Shkarko Deklaraten ne pdf
Data 12 mars 2025 shënon datën e fundit kur subjektet zgjedhore, të regjistruara tanimë si garuese për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025, mund të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat shumëemërore të kandidatëve[1] për Deputetë.
Vendi ndodhet përpara një momenti thelbësor për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Këto zgjedhje nuk janë thjesht një proces periodik elektoral, por një test i besueshmërisë së institucioneve, partive politike dhe klasës politike në tërësi, veçanërisht në momentin aktual kur vendi ka nisur procesin e negocimit për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe disa prej kapitujve janë tanimë të çelur.
Integriteti i procesit zgjedhor është një prej testeve më të rëndësishme për një vend që është duke hapur kapitujt e anëtarësimit në BE. Ato janë një tregues kyç për BE-në se vendi kandidat është serioz në angazhimin e tij për të respektuar parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Nëse një vend dështon të organizojë zgjedhje të ndershme, rrezikon të ngadalësojë ose të pezullojë procesin e negociatave dhe të humbasë mbështetjen për anëtarësim.
Një nga aspektet më thelbësore për të siguruar besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor është cilësia e kandidatëve të propozuar nga subjektet politike.
Partitë politike, si institucione që synojnë të marrin besimin e qytetarëve për të qeverisur vendin, duhet të tregojnë përkushtim të palëkundur ndaj integritetit të individëve që u propozohen zgjedhësve si kandidatë për Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Në kushtet aktuale të vendit, në këtë fazë të procesit zgjedhor, është jetike për të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian që asnjë forcë politike të mos përfshijë në listat e kandidatëve individë me të kaluar problematike me ligjin ose të lidhur me të tillë individë apo me veprimtari të tjera që cënojnë besimin e publikut, individë që janë nën ndikimin e personave që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, që kanë qenë pjesë apo bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist[2], që janë larguar nga sistemi i drejtësisë prej procesit të vetingut apo i janë shmangur atij, si dhe individë që kanë shkelur apo janë në konflikt me ligjin në vendet partnere të Shqipërisë.
Integriteti i plotë i figurës së çdo kandidati, që do të kërkojë votën e qytetarëve shqiptarë në 11 maj, duhet të jetë një kriter thelbësor dhe jo një element i negociueshëm për interesa apo përllogaritje elektorale, për cilëndo forcë politike që merr pjesë në zgjedhje.
Përfshirja e individëve me të shkuar problematike dhe/ose në konflikt me ligjin, personave të afërt me ta apo që janë nën influencën e tyre, në një mënyrë apo në një tjetër, jo vetëm që minon besimin në procesin demokratik dhe pengon krijimin e një qeverisjeje të përgjegjshme e transparente, por edhe mund të shkaktojë vonesa dhe pengesa serioze në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Raportet Ndërkombëtare për Shqipërinë kanë evidentuar në vijimësi shqetësime mbi ndikimin e parave që vijnë nga krimi i organizuar apo korrupsioni në jetën publike.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Pastrimin Ndërkombëtar të Parave për vitin 2024 evidenton ndikimin e parave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal, duke theksuar se një pjesë e madhe e pastrimit të parave në vend ndodh përmes aktiviteteve kriminale si trafiku i drogës, mashtrimet me kontrata qeveritare dhe evazioni fiskal[3]. Personat që kanë kryer apo kryejnë veprimtari kriminale shpesh i pastrojnë të ardhurat e tyre përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe biznese të ndryshme.
Për më tepër, raporti përmend raste ku ish-zyrtarë të lartë janë hetuar dhe akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, duke ilustruar lidhjet shqetësuese mes politikës dhe krimit të organizuar.
Po ashtu, Raporti i Progresit i Komisionit Europian për vitin 2024 nënvizon sfidat e me të cilat ndeshet Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, duke theksuar nevojën për një qasje më sistematike dhe efektive në luftën ndaj këtyre fenomeneve, përfshirë forcimin e mekanizmave të parandalimit, hetimeve financiare dhe konfiskimit të aseteve kriminale[4].
