijuar edhe situata qesharake, njëkohësisht edhe fyese për komunitetin, kur kandidatë të tillë dhe familja e tyre nuk kanë patur mundësi as të votonin për vetën e tyre, pasi nuk figuronin në listën e zgjedhësve. Kjo, pasi zhvendosja e vendbanimit prej tyre nga kryeqyteti në bashkinë ku kandiduan, është bërë pas hartimin përfundimtar të listës së zgjedhësve[xix].
§ Reflektimin në listën e kandidatëve të këshillave bashkiakë të diversitetit të njerëzve të popullsisë lokale, si përfaqësues, njëkohësisht rezidentë, të njësive administrative përbërëse të bashkisë, duke respektuar e zbatuar realisht parimin e barazisë dhe të mosdiskriminimit.
Partitë politike duhet të sigurojnë që kandidatët potencialë të mos diskriminohen në asnjë rast për shkak të racës, gjinisë, përkatësisë etnike, religjionit apo ndonjë karakteristike tjetër.
Procesi zgjedhor për Organet e Qeverisjes Vendore është shembulli më i mirë për materializimin e tërë angazhimeve dhe detyrimeve të ndërmarra nga shteti shqiptar për të siguruar pjesëmarrjen demokratike, e ku të mund të bëhet realitet dëgjimi në procesin politik i të gjithë zërave në shoqëri;
§ Mospërfshirjen në listën e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë të individëve të cilët janë titullarë apo zyrtarë në institucionet qëndrore, apo atyre me varësi qëndrore, pasi kjo përbën de facto kapje dhe një dirigjim i drejtëpërdrejtë i polikave lokale, nga politika qëndrore e qeverisë, në kundërshtim me të gjitha parimet, aspiratat dhe parashikimet kushtetuese e europiane të demokracisë dhe autonomisë vendorë;
§ Ndërtimin e tërë fushatës elektorale përgjatë 30 ditëve të parashikuara nga ligji, duke mbështetur dhe promovuar programet elektorale lokale të prezantuara dhe mbrojtura në mënyrë të drejtëpërdrejtë prej kandidatëve për kryebashkiakë dhe atyre si anëtarë të këshillave bashkiakë, pa dallim;
§ Nxitjen e pjesëmarrjes aktive dhe konkrete në fushatë elektorale të të gjithë kandidatëve në listën e anëtarëve të këshillave bashkiakë, nën prezumimin se çdonjëri prej tyre do të fitojë të nesërmen e zgjedhjeve pavarësisht renditjes në listë, duke u kujdesur që të sigurohet veçanërisht promovimi i kandidateve gra, si dhe mbështetja financiare e nevojshme, në mënyrë të barabartë, nga fonde dhe burime të partisë përkatëse politike;
§ Shmangien e kandidimit fiktiv si për kryetar bashkie, por veçanërisht për anëtar të këshillit bashkiak.
Plotësimi fiktiv i listave të kandidatëve, me qëllimin që një ose disa kandidatë të marrin pjesë në garë me formatin e një partie politike është praktikë e kundërligjshme zgjedhore, sepse cënon parimin e konkurrueshmërisë dhe barazinë e palëve në garë[xx].
Partitë politike duhet të bëjnë përpjekje maksimale dhe të ndalin kandidimin për të njëjtin Këshill Bashkiak të personave me lidhje familjare të shkallës së parë, pasi Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore” parashikon se nuk mund të jenë anëtarë të të njëjtit këshill personat nga e njëjta familje[xxi]. Kandidimi, pavarësisht këtij ndalimi ligjor, në kushtet praktike të njohjes paraprakisht të pamundësisë për tu zgjedhur në mënyrë të njëkohshme të anëtarëve të së njëjtës familje, e vë partinë politike dhe kandidatin në kushtet e kandidimit fiktiv.
Sillet në vëmendje se nga vëzhgimi i bërë listave të kandidatëve në zgjedhjet vendore të vitit 2019 rezultoi se ky detyrim ligjor nuk u respektua nga asnjë parti politike[xxii] pjesëmarrëse, pasi jo vetëm që rezultuan kandidatë për të njëjtin këshill, por edhe për të njëjtën parti politike.
