KRIIK e vlerëson si shumë pozitiv aktivitetin e deritanishëm dhe falënderon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për angazhimin e tij dhe hapat e ndërmarrë në procesin e përgatitjes së planit rregullator për mundësimin e votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit, përsa ligji parashikon dhe ligjvënësi e ka ngarkuar.
Sikurse është bërë me dije në aktivitete publike si dhe në Dokumentet e publikuara, KRIIK rithekson qëndrimin e tij se me amendimet e qershorit 2020 në Kodin Zgjedhor, ligjvënësit shqiptarë dështuan ta rregullojnë në mënyrë të plotë dhe të duhur këtë detyrim kushtetues për të drejtën e votës së të gjithë shtetasve shqiptarë, duke ia ngarkuar këtë rregullim KQZ-së në mënyrë të cunguar.
Forcat Politike dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë detyrimin që këtë të drejtë kushtetuese ta inkuadrojnë në kuadrin ligjor duke rregulluar dhe dhënë të drejtën e votës çdo shtetasi të Republikës për të shprehur vullnetin e tij për çdo proces zgjedhor të organizuar në Shqipëri, përfshirë proceset referendare.
KRIIK ka kritikuar KQZ-në për mosrealizimin e këtij procesi që për zgjedhjet e 2021, sikurse parashikohej nga ligji, megjithëse u evidentua se ky mosveprim ishte si pasojë e mungesës së vullnetit politik të forcave kryesore politike. Ky vullnet duket qartazi se mungon ende pavarësisht qasjes dhe deklaratave në thelb demagogjike, se ky proces është kryer prej tyre dhe tashmë është radha e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të vepruar.
Në këto rrethana dhe kontekstin politik e institucional aktual, pavarësisht se në një qasje të shëndetshme politiko-institucionale do të ishte e udhës që të gjitha aktet nënligjore që rregullojnë votimin e shqiptarëve jashtë vendit të hartoheshin, konsultoheshin dhe miratoheshin si një paketë e vetme, KRIIK mbështet dhe nxit fort KQZ-në në zbatimin e Kalendarit të Punës për Hartimin e Projektvendimeve për votimin nga jashtë vendit, duke filluar me miratimin e aktit të parë që lidhet me regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit.
Pikëpyetjet se si do të funksionojnë elementët e tjerë të debatueshëm të procesit si përllogaritja e votës (në cilën zonë zgjedhore), mënyrat e votimit, procedurat e votimit etj., janë momente që mund të prodhojnë ngërçe diskutimi në gjetjen e kompromisit politik, por që tashmë nuk do të mbajnë peng si më parë tërë procesin si një gjë objektivisht të pamundur për ta realizuar, por do të delegojnë drejtpërdrejt përgjegjësinë, e suksesit apo dështimit, tek partitë politike për realizimin ose jo të këtij detyrimi kushtetues prej tyre.
KRIIK nxit Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të gjithë organet e tij dhe anëtarët e tyre individualisht, që në këtë proces të rëndësishëm të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin e japin kontributin e tyre në projektimin vizionar dhe realizimin e një mekanizmi e kuadri rregullator eficient, të besueshëm dhe objektiv. Është jetike për të ardhmen e demokracisë sonë që në këtë proces, por edhe në të tjera të ngjashme, secili prej anëtarëve të mandatuar nga përfaqësuesit e sovranit, të ushtrojë përgjegjësitë dhe detyrat e tij në mënyrë të pavarur e të paanshme, në zbatim të kushtetutës dhe ligjit dhe në interesin më të mirë të qytetarëve e vendit.
Në këtë këndvështrim, KRIIK ju sugjeron që pas mbarimit të procesit konsultues dhe hartimit të draftit final të projekt-vendimit të organizohet një tryezë publike me pjesëmarrje të të gjithë aktorëve të përfshirë, atyre politikë e institucionalë, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë, ku të mund të jepen konsideratat e fundit dhe nxitet vullneti politik për miratimin sa më parë të aktit, si dhe për nisjen e punës së procesit konsultues për aktin e dytë të nevojshëm, për plotësimin e këtij detyrimi.
Konkretisht, lidhur me projektvendimin “Për rregullat për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit për zgjedhjet për Kuvendin” të hartuar sugjerojmë:
1. Në pikën (6) të projekt-vendimit thuhet se “Komisioneri nëpërmjet administratës së KQZ vërteton identitetin e votuesit nga jashtë për tu regjistruar, nëpërmjet identifikimit biometrik të tij, ose nëpërmjet një mënyrë tjetër me mjete elektronike…”.
Në gjykimin e KRIIK, duke qenë se vërtetimi i identitetit të votuesit është një nga elementët më të rëndësishëm të këtij procesi, në mënyrë që të evitohet votimi për një person tjetër (veçanërisht në situatën aktuale, kur të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë janë tanimë publike si rrjedhim i disa episodeve të nxjerrjes së tyre), është thelbësore që kjo pikë e projekt-vendimit të jetë plotësisht e përcaktuar dhe jo evazive.
E thënë ndryshe, projekt-vendimi do të duhet të përfshijë në detaje dhe hap pas hapi metodologjinë dhe metodat që do të përdorë KQZ-ja për t’u garantuar në lidhje me identitetin e votuesit, si dhe teknologjinë që do të përdoret, përfshirë çdo element të mundshëm sigurie.
