Shkarko Deklaratën në pdf
Nesër më datën 11 maj 2025 do të zhvillohen Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhje këto të dekretuara nga Presidenti i Republikës më datë 5 dhjetor 2024.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) në vijim të angazhimit të pandërprerë të tij për forcimin dhe sigurimin e integritetit të zgjedhjeve, ligjzbatimit dhe të votës së lirë e të pandikuar, ka monitoruar në mënyrë të pandërprerë veprimtarinë e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe përgatitjet lidhur me këtë proces zgjedhor, e do ta ndjekë pjesërisht atë në vazhdim në të gjitha fazat e tij, duke angazhuar në mënyrë vullnetare 38 vëzhgues me eksperiencë në monitorimin e punës së Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor, të procesit të votimit, si dhe atë të numërimit të votave.
Lidhur me gjetjet e deritanishme dhe ato të ditës së zgjedhjeve, KRIIK do të dalë ditën e hënë me një deklaratë paraprake për ecurinë e këtij procesi.
KRIIK nëpërmjet kësaj Deklarate, të publikuar një ditë përpara Ditës së Zgjedhjeve, i bën thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë me të drejtë vote që ditën e nesërme të dalin masivisht dhe të votojnë të lirë dhe të pandikuar nga askush.
Shprehja e lirisë së mendimit dhe ushtrimi i votës është një e drejtë thelbësore për qytetarët në demokraci, e sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, e cila është në themel të sistemit demokratik, një sistemi demokratik që i shërben dhe ka në qëndër të tij qytetarin shqiptar, mirëqënien dhe lirinë e plotë të tij.
KRIIK i bën thirrje edhe shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që e kanë marrë zarfin e votimit nga KQZ-ja, që ta plotësojnë dhe dërgojnë sa më shpejt atë, sipas udhëzimeve të KQZ-së, në mënyrë që vota e tyre të ketë vlerë, duke mbërritur në territorin e Republikës së Shqipërisë përpara orës 19.00 të ditës së nesërme, kur edhe mbyllet zyrtarisht orari i votimit ne qendrat e votimit brenda vendit.
Dita e sotme dhe e nesërme deri në në orën 19.00, është periudha e heshtjes së plotë zgjedhore[1].
Kjo periudhë është përcaktuar nga Ligji për t’i dhënë qetësine e plotë dhe mundësinë çdo qytetari që të reflektojë dhe formësojë në mënyrë të lirë e të pandikuar vullnetin e tij se si do të shprehë votën e tij ditën e nesërme.
KRIIK i bën me dije e i kujton gjithë opinionit publik, në veçanti gjithë subjekteve zgjedhore e kandidatëve të tyre por edhe të gjithë aktorëve institucionalë dhe atyre ligjzbatuese, se në funksion të ruajtjes së heshtjes zgjedhore Kuadri Ligjor në fuqi detyron:
– të gjitha mediat audio-vizive (OSHMA-të), që transmetojnë në nivel kombëtar, rajonal apo lokal, se nuk duhet të transmetojnë apo ritransmetojnë çdo lloj informacioni me përmbajtje elektorale:
– të gjitha mediat apo portalet online se nuk duhet të lejojnë në ndërfaqen e tyre reklama politike e elektorale, qofshin këto postera, video, reel-s apo pop-up-e;
– të gjithë partitë politike, kandidatët në zgjedhje apo aktorët e tretë që mbështesin një subjekt zgjedhor apo kandidat, se nuk duhet të paguajnë, apo lejojnë transmetimin gjatë kësaj periudhe dy ditore të reklamave politike të paguara më parë në çdo platformë të rrjeteve sociale;
– të gjitha subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre se duhet të heqin nga i gjithë territori i vendit çdo poster, reklamë në citylight-e, reklamë elektronike dhe çdo material tjetër propagandistik të përdorur për fushatën zgjedhore.
Sipas ligjit, për heqjen e tyre mbajnë përgjegjesësi e ngarkohen me detyra edhe kryetarët e bashkive, punonjësit e policisë bashkiake dhe të policisë së shtetit[2].
– të gjithë subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre të ndalojnë zhvillimin e mitingjeve ose të çdo veprimtarie tjetër zgjedhore, përfshirë kontaktimin fizikisht apo nëpërmjet mesazheve telefonikë apo rrjeteve sociale të qytetarëve, si dhe takimet derë më derë me zgjedhësit në terren (neni 77 i Kodit Zgjedhor);
Gjithashtu KRIIK i bën me dije gjithë opinionit publik, në veçanti gjithë subjekteve zgjedhore e kandidatëve të tyre por edhe të gjithë aktorëve institucionalë dhe atyre ligjzbatuese, se, në zbatim të Kodit Zgjedhor (neni 109, 110) dhe Rekomandimeve të ODIHR[3],
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve[4] ka miratuar tashmë kuadrin e plotë rregullator ligjor në funksion të mekanzimit i cili ndalon prezencën e personave të paautorizuar në ambientet në rrezen prej 150 m përreth qendrave të votimit, duke plotësuar kështu një mekanizëm shtesë edhe në funksion të ruajtjes së fshehtësisë së votës së qytetarëve.