§ Sigurimin e pastërtisë e figurës së çdo kandidati duke siguruar paraprakisht, përpara dërgimit të emrit si kandidat, së paku, për zbatimin e ligjit të ashtuquajtur të dekriminalizimit[xxiii] .
Në gjykimin e KRIIK është i papranueshëm deklarimi i zyrtarëve të mazhorancës për një proces të pamundur filtrimi paraprak të kandidatëve të ofruar. Mbledhja dhe përpunimi paraprakisht i formularëve të vetdeklarimit[xxiv], apo filtrimi paraprakisht i informacioneve që mund të mblidhen apo zotërohen nga databaza e gjerë me informacione mbi aktivistët dhe simpatizantët, sikurse është pranuar se zotërohet prej partive politike, është një mundësi e cila duhet shfrytëzuar maksimalisht për të mos kandiduar kandidatura të papërshtatshme, e thyer më pas besimin e qytetarëve tek oferta elektorale, partia politike apo edhe tek institucioni për të cilin kandidohet.
§ Sigurimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve dhe bërjes së transprancës së plotë dhe paraprakisht lidhur me ekzistencën ose jo për ta të informacioneve në dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit.
Pavarësisht se gati tërë partitë politike progandojnë përditë rëndësinë e procesit të shkëputjes nga e shkuara, nëpërmjet bërjes transparencë e zbardhjes së të vërtetës, nga informacioni i marrë nga KRIIK pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, rezulton se nuk është depozituar asnjë kërkesë prej asnjë prej partive politike.
KRIIK nxit partitë politike që të investojnë vetë drejtpërdrejt Autoritetin përsa iu përket kandidatëve për Kryetarë Bashkie, sikurse ligji parashikon[xxv].
Ndërkohë, partitë politike duhet të nxisin edhe të gjithë individët e kandiduar për anëtarë të këshillave bashkiakë që, në emër të transparencës dhe rëndësisë së informimit të publikut, të investojnë personalisht Autoritetin dhe bëjnë vetë publike konkluzionet e verifikimit të tyre.
§ Ofrimi dhe sigurimi i transparencës është jetike për një demokraci pjesëmarrëse e funksionale. Veçanërisht në periudhën zgjedhore fryma e kërkuar e transparencës merr një trajtë më të gjerë.
Në kundërshti më këtë frymë, sillet në vëmendje se proceset zgjedhore në vend kanë vuajtur gjithnjë e më shumë nga mungesa e diskutimeve mbi ofertat elektorale dhe mbi profilet e kandidatëve që konkurrojnë.
Në këtë kuadër merr një vlerë të veçantë informimi sa më i mirë i qytetarëve lidhur me kandidatët, jo vetëm mbi pastërtinë e figurës, por edhe mbi edukimin dhe angazhimet[xxvi] e tjera që ata kanë patur, duke plotësuar me detaje të plota jetëshkrimin (CV) e tyre.
Ky informim merr një vlerë të shtuar për kandidatët për anëtarë të këshillave bashkiakë të cilët do të kenë një angazhim të pjesshëm në këshill, ndërkohë që qytetarët duhet medoemos të kenë informacion paraprak mbi angazhimet e tjera që kandidatët kanë patur më përpara apo në kohën kur kandidojnë për tu bërë anëtarë të “parlamentit lokal”.
§ Partitë politike të angazhohen për të informuar në detaje secilin prej kandidatëve, qoftë atë për kryetar bashkie, qofte atë për anëtar të këshillit bashkiak, për detyrimet ligjore që ata mbartin dhe duhet të përmbushin duke dorëzuar raport individual, në të cilin do të bëjnë transparencë mbi çdo burim financiar dhe shpenzim që do të kryejnë për efekt të fushatës zgjedhore.
Theksohet se ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, kuadri rregullator ligjor dhe praktika ligjzbatuese e KQZ-së, si dhe vendimmarrja e KAS ka sanksionuar përfundimisht se nuk mund të pranohen kandidatë pa shpenzime apo me shpenzime zero.
Fushata zgjedhore është e lidhur pazgjidhshmërisht me kryerjen e shpenzimeve për veprimtaritë në fushatë. Të gjitha veprimtaritë kanë kosto, e cila duhet të evidentohet dhe të raportohet si shpenzim si kur mbulohet nga vetë kandidati ose subjekti zgjedhor nga të ardhurat e veta, si kur mbulohet nga financimi buxhetor, si kur mbulohet nga donacionet në të holla ose në natyrë[xxvii].
