Shkarko Deklaratën Paraprake në pdf
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), në vazhdën e angazhimit të pandërprerë të tij prej më shumë se një dekade, në bashkëpunim me Rrjetin e konsoliduar të Organizatave të njohura Partnere Lokale, me synim sigurimin dhe përmirësimin e Integritetit të Procesit Zgjedhor në vend, monitoroi mbi baza tërësisht vullnetare[1] procesin e Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës, të datës 24 shtator 2023.
Përgjatë periudhës parazgjedhore, një ekip ekspertësh ndoqën situatën politike dhe institucionale në të cilën zgjedhjet u mbajtën, si dhe vëzhguan në mënyrë të pandërprerë përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ekipi i ekspertëve kreu edhe një mision vëzhgimi në Bashkinë Kukës, ku realizoi takime me anëtarët e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor, me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Koalicionit Bashkë Fitojmë në Bashkinë Kukës.
Ditën e Zgjedhjeve dhe gjatë numërimit të votave, KRIIK angazhoi 9 aktivistë të cilët vëzhguan procesin e votimit dhe situatën jashtë qendrave të votimit në 44 Qendra Votimi, aktivitetin e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve përgjatë gjithë procesit të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave[2], si dhe procesin e numërimit[3].
KRIIK do të vijojë të ndjekë tërë procesin deri në çertifikimin e rezultatit dhe do të dalë me një raport të plotë mbi këtë proces pas një muaji nga data e shpalljes së rezultatit.
Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës, të 24 shtatorit 2023 u zhvilluan pasi kryebashkiaku i mëparshëm i Kukësit, z. Safet Gjici, i rizgjedhur në Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023, u shkarkua nga detyra pasi u bë publik një përgjim video i realizuar në zyrën e tij, në të cilën ky i fundit diskutonte ofrimin e një kontrate publike ndaj një shtetaseje, në shkëmbim të favoreve seksuale.
Video u shfaq në media, në datën 16 qershor dhe po në të njëjtën ditë, Këshilli i Ministrave mori vendimin për shkarkimin e z. Gjici[4], me motivacionin “për shkelje të rënda”. Vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare[5] pas dhjetë ditësh, në datë 26 qershor, dhe ndaj tij nuk pati asnjë ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Në të njëjtën ditë, z. Gjici nëpërmjet një postimi në Facebook shpalli publikisht dorëheqjen e tij, por kjo dorëheqje nuk u zyrtarizua asnjëherë formalisht.
I gjithë procesi i njoftimeve zyrtare për vakancën e krijuar ndërmjet institucioneve, përjashtuar Institucionin e Presidentit të Republikës, përfundoi më datën 22 qershor[6], ndërkohë që publikimi i Vendimit të shkarkimit në Fletoren Zyrtare më datën 26 qershor ishte një njoftim i dytë zyrtar për të gjithë Institucionet Shtetërore në Republikën e Shqipërisë.
Afatet e parashikuara në Kushtetutë për caktimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë Kukës u shkelën, duke u mohuar banorëve të saj zgjedhjen në kohë të organit ekzekutiv të Qeverisjes Vendore në Kukës.
KRIIK konsideron të pamjaftueshëm, madje shqetësues, qëndrimin totalisht pasiv të Institucionit të Presidentit të Republikës lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve[7], ndërkohë fakti i krijimit të vakancës, i njohur botërisht dhe i njoftuar zyrtarisht edhe nëpërmjet fletores zyrtare, duhet të nxiste Presidentin për të investuar dhe nxitur përgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore duke iu kërkuar të dhëna për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre[8].
Vonesa në njoftimin e Institucionit të Presidentit[9] nga ana e Institucionit të Këshillit të Ministrave, konkretisht prej Sekretarit të Përgjithshëm të saj, është e pajustifikueshme dhe në shkelje të ligjit.
KRIIK e konsideron këtë sjellje pre të kalkulimeve elektorale dhe një tjetër rast të përdorimit të detyrës shtetërore në funksion të interesave elektorale të një partie politike, në këtë rast të maxhorancës socialiste[10].
Pas njoftimit[11], Presidenti i Republikës e shpalli datën për Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës në datën 11 gusht 2023[12].
Në zgjedhje u regjistruan 5 parti politike[13] dhe një koalicion[14], por në përfundim u regjistruan vetëm dy kandidatë, z. Albert Halilaj, i regjistruar nën siglën e Partisë Socialiste dhe z. Emri Vata, i regjistruar nën siglën e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”[15].
Sipas raportimeve të deritanishme të KQZ-së, në 24 shtator votuan rreth 45.56% e zgjedhësve (56 QV nga 74 në total), një rënie drastike prej rreth 8.5 pikë përqindje nga Zgjedhjet Lokale të 14 majit, në të cilën votuan rreth 54% e zgjedhësve.
Ndërkohë kandidati i Partisë Socialiste, z. Albert Halilaj fitoi 13,025 vota, kundrejt kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë, z. Emri Vata i cili fitoi 7,431 vota.
Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës të 24 shtatorit 2023 u mbajtën në të njëjtën klimë politike të tensionuar dhe ekstremisht të polarizuar të zgjedhjeve të 14 majit 2023, si dhe të tjerave zgjedhjeve pararendëse, mes akuzave të opozitës për manipulim masiv të Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore 2023, në linjë me qëndrimin e mbajtur prej saj prej zgjedhjeve të vitit 2017[16]. Ndërkohë, maxhoranca në vazhdimësi i ka konsideruar Zgjedhjet e 14 majit si më të mirat të mbajtura në vend.
