NJOFTIM PËR SHTYP
Në datë 14 Dhjetor 2023, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) publikoi QËNDRIMIN PUBLIK “Funksionaliteti i auditit paszgjedhor, si një mekanizëm që konsolidon rolin dhe zhvillimin e përgjegjësive të KQZ-së drejt ligjzbatimit dhe ndëshkimit të politikës cënuese ndaj integritetit të vullnetit të votuesit”.
Gjatë periudhës 6 – 24 nëntor 2023 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kreu procesin e këqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit dhe materialit zgjedhor, i konsideruar si auditimi paszgjedhor, për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023, në të cilat u përfshinë edhe Zgjedhjet e Përsëritura në Bashkinë Rrogozhinë të 23 korrikut, si edhe Zgjedhjet e Pjesshme të 24 shtatorit për Kryetar të Bashkisë Kukës.
Nga monitorimi i bërë prej KRIIK u evidentua se diferencat në të dhënat statistikore të votave ishin nga 3 – 56 vota në 61 qendra votimi, ndërsa përsa i përket verifikimit cilësor të procesit, u evidentua sërish se administrimi i prej komisionerëve zgjedhorë të niveleve të ulta vuajti nga të njëjtat problematika të konstatuara në të dy proceset e mëparshme zgjedhore të audituara 2022 e 2021.
Po ashtu u konstatua një nivel i lartë i mungesës së procesverbaleve të cilat duhet të gjendeshin në kutitë e materialeve zgjedhore.
Ndërkohë edhe në këtë proces zgjedhor u evidentua sërish problematika e pranisë së votave të pavlefshme në rreth 96% të Qendrave të Votimit të rinumëruara.
Procesi i auditimit paszgjedhor u fut në kuadrin ligjor me ndryshimet e Kodit Zgjedhor të korrikut 2020, si një risi dhe një ndër garancitë e dakordësuara politikisht nga Këshilli Politik në zgjidhje të krizës politike 2017-2020. Qëllimi i tij është verifikimi i ligjshmërisë dhe saktësisë së kryerjes së detyrave prej komisionerëve zgjedhorë me qëllim nxitjen e përgjegjshmërisë së tyre, si dhe eliminimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj çdo shkelësi të ligjit, pjesë e administratës së zgjedhjeve, pavarësisht përkatësisë partiake apo lidhjeve politike që mund të ketë.
Ky proces pwrbwn një ndër mekanizmat qw forcojnë rolin dhe pozicionin e Institucionit të KQZ-së në përpjekjen shtetformuese të vendit, duke siguruar integritetin e funksionimit të tij si institucion i pavaruar si dhe pranimin e zbatimin e vendimeve të tij si institucioni kompetent i ngarkuar nga ligji, duke i dhënë kështu frymëmarrje shtetit ligjor, e njëkohësisht dhënë fund edhe traditës ciklike gati 30-vjeçare të mbivendosjes së vullneteve partiake bipartizane ndaj ligjzbatimit
KRIIK ka sjellë në vazhdimësi në vëmendje të opinionit publik, veçanërisht të vendimmarrësve dhe politikëbërësve, domosdoshmërinë për dialog politik domethënës e të vazhdueshëm, si dhe për sigurimin e jetësimit të proceseve demokratike me integritet në funksion vetëm të interesave të qytetarëve dhe të krijimit të përvojave demokratike të shëndetshme, duke patur përherë në themel liritë dhe të drejtat e individit si dhe vlerat demokratike euro-atlantike të aspiruara në Kushtetutën e vendit.
Një qasje e tillë parashtron nevojën për një mentalitet dhe sjellje të re, veçanërisht prej klasës politike, e cila duhet të ketë në themel të saj moralitetin, legjitimitetin, ligjshmërinë si dhe integritet të plotë, duke u distancuar në mënyrë të menjëhershme, të vërtetë dhe publikisht prej kujtdo që shkel ligjin apo abuzon në çfarëdollojforme me të apo me përgjegjësitë publike të marra përsipër.
Standardi i ndjekur deri më sot prej politikës shqiptare “gjithçka për të fituar, me çdo mjet e formë” duhet zhbërë e duhet lënë pas, pasi realiteti i sotëm socio-politiko-ekonomik dhe sfidat e mëdha e të rënda me të cilat përballet shoqëria shqiptare kërkojnë siguri në funksionimin e një shtetiligjor, si dhe të një republike demokratike të gjallë e funksionale në interes të qytetarëve.
Ndërsa gjerësisht dhe vazhdimisht shprehet shqetësimi dhe nevoja për sigurimin e integritetit të zgjedhjeve, konstatohet me shqetësim se ndaj procesit të auditimi paszgjedhor pati një indiferencë totale nga tërë aktorët, politikë e jopolitikë, jo vetëm duke mos e vëzhguar apo ndjekur atë, por edhe duke mos treguar asnjë interes për gjetjet e dala në përfundim të tij.
Në gjykimin e KRIIK, kjo indiferencë përbën një tregues shqetësues, i cili evidenton mungesën e interesit real, veçanërisht të partive politike, për cilësinë e zhvillimit dhe të administrimit të procesit zgjedhor, duke u fokusuar në mënyrë të kufizuar vetëm në rezultatin zgjedhor apo edhe në shqetësimet e evidentuara në periudhën përpara shpalljes së tij.
Nga ana tjetër, duket qartë se kjo mungesë interesi është në linjë me qasjet e mëparshme politike për të minimizuar apo edhe mohuar shkeljet e bëra prej përfaqësuesve të partive politike si anëtarë të komisioneve zgjedhore pas shpalljes së rezultatit zgjedhor, duke nxitur ndërkohë moszbatimin e ligjit dhe fenomenin e pandëshkueshmërisë.