Në përfundim u bëhet thirrje të gjithë kandidatëve që, si përfaqësues të ofertës elektorale që mbartin besimin e anëtarësisë dhe partisë respektive politike, të marrin përgjegjësitë e duhura duke reflektuar mbi rekomandimet e bëra për tu angazhuar maksimalisht përsa ligji parashikon, por edhe për tu investuar maksimalisht me vullnet personal në funksion të mirëzbatimit të ligjit dhe ofrimit të transparencës maksimale për gjitha sa është në interes të qytetarëve dhe opinionit publik, veçanërisht lidhur me pastërtinë dhe integritetin e figurës së tyre, si dhe të përvojës profesionale të tyre.
[i] Probleme lidhur me listat e zgjedhësve, regjistrin, të dhënat personale, intimidimin e administratës, përdorimin masiv të burimeve shtetërore, etj.
[ii] Braktisja e Parlamentit dhe e Zgjedhjeve të vitit 2019 prej opozitës, përqëndruan tërë pushtetet në duart e maxhorancës. Ndërkohë, opozita e konsideroi procesin Zgjedhor 2021 si një masakër elektorale (shih këtu prononcimin e Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha për TV ABC News Albania). Sillet në vëmendje gjithashtu nisja e punës dhe ngecja e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi Zgjedhjet e vitit 2021.
[iii] “Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dikush ka votuar apo jo dhe si ka votuar duhet të parandalohet”. Rekomandimi i dytë prioritar i Raportit Përfundimtar të ODIHR për Zgjedhjet për Kuvendin të 25 prillit 2021, faqe 30. Shih edhe katër Rekomandimet e tjera Prioritare të këtij Raporti.
[iv] Draft Rezoluta mbi Raportin për vitin 2022 të Komisionit Europian për Shqipërinë (2022/2199(INI)), datë 7 mars 2023.
[v] Raporti i të drejtave të njeriut për Shqipërinë për vitin 2022 i Departamentit të Shtetit të SHBA.
[vi] Ky process vjen pas Zgjedhjeve të Përgjithshme Parlamentare të 25 prillit 2021 dhe Zgjedhjeve të Pjesshme Lokale të 6 marsit 2022 në 6 bashki të vendit.
[vii] KRIIK, Deklaratë “Dështimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore, këmbanë alarmi për zgjedhjet e ardhshme dhe proceset e tjera reformuese të nevojshme për vendin”, publikuar më datë 11.08.2022.
KRIIK, Qëndrim Publik “Deputetët dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të përmbushin përgjegjesitë e tyre për nisjen e punës dhe realizimin e një Reforme të vërtetë Zgjedhore, të mbështetur në parimet e transparencës dhe gjithëpërfshirjes”, publikuar më datë 11.06.2022.
[viii] Megjithatë, ka pak media të pavarura, pasi shumica e mediave janë në pronësi të biznesmenëve të shquar me interesa të mëdha, të cilët përdorin mediat e tyre për të avancuar interesat e tyre, duke përfshirë përfitimin dhe promovimin e interesave të tyre me partitë politike, Departamenti i Shtetit të SHBA, Raporti i të drejtave të njeriut për Shqipërinë 2022, faqe 12.
[ix] Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe raportohet se gazetarët praktikonin autocensurën. Po aty, faqe 12.
[x] Vëzhguesit pohuan se qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente, Po aty, faqe 12.
[xi] – Megjithëse Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase. Po aty, faqe 7.
– Ndërsa individët dhe organizatat mund të kërkojnë mjete juridike civile për shkeljet e të drejtave të njeriut përmes gjykatave vendase ose nëpërmjet Avokatit të Popullit, janë raportuar raste të korrupsionit gjyqësor, joefikasitetit, frikësimit dhe ndërhyrjeve politike. Po aty, faqe 9.
[xii] Korrupsioni është i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, duke përfshirë përmes prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private, megjithëse autoritetet bënë përparim gjatë vitit në luftimin e korrupsionit dhe dhënien fund të mosndëshkimit. Po aty, faqe 20.