Narrativat totalisht të ndryshme të maxhorancës dhe opozitës në lidhje me integritetin e proceseve zgjedhore në vend vijojnë të thellojnë polarizimin politik e mos lënë vend për adresim objektiv të sfidave e parregullsive të konstatuara, duke bërë totalisht të pavafavorshme klimën e nevojshme për një reformë serioze e të thellë zgjedhore.
Përgjatë periudhës që i parapriu Zgjedhjeve të 24 shtatorit, kriza në Partinë Demokratike u thellua akoma më tej, me zgjedhjet e për kryetarin e partisë, të zhvilluara në datën 29 korrik. Në këto zgjedhje z. Lulzim Basha u rizgjodh Kryetar i Partisë Demokratike[17], duke shkaktuar një ndarje akoma më të thellë në Partinë Demokratike, pasi këto zgjedhje u konsideruan në kundërshtim me statutin nga një pjesë e konsiderueshme e lidershipit të Partisë, të cilët deri në atë moment nuk kishin pranuar të bëheshin pjesë e fraksionit të përvijuar tanimë në PD që njeh si kryetar të kësaj partie z. Sali Berisha. Aktualisht, shumica e deputetëve të zgjedhur nën siglën e PD në vitin 2021 nuk e njohin z. Basha si kryetar të PD-së. Kriza në këtë parti u pasqyrua edhe në Kuvendin e Shqipërisë, me pretendimin e z. Basha dhe të nëntë deputetëve të tjerë për ndryshimin e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, pretendim i cili nuk pranohet nga pjesa tjetër e deputetëve të zgjedhur nën siglën e PD në zgjedhjet parlamentare 2021.
Duket se kjo krizë do të ndikojë negativisht edhe në funksionimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, pasi rikompozimi i anëtarësisë së Komisionit Ad-Hoc, i kërkuar nga pjesa më e madhe e deputetëve të zgjedhur nën siglën e Partisë Demokratike nuk u pranua prej maxhorancës në seancën plenare të Kuvendit të datës 21 shtator[18].
Kodi Zgjedhor ka disa përcaktime në lidhje me zgjedhjet e pjesshme, megjithatë një numër çështjesh mbeten të paadresuara dhe rregullohen me akte nënligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në funksion të Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës, Komisioni Rregullator përcaktoi një sërë afatesh procedurale dhe detyrash që u rridhnin institucioneve të tjera, në datën 16 gusht 2023[19].
Në total, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi 41 vendime dhe një Urdhër, ndërsa Komisioni Rregullator 5 vendime, në funksion të procesit zgjedhor, deri në ditën e zgjedhjeve.
Një nga problematikat e identifikuara në kuadrin rregullator të miratuar ishte mungesa e detyrimit të qartë për Autoritetin e Medias Audiovizive për të monitoruar pasqyrimin e fushatës në mediat audiovizive. Kodi Zgjedhor[20] dhe Metodologjia e Miratuar nga Komisioni Rregullator për monitorimin e medias audio-vizive[21] kërkojnë që AMA të monitorojë mbulimin e fushatës nga mediat dhe t’i dërgojë raporte ditore KQZ-së. Megjithatë, në Vendimin nr. 28, për përcaktimin e afateve të procesit zgjedhor të 24 shtatorit, nuk përfshihej detyrimi i AMA-s për të monitoruar mediat përgjatë fushatës zgjedhore.
Rekomandimi i KRIIK që ky detyrim i AMA të përfshihej në mënyrë eksplicite në Vendimin nr. 28, rekomandim i cili nxitej nga precedenti i Zgjedhjeve të Përsëritura të 23 korrikut 2023 për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë[22], gjatë të cilit ishte shkelur ligji nga AMA, duke mos monitoruar sjelljen e mediave përgjatë fushatës, u votua kundër nga tre anëtarë të Komisionit Rregullator. Pretendimi për mospranimin e rekomandimit ishte se ky është një detyrim që AMA-s i cili rrjedh natyrshëm nga Kodi Zgjedhor dhe nuk ishte i nevojshëm. Një pretendim i paqartë dhe kontradiktor ky, për sa kohë që një pjesë e konsiderueshme e neneve të Vendimit nr. 28 janë po ashtu përsëritje e detyrimeve të cilat rrjedhin qartë nga Kodi Zgjedhor[23]. Është i paqartë dhe nuk u sqarua në asnjë rast publikisht kriteri i përdorur në këtë rast nga ana e Komisionit Rregullator për të vendosur se cilat afate procedurale apo detyrime për institucionet e tjera duhet të përfshihen në vendim, pavarësisht se janë të sanksionuara qartë në ligj, dhe cilat jo.
Komisioni Rregullator dhe Administrata e KQZ-së nuk iu përgjigjën shqetësimit të ngritur nga KRIIK lidhur me rregullimin e afateve të akreditimit të vëzhguesve vendas, veçanërisht atyre politikë, me synim kontrollin paraprak dhe disiplinimin e tyre.
Ky shqetësim u injorua, pavarësisht fakteve dhe përvojave të mëparshme të shkeljeve të ligjit të sjella si argument, duke rezultuar në një rregullim në shkelje të akteve të vetë KQZ-së e praktikës së ndjekur prej saj.
Tërë këto shqetësime të ngritura u konstatuan sërish me akreditimin e vëzhguesve politikë edhe gjatë këtij procesi zgjedhor.