Sipas këtij rregullimi, përpos Koordinatorëve të Sigurisë, çdo anëtar i KQV-së, i KZAZ-së, vëzhgues apo zgjedhës, kur konstaton shkelje të akteve të tjera ligjore apo nënligjore në lidhje me praninë e personave të paautorizuar në mjediset përreth qendrës së votimit, në oborrin e ndërtesës, në hyrje të saj, në korridoret e brendshme të ndërtesës ku është/janë të vendosura qendrat e votimit dhe përreth tyre në një distancë rrethore me rreze më të vogël se 150 m, njofton menjëherë KQZ-në nëpërmjet numrit të telefonit të vënë në dispozicion të administratës zgjedhore 199 apo aplikacioneve whatsapp dhe KQZ.
Ky mekanizëm ligjor, i plotësuar tërësisht për herë të parë, për një zbatim të plotë e efikas të tij kërkon një ndërveprim të plotë të administratës zgjedhore, KQZ-së dhe Policisë së Shtetit, për t’i dhënë fund prezencës së personave të paautorizuar, qofshin këta patronazhistë të partive politike, përfaqësues të pushtetit vendor apo qëndror të paakredituar, përfaqësues të paakredituar të partive politike dhe kandidatëve, individë problematikë me ligjin të paakredituar, etj, të cilët me prezencën e tyre cënojnë të drejtën e sanksionuar nga ligji mbi fshehtësinë e votimit të qytetarëve, e drejtë e cila përfshin jo vetëm informacionin se për kë ka votuar qytetari, por edhe nëse ka shkuar për të votuar ose jo.
Ndaj KRIIK i bën thirrje të gjithë vëzhguesve politikë të akredituar pranë qendrave të votimit se dhënia e informacionit se kush nga qytetarët ka votuar ose jo i vë ata në shkelje të ligjit.
E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit, të cilët janë në detyrën e Administratës së Përkohshme Zgjedhore dhe në ushtrim të përgjegjësive të tyre duhet të zbatojnë vetëm detyrimet e Ligjit e udhëzimet e KQZ-së, duke u sjellë si nëpunës administrate jopolitikë, jopartiakë dhe të paanshëm, pavarësisht se janë propozuar apo janë aktivistë të partive politike.
Në vijim të respektimit të Ligjit mbi ruajtjen e fshehtësisë së votës, KRIIK iu sjell në vëmendje të gjithë subjekteve politike dhe kandidatëve se shoqërimi i organizuar i qytetarëve për të votuar përbën jo vetëm shkelje të fshehtësisë së votës, por edhe drejtim apo intimidim ndaj votës së tyre.
Po ashtu KRIIK i bën thirrje të gjithë Drejtuesve të Administratës Publike, të çdo niveli, se çdo kërkesë, ndaj punonjësve të administratës publike në varësi, për të votuar apo për të dhënë informacion nëse votuan ose jo, përbën shkelje të fshehtësisë së votës, gjë që duhet denoncuar e ndiqet nga organet e zbatimit të ligjit.
Kjo thirrje vlen edhe për të gjithë Drejtuesit apo Administratorët e Kompanive Private, të cilët iu kërkojnë punonjësve të tyre për të shkuar për të votuar apo për të dhënë informacion nëse kanë votuar ose jo.
Në përfundim të kësaj Deklarate, KRIIK i bën thirrje publike dhe i kërkon:
– Komisionit Qendror i Zgjedhjeve që të angazhohet maksimalisht për të patur tërë procesin në kontroll duke nxitur ligjzbatim të plotë e ofruar transparencë maksimale, garantuar të gjithë infrastrukturën e logjistikën e nevojshme, mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe numërimit, si dhe të sigurojë ndjekjen dhe adresimin në mënyrë efikase të çdo shkelje të vërejtur, indicie të marrë, denoncimi të bërë apo mospërmbushje të duhur të detyrave prej administratës zgjedhore.
– Drejtueseve të Partive Politike, në nivel qendror e lokal, që të ushtrojnë autoritetin e tyre për të mbajtur në kontroll anëtarët dhe mbështetësit e tyre duke evituar çdo formë të grumbullimit jashtë ambienteve të Qendrave të Votimit, si dhe grumbullimet e çdo lloj natyre deri në përfundim të tërë procesit.
Gjithashtu, ato duhet të shmangin çdo ndikim tek komisionerët zgjedhorë, të propozuar prej tyre, si dhe t’i nxisin ata që të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë korrekte, të qetë dhe në zbatimin maksimal të gërmës dhe frymës së ligjit.