KRIIK, si një aktor i cili ndjek në mënyrë të pandërprerë prej më shumë se një dekade tërë zhvillimet politiko-institucionale me efekt integritetin e zgjedhjeve, ka theksuar dhe vazhdon të sjellë në vëmendje se integriteti i zgjedhjeve është i lidhur ngushtësisht me sigurimin e integritetit të tërë proceseve përbërëse të tij, përfshirë integritetin e kontributeve të të gjithë institucioneve që kanë rol në proces, integritetin e ofertave elektorale përfshirë integritetin e kandidatëve e të partive politike, integritetin e vendimmarrjeve dhe funksionimit të vetë institucionit të KQZ-së, etj.
Në tërë këto procese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol kyç. Ndwrkohw ai është i vetmi institucion i ngarkuar nga ligji i cili sanksionon drejtpërdrejt administrativisht dhe kallëzon në prokurori për vepra penale të konstatuara individë, pjesë e politikës ose të lidhur me të, si edhe vetë partitë politike në rastet e shkeljes së ligjit, duke cënuar standardet e zgjedhjeve apo të financimit të rregullt.
Në këtë mision madhor, procesi i auditimit paszgjedhor dhe ndërmarrja e sanksioneve bazuar në gjetjet e tij, është një proces i cili duhet të mbështet hapur dhe publikisht prej tërë partive politike dhe aktorëve vendorë, si një proces i merituar ndëshkimi ndaj kujto individi, pavarësisht përkatësisë partiake apo lidhjeve më pushtetin, që ka guxuar të manipulojë vullnetin e votuesit apo që ka abuzuar me përgjegjësinë ligjore të marrë përsipër duke shkelur rregullat e procedurat ligjore, e cënuar kështu cilësinë dhe standardin e procesit zgjedhor.
KQZ duhet të shqyrtojë me vendosmëri dhe transparencë të plotë të gjitha gjetjet, duke i mëshuar realizimit të qëllimit të procesit pa amnistuar askënd e mos relativizuar asnjë shkelje të ligjit të konstatuar, si dhe ta pwrdorw kwtw proces edhe pwr nxjerrjen e mësimeve të nevojshme për përmirësimin e tij në vijim.
Dokumenti i plotë si tekst mund të lexohet më poshtë, ndërsa në formatin .pdf mund të shkarkohet KËTU.
Tiranë, më 14 Dhjetor 2023!
==============================================
Q Ë N D R I M P U B L I K
Gjatë periudhës 6 – 24 nëntor 2023 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kreu procesin e këqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit dhe materialit zgjedhor, i konsideruar si auditimi paszgjedhor, për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023, në të cilat u përfshinë edhe Zgjedhjet e Përsëritura në Bashkinë Rrogozhinë të 23 korrikut, si edhe Zgjedhjet e Pjesshme të 24 shtatorit për Kryetar të Bashkisë Kukës.
Auditimi paszgjedhor konsiston në këqyrjen e fletëve të votimit e të materialit zgjedhor, si dhe të pajisjeve të teknologjisë së informacionit të përdorura në zgjedhje, për 10% të qendrave të votimit të çdo Zone të Administrimit Zgjedhor (ZAZ), të përzgjedhura në mënyrë rastësore. Ky proces kryhet pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Gjetjet që evidentohen nga ky proces, pavarësisht llojit dhe gravitetit të tyre, nuk shërbejnë dhe nuk kanë asnjë efekt në rezultatin përfundimtar.
Qëllimi i procesit të auditimit paszgjedhor është verifikimi i ligjshmërisë dhe saktësisë së kryerjes së detyrave prej komisionerëve zgjedhorë me qëllim nxitjen e përgjegjshmërisë së tyre, si dhe eliminimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj çdo shkelësi të ligjit, pjesë e administratës së zgjedhjeve, pavarësisht përkatësisë partiake apo lidhjeve politike që mund të ketë.
Ligji përcakton qartë se, nëse nga zhvillimi i këtij procesi rezultojnë parregullsi ose pasaktësi, që bëjnë me faj zyrtarët zgjedhorë përkatës, KQZ-ja është e detyruar të nisë procedimin disiplinor dhe të bëjë kallëzimin penal për zyrtarët përgjegjës[1].
Auditimi paszgjedhor u fut në kuadrin ligjor me ndryshimet e Kodit Zgjedhor[2] të korrikut 2020, si një risi dhe një ndër garancitë e dakordësuara politikisht nga Këshilli Politik në zgjidhje të krizës politike 2017-2020.
Ai shënon një ndër mekanizmat të cilat forcojnë rolin dhe pozicionin e Institucionit të KQZ-së në përpjekjen shtetformuese të vendit, duke siguruar integritetin e funksionimit të tij si institucion i pavaruar si dhe pranimin e zbatimin e vendimeve të tij si institucioni kompetent i ngarkuar nga ligji, duke i dhënë kështu frymëmarrje shtetit ligjor, e njëkohësisht dhënë fund edhe traditës ciklike gati 30-vjeçare të mbivendosjes së vullneteve partiake bipartizane ndaj ligjzbatimit.
KRIIK ka sjellë në vazhdimësi në vëmendje të opinionit publik, veçanërisht të vendimmarrësve dhe politikëbërësve domosdoshmërinë për dialog politik domethënës e të vazhdueshëm, si dhe për sigurimin e jetësimit të proceseve demokratike me integritet, në funksion vetëm të interesave të qytetarëve dhe të krijimit të përvojave demokratike të shëndetshme, duke patur përherë në themel liritë dhe të drejtat e individit si dhe vlerat demokratike euro-atlantike të aspiruara në Kushtetutën e vendit.
