KRIIK e vlerëson si tejet të rëndësishme, madje jetike për stadin e demokracinë në vend, vendosjen në shtrat ligjor të aktivitetit dhe raportimit financiar të subjekteve zgjedhore.
Transparenca e plotë, raportimi i duhur dhe i plotë sipas kuadrit rregullator ligjor dhe më pas kontrolli i financimeve për fushatat zgjedhore, por edhe i tërë veprimtarisë vjetore të partive politike, mbetet dhe përbën një sfidë të vërtetë për institucionet dhe ligjzbatimin në vend, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet de facto i vetmi institucion i ngarkuar nga ligji dhe i gjithëpranuar nga tërë aktorët politikë.
Riformatimi dhe ndërtimi i KQZ-së së re, pas amendimeve ligjore të bëra në vijim të Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020, “amnistoi politikisht” tërë shkeljet e mëparshme të kryera prej subjekteve zgjedhore dhe me një vullnet të dakordësuar e të plotë politik iu dhanë kompetencat e duhura KQZ-së për të mbikëqyrur këtë problematikë madhore. Kjo e fundit, nën gjykimin e KRIIK, përbën gurin e provës për Institucionin e KQZ-së dhe Administratën e saj në ndërtimin e një etape të re marrëdhëniesh në procesin shtetformues, atë midis ligjzbatimit dhe politikës, përfshirë këtu drejtuesit, administratorët, kandidatët dhe madje edhe deputetët e saj.
Vendimmarrja e KQZ-së lidhur me financimin e fushatës së Zgjedhjeve Parlamentare të 25 prillit 2021, është tejet e rëndësishme dhe domethënëse, qoftë në pikëpamje të kuptimit përmbajtjesor të këtij Misioni prej vetë Administratës së KQZ-së, qoftë edhe në pikëpamjen e Qasjes Institucionale që do të ketë dhe se si do ta zhvillojë më tej KQZ-ja në të ardhmen.
Në këtë kuadër, KRIIK vlerëson punën e bërë nga KQZ-ja dhe hartimin e raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga subjektet zgjedhore në Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2021, por gjykon se në të ka elementë të papërfshirë dhe se raporti nuk është adresuar me një qasje të plotë proaktive të KQZ-së në zhvillim të përgjegjësive, rolit dhe kompetencave të cilat i janë dhënë nga ligjvënësi.
KRIIK i qëndron fort nevojës për domosdoshmërisë e adresimit të të gjitha shkeljeve të dokumentuara dhe të vëna në dispozicion zyrtarisht Komisionit Qendror te Zgjedhjeve në qershor 2022, përpos publikimit të tyre në Raportin Final të publikuar në shkurt 2022.
Megjithatë, në kushtet kur ndodhemi vetëm një ditë përpara seancës së mbledhjes për shqyrtimin e këtij Raporti prej Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, sjell në vëmendje në radhë të parë nevojën për adresimin e shkeljeve jo vetëm ndaj partive politike, si subjekte juridike, por në radhë të parë ndaj individëve nominalë të cilët ushtrojnë funksione, detyra e përgjegjësi në shkelje të parashikimeve ligjore.
Integriteti politik dhe institucional i partive politike është i lidhur pazgjidhshmërisht me integritetin politik e individual të funksionarëve, përfaqësuesve apo kandidatëve të tyre.
Konkretisht, duhet që KQZ t’i shohë e për rrjedhim të sanksionojë, shkeljet e kandidatëve si përgjegjësi direkte të tyre dhe jo si një shkelje e bërë nga partia politike përkatëse nën parashikimin ligjor të një raporti jo në përputhje me formatin e miratuar.
Një pjesë e madhe e Kandidatëve për deputetë, integriteti i të cilëve prezumohet të jetë i pacënuar gjatë fushatës zgjedhore për kërkimin e votëbesimit nga publiku si një formë e shprehjes së angazhimit personal për ligjzbatim të plotë dhe veprim në interes të qytetarëve, shoqërisë e shtetit shqiptar, rezultojnë të kenë:
a) refuzuar të deklarojnë dhe dorëzojnë raport vetëdeklarimi;
b) fshehur shpenzime, sikurse janë ato të vërtetuara tashmë si të kryera për reklama në rrjetet sociale (Facebook e Instagram);
c) fshehur të ardhurat respektive për këto shpenzime; dhe së fundi edhe
d) qëndrim të pasinqertë dhe deklarim të pavërtetë të tyre, në rastin e (b) e (c).
Nëse do të theksojmë faktin që një pjesë e mirë e këtyre Kandidatëve tashmë gëzojnë mandatin e Deputetit (disa për shkeljet e mësipërme, disa për pranim të fondeve me vlerë më të madhe se 50.000 lekë dhe jo nëpërmjet llogarisë bankare), sanksionimi nominal i tyre prej KQZ-së bëhet akoma edhe më i domosdoshëm dhe procesi vendimmarrës prej KQZ-së tepër domethënës e kuptimplotë në funksion të barazisë përpara ligjit dhe të ardhmes së ligjzbatimit dhe funksionimit të institucionit.
Sanksionimi i financierëve të partive politike për kandidimin e tyre në listat e kandidatëve të partisë përkatëse, në kundërshtim të hapur me ndalimin që i bën ligji, gjithashtu përbën një vendimmarrje domethënëse.
Në përfundim, KRIIK e konsideron si tepër të nevojshme dhe nxit KQZ-në që t’i japë dimensionin e duhur edhe gjetjeve të dala nga mekanizmi i Monitoruesve të fushatës zgjedhore, si dhe mekanizmit për marrjen e indicieve nga palë të treta, sikurse janë të dhënat e raportuara prej KRIIK, duke marrë në shqyrtim dhe ndjekur procesin verifikues të nevojshëm lidhur me Zyrat Zgjedhore të hapura prej subjekteve zgjedhorë.
Nga verifikimi i bërë, rezulton një diferencë prej 181 zyrash zgjedhore të padeklaruara nga subjektet zgjedhore, ose 38 % në raport me numrin e deklaruar prej tyre.
Ky numër Zyrash Zgjedhore të padeklaruara mbartin në vetvete një sërë shpenzimesh të tjera të nevojshme të lidhura me mirëfunksionimin e tyre, të cilat në tërësi implikojnë përgjegjësinë e partive politike përkatëse për mosdeklarim të saktë e të vërtetë të shpenzimeve lidhur me to, e rrjedhimisht edhe të të ardhurave për mbulimin e tyre.
Shkarko dokumentin zyrtar derguar KQZ!