Partitë politike, duhet të respektojnë plotësisht heshtjen zgjedhore, ditën e sotme e deri nesër në mbrëmje, sidomos në ndalimin e aktivitetit të tyre elektoral të kontakteve apo takimeve derë më derë me zgjedhësit në terren .
– Policisë së Shtetit që të angazhohet maksimalisht dhe në mënyrë profesionale për të garantuar rendin dhe qetësinë maksimale për qytetarët dhe votuesit gjatë ditës së votimit.
Në mënyrë të veçantë, Policia e Shtetit, në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe Udhëzimeve të KQZ-së duhet të ketë me prioritet zbatimin me efikasitet të parandalimit dhe shpërndarjes së çdo grumbullimi personash të paautorizuar në zonat përreth Qendrave të Votimit, duke iu përgjigjur në kohë kërkesave të koordinatorëve të sigurisë, administratës zgjedhore dhe KQZ-së.
– Task-forcës së KQZ, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK që të operojë me shpejtësi dhe efikasitet në parandalimin e efektit negativ mbi vullnetin e qytetarëve për të votuar në liri e vetvendosje të plotë, si dhe mbi cilësinë e procesit zgjedhor dhe zbatimit të Ligjit, duke ndjekur me përparësi çdo denoncim apo indicie që mund të vërehet lidhur me krime të mundshme zgjedhore.
– Organeve të Medias që të transmetojmë me profesionalizën dhe objektivitet të gjithë ecurinë e procesit, si dhe të informojnë gjerësisht apo edhe të denoncojnë pranë mekanizmave në dispozicion të KQZ-së apo organeve legjzbatuese mbi çdo shkelje të vërejtur mbi cënimin e ligjit apo të të drejtave të qytetarëve për të votuar lirisht e në fshehtësi të plotë.
U rekomandohet mediave dhe të gjithë gazetarëve që në transmetimet e tyre gjatë procesit të votimit të shmangin evidentimin, publikimin apo intervistimin e personave që janë në ambientet e Qendrës së Votimit apo që shkojnë për të votuar.
– Të gjithë vëzhguesve jopartiakë e të gjithë Qytetarëve që shkojnë për të votuar që të denoncojnë për çdo shkelje që shohin përgjatë procesit, duke informuar dhe investuar në veçanti mekanizimin e kontrollit e ndalimit ndaj personave të paautorizuar që ndodhen përreth qendrave të votimit.
[1] – Kodi Zgjedhor, neni 77 “Periudha e fushatës dhe e heshtjes zgjedhore”, pika 2, “2. Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medies, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.”
– Vendimi nr. 1047, datë 10.05.2025, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për ndalimin e publikimit/transmetimit të spoteve/reklamave dhe mesazheve elektorale në periudhën e heshtjes zgjedhore”.
[2] Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Udhëzimi nr. 06, datë 23.03.2021 “Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”, neni 3 “Caktimi i vendeve për afishimin e materialeve propagandistike”, pika 1 “… Me mbarimin e fushatës zgjedhore, subjektet zgjedhore marrin masat për heqjen e të gjithë materialeve propagandistike.”, dhe pika 8 “8. Subjekteve zgjedhore iu lejohet të afishojnë materialet propagandistike vetëm në vendet e përcaktuara nga kryetari i bashkisë, sipas këtij neni, dhe marrin masa për heqjen e tyre me përfundimin e fushatës së zgjedhjeve.”
Neni 7 “Organet që ngarkohen me zbatimin e Udhëzimit”, “Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen kryetarët e bashkive, subjektet zgjedhore, punonjësit e policisë bashkiake dhe të policisë së shtetit, si dhe monitoruesit e caktuar nga KQZ-ja. Moszbatimi i detyrimeve të përcaktuara në këtë udhëzim, përbën kundërvajtje administrative sipas përcaktimeve në Kodin Zgjedhor.”
[3] Raporti Përfundimtar i ODIHR për Zgjedhjet Parlamentare 2021, Rekomandimi Prioritar nr. 2 “Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dikush ka votuar apo jo dhe si ka votuar duhet të parandalohet”, faqe 30.
[4] – Komisioni Rregullator, Vendimi nr. 24, datë 21.03.2025, “Për disa shtesa në vendim nr. 11, datë 25.03.2021, “Për mënyrën e ngritjes, organizimit, funksionimit të komisionit të qendrës së votimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve në qendrën e votimit”, i ndryshuar”.
– Komisioni Rregullator, Vendimi nr. 25, datë 27.03.2025, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 12, datë 30.12.2020 të Komisionit Rregullator “Për miratimin e rregullave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit në shërbim të zgjedhjeve””.
– Urdhër i Komisionerit Shetëror të Zgjedhjeve “Për rendin dhe sigurinë në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit, si dhe përreth tyre, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”, datë 15.04.2025.