Kriza e tejzgjatur politike 2017-2020 nxorri në pah domosdoshmërinë e kalimit nga modeli i funksionimit vetëm nën parimin e balancës politike, në atë të referimit në verdiktin e institucioneve e të respektimit të procesit ligjzbatues të ndjekur prej tyre.
Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore e 2020-ës, në veçanti ri-organizimi i Institucionit të KQZ-së, shënoi një hap konkret e deçiziv në përpjekjen shtetformuese të vendit si dhe vendosi ndërtimin e një standardi të ri politik e institucional, ku ligjzbatimi është i plotë dhe ku integriteti i institucioneve, së pari ai atyre ligjzbatuese dhe të pavaruara, duhet të jetë i siguruar.
Ky standard parashtroi nevojën për një mentalitet dhe sjellje të re, veçanërisht të klasës politike, e cila duhet të ketë në themel të saj moralitetin, legjitimitetin, ligjshmërinë dhe integritet të plotë duke u distancuar në mënyrë të menjëhershme, të vërtetë dhe publikisht prej kujtdo që shkel ligjin apo abuzon në çfarëdollojforme me të apo me përgjegjësitë publike të marra përsipër.
Një qasje e tillë është e domosdoshme të tregohet së pari prej të gjitha partive politike ndaj të gjithë përfaqësuesve të vet, qofshin këta funksionarë, anëtarë, aktivistë apo kandidatë, që ndodhen në konflikt apo akuzë prej ligjit në mënyrë që të sigurojnë hapësirën e nevojshme, objektive e të pa ndikuar, të funksionimit të institucioneve dhe të zbatimit në mënyrë të plotë dhe të paekuivok të ligjit.
Standardi i ndjekur deri më sot prej politikës shqiptare “gjithçka për të fituar, me çdo mjet e formë” duhet zhbërë e duhet lënë pas, pasi realiteti i sotëm socio-politiko-ekonomik dhe sfidat e mëdha e të rënda me të cilat përballet në vijim shoqëria shqiptare kërkojnë siguri në funksionimin e një shtetiligjor, si dhe të një republike demokratike të gjallë e funksionale në interes të qytetarëve.
Aktualisht, KRIIK shpreh shqetësimin e tij për gjendjen alarmante të Kuvendit të Shqipërisë, për sjelljen dhe mungesën e maturisë së faktorit politik parlamentar, veçanërisht të maxhorancës socialiste. Thirrjet së fundi prej partnerëve kryesorë ndërkombëtarë për dialog politik konstruktiv e një Parlament funksional në zbatim të parimeve dhe aspiratave kushtetuese duket se po bien në vesh të shurdhër[3], sikurse edhe thirrjet publike[4] të bëra më parë nga KRIIK gjatë këtij një viti e gjysëm.
Partitë parlamentare nevojitet të reflektojnë sa më parë e tregojnë vizion e pjekuri politike për ta nxjerrë vendin menjëherë nga ky ngërç absurd politik.
Njëkohësisht ato nevojitet tu tregojnë qytetarëve se kanë kapacitetet e nevojshme për të zhvilluar përgjegjësitë publike të marra e treguar koherencë në ndjekjen e proceseve të tjera institucionale e politike të nevojshme për ecurinë demokratike të vendit.
Auditimi paszgjedhor vlerësohet si një proces shumë domethënës në funksion të ligjzbatimit, i cili është pranuar dhe dakordësuar nga vetë këto forca politike për tu bërë pjesë e mekanizmave garantues të Kodit Zgjedhor, por që tashmë duket se është totalisht jashtë interesit të tyre[5]. Kjo në një situatë kur partitë politike opozitare kanë kryer denoncime publike të vazhdueshme duke kërkuar hetime të thelluara nga organet kompetente, ndërkohë që vazhdojnë të kenë pjesë të përditshme të diskursit të tyre publik pikërisht manipulimet e ndodhura në procesin zgjedhor.
Ndërsa gjerësisht dhe vazhdimisht shprehet shqetësimi dhe nevoja për sigurimin e integritetit të zgjedhjeve, konstatohet me shqetësim se ndaj procesit të auditimi paszgjedhor pati një indiferencë totale nga tërë aktorët, politikë e jopolitikë, jo vetëm duke mos e vëzhguar apo ndjekur atë, por edhe duke mos treguar asnjë interes për gjetjet e dala në përfundim të tij[6].
Në gjykimin e KRIIK, kjo indiferencë përbën një tregues shqetësues, i cili evidenton mungesën e interesit real, veçanërisht të partive politike, për cilësinë e zhvillimit dhe të administrimit të procesit zgjedhor, duke u fokusuar në mënyrë të kufizuar vetëm në rezultatin zgjedhor apo edhe në shqetësimet e evidentuara në periudhën përpara shpalljes së tij.
Nga ana tjetër, duket qartë se kjo mungesë interesi është në linjë me qasjet e mëparshme politike për të minimizuar apo edhe mohuar shkeljet e bëra prej përfaqësuesve të partive politike si anëtarë të komisioneve zgjedhore pas shpalljes së rezultatit zgjedhor, duke nxitur ndërkohë moszbatimin e ligjit dhe fenomenin e pandëshkueshmërisë.