Lidhur me këtë çështje KRIIK publikoi një Dokument (Qëndrim Publik)[24] në datën 15 shtator 2023, pasi konstatoi se megjithëse fushata kishte nisur, në faqen e internetit të KQZ-së nuk u publikua raporti i monitorimit të AMA-s për ditën e parë të fushatës, datë 11 shtator, ndërkohë që nga informacionet e marra po në këtë datë e në vazhdim dukej se një monitorim i tillë nuk do të kryhej edhe për këto zgjedhje.
Pas publikimit të këtij qëndrimi, Autoriteti i Mediave Audiovizive njoftoi nisjen e punës[25] dhe filloi depozitimin në KQZ të raporteve ditore të monitorimit të medias.
Nga publikimet në faqen zyrtare të internetit të KQZ, janë depozituar raporte monitorimi deri në datën 21 shtator 2023[26].
Zgjedhjet u administruan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), një Komision Zonal i Administrimit Zgjedhor (KZAZ nr. 11) dhe 74 Komisione të Qendrave të Votimit (KQV). Administrimi i aspekteve teknike të procesit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte eficient.
KZAZ nr. 11 në Bashkinë Kukës u ngrit më vendim të KSHZ[27], në respektim të afateve ligjore, por në thyerje të ligjit[28] sa i përket kuotës gjinore, pra detyrimit që 30 e anëtarësisë së saj duhet të jenë gra, pasi të gjithë anëtarët e KZAZ ishin burra.
Fillimisht në përbërjen[29] e KZAZ-së, në funksion të caktimit të partisë më të madhe të pozitës dhe opozitës, sipas leximit të ligjit nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve[30] dhe më pas edhe prej Komisionit për Ankesa dhe Sanksione[31], partia më e madhe e opozitës në funksion të propozimit të anëtarëve të KZAZ ishte Partia e Lirisë. KZAZ nr. 11 funksionoi me këtë përbërje deri në datën 21 shtator 2023.
Kolegji Zgjedhor[32] rrëzoi gjithë vendimmarrjen e KQZ-së lidhur me përbërjen e KZAZ-së dhe vendosi të konsideronte si partinë më të madhe të opozitës, në funksion të përbërjes së KZAZ-së, Partinë Demokratike[33].
Emërimi i anëtarëve të rinj, në përmbushje të këtij vendimi u krye në datën 21 shtator, shumë afër ditës së zgjedhjeve dhe duke mos bërë të mundur trajnimin e tyre në praktikë.
Përpos dinamikës në formimin e saj, KZAZ funksionoi përgjithësisht në mënyrë kolegjiale, por jo transparente dhe profesionale, veçanërisht në periudhën deri në ditën e zgjedhjeve. Nga komunikimi verbal me përfaqësues të KQZ-së, vendimmarrja nuk i ishte përcjellë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në përmbushje të detyrimeve ligjore. Gjithashtu edhe për vëzhguesit e KRIIK, KZAZ krijoi vështirësi për marrjen e vendimeve të KZAZ-së[34]. KZAZ-ja tregoi mangësi të theksuara në menaxhimin e situatës ndaj vëzhguesve politikë, veçanërisht gjatë procesit të nuëmrimit të votave.
Anëtarësia e Komisioneve të Qendrave të Votimit, kishte të njëjin konfigurim të përfaqësimit politik sikurse KZAZ-ja. Anëtarësia e KQV-ve u plotësua në afatet ligjore nga KZAZ-ja, por numri i lartë i ndryshimeve nga ana subjekteve zgjedhore deri në momentin e fundit madje deri në ditën e zgjedhjeve, mbetet një problem madhor, i cili, edhe për shkak të mungesës së trajnimit nga emërimi i vonuar, ndikon drejtëpërdrejt në performancën e KQV-ve gjatë ditës së zgjedhjeve, sikurse u vërejt në një sërë qendrash votimi të vëzhguara.
Në listën e zgjedhësve ishin 45.946 zgjedhës. Lista e Zgjedhësve u gjenerua nga DPGJC brenda afateve ligjore dhe u afishua nga Bashkia Kukës përgjithësisht në tërë ambientet e Qendrave të Votimit.
Lista e zgjedhësve në QV e posaçme nr. 0636/01 në IEVP Kukës, kishte 16 zgjedhës në momentin e krijimit të saj[35]. Në përmbushje të detyrimeve ligjore[36], KSHZ autorizoi[37] KZAZ-në për formimin e Komisionit të Qendrës së Votimit në këtë institucion të posaçëm. Në datën 23 shtator në darkë, IEVP Kukës i paraqiti KZAZ-së kërkesën për të votuar edhe të 18 individëve të tjerë të cilët kishin kërkuar leje për të votuar në gjykatë, dhe kjo e fundit kish vendosur pranimin e kërkesës së tyre dhe lejimin për të votuar[38].
Kandidati për Kryetar Bashkie i Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, z. Emri Vata, reagoi në lidhje me regjistrimin e këtyre personave shtesë, duke pretenduar se ata janë regjistruar në kundërshtim me ligjin, pasi nuk janë banorë të regjistruar të Bashkisë Kukës.
Fushata zgjedhore u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa asnjë incident të regjistruar. Përgjithësisht, metodat e fushatës ishin takime të ngushta me zgjedhësit. Fushata u zhvillua kryesisht nga përfaqësuesit lokalë të subjekteve zgjedhore, ndërkohë që pati edhe pjesëmarrje të përfaqësuesve politikë në nivel qendror, por jo duke eklipsuar kandidatët lokalë.
