Në vazhdimësi të misionit të tij në përpjekje të forcimit të integritetit të proceseve zgjedhore, KRIIK ndoqi në vazhdimësi, që prej mbylljes së aksionit të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare 2017, thuajse të gjitha proceset institucionale, ligjore e politike që kanë lidhje të drejtpërdrejtë apo indirekt me procesin zgjedhor, përfshirë këtu reformën e tentuar zgjedhore, ndaj së cilës mbetet i përkushtuar maksimalisht, por edhe procese të tjera më rendësi e sidomos krizën politike që po kalon vendi, prej vitit nisjes se vitit 2019. Qëndrimet e KRIIK mbi këto zhvillime janë bërë në vazhdimësi publike nëpërmjet deklaratave apo qëndrimeve publike.
Procesin e Zgjedhjeve Vendore të vitit 2019, KRIIK nisi ta monitorojë në tërësi që prej momentit të shpalljes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, më 5 Nëntor 2018 e deri ne perfundim te tij.
Përpos vëzhgimit në vazhdimësi të elementëve kontekstualë politikë e institucionalë, vëzhgimi i elementëve teknikë të procesit u fokusua në sjelljen dhe vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor, si dhe në monitorimin në tërësi të përgatitjes së listave të zgjedhësve.
Prej 21 qershorit 2019, Aksioni i Vëzhgimit për Zgjedhjet 2019 u realizua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Zvicrës në Tiranë. Falë kësaj mbështetjeje, KRIIK angazhoi 90 vëzhgues afatgjatë, një për çdo zonë zgjedhore të vendit. Vëzhgimi i elementëve teknikë dhe administrativë të procesit dhe dokumentimi i hapave administrativë plotësoi kuadrin e vëzhgimit të situatës institucionale dhe politike, duke mundësuar një pamje më të qartë dhe vlerësim më të saktë të këtij procesi, në të gjithë elementët e vet.
KRIIK nuk angazhoi vëzhgues afatshkurtër në qendra votimi gjatë ditës së zgjedhjeve. Gjetjet nga procesi i vëzhgimit u bëne publike me anë të Qendrimit Publik “30 Qershori si dështim i klasës politike dhe kërcënim ndaj demokracisë!” dhe me ane te Raportit Final.
Në këtë aksion vëzhgimi, KRIIK bashkëpunoi me 9 organizata lokale me eksperiencë në vëzhgimin e zgjedhjeve, të cilët ofruan burimet e veta njerëzore si vëzhgues: “Forumi Civil Selenicë”; Qendra “Lëvizja Rinore për Demokraci”- Pukë; Qendra e Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale Kukës “- Kukës; Qendra Këshillimore për Njerëzit me Aftësi të Kufizuar”- Shkodër; Qendra Rinore Vlorë (QRV) – Vlorë; Qendra “Të gjithë së bashku për Integrimin e Romëve” (TIRC); Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile – Durrës; Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile – Korçë; Shoqata “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Gruas Fshatare dhe Qytetare”- Berat.