KRIIK, si një aktor i cili ndjek në mënyrë të pandërprerë prej më shumë se një dekade tërë zhvillimet politiko-institucionale me efekt integritetin e zgjedhjeve, ka theksuar dhe vazhdon të sjellë në vëmendje se integriteti i zgjedhjeve është i lidhur ngushtësisht me sigurimin e integritetit të tërë proceseve përbërëse të tij, përfshirë integritetin e kontributeve të të gjithë institucioneve që kanë rol në proces, integritetin e ofertave elektorale përfshirë integritetin e kandidatëve e të partive politike, integritetin e vendimmarrjeve dhe funksionimit të vetë institucionit të KQZ-së, etj.
Në tërë këto procese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol kyç. Ai është një Institucion i Pavarur i krijuar me ligj por me një rëndësi dhe natyrë të veçantë, i cili nevojitet të konsiderohet dhe trajtohet si i tillë. KQZ-së i duhet jo vetëm të organizojë e administrojë tërë procesin zgjedhor, por është i ngarkuar edhe me detyra të tjera shumë të rëndësishme si procesi i dekriminalizimit, apo edhe ushtrimi i rolit si mbikqyrës dhe kontrollues i financimit të partive politike e fushatave zgjedhore.
Në këtë kuadër, KQZ-ja është i vetmi institucion i ngarkuar nga ligji i cili sanksionon drejtpërdrejt administrativisht dhe kallëzon në prokurori për vepra penale të konstatuara individë, pjesë e politikës ose të lidhur me të, si edhe vetë partitë politike në rastet e shkeljes së ligjit, duke cënuar standardet e zgjedhjeve apo të financimit të rregullt.
Vendimmarrja dhe ligjzbatimi i plotë dhe pa ekuivok prej KQZ-së ndaj politikës dhe zyrtarëve të lartë të institucionave shtetërore, është një kontribut i qenësishëm dhe i menjëhershëm për zhbërjen jo vetëm të praktikës 30 vjeçare të pandëshkueshmërisë e moszbatimit të ligjit, por edhe një ndihmë konkrete dhe e drejtpërdrejt për efikasitetin e Reformës në Drejtësi dhe punës së organeve të saj, duke krijuar klimën e ligjzbatimit të plotë dhe të barazisë para ligjit.
Në këtë mision madhor, procesi i auditimit paszgjedhor dhe ndërmarrja e sanksioneve bazuar në gjetjet e tij, është një proces i cili duhet të mbështet hapur dhe publikisht prej tërë partive politike dhe aktorëve vendorë, si një proces i merituar ndëshkimi ndaj kujto individi, pavarësisht përkatësisë partiake apo lidhjeve më pushtetin, që ka guxuar të manipulojë vullnetin e votuesit apo që ka abuzuar me përgjegjësinë ligjore të marrë përsipër duke shkelur rregullat e procedurat ligjore, e cënuar kështu cilësinë dhe standardin e procesit zgjedhor.
KRIIK vazhdon të theksojë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nevojitet të monitorohet e mbështetet fort nga të gjithë aktorët e partnerët ndërkombëtarë, si një institucion model i ligjzbatimit dhe integritetit.
KQZ duhet të shqyrtojë me vendosmëri dhe transparencë të plotë të gjitha gjetjet, duke i mëshuar realizimit të qëllimit të procesit pa amnistuar askënd e mos relativizuar asnjë shkelje të ligjit të konstatuar.
Rasti i mos sanksionimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore në Pukë e Mallakastër, të cilët u provuan qartazi gjatë procesit ankimor se kishin manipuluar me ndërgjegje rezultatet e votimit[7], nuk duhet të shërbejë si precendent për të mosvepruar apo toleruar shkeljet. Madje KRIIK e nxit sërish KQZ-në të veprojë duke i sanksionuar tërë komisionerët e përfshirë në këto raste, në përmbushje të detyrimeve ligjore të parashikuara.
KRIIK sjell në vëmendje të KQZ-së, partive politike dhe tërë opinionit publik se devijimi i një vote të vetme nga njëri subjekt tek një tjetër përbën prodhim të një rezultati zgjedhor të falsifikuar, i cili përmban në vetvete dy manipulime të kryera prej komisionerëve përkatës. Një që i faturohet pakësimit të rezultatit të subjektit zgjedhor nga hiqet vota dhe një që i faturohet shtimit të rezultatit të subjektit zgjedhor ku shtohet kjo votë.
KQZ-ja duhet gjithashtu të shqyrtojë e vlerësojë me objektivitet çdo parregullsi të evidentuar gjatë auditimit të materialeve zgjedhore duke marrë masa administrative e bërë kallzim penal pa hezitim ndaj të gjithë shkelësve sipas parashikimeve të ligjit.
Zemërgjerësia e treguar prej KQZ-së në proceset e mëparshme të auditimeve të kryera, në emër të mungesës së informimit, edukimit apo edhe të risisë së mekanizmit, s’duhet të ketë më vend në këtë auditim paszgjedhor. Tashmë tërë partitë politike dhe komisionerët zgjedhorë janë në dijeni të parashikimeve ligjore të cilat nuk janë më risi. Çdo veprim i kryer prej tyre, në dijeni ose jo të subjektit politik që i ka propozuar, është një veprim i bërë me përgjegjshmëri të plotë. Për rrjedhojë, çdo shkelje e kryer me veprim apo mosveprim nuk është gjë tjetër veçse një sfidë e hapur ndaj ligjit, duke relativizuar parashikimin ligjor dhe zhbërë efiçencën e mekanizmit ligjor garantues të ndërtuar.
Vendimi[8] për kryerjen e Auditimit Paszgjedhor për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023, u miratua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve më datën 20 tetor 2023, duke marrë në konsideratë dhe përfshirë pjesërisht[9] në të edhe rekomandimet[10] e depozituara nga KRIIK.