Përfaqësuesit e shtabit elektoral të kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” pretenduan se ka patur tentativa të shumta dhe të organizuara për intimidim mbi nëpunësit publikë dhe zgjedhësit në përgjithësi.
KRIIK mori edhe pretendime të besueshme për përdorim të administratës në fushatën zgjedhore dhe organizime nga ana e maxhorancës në drejtimin e votës në mënyrë kapilare, nëpërmjet patronazhimit, ç´ka u manifestua edhe në ditën e zgjedhjeve nga grupimet e personave që tentonin të drejtonin votën në mënyrë të organizuar në afërsi të qendrave të votimit.
Edhe në këtë proces, pavarësisht se i zhvilluar në sfondin e një fushate elektorale të qetë, pati shkelje ligjore nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës. Kjo e fundit dhe kandidati i propozuar prej saj njoftuan zhvillimin e një koncerti në sheshin qendror të qytetit të Kukësit në përmbyllje të fushatës elektorale. Njoftimi për zhvillimin e një aktiviteti të tillë, të ndaluar nga ligji[39], u krye në rrjetin social Facebook nga kandidati i Partisë Socialiste[40].
Në përgjigje të një hetimi administrativ të nisur nga KQZ në lidhje me këtë çështje pas një denoncimi, Partia Socialiste njoftoi zyrtarisht KQZ-në duke theksuar se koncerti nuk organizohej nga PS apo kandidati i saj[41]. Më pas njoftimi i publikuar u fshi nga faqja e kandidatit. KQZ-ja vendosi pushimin e çështjes bazuar në këtë pretendim.
Vendimi për pushimin e hetimit administrativ, në gjykimin e KRIIK, është i pasaktë dhe bazohet në një të kuptuar të shtrembëruar të ligjit, pasi Kodi Zgjedhor qartas përcakton se ndalohet organizimi i të tilla eventeve[42].
Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie, nëpërmjet postimit dhe deklarimit publik të bërë konstatohet qartazi si organizator i këtij eventi, duke qenë se kishte postuar në faqen e tij zyrtare në Facebook ftesën për pjesëmarrje, shoqëruar me një poster ku pohohej se koncerti organizohej në kuadër të fushatës së tij. Në këtë mënyrë konstatohet se është konsumuar tashmë shkelja e parashikuar nga ligji duke e filluar organizimin dhe publikuar prej disa ditësh mbajtjen e tij, e përfituar kësisoj avantazhe të parashikuara nga ligji si të ndaluara.
Për më tepër, në deklarimin e bërë gjatë hetimit administrativ, konstatohet se ai pranon se aktiviteti do të zhvillohet dhe se ai nuk organizohet prej tij, ndryshe nga sa duket që ka kuptuar dhe parashtruar KSHZ, duke çuar në vendimmarrjen e pushimit të hetimit administrativ.
Në vlerësimin e KRIIK, KQZ-ja do të duhet të kishte aplikuar sanksion administrativ ndaj kandidatit për organizimin e koncertit dhe në vendimmarrjen e vet të ndalonte specifikisht kryerjen e tij, pavarësisht pretendimeve të palës së denoncuar.
Kryerja e koncertit është raportuar edhe nga monitoruesi[43], i emëruar dhe angazhuar nga KQZ. Në të ishin prezent edhe zv.kryeministrja, ministra e zyrtarë, ç´ka faktohet nga postimet e aktivitetit të rrjetet sociale[44].
Relativizimi i ligjit në procesin e vendimmarrjes nga KQZ në këtë rast, passolli zhvillimin e një veprimtarie e cila është e ndaluar, në sfidë të hapur ndaj ligjit dhe me përdorimin e artificave që keqpërdorin germën e ligjit për të anashkaluar frymën e tij, një sjellje e përsëritur kjo nga ana e maxhorancës dhe kandidatëve të saj apo ofiqarëve të lartë zyrtarë.
Ndërkohë që pritet të shihet sjellja e KQZ-së në vijim në lidhje me këtë çështje, KRIIK thekson se sanksionet administrative post factum që mund të vendosen ndaj kandidatit Halilaj apo Partisë Socialiste, nëse do të ketë të tilla, janë pa vlerë reale në këtë pikë dhe se sjellja e KQZ-së dështoi të de-kurajonte shkeljen e ligjit nga ana e kandidatëve apo subjekteve zgjedhore, ç´ka është qëllimi kryesor i ligjit.
Përgjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore, në ndërfaqen e KQZ u raportua[45] vetëm një aktivitet i cili zhvillohej nga institucionet në nivel qendror apo lokal, në zonën e Bashkisë Kukës.
Ndërkohë, nga konstatimet e KRIIK në Bashkinë Kukës rezulton të jetë kryer edhe, së paku, një aktivitet publik i cili nuk u raportua[46].
Në KQZ u paraqit dhe shqyrtua një denoncim[47], i cili u shqyrtua nga Komisioneri dhe konkludoi në pushimin e çështjes.
Monitoruesja e emëruar nga KQZ[48], depozitoi 3 raporte monitorimi për periudhën e vëzhgimit. KRIIK vëren si problematik mosverifikimin paraprak të monitoruesve nga KQZ dhe përzgjedhjen e atyre individëve të cilët nuk janë banorë të zonës ku ata kryejnë monitorimin, duke bërë objektivisht të vështirë apo edhe të pamundur përmbushjen e detyrave të ngarkuara nga ligji.