Duke qenë se kjo gjë, objektivisht nuk është e mundur në këtë moment specifik, dhe nga ana tjetër do të ishte e nevojshme që metodologjia të pasqyronte nivelin më të lartë bashkëkohor teknologjik e të elementëve të sigurisë, KRIIK rekomandon që kjo pikë e projekt-vendimit të autorizojë Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve për të nxjerrë një akt plotësues (udhëzim) i cili të specifikojë metodologjinë, si dhe metodat e detajuara të zhvillimit teknologjik më të fundit, përfshirë parashikimin e kujdesshëm të elementëve të sigurisë dhe kontrollit, si dhe përdorimin prej një stafi të posaçëm e të përgatitur të administratës, të përcaktuar nga Komisioneri.
Pjesë e këtij Udhëzimi mund të bëhet edhe parashikimi i operimit në rast të mosfunksionimit për arsye teknike të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit, sipas parashikimit të bërë në fjalinë e dytë të pikës 6.
2. Në pikën (7) të projekt-vendimit thuhet se “KQZ verifikon përputhshmërinë e të dhënave të formularit përkatës elektronik të plotësuara nga votuesi nga jashtë me të dhënat e tij në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile…”.
Formulimi i kësaj pike të projekt-vendimit le të nënkuptohet se KQZ do të ketë akses të drejtpërdrejtë në RKGJC.
Nëse KQZ do të kërkojë nga RKGJC-ja të verifikojë këto të dhëna, atëherë kjo do të duhet të saktësohet edhe në formulim.
Në rastin e dytë, KRIIK sugjeron se duhen bashkërenduar hapat me Ministrinë e Brendshme (RKGJC) për kryerjen e një procesi verifikimi të shpejtë, të saktë dhe në kohë.
Eksperienca jo fort pozitive e komunikimit ndërinstitucional në raport me verifikimet e përbërësve zgjedhore të kandidatëve për efekt të ligjit të ashtuquajtur të dekriminalizimit duhet patur në konsideratë në këtë rast.
Procesi i verifikimit nuk duhet në asnjë rast të cedojë për shkak të mosfunksionimit të marrëdhënies ndërinstitucionale. Shteti shqiptar duhet të mbajë barrën për lehtësimin e këtij procesi ndaj qytetarëve.
KRIIK sugjeron se do të ishte me vend që ky komunikim apo procedurë të mund të rregullohej nëpërmjet një urdhri të përbashkët midis Komisionerit dhe Ministrit të Brendshëm, gjë që mund të përcaktohej nga Rregullatori në këtë pikë të vendimit.
3. Përsa i përket pikës 17 dhe 18 të projektvendimit.
KRIIK sugjeron, në vazhdimësi të rekomandimit 1 të mësipërm, që tërësia e sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit që sigurojnë procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë (pika 17) apo që përdoren për qëllime të zbatimit të këtij vendimi (pika 18) të jenë të miratuara nëpërmjet një akti të Komisionerit Shtetëror, i cili t’i përshkruaj në detaje makineritë, programet, modulet e aksesit, protokollet e sigurisë, kontrollin e tyre në çdo kohë, si dhe parashikimin e procesit të auditimit të tyre pas zgjedhjeve.
Përsa i përket transparencës dhe informimit mbi tërë elementët e sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit, e drejta për tu njohur dhe marrë pjesë në testime duhet t’i njihet tërë përfaqësuesve të partive politike të interesuara, organizatave që vëzhgojnë tërë elementët e procesit zgjedhor, ose/dhe atyre që ndjekin këtë komponent të procesit, si dhe organizatave përfaqësuese të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë apo atyre që merren me mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Në këtë kuadër, po në aktin e mësipërm nevojitet të përcaktohen dhe parashikohen nga Komisioneri momentet kur duhet të lejohet apo kërkohet medoemos prezenca e aktorëve të mësipërm, veçanërisht gjatë proceseve të kontrollit të sistemeve apo auditimit të tyre.
4. Neni 24 i Kodit Zgjedhor parashikon dhënien e së drejtës së votës vetëm për shtetasit të cilët kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë.
Pavarësisht rrethanave objektive, në parim mund të thuhet se aplikohen dy regjime të ndryshme regjistrimi të votuesve për ata që jetojnë jashtë dhe ata që jetojnë brenda territorit të Republikës.
Në këtë këndvështrim, nisur edhe nga përvoja jo fort pozitive e deritanishme e tentativave ligjore e institucionale lidhur me regjistrimin e adresës së përhershme të vendbanimit për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, KRIIK sugjeron se KQZ-ja duhet ta konsiderojë si detyrim dhe barrë të sajën ndërmarrjen e hapave dhe të çdo mase të mundshme për të kryer njoftimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për dhënien e së drejtës së votës dhe mundësinë e votimit prej tyre në vendet ku ata janë.
Për këtë nevojiten të parashikohen një sërë mekanizmash ndërvepruese për njoftimin e tyre, si nëpërmjet e-albanias, adresave të deklaruara në RKGJC, shfrytëzimit të administratorëve lokalë të Bashkive për të dërguar njoftime, reklamave dhe spoteve informuese në faqet e internetit të KQZ-së e institucioneve, mediave tradicionale dhe ato online, rrjeteve sociale, etj.
Ky proces duhet të parashikojë kostot e nevojshme finanaciare si dhe duhet të nisë shumë përpara në kohë.
Gjithashtu, nisur nga fakti i numrit të ulët të deklarimit të adresave të vendbanimit të përhershëm jashtë vendit, është e nevojshme që ky proces informimi të bashkërendohet edhe me informimin mbi mënyrën e regjistrimit të adresave të vendbanimeve të përhershme jashtë vendit.
Thënë sa më sipër, KRIIK sugjeron që ky proces informimi dhe sensibilizimi të bëhet pjesë e projektvendimit duke autorizuar Komisionerin për nxjerrjen e një akti (vetëm ose në ndërveprim me institucione të tjera) në plotësim të nevojës për përmbushjen e gjithë sa më sipër.