KQZ-ja auditoi 533 QV[11], nga të cilat 40 QV iu përkisnin KZAZ-ve në juridiksionin e bashkive ku u zhvillua votim-numërimi elektronik, ndërsa 7 QV zgjedhjeve të pjesshme të zhvilluara në Bashkinë Kukës. QV-të u përzgjodhën me short duke përfshirë 10% të QV-ve për çdo KZAZ.
Lidhur me auditimin e QV-ve ku u implementua votim-numërimi elektronik Komisioneri shprehu publikisht gatishmërinë e KQZ-së për të audituar edhe më shumë se 10% të QV-ve apo Qendra Votimi të veçanta të përzgjedhura me përcaktim në rast kërkese nga ana e partive politike.
Procesi i rinumërimit nga KQZ u krye nga 6 grupe numërimi, pjesë e stafit të KQZ, të cilët u deklarua se ishin trajnuar paraprakisht. Procesi u trasmetua live në faqet zyrtare të KQZ në youtube dhe facebook.
Të dhënat lidhur me numrin e votave u hodhën në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, por ende janë të paaksesueshme në format të përpunueshëm[12]. Ndërkohë të dhënat që lidhen me vlerësimin cilësor u plotësuan nga grupet e numërimit nëpërmjet një sistemi elektronik të brendshëm të KQZ dhe nuk janë publike.
KRIIK sjell në vëmendje se nga vëzhgimi i dy proceseve të mëparshme të auditimit të kryer për zgjedhjet e vitit 2021 dhe 2022[13], vërejti disa problematika[14] duke e konsideruar procesin në të dy rastet si jo eficient. Theksohet këtu konstatimi i diferencave nga 1 – 29 vota në vitin 2021 lidhur me auditimin sasior të votave, ndërsa përsa i përket verifikimit cilësor të procesit u konstatua se së paku në 60% të Qendrave të Votimit kishte së paku një problematikë.
Nga monitorimi i bërë prej KRIIK auditimit[15] paszgjedhor 2023, u evidentua se diferencat në të dhënat statistikore të votave ishin më shumë prezentë në rezultatet për anëtarët e këshillave bashkiake dhe shumë më pak në ato për kryetar bashkie.
Rezultoi se 61 qendra votimi kishin diferenca nga 3 – 56 vota krahasuar me rezultatet e numërimit të procesit të 14 majit[16] 2023.
Ndërsa përsa i përket verifikimit cilësor të procesit, u evidentua sërish se administrimi i prej komisionerëve zgjedhorë të niveleve të ulta vuajti nga të njëjtat problematika të konstatuara në të dy proceset e mëparshme zgjedhore të audituara 2022 e 2021.
Nga të dhënat paraprake rezulton të jenë konstatuar[17] :
- 2 kuti votimi të pavulosura siç duhet[18];
- 14 QV me kutitë e votimit të dëmtuara[19];
- 8 QV ku mungon Libri i Protokollit të Mbledhjeve[20];
- 13 QV ku kopja origjinale e procesverbalit të hapjes nuk është gjendur në asnjë prej kutive;
- 9 QV ku kopja origjinale e procesverbalit të mbylljes nuk është gjendur në asnjë prej kutive;
- 97 QV ku mungonte raporti i hapjes së procesit të identifikimit elektronik;
- 11 QV ku raporti i hapjes së procesit të identifikimit elektronik është gjetur i pa nënshkruar nga asnjë prej anëtarëve të komisionit të QV-së;
- 118 QV ku raporti i hapjes së procesit të identifikimit elektronik është gjetur i pa vulosur nga sekretari i KQV-së;
- 88 Qendra Votimi ku mungonte raporti i mbylljes së procesit të identifikimit elektronik;
- 90 Qendra Votimi ku mungonte procesverbali i mbylljes së PEI, madje ai nuk është gjetur në asnjë nga kutitë e tjera;
- 48 Qendra Votimi ku mungonte zarfi i vërtetimeve të identifikimit elektronik;
- 5 Qendra Votimi ku mungonte lista e zgjedhësve;
- 13 Qendra Votimi ku mungonte regjistri i posaçëm i zgjedhësve;
- 153 Qendra Votimi ku vendimet nuk ishin të vulosura me vulën e KQV-së.
Po ashtu, lidhur me modelet e procesverbaleve të cilat duhet të gjendeshin në kutinë e materialeve zgjedhore, u konstatua një nivel i lartë i mungesës së tyre, si dhe i rasteve kur formulari ishte futur në kuti i paplotësuar[21], në kundërshtim nga sa ligji parashikon.
Ndërkaq edhe në këtë proces zgjedhor u evidentua problematika e pranisë së votave të pavlefshme, të cilat u konstatuan në rreth 96% të Qendrave të Votimit[22].
Nga vlerësimi i tyre rezultoi se:
- rreth 46% e votave të pavlefshme ishin të tilla pasi ishte votuar për më shumë se një subjekt zgjedhor në fletën e votimit;
- rreth 20% e votave të pavlefshme ishin të tilla pasi në fletën e votimit nuk ishte votuar për asnjërin nga subjektet zgjedhore;
- rreth 20% e votave të pavlefshme ishin të tilla pasi në fletën e votimit kishte shënime të cilat e bënin të pamundur vlerësimin e votës;
- rreth 6% e votave të pavlefshme ishin të tilla pasi në fletën e votimit ishin bërë shënime në favor apo në disfavor të subjekteve të caktuara zgjedhore;
- rreth 4% e votave të pavlefshme ishin të tilla pasi fletës së votimit i mungonin vulat, ose e kryetarit, ose e sekretarit të KQV (vula e qendrës së votimit), etj.