Heshtja zgjedhore duket se u respektua nga subjektet zgjedhore dhe media. Megjithatë, KRIIK vëren se praktika e dhënies së intervistave apo prononcimeve publike nga ana e kandidatëve ditën e zgjedhjeve në vetvete përbën fushatë elektorale, pasi edhe vetë prania e tyre në media lidhet domosdoshmërisht me fushatën dhe thirrjet e tyre për pjesëmarrje, në thelb, kuptohen nga zgjedhësit si thirrje për të votuar për ta, duke përbërë indirekt, fushatë.
Autoriteti i Medias Audiovizive ka monitoruar 20 televizione dhe dorëzuar në KQZ 12 raporte ditore[49] dhe një raport nëntë ditor[50] të monitorimit.
Referuar shifrave të monitorimit të paraqitura në raporte, në përgjithësi është vërejtur një dominancë e mbulimit për Koalicionin “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatin e këtij koalicioni, z. Emri Vata.
Megjithatë, metodologjia e monitorimit, në vazhdën e zgjedhjeve të mëparshme është vetëm sasiore. Tabelat e monitorimit përmbajnë vetëm minutat e dedikuara secilit subjekt, por nuk ka të dhëna mbi tonin e mbulimit, ç´ka pamundëson një gjykim të saktë mbi paanësinë e mediave në mbulimin e fushatës.
Referuar raporteve të monitorimit të AMA-s, subjektet zgjedhore nuk kanë transmetuar reklama në mediat audiovizive.
Përsa i përket reklamës në të tjera platforma, KRIIK monitoroi librarinë e reklamave të kompanisë Meta, që përfshin reklamat politike në platformat sociale Facebook dhe Instagram dhe evidentohet se as aty nuk ka patur reklama në lidhje me fushatën për Zgjedhjet e Pjesshme në Kukës.
Vlerësohet pozitivisht mbulimi i gjerë që media i bëri ditës së zgjedhjeve dhe problematikave të saj.
KRIIK vëren me shqetësim se angazhimi nga organizatat e shoqërisë civile vendase apo edhe nga aktorët ndërkombëtarë për të vëzhguar procesin zgjedhor për Zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës ishte minimal, me një numër shumë të ulët vëzhguesish vendas[51] dhe asnjë vëzhgues ndërkombëtar të akredituar.
Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe pa asnjë incident. Problematikat kryesore kishin të bënin me: – praninë e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit, të cilët në një numër të konsiderueshëm rastesh ishin të pajisur me lista zgjedhësish dhe kontrollonin kush paraqitej për të votuar; raste të transportimit të organizuar të votuesve, votimin familjar apo mostimbrosja e votuesve.
Vëzhguesit e KRIIK vërejtën nivele të ndryshme të përgatitjes dhe njohurive mbi procesin nga ana e komisionerëve; në disa zona, kryesisht rurale, niveli i njohurive dhe përgatitjes ishte dukshëm i ulët dhe komisionerët kishin nevojë në vazhdimësi për mbështetje dhe konsulencë nga ana e KZAZ-së apo të stafit të KQZ-së.
Katër qendra votimi[52], nga tetë ku ishin prezent vëzhguesit e KRIIK gjatë hapjes, u hapën me vonesë, për shkak të nivelit shumë të ulët të përgatitjes së komisionerëve. Në një numër të konsiderueshëm të QV-ve, materialet informuese për votuesit u vendosën një deri në dy orë pasi votimi kishte nisur.
Sipas anëtarëve të KZAZ-së, prezenca e komisionerëve të qendrave të votimit në trajnimet e zhvilluara ka qenë shumë e ulët, ç´ka, në kombinim me ndryshimin e tyre në momentin e fundit, mund të jetë një nga faktorët kryesorë për mungesën e njohurive dhe përgatitjes së tyre jo të përshtatshme.
Problematikat më shqetësuese përsa i përket administrimit ishin niveli shumë i ulët i përgatitjes së komisionerëve të qendrave të votimit lidhur me procesin e votimit, mosreagimi i komisionerëve ndaj personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit[53], mosreagimi ndaj votimit familjar[54], mostimbrosja e votuesve[55], ndikim i votuesve[56], etj.
Edhe në këto zgjedhje, sikurse edhe në zgjedhjet e mëparshme, vërehet shqetësuese prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit apo edhe në brendësi të tyre, përfshirë mjediset e brendshme të godinave publike ku ishin të alokuara qendrat e votimit dhe mjediset rrethuese të tyre[57].
Prania e këtyre personave në afërsi të qendrave të votimit është i kundërligjshëm[58], ndërkohë që ndikon qartas vullnetin e votuesve, pasi zgjedhësit mund të ndihen të intimiduar për të marrë pjesë apo për të votuar lirisht në kushte të tilla të të qenit vazhdimisht të kontrolluar dhe në survejim.
Në një numër të konsiderueshëm të rasteve, personat e paautorizuar që qëndronin pranë qendrave të votimit ishin të pajisur me lista të zgjedhësve, ç´ka u mundësonte të kishin informacion të plotë mbi personat që paraqiteshin për të votuar. Kjo e kombinuar me informimin që anëtërt e KQV-ve apo vëzhguesit politikë në to, jepnin mbi votuesit, bënin të mundur përfaqësuesve të partive politike të kishin informacion të plotë se kush ishte paraqitur për të votuar e kush jo.