[xiii] MNVZ-ja e ODIHR raportoi, “Partia në pushtet nxori avantazhe të rëndësishme nga pozita e saj në detyrë, duke përfshirë kontrollin e saj mbi administratat lokale dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative. Kjo u përforcua nga pasqyrimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media.” Po aty, faqe 19.
[xiv] KRIIK, Qëndrim Publik “Mos shpërdorimi i burimeve shtetërore si dhe sjellja korrekte dhe e paanshme e nëpunësit të administratës publike, thelbësorë për sigurimin e vullnetit të pacënuar të qytetarit në ushtrimin e së drejtës së votës”, publikuar më datë 16.01.2023.
KRIIK Albania, Raport Përfundimtar Vëzhgimi “Mbi procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të 25 prillit 2021”, Shtator 2020 – Janar 2022.
KRIIK Albania, Raport Përfundimtar, “Sjellja ligjore dhe institucionale e institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019”, Nëntor 2018 – Shkurt 2020. Shih Raportin final te Zgjedhjeve KRIIK
Qendrimin Publik mbi burimet shteterore
[xv] Partia Socialiste; Partia Demokratike; Partia e Lirisë; Partia Bindja Demokratike; Partia Aleanca Progresiste LZHK; Partia Lëvizja Bashkë; Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet; Fronti i Majtë; Partia për Europianinizimin dhe Integrimin e Shqipërisë; Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian; Fryma e Re Demokratike; Lidhja Demokristiane Shqiptare; Partia Ardhmëria Shqiptare; Bashkimi Liberal Demokrat; Partia e Reformave Demokratike; Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut; Partia Lëvizja e Legalitetit; Aleanca Demokratike Shqiptare; Personat Me Aftësi të Kufizuar; Partia Balli Kombëtar; Demokracia Sociale; Aleanca Demokracia e Re; Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë; Partia Lëvizja e Re; Partia Konservatore; Partia Balli Kombëtar Demokrat; Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë; Nisma Thurje; Lëvizja Punëtore Shqiptare; Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane; Partia Agrare Ambjentaliste; Partia e Unitetit Kombëtar; Partia Shqiptare Atdheu; Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet; Partia Republikane; Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen; Partia Qytetare Shqiptare; Partia Komuniste e Shqipërisë; Partia Emigracioni Shqiptar; Partia Demokristiane e Shqipërisë; Aleanca Arbnore Kombëtare; Partia Kombëtare Konservatore Albania; Partia Ora e Shqipërisë; Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar; Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve; Partia e Gjelbër; Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë.
[xvi] Koalicioni Bashkë Fitojmë (PBDNJ – PDK – PL); Koalicioni “Aleanca Liberale e Djathtë” (PBKD – BLD – PBD).
[xvii] Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Pjesa e gjashtë, “Qeverisja vendore”, Neni 109, pika 3 “Të drejtën e zgjedhjes në këshillat vendorë dhe si kryetar bashkie ose komune e kanë vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse.”
Neni 113, “1. Këshillat komunalë, bashkiakë dhe të qarkut:
a) rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të tyre;
b) ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike;
c) kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre;
ç) kanë të drejtë të vendosin, në përputhje me ligjin, taksa vendore, si dhe nivelin e tyre;
d) caktojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e tyre në pajtim me ligjin;
dh) krijojnë simbolet e qeverisjes vendore, si dhe titujt vendorë të nderit;
e) ndërmarrin nisma për çështje vendore përpara organeve të caktuara me ligj.
2. Organet e njësive të qeverisjes vendore nxjerrin urdhëresa, vendime dhe urdhra.
3. Të drejtat për vetëqeverisje të njësive të qeverisjes vendore mbrohen në gjykatë.”
[xviii] “… Ndryshe ndodh në rastin e zgjedhjeve vendore. Këtu synohet një lidhje më e ngushtë midis zgjedhësit dhe të zgjedhurit për vetë natyrën e organizimit dhe kompetencave të pushtetit lokal. Është pushteti vendor që kujdeset për zgjidhjen e problemeve aktuale të qytetarëve që lidhen me çështje të tilla si punësimi, kujdesi shëndetësor, arsimi parashkollor, pastrimi dhe gjelbërimi i mjediseve të njësisë vendore, etj. Për këtë arsye, votimi në zgjedhjet vendore trajtohet si pjesë e strukturës së demokracisë nga posht lart duke u mundësuar zgjedhësve pjesëmarrjen në qeverisje edhe në forumet më të vogla, përveç parlamentit kombëtar. …” Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 40/2007.