Në përfundim, KRIIK nxit KQZ-në për shqyrtim sa më të plotë e të drejtë të fakteve e rrethanave të konstatuara, duke përmbushur jo vetëm qëllimin që mbart në vetvete kryerja e këtij procesi, por edhe nxjerrjen e mësimeve të nevojshme për përmirësimin e procesit në vijim, sikurse është organizmi më i mirë i punës prej administratës, përgatitja më e mirë dhe këqyrja më e saktë dhe e hollësishme prej grupeve të numërimit, vlerësimi i votave të pavlefshme, rishikimi i moduleve të trajnimit për komisionerët, përfshirë kohëzgjatjen dhe periodicitetin e tyre, etj.
Gjithashtu, në raport me pavlefshmërinë e votave të konstatuara, në gjykimin e KRIIK, nevojitet që KQZ-ja të bëjë një shqyrtim të plotë të rrethanave të pavlefshmërisë, sidomos në rastet kur kjo votë është bërë e pavlefshme jo nga vetë votuesi, por nga mungesa e vulës në të, si pasojë e sjelljes aspak korrekte të komisionerëve.
Tiranë, më 14 Dhjetor 2023!
[1] Kodi Zgjedhor, Neni 167/2, pika 8.
[2] Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, Neni 167/2.
[3] Jo vetëm që nuk ka patur asnjë tentativë dialogu, por nëpërmjet një procesi tërësisht të njëanshëm maxhoranca ka bërë ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, si një propozim i Deputetes Blerina Gjylameti dhe Deputetit Toni Gogu të protokolluar më datën 06.12.2023, i cili rëndon penalitetet e përjashtimit të deputetëve nga veprimtaritë parlamentare deri në 60 ditë, nga 10 ditë që ishte më parë. Për më shumë shih “Projektvendim “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Kuvendit nr.166 datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar” .
Ky ndryshim i Rregullores u miratua nga Kuvendi për më pak se 1 minutë në seancën anormale të rradhës të zhvilluar sot më datë 14.12.2023 me një kohëzgjatje totale prej 8.5 minutash. (shih miratimin e Rregullores tek minuta 7:34 – 8:29 e video-regjistrimit të seancës plenare).
[4] Të gjitha Qëndrimet Publike të KRIIK lidhur me aspekte të ndryshme në raport me sigurimin e integritetit të zgjedhjeve dhe mirëfunksionimin e demokracisë në vend, të shprehura nëpërmjet Deklaratave e Raporteve iu dërgohen të gjithë Deputetëve, si dhe Lidershipit të pothuaj tërë Partive Politike në vend.
Ndërkohë, ndaj Deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë dhe Institucionit të Kuvendit janë përpiluar e dërguar një sërë Thirrjesh Publike nëpërmjet Dokumenteve/aktiviteteve të mëposhtme:
– KRIIK, LETËR E HAPUR “Kuvendi i Shqipërisë të mbështesë Institucionin e KQZ-së në zbatimin e ligjit për të parandaluar shpërdorimin e burimeve shtetërore”, datë 31.03.2023.
– KRIIK, QËNDRIM PUBLIK “Dështimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore, këmbanë alarmi për zgjedhjet e ardhshme dhe proceset e tjera reformuese të nevojshme për vendin”, datë 11.08.2022.
– KRIIK, QËNDRIM PUBLIK “Deputetët dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të përmbushin përgjegjesitë e tyre për nisjen e punës dhe realizimin e një Reforme të vërtetë Zgjedhore, të mbështetur në parimet e transparencës dhe gjithëpërfshirjes”, datë 11.06.2022.
– KRIIK, KONFERENCË KOMBËTARE “SHOQËRIA CIVILE DHE POLITIKE; PËR NJË DIALOG DHE PJESËMARRJE GJITHËPËRFSHIRËSE” – “Nevoja për një Reformë të Plotë Zgjedhore; Financimi i Politikës”, datë 16.02.2022.
[5] Procesin e auditimit të zgjedhjeve të vitit 2023 nuk e vëzhgoi asnjë parti politike, ndërkohë atë të zgjedhjeve të vitit 2021 dhe 2022 e vëzhgoi vetëm Partia Lëvizja Socialiste për Integrim.
[6] Sipas informacionit të marrë pranë administratës së KQZ-së asnjë subjekt, politik ose jo, nuk ka treguar interes dhe nuk ka kërkuar asnjë informacion mbi gjetjet e rezultuara në përfundim të procesit.
[7] KRIIK, QENDRIM PUBLIK “Qasja proaktive e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në evidentimin dhe denoncimin e krimit zgjedhor, thelbësor për sigurimin e integritetit të zgjedhjeve dhe të ligjzbatimit në vend”, datë 02.06.2023.
[8] Vendimi nr. 800 datë 20.10.2023 i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
[9] KQZ mori në konsideratë disa Rekomandime të KRIIK, si psh.
– rritjen e numrit të qendrave të votimit të cilat do t’i nënshtroheshin auditimit, duke e çuar atë në 10% nga 5% që ishte parashikuar në projektvendim;
– aplikimin e hedhjes së të dhënave të verifikimit cilësor nga vetë grupet e rinumërimit nëpërmjet përdorimit të teknologjisë;
– përfshirjen në shortim edhe të Qendrave të Votimit për të cilat njëra prej kutive (ajo e votimit për kryetar apo ajo e votimit për këshillin e bashkisë) ishte rihapur gjatë procesit të ankimimeve;
– angazhimin publikisht të administratës së KQZ-së për të marrë në konsideratë tërë rekomandimet e KRIIK duke plotësuar dhe detajuar më tej pyetësorin e vlerësimit cilësor që do të përdorej për gjykuar sjelljen dhe punën e bërë nga administrata zgjedhore, duke e bërë më të kuptueshëm këtë pyetësor, ruajtur logjikën e pyetje-përgjigjeve dhe identifikuar drejtëpërdrejtë parregullsitë e ndodhura, e rrjedhimisht edhe përgjegjësitë ligjore përkatëse.