Vëzhguesit e KRIIK u njoftuan në një numër rastesh se personat që qëndronin jashtë qendrave të votimit ishin punonjës të administratës. Në së paku një rast[59], vëzhguesit e KRIIK madje vërejtën se anëtarët e komisionit të qendrës së votimit ishin të angazhuar drejtpërdrejt në organizimin e transportit për personat që nuk ishin paraqitur për të votuar.
Vëzhguesit e KRIIK vërejtën gjithashtu transport të organizuar të zgjedhësve në një numër të qendrave të votimit, kryesisht në zonat rurale.
Të dy këto fenomene janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin gjatë Ditës së Zgjedhjeve dhe manifestojnë qartazi funksionimin e sistemit të patronazhimit politik dhe drejtimit kapilar të votës, që vijon të mbetet një problematikë madhore, jo vetëm e paadresuar në asnjë rast si shqetësim, por e pranuar me entuziazëm si një vlerë kryesore nga ana e maxhorancës, duke e zhvilluar dhe zgjeruar me tej.
U konstatuia se Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI) funksionoi normalisht në të gjitha QV-të e vëzhguara.
Procesi i votimit përfundoi në orën 19:00 sipas parashikimit ligjor. Procesi i dorëzimit të materialeve zgjedhore nisi rreth orës 19:30 dhe përfundoi rreth orës 22:00. Dorëzimi i materialeve zgjedhore në KZAZ procedoi në mënyrë të rregullt, por prezenca e shtuar dhe e pajustifikuar e vëzhguesve të subjekteve zgjedhore u bë pengesë dhe krijoi rrëmujë, duke shkaktuar edhe një vonesë prej rreth një ore nga momenti i përfundimit të dorëzimit të materialeve zgjedhore deri në nisjen e numërimit.
KZAZ-ja kërkoi ndihmën e Policisë së Shtetit për të nxjerrë jashtë një pjesë të vëzhguesve politikë përpara se të niste numërimin, i cili nisi rreth orës 23:00. Vëzhguesit politikë vazhdojnë të përbëjnë problem e shqetësim serioz mbi mbarëvajtjen e procesit. Moskontrolli dhe moszbatimi i ligjit që në momentin e parë të akreditimit të tyre bën që tërë detyrimet dhe mekanizmat e tjerë kontrollues ndaj tyre të mbetën fiktivë dhe pa asnjë funksionalitet.
Gjatë vijimit të procesit të numërimit pati sërish prezencë të shtuar dhe të pakontrolluar të përfaqësuesve dhe vëzhguesve nga subjektet zgjedhore si brenda në Vendin e Numërimit të Votave, ashtu edhe jashtë tij, por nuk pati asnjë problematikë për tu shënuar.
Procesi i numërimit vijoi përgjithësisht shpejt dhe në mënyrë korrekte. Ai u mbyll rreth orës 12.00 të së hënës datë 25 shtator 2023.
Përgjatë ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave u vërejt një prezencë e lartë e stafit mbështetës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ndihmë të KZAZ-së dhe KQV-ve, madje dhe e zyrtarëve të lartë të tij, në gjykimin e KRIIK e pajustifikueshme për normalitetin që duhet të ndjekë një proces zgjedhor, për më tepër i pjesshëm.
Tiranë, më 25 Shtator 2023!
[1] Ditën e Zgjedhjeve në terren u angazhuan aktivistë të KRIIK dhe të Organizatave Partnere: Qendra Rinore e Vlorës (QRV), Qendra e Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale – Kukës, si dhe Grupi Lokal i Veprimit – Integrimi (GLV Integrimi) – Dibër.
[2] Tri vëzhgues vëzhguan aktivitetin e KZAZ-së përgjatë Ditës së Zgjedhjeve dhe gjatë numërimit.
[3] Dy vëzhgues vëzhguan punën e grupeve të numërimit të votave përgjatë procesit të numërimit.
[4] Vendim nr. 367, datë 16.6.2023 i Këshillit të Ministrave, “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Kukës, z. Safet Gjici”.
[5] Qendra e Botimeve Zyrtare, Fletore Zyrtare nr. 94, datë 26.6.2023.
[6] Pas shkarkimit të Kryetarit të Bashkisë Kukës, më datën 19.06.2023, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave njofton zyrtarisht për vendimin e shkarkimit Kryeministrinë, Ministrinë e Brendshme, Bashkinë Kukës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe Qendrën e Botimeve Zyrtare.
Më datën 20.06.2023, Bashkia Kukës nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të saj, njofton për vendimin e shkarkimit Prefektin e Qarkut si dhe Këshillin Bashkiak.
Ky i fundit në zbatim të nenit 61 pika 3 me një shkresë të Kryetarit të Këshillit Bashkiak po të datës 20.06.2023 njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet Prefektit të Qarkut Kukës.
Prefekti i Qarkut Kukës më datë 22.06.2023 me shkresën nr. 296/2 prot. njofton Këshillin e Ministrave.
[7] Ligji Nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, Neni 115, pika 3: “Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse.”.
[8] Ligji Nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, Neni 92 “Presidenti ushtron edhe këto kompetenca: (..)
gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;
h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.”
[9] Nga komunikimi me Institucionin e Presidentit të Republikës rezultoi se deri në mesditën e datës 10 gusht 2023, Presidenti i Republikës nuk ishte njoftuar shkresërisht prej Këshillit të Ministrave për ndërprerjen e mandatit dhe vakancën e krijuar në funksionin e zgjedhur të Kryetarit të Bashkisë Kukës.