Që Shqipëria të përparojë drejt përmbushjes së standardeve evropiane të qeverisjes dhe sundimit të ligjit, mbetet jetike që partitë politike të marrin përgjegjësi të plota për përzgjedhjen e kandidatëve që u ofrojnë zgjedhësve shqiptarë. Çdo tolerancë ndaj individëve me integritet të dyshimtë tradhton interesat e vendit dhe të qytetarëve dhe pengon zhvillimin e një demokracie të shëndoshë e të vërtetë në vend.
Për më tepër, është me vend të theksohet se fushata elektorale, e cila nevojitet të zhvillohet në periudhën e parashikuar nga ligji, mbi të gjitha duhet të karakterizohet nga programe të mirëpërgatitura, të bazuara në politika konkrete dhe të zbatueshme.
Premtimet e pambajtura, retorika boshe dhe kryerja e një fushate zgjedhore të bazuar ekskluzivisht në nxitjen e emocioneve të elektoratit, pa baza racionale, jo vetëm që cënojnë dinjitetin e qytetarëve, por dëmtojnë seriozitetin e procesit zgjedhor dhe besimin e publikut në institucionet demokratike.
Subjektet zgjedhore duhet të paraqesin plane të qarta dhe të argumentuara mbi sfidat kyçe që përballon vendi: ekonominë, punësimin, shëndetësinë, arsimin, sundimin e ligjit, etj., duke shmangur premtimet populiste dhe jo-realiste që synojnë thjesht të marrin vota pa patur një strategji të qartë për realizimin e tyre.
Gjithashtu, nevojitet dhe është e domosdoshme që subjektet zgjedhore të përfshijnë në ofertat elektorale të tyre çështje dhe kandidatë për Deputetë nga shqiptarët që jetojnë jashtë, nga pakicat minoritare dhe grupet në nevojë.
Në këtë frymë, KRIIK u bën thirrje Partive Politike të regjistruara që të përfshijnë në listat e tyre të kandidatëve vetëm individë me integritet të lartë moral dhe profesional.
Filtrimi paraprak i kandidaturave nga partitë politike dhe ofrimi vetëm i kandidatëve me integritet, përfshirë mandatimin e tyre nga vendimarrja e lirë e demokratike e forumeve të brendshme të partive respektive, do të forconte besimin e qytetarëve shqiptarë tek Kuvendi i Shqipërisë, sistemi politik në përgjithësi, e në veçanti tek përgjegjshmëria e partive politike dhe funksionimi demokratik i tyre.
Gjithashtu, KRIIK u bën thirrje të gjitha Partive Politike dhe Kandidatëve të mundshëm që të përgatiten dhe angazhohen seriozisht për një garë elektorale të ndershme, të përgjegjshme dhe në përputhje të plotë me kërkesat e kuadrit ligjor, si dhe për një fushatë zgjedhore substanciale, të orientuar drejt nevojave reale të qytetarëve dhe sfidave me të cilat përballet vendi, larg interesave dhe kalkulimeve të ngushta elektorale apo teknikave të fushatës që synojnë maksimizimin e votës pa objektiva të arritshme qeverisjeje.
[1] Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar në total 53 Parti Politike, pjesa më e madhe e të cilave të bashkuara në tre Koalicione parazgjedhore.
[2] Partitë politike mund të informohen dhe sigurohen mbi pastërtinë e figurës së Kandidatëve pranë Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, bazuar në nenin 30 të Ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
[3] Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit, Raporti mbi Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve – Vëllimi 2: Pastrimi i Parave (Mars 2024): “Shumica e pastrimit të parave në Shqipëri lidhet me trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore, mashtrimet me kontrata qeveritare, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Ekonomia kryesisht e bazuar në para të gatshme, kontrollet e dobëta kufitare dhe zbatimi i dobët i doganave lehtësojnë një treg të zi për mallrat e kontrabanduara. Kriminelët pastrojnë të ardhurat e tyre përmes blerjes së pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe projekteve të tjera të zhvillimit të biznesit.”, faqe 46.
[4] Komisioni Evropian, Raporti i Progresit për Shqipërinë 2024, SWD(2024) 690 final (Tetor 2024).