Ndërkohë lidhur me rekomandimin e KRIIK për ri-hapjen e të gjitha QV-ve ku ishte implementuar votimi dhe numërimi elektronik, KQZ u përgjigj duke deklaruar publikisht se në rast se ndonjë nga subjektet zgjedhore do të shprehte interes për të hapur QV të caktuara apo të gjitha QV-të ku u votua elektronikisht, ajo do ta realizonte këtë kërkesë menjëherë dhe pa asnjë kosto.
Theksohet këtu se përsa i përket rekomandimeve teknike lidhur me përmbatjen e pyetësorëve për të cilët administrata e KQZ-së u shpreh në seancë publike se do të konsideroheshin dhe implementoheshin prej tyre, nga monitorimi i bërë, rezultoi se një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve nuk ishin aplikuar, çka bëri që pyetësori i përdorur, për rrjedhojë edhe të dhënat e mbledhura, të kenë sërish paqartësi e krijojnë konfuzion në përmbajtjen e tyre.
[10] REKOMANDIME – Lidhur me projekt-vendimin “Për përcaktimin e procedurave të këqyrjes paszgjedhore të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore, për zgjedhjet e organeve te vetëqeverisjes vendore”, Dokument i dërguar më datë 19.10.2023.
[11] Qendrat e votimit që auditohen përzgjidhen në mënyrë rastësore, përzgjedhje e cila mund të përdoret edhe për përgjithësimin e gjetjeve, duke lejuar që të gjykohet në lidhje me masën në të cilën parregullsitë potenciale të identifikuara gjatë procesit janë të pranishme në të gjithë vendin. Verifikimi kryhet edhe për saktësinë e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit lidhur me identifikimin elektronik të zgjedhësve.
Kodi Zgjedhor gjithashtu u jep mundësinë palëve të interesuara që të mund të kërkojnë futjen në procesin e auditit paszgjedhor edhe të atyre Qendrave të Votimit për të cilat ata kanë pretendime, indicie apo dyshime se mund të jenë kryer shkelje.
[12] Të dhënat numerike shfaqen në faqen e internetit por të dhënat nuk mund të shkarkohen në format që të lejojë analizën e tyre të pavarur, në asnjë format tabelar.
[13] Të dhënat e plota lidhur me këto procese janë përfshirë në raportet përfundimtare të vëzhgimit të zgjedhjeve 2021 dhe 2023. Theksohet se monitorimi i këtyre dy proceseve u krye në mënyrë tërësisht vullnetare prej stafit dhe aktivistëve të KRIIK.
[14] Problematikat kryesore konsistonin në vetë udhëzimin dhe pyetësorin e hartuar nga KQZ, dhe më pas në përpunimin e të dhënave dhe reflektimin e gjetjeve në ndërmarrjen e proceseve sanksionuese konkrete apo të referimit në Prokurori.
KQZ, në këto procese, anashkaloi çdo gjetje/shkelje tjetër të konstatuar, përveç rasteve të ndryshimit të rezultatit me më shumë se 20 vota. Vetëm për këto të fundit, KQZ-ja referoi numëruesit në Prokurori, ndërkohë që vetëm në një rast të konstatimit të mungesës së Librit të Protokollit të Mbledhjeve propozoi në KAS sanksion administrativ.
[15] Në vazhdën e angazhimit të pandërprerë të tij, KRIIK, sërish në mënyrë vullnetare arriti të monitorojë pjesën dërmuese të procesit të auditimit paszgjedhor 2023.
[16] Rinumërimi i votave për kryetar bashkie konstatoi këto diferenca (renditur sipas numrit të votave diferencë):
– QV 1869/01 Bashkia Tiranë (25 vota diferencë); – QV 1868/01 Bashkia Tiranë (6 vota diferencë); – QV 2742 Bashkia Librazhd (5 vota diferencë); – QV 1960/01 Bashkia Tiranë (5 vota diferencë); – QV 0725 Bashkia Lezhë (5 vota diferencë); – QV 1860 Bashkia Tiranë (4 vota diferencë); – QV 0210 Bashkia Vau Dejes (3 vota diferencë); – QV 1453/01 Bashkia Durrës (3 vota diferencë); – QV 2533 Bashkia Cërrik (3 vota diferencë).