Në një komunikim verbal me përfaqësues të Institucionit të Presidentit mw datw 10.08.2023, KRIIK i informoi për faktin e konfirmuar zyrtarisht se z. Gjici nuk e kishte ushtruar të drejtën e ankimit në Gjykatën Kushtetuese sipas afateve të parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës dhe se Këshilli i Bashkisë Kukës e kishte njoftuar Këshillin e Ministrave që më datën 22.06.2023 për vakancën e krijuar, bazuar në nenin 61 pika 3 të ligjit 139/2015 “Për veteqeverisjen vendore”.
KRIIK shprehu gjithashtu rezervat e tij për qëndrimin e institucionit të Presidentit dhe opinionin për një qasje më proaktive të tij lidhur me këtë çështje.
[10] Duke marrë në konsideratë respektimin e procedurave të parashikuara me një qasje të përgjegjshme apo proaktive të institucioneve, parashikohej që data e zgjedhjeve të mbaheshin jo më herët se në datë 10 gusht dhe jo më vonë se 25 gusht 2023, një periudhë fushate zgjedhore aspak e volitshme, pasi konsiderohet dhe është periudhë pushimesh për një pjesë të qytetarëve, administratës shtetërore dhe tërë aktorëve të tjerë.
[11] Nga komunikimi me Institucionin e Presidentit të Republikës u bë e ditur verbalisht se njoftimi zyrtar prej Këshillit të Ministrave kishte mbërritur në Institucionin e Presidentit të Republikës pasditen e datës 10 gusht 2023.
Kodi Zgjedhor, në Nenin 10 pika 3 të tij parashikon se “Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. …”.
[12] Dekret nr. 186, datë 11.8.2023 i Presidentit të Republikës, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Kukës”
[13] Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Demokristiane e Shqipërisë, Partia Për Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë.
[14] Koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
[15] Koalicioni “Bashkë Fitojmë” u regjistrua si subjekt zgjedhor me Vendimin nr. 765, datë 7.9.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Në përbërje të tij janë Partia e Lirisë dhe Partia Demokristiane e Shqipërisë.
[16] Në datë 5 shtator 2023, opozita publikoi një Raport mbi Zgjedhjet e 14 majit, me shkeljet e pretenduara në këto zgjedhje prej kësaj force politike.
[17] Z. Basha kishte dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë publikisht në mars të vitit 2021, dorëheqje e cila asnjëherë nuk u pasua me zgjedhje të reja për Kryetar të Partisë dhe si rrjedhim nuk u formalizua zyrtarisht në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. De jure Partia Demokratike, vijon ende të jetë e drejtuar nga z. Basha.
[18] Në seancën plenare të datës 21 shtator 2023 Kuvendi i Shqipërisë vendosi shtyrjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën Zgjedhore me 6 muaj me të njëjtën anëtarësi.
[19] Vendimi nr. 28, datë 16.8.2023 i Komisionit Rregullator.
[20] Neni 85 i Kodit Zgjedhor.
[21] Vendim nr. 2, datë 30.01.2021 i Komisionit Rregullator, “Për miratimin e Metodologjisë së Monitorimit të Medias Audio dhe Vizive”, i ndryshuar me Vendimin nr. 07, datë 27.01.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 2, datë 30.01.2021, të Komisionit Rregullator, “Për miratimin e metodologjisë së monitorimit të medias audio dhe audiovizive”.
[22] Shih Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake të KRIIK për Zgjedhjet e përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, 25 korrik 2023.
[23] Si p.sh pika 4, pika 5 e Vendimit, etj.
[24] Qëndrim Publik: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbushë me seriozitet e përkushtim detyrimet ligjore për sigurimin e Integritetit të Zgjedhjeve në vend”.
[25] “Punë intensive e ekipit të Drejtorisë së Monitorimit dhe Analizës dhe njesive të tjera në AMA, për të përmbushur detyrimet që dalin nga zbatimi i Kodit Zgjedhor, për monitorimin e fushatës zgjedhore në mediat audio dhe audiovizive për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës, të datës 24 shtator”. Postim në faqen zyrtare në facebook të Autoriteti të Mediave Audiovizive (AMA) më datën 16 shtator 2023.
[26] Në total AMA ka dorëzuar në KQZ 11 raporte ditore dhe 2 raporte javore. Raporti i datës 22 shtator është shpërndarë me email prej KQZ-së, por nuk është hedhur ende në faqen e internetit të saj.
[27] Vendim nr. 729 datë 24.8.2023, “Për ngritjen dhe thirrjen e mbledhjes së parë të Komisionit të Zonës të Administrimit Zgjedhor nr. 11, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës, të datës 24 shtator 2023″.
[28] Kodi Zgjedhor, Neni 29 pika 1/ç.
[29] 4 anëtarë të propozuar nga PS, 2 anëtarë të propozuar nga PL dhe 1 anëtar i propozuar nga PD.
[30] Vendimi nr.722 datë 19.08.2023 i KSHZ.
[31] Vendimi nr. 181 datë 07.09.2023 i KAS.
[32] Njoftim Vendimmarrja e KZGJ mbi ankimimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, datë 15.09.2023.
[33] Kolegji zgjedhor vendosi: “… Ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 722, datë 19.08.2023, në shkronjën “b” dhe “c” të pikës 1 të tij, si më poshtë: b) dy anëtarë propozohen nga “Partia Demokratike e Shqipërisë” (PDSH); c) një anëtar propozohet nga “Partia e Lirisë” (PL)”.