[xix] Sipas pikës 3 të nenit 109 të Kushtetutës “Të drejtën e zgjedhjes në këshillat vendorë dhe si kryetar bashkie ose komune e kanë vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse.”
Tre kandidatë në Zgjedhjet e Pjesshme Vendore të 6 marsit 2022, ndryshuan adresën e vendbanimit në zbatim të plotësimit të kushtit të parashikuar në Kushtetutë, por në listën përfundimtare të zgjedhësve nuk rezultuan votues të bashkisë ku ata kandidonin. Konkretisht, Kandidati i Koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në Bashkinë Shkodër z. Bardh Spahia; Kandidati i Partisë Socialiste në Bashkinë Dibër z. Rahim Spahiu; si dhe Kandidati i Partisë Demokratike në Bashkinë Lushnje z. Indrit Sefa.
Një fenomen i ngjashëm ndodhi edhe në Zgjedhjet e Parakohshme për Kryetarin e Bashkisë Dibër të 11 shtatorit 2016. Kandidati i propozuar nga Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, z. Sherefedin Shehu, nuk mundi të votonte pasi e kishte ndryshuar vendbanimin e përhershëm në datë 12 gusht 2016, katër ditë pasi kishte kaluar afati përfundimtar për gjenerimin e listës finale të zgjedhësve. Zoti Shehu nuk mundi të votonte as me vendim gjykate, pasi kjo ndalohej shprehimisht nga pika 2 e nenit 57 të Kodit Zgjedhor.
[xx] Shih pikën 10 të Vendimit nr. 7 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, “Për shqyrtimin e kërkesës nr. 04, datë 14.12.2022 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”, datë 25.01.2023.
[xxi] Neni 47 “Papajtueshmëria e funksionit të këshilltarit”, pika 3 “Nuk mund të jenë anëtarë të të njëjtit këshill personat e lidhur: bashkëshortë, prindër e fëmijë, vëlla e motër, si dhe vjehrri e vjehrra me nusen e dhëndrin”.
[xxii] Nga një faktim rastësor i një rasti dhe me pas nga një hulumtim sipërfaqësor i dokumentacionit të kandidimit dhe i listave të kandidatëve për këshillat bashkiake, rezultoi se në secilën prej 33 partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e datës 30 qershor 2019, u gjet së paku një rast ku kandidatët e së njëjtës parti dhe për të njëjtin këshill bashkiak, kishin lidhje familjare të shkallës së parë me njëri-tjetrin.
[xxiii] Ligji nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike”, Fletore Zyrtare, publikuar më 22.12.2015, Neni 2, “Ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik”.
[xxiv] Në zgjedhjet e vitit 2021, nga shqyrtimi i formularëve të vetdeklarimit të 1820 kandidatëve, rezultoi se 63 kandidatë deklaruan në formularin e vetëdeklarimit të dhëna për dënime të cilat nuk përfshihen në sferën e ndalimit të kandidimit, tetë nga të cilët dënime me burg, ndërsa 54 kandidatë deklaruan ndryshime të gjeneraliteteve. Nga këta 30 kandidatë u çuan për verifikim të thelluar në Prokurori nga KQZ pas indicieve të marra.
[xxv] Neni 30 i Ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
[xxvi] Në zgjedhjet e vitit 2021 në të cilat numri i kandidatëve nuk ishte shumë i lartë, për shkak se ishin zgjedhje parlamentare, edhe pse KQZ-ja u angazhua në përmirësimin e trasparencës, sërish rezultoi se rreth 50% e kandidatëve kishin dorëzuar për publikim një jetëshkrim që nuk përmbante thuajse asnjë të dhënë ose të dhënat ishin shumë të përgjithshme, ku mungonte minimalisht informacioni i nevojshëm.
[xxvii] Shih Vendimin nr. 7 të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, “Për shqyrtimin e kërkesës nr. 04, datë 14.12.2022 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”, datë 25.01.2023.
Tiranë, më 27.03.2023