Rinumërimi i votave për Këshillin e Bashkisë (renditur sipas numrit të votave diferencë):
– QV 4563/02 Bashkia Himarë (56 vota diferencë); – QV 1317 Bashkia Krujë (47 vota diferencë); – QV 1420/05 Bashkia Durrës (35 vota diferencë); – QV 0321 Bashkia Shkodër (26 vota diferencë); – QV 2272/01 Bashkia Peqin (22 vota diferencë); – QV 0314/01 Bashkia Shkodër (21 vota diferencë); – QV 1238 Bashkia Dibër (20 vota diferencë); – QV 4016 Bashkia Devoll (20 vota diferencë); – QV 0172 Bashkia Malësi e Madhe (17 vota diferencë); – QV 4455/01 Bashkia Vlorë (16 vota diferencë); – QV 0314/01 Bashkia Shkodër (15 vota diferencë); – QV 4014 Bashkia Devoll (15 vota diferencë); – QV 1277 Bashkia Krujë (14 vota diferencë); – QV 4611 Bashkia Selenicë (12 vota diferencë); – QV 4249 Bashkia Gjirokastër (12 vota diferencë); – QV 0737 Bashkia Lezhë (11 vota diferencë); – QV 1028 Bashkia Klos (10 vota diferencë); – QV 3687 Bashkia Korccë (10 vota diferencë); – QV 2251/01 Bashkia Peqin (9 vota diferencë); – QV 4580 Bashkia Himarë (9 vota diferencë); – QV 1455/01 Bashkia Durrës (8 vota diferencë); – QV 2545/01 Bashkia Cërrik (8 vota diferencë); – QV 1036 Bashkia Bulqizë (8 vota diferencë); – QV 1492 Bashkia Durrës (7 vota diferencë); – QV 1492 Bashkia Durrës (7 vota diferencë); – QV 1389 Bashkia Shijak (6 vota diferencë); – QV 1389/01 Bashkia Shijak (6 vota diferencë); – QV 3474 Bashkia Dimal (6 vota diferencë); – QV 1498 Bashkia Durrës (5 vota diferencë); – QV 0310 Bashkia Shkodër (5 vota diferencë); – QV 3988 Bashkia Devoll (5 vota diferencë); – QV 1457/02 Bashkia Durrës (4 vota diferencë); – QV 1285 Bashkia Krujë (4 vota diferencë); – QV 0565 Bashkia Has (4 vota diferencë); – QV 0560 Bashkia Has (4 vota diferencë); – QV 0561 Bashkia Has (4 vota diferencë); – QV 1000 Bashkia Klos (4 vota diferencë); – QV 1349 Bashkia Durrës (3 vota diferencë); – QV 1453/01 Bashkia Durrës (3 vota diferencë); – QV 1468/02 Bashkia Durrës (3 vota diferencë); – QV 3980 Bashkia Devoll (3 vota diferencë); – QV 3983/01 Bashkia Devoll (3 vota diferencë); – QV 3485 Bashkia Dimal (3 vota diferencë); – QV 4286 Bashkia Dropull (3 vota diferencë); – QV 0462 Bashkia Tropojë (3 vota diferencë); – QV 0729 Bashkia Lezhë (3 vota diferencë); – QV 0730 Bashkia Lezhë (3 vota diferencë); – QV 4457/01 Bashkia Vlorë (3 vota diferencë); – QV 4425 Bashkia Vlorë (3 vota diferencë); – QV 4469 Bashkia Vlorë (3 vota diferencë); – QV 0995 Bashkia Klos (3 vota diferencë); – QV 2541 Bashkia Klos (3 vota diferencë); – QV 2825 Bashkia Lushnje (3 vota diferencë).
[17] Këto të dhëna konsiderohen paraprake pasi janë të hedhura në sistem prej grupit të rinumërimit nëpërmjet apareteve celularë smartfonë dhe sipas procedurës së ngritur prej administratës kanë nevojë t’i nënshtrohen verifikimeve për të shmangur gabimet njerëzore që mund të jenë bërë në hedhje.
Për këtë arsye KRIIK nuk po i shoqëron kategoritë e vërejtura të parregullsive me numrat përkatëse të Qendrave të Votimit ku janë vërejtur shkeljet, duke u fokusuar kështu më tepër tek tipologjia e parregullsive të vërejtura dhe shkalla e ndodhjes së tyre.
[18] QV 1855 dhe QV 3671.
[19] QV 0730, QV 1840/01, QV 1855, QV 1877/02, QV 2274, QV 2366/02, QV 2375/01, QV 2418, QV 2477, QV 3432, QV 4016, QV 4462, QV 4589, QV 4683.
[20] QV 0927, QV 0321, QV 1368/01, QV 1758/01, QV 2209, QV 2934, QV 3171, QV 4455/01.
[21] Lidhur me formularët/proces-verbalet u konstatua se:
- Modeli 00-05 mungonte në 67 QV, ndërsa në 16 QV ishte i paplotësuar;
- Modeli 00-06 “Procesverbal për pajisjen e KQV nga KZAZ me vula me kode të sigurisë” mungonte në 77 QV, ndërsa në 17 QV ishte i paplotësuar;
- Modeli 00-07 “Për vulosjen e kutive të votimit përpara fillimit të votimit” mungonte në 12 QV, ndërsa në 14 QV ishte i paplotësuar;
- Modeli 00-08 “Për mbylljen e Qendrës së Votimit” mungonte në 9 QV, ndërsa në 21 QV ishte i paplotësuar;
- Modeli 00-09 “Procesverbal për dorëzimin nga KQV në KZAZ të materialeve të votimit” mungonte në 318 QV, ndërsa në 50 QV ishte i paplotësuar;
- Modeli 00-10 “Për dorëzimin e pajisjes PEI” mungonte në 61 QV, ndërsa në 19 QV ishte i paplotësuar;
- Modeli 00-11 “Procesverbal i mbylljes së Qendrës së Votimit me etiketën e sigurisë një ditë para ditës së zgjedhjeve” mungonte në 152 QV, ndërsa në 72 QV ishte i paplotësuar;
- Modeli 00-14 “Procesverbal i marrjes në dorëzim të Qendrës së Votimit nga Komisioni i Qendrës së Votimit në ditën e zgjedhjeve” mungonte në 121 QV, ndërsa në 54 QV ishte i paplotësuar.
[22] Vetëm në 19 nga 533 QV të verifikuara nuk u gjetën vota të pavlefshme për këshillin e bashkisë dhe vetëm në 20 nga 533 QV të verifikuara nuk u gjetën vota të pavlefshme për kryetarin e bashkisë.