[34] Kodi Zgjedhor, Neni 24, pika ë, përcakton si një nga detyrat e Sekretarit të KZAZ-së: “u jep subjekteve zgjedhore ose personave të tretë, pa pagesë dhe brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës, kopje të vërtetuara të vendimeve të KZAZ-së ose procesverbaleve të mbledhjeve të tyre”.
[35] Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në IEVP Kukës, në muajin korrik kanë qenë duke vuajtur dënimin 46 persona.
[36] Kodi Zgjedhor, neni 43.
[37] Vendimi nr. 781 datë 19.09.2023 i Komisionerit.
[38] Vendimi Nr. 55-2023-952, datë 23.09.2023 i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
Vlen të theksohet se në IEVP Kukës nuk u ngrit një qendër votimi në zgjedhjet e datës 14 maj 2023, çka nënkupton që në atë IEVP nuk ka patur të paktën 15 individë banorë të zonë në atë datë.
[39] Kodi Zgjedhor, Neni 78 pika 9 “Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet të organizojnë, kryejnë apo mbulojnë shpenzimet vetë ose nëpërmjet të tretëve për koncerte, shfaqe kulturore argëtuese apo veprimtari bamirësie, pavarësisht nëse ato mbahen përgjatë ose në lidhje me tubimet elektorale, apo zhvillohen si veprimtari fushate ose jashtë saj.”
[40] PS koncert kundër ligjit në Kukës
[41] Subjekti Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, nëpërmjet shkresës së Sekretarit për Çështje Zgjedhore, z. Eridian Salianji, me nr. extra prot., datë 20.9.2023, administruar nga KQZ me nr. 6942/1 prot., datë 20.9.2023, me lëndë “Kthim përgjigje”, ka bërë me dijeni se: “Jemi njohur me shkresën tuaj nr. 6942 prot., datë 20.9.2023, lidhur me aktivitetin, koncert që do të zhvillohej sot, në datë 20.9.2023, ora 18:30, në Bashkinë Kukës nga ana e PS dhe kandidati z. Albert Halilaj. Ju bëjmë me dije se Partia Socialiste dhe kandidati i saj, z. Albert Halilaj, nuk organizon dhe nuk zhvillon sot koncertin në qytetin e Kukësit”.
Z. Albert Halilaj, kandidat për Kryetar të Bashkisë Kukës, ka kthyer përgjigje nëpërmjet postës elektronike, të datës 20.9.2023, ku bën me dijeni se: “Pasi jam njohur me shkresën tuaj nr. 6942 prot., datë 20.9.2023 përsa i përket koncertit që do të zhvillohet sot, në Bashkinë Kukës, ju bëj me dije se unë, si kandidat për Kryetar Bashkie i “Partisë Socialiste” nuk organizoj dhe zhvilloj koncertin sot në qytetin e Kukësit”.
[42] Vendimi nr. 783 datë 20.09.2023 KSHZ: “Nga analiza ligjore, pas verifikimit të të dhënave, provave dhe fakteve të administruara vlerësojmë se, në kushtet kur subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” dhe kandidati i saj për Kryetar Bashkie, z. Albert Halilaj angazhohen për respektimin e dispozitave ligjore të Kodit Zgjedhor dhe marrjen e masave për mos të zhvilluar aktivitetin e planifikuar, nuk gjendemi para kryerjes së shkeljes administrative, sipas nenit 78, pika 9 të Kodit Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të monitorojë në vijimësi si do të procedojnë subjektet zgjedhore”.
[43] Raport monitorimi i monitoruesit K.Z..
[44] Albert Halilaj Faqja Zyrtare; Faqja zyrtare e zv. Kryeministres dhe Ministres Belinda Balluku.
[45] Aktivitet i raportuar nga Këshilli i Qarkut Kukës “Mbledhje konstituimi”.
[46] Ministri Balla prezanton Prefektin e ri të Kukësit.
[47] Denoncim i Organizatës “Qëndresa Qytetare” për ndalim të aktivitetit të kandidatit të “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, z. Albert Halilaj.
[48] Vendim nr. 737 datë 25.08.2023.
[49] Nga data 11 në 21 shtator 2023.
[50] Për periudhën nga 11 në 19 shtator 2023.
[51] KQZ akreditoi 25 vëzhgues vendas nga katër organizata, 12 prej të cilëve ishin të akredituar nga KRIIK. Ndërkohë u akredituan 64 përfaqësues nga mediat.
[52] QV 0623/01, QV 0610, QV 0634, QV 0609.
[53] Vëzhguesit e KRIIK raportuan se në afërsi të thuajse çdo QV-je konstatuan prani të personave të paautorizuar.
[54] Fenomen i përhapur shumë sidomos në zonat rurale.
[55] QV 0595, QV 0665, QV 0664, QV 0606, QV 0611, QV 0633, 0630, QV 0647, etj. Të pyetur në lidhje me këtë praktikë jo të ligjshme, komisionerët u shprehën për vëzhguesit e KRIIK se në zonë njiheshin të gjithë dhe, si rrjedhim, timbrosje nuk ishte e nevojshme.
[56] QV 0622 vëzhguesi i subjektit Partia Socialiste orientonte të gjithë votuesit Brenda në QV për kë të votojnë.
[57] QV 0650, QV 0651, QV 0634.
[58] Urdhër nr. 106, datë 22.9.2023 “Për zbatimin e disa rregullave për personat e pranishëm në territorin e objekteve zgjedhore ku janë vendosur qendrat e votimit, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës të datës 24 Shtator 2023”.
[59] QV 0623.