Programi i edukimit, informimit dhe ndërgjegjësimit të zgjedhësve i përgatitur dhe i realizuar nga KQZ-ja, konsiderohet nga KRIIK se është me rëndësi madhore për sfidat me të cilat përballet procesi zgjedhor në Shqipëri dhe pasojat që sjellin tek të drejtat dhe liritë e qytetarëve fenomenet negative të vërejtura duke filluar së pari nga moszbatimi i duhur i ligjit.
Pranohet gjerësisht se kuadri ligjor rregullator aktual i tërë fazave të procesit mund të sigurojë standarde të mira në realizimin e procesit zgjedhor dhe sigurimin e integritetit të zgjedhjeve.
Ndërkohë moszbatimi i duhur i ligjit, mosadresimi institucional i shkeljeve, mungesa e vullnetit politik për zbatimin e duhur të ligjit dhe plotësimit të standardeve, apo prevalimi i vullnetit politik apo individual mbi atë të duhurin, për zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe të paanshëm, vazhdimi i pandëshkueshmërisë së subjekteve politike dhe personave të lidhur me ta, etj., janë një sërë fenomenesh negative të cilat cenojnë fort të drejtat dhe liritë politike të qytetarëve, përfshirë të drejtën vetvendosëse dhe të lirë të votës së tyre.
Ky konstatim i raportuar nga vëzhgimi i KRIIK, përfshirë gjetjet shqetësuese të raportit të ODIHR nevojitet të adresohet së pari nëpërmjet një fushate intensive informimi, ndërgjegjësimi, edukimi apo edhe trajnimi (për disa kategori të ngarkuara me detyra nga ligji), në mënyrë që qytetarët të informohen, ndërgjegjësohen dhe nxiten për të investuar sistemin dhe mekanizmat në dispozicion, duke denoncuar jo thjesht shkeljet e drejtpërdrejta në kurriz të tyre, por çdo shkelje e cila cenon standardet dhe prek kuadrin rregullator ligjor, pavarësisht se nga cili individ/zyrtar/aktor politik kryhet.
Një sistem sado i arrirë nga pikëpamja e dispozitave, harmonisë dhe funksionalitetit ligjor, nuk mund të funksionojë pa pjesëmarrjen aktive të qytetarit.
Në këtë këndvështrim, gjykojmë se hartimi i tërë Programit të Edukimit, Informimit dhe Ndërgjegjësimit të Zgjedhësve duhet të dalë nga rrjedha e një programi standard, të përgjithshëm, të ftohtë dhe të përciptë në vazhdimësi të praktikave të mëparshme, dhe të pasqyrojë qasjen proaktive që duhet të ketë KQZ-ja në raport me gjithë sa më sipër, në zbatim edhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të vëzhguesve vendas (përfshirë KRIIK) apo edhe të institucioneve dhe partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Në gjykimin tonë Programi duhet të pasqyrojë këtë qasje proaktive, duke u detajuar në ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve për çdo parashikim domethënës të kuadrit ligjor rregullator, përfshirë nënaktet ligjore të vetë KQZ-së, pa u fokusuar vetëm tek parashikimet e Kodit Penal.
Programi duhet të përmbajë dhe të adresojë në mënyrë proaktive fushatë mbi gjetjet nga analiza e vetë KQZ-së, fenomeneve dhe shkeljeve të vërejtura nga hetimi administrativ i bërë prej saj në funksion të indicieve, denoncimeve apo ankimimeve të bëra, apo edhe të gjetjeve nga vëzhguesit vendas, ata ndërkombëtarë apo edhe të rasteve flagrante të denoncuara nga media dhe gazetarët.
Nga ana tjetër, informimi i qytetarëve për mekanizmat denoncues dhe nxitja e qytetarëve dhe çdo grupimi për të adresuar shkeljet, përfshirë dhe kompetencat dhe rolet e institucioneve përkatëse, duhet të zërë vend në tërë elementët e programit informues.
Programi duhet të parashikojë diferencime dhe evidentime të disa elementëve të veçantë, kjo në raport me targetin, pra kategorinë e qytetarëve të cilëve iu drejtohet, rolit dhe detyrave që ata mund të kenë në proces.
Një qasje e mirëmenduar dhe e diferencuar në varësi të kategorive target të fushatës duhet të bëhet edhe mbi shpërndarjen gjeografike, kategoritë moshore (në rastin e spoteve në rrjetet sociale), përkatësisë etnike apo etnokulturore, etj.
Gjithashtu, vlerësohet se do të ishte i nevojshëm hartimi i një Programi më të plotë, bazuar në gjithë sa më sipër, përfshirë edhe një plan veprimi me kostot përkatëse (ose të përafërta), i cili të ishte i hapur për bashkëpunim apo edhe financim nga aktorë të tretë sipas nevojave dhe prioriteteve edhe të këtyre të fundit, përpos pjesës që KQZ-ja mbështet vetë financiarisht. Kjo, sipas mendimit tonë, do të ndihmonte dhe kanalizonte në drejtimin e duhur edhe iniciativa të mundshme të aktorëve të tretë të fokusuar në informim, ndërgjegjësim apo edukim të qytetarëve apo edhe mund të nxiste ndërmarrjen e tyre.
Lidhur me përmbajtjen në vetvete të pjesëve të programit, ka një sërë sugjerimesh në detaje nga ana e KRIIK, por që të gjithë në tipologji lidhen me gjitha sa më lart u parashtrua.