1. Bashkitë kanë një rol të rëndësishëm lidhur me procesin zgjedhor sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë kuadër KRIIK e gjen me shumë vend dhe ju përgëzon për normimin e mekanizmit të informimit midis KQZ-së dhe Njësisë së Qeverisjes Vendore, duke përcaktuar personin apo strukturën përgjegjëse për komunikimin me KQZ-në.
Kjo vlen në veçanti për ndërtimin e një komunikimi të drejtpërdrejtë, më dinamik e interaktiv, me njësitë e qeverisjes vendore lidhur me detyrimet e parashikuara nga kuadri ligjor, si dhe shkëmbimin e informacioneve të nevojshme për një administrim sa më të mirë të tërë fazave të procesit zgjedhor.
Nga ana tjetër, në gjykimin e KRIIK, ky komunikim e ky mekanizëm nevojitet të konsiderohet edhe në funksion të identifikimit të masës e mënyrës së ligjzbatueshmërisë prej aktorëve të tretë në raport me detyrimet e tyre ligjore për të informuar Bashkitë, veçanërisht lidhur me zyrat zgjedhore apo elementë të tjerë që lidhen me fushatën, financimin apo përdorimin e burimeve shtetërore.
Po ashtu një rol lehtësues të konsiderueshëm mund të sigurojë ky mekanizëm për shkëmbimin e informacioneve në rastet e hetimit administrativ të ndërmarrë prej KQZ-së mbi bazën e indicieve të marra, denoncimeve apo ankimimeve të bëra, veçanërisht përgjatë procesit në periudhën përpara ditës së zgjedhjeve.
Ndaj KRIIK sugjeron që pika 3 e tij të riorganizohet për të pasqyruar qasjen e mësipërme të sugjeruar, ose në pikën 3 të tij, në vazhdim të fjalisë së fundit, pas “dhe çdo informacion tjetër” të shtohet “të nevojshëm për mirëadministrimin e të tërë fazave të procesit zgjedhor prej KQZ-së”.
2. Në plotësim të pikës 1 të projekt-udhëzimit, KRIIK sugjeron të parashikohet në të njëjtin akt, por me detyrime specifike, edhe ndërlidhja me institucionin e Prefektit, referuar rolit specifik që i jepet nga ligji, por edhe për çdo eventualitet që mund të sjellë ecuria e procesit në vazhdimësi.
3. Udhëzimi, nevojitet të parashikojë edhe rastin e mos reagimit apo mos caktimit nga ana e ndonjë Bashkie të personit apo strukturës përgjegjëse, sikurse kërkohet.
Në një rast të tillë, edhe mund të merret në konsideratë që personi apo struktura përgjegjëse të mund të caktohen apriori nga KQZ-ja referuar postit dhe detyrave funksionale të parashikuara të personit/grupit të personave, sipas organigramës së Bashkisë përkatëse.
Nëse merret në konsideratë ky rast, udhëzimi të parashikojë autorizimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve që në rast mos veprimi prej Bashkive, të caktojë me vendim të tij këtë person/strukturë përgjegjëse, ndërkohë që duhet edhe të sanksionojë administrativisht personat përgjegjës së bashkisë përkatëse.
4. Përsa i përket çështjeve konkrete, për të cilat Bashkia nevojitet dhe duhet të dërgojë informacion në KQZ, sikurse parashikohet në pikën 3 të udhëzimit, KRIIK sugjeron që udhëzimi të pasqyrojë një listë më të plotë dhe më të detajuar të detyrimeve ligjore të parashikuara, ose si plotësim i pikës 3, ose si një pikë e shtesë në projekt-udhëzim.
Në këtë këndvështrim, KRIIK nisur nga përvoja e tij për të minimizuar pasojat e rritur ligjzbatimin, sugjeron që në udhëzim të mund të përfshihen disa nga pikat më të rëndësishme, të cilat mbartin në vetvete nënprocese që duhet të kryhen prej bashkive e për të cilat duhet bërë transparencë e informohet KQZ-ja, si për shembull:
- Procesi i publikimit të listës së zgjedhësve dhe i ndarjes së qendrave të votimit;
- Ecuria e procesit të vendosjes së adresave të Qendrave të Votimit;
- Vendosjen e qendrave të votimit në objekte private;
- Ngritja e QV-ve të posaçme;
- Ecuria e procesit të njoftimit me shkrim të zgjedhësve duke përdorur strukturën kaskadë të ngritur sipas ligjit të vetëqeverisjes vendore (bashki/njësi administrative/lagje, /fshat), si dhe raportimi periodik sipas afateve dhe brenda periudhës së parashikuar nga Kodi Zgjedhor;
- Informim i përditësuar lidhur me numrin e personave me aftësi të kufizuara dhe personave të verbër, si dhe qendrat e votimit të tyre, në funksion të përshtatjes dhe pajisjes së këtyre të fundit me rampa apo maskën Braille;
- Informim i përditësuar lidhur me numrin e personave të komuniteteve etnike dhe etno-kulturore, si dhe qendrat e votimit të tyre, në funksion të fushatës së informimit dhe sensibilizimit të ndërmarrë nga KQZ-ja;
- Miratimi dhe zbatimi i vendimit lidhur me vendet e afishimit të materialeve propagandistike të subjekteve zgjedhore të regjistruara në zgjedhje;
- Përcjellja e informacionit të depozituar nga subjektet zgjedhore në bashki, lidhur me hapjen e zyrave zgjedhore;
- Çdo informacion tjetër që lidhet me mirëadministrimin e tërë fazave të procesit zgjedhor.