Shkarko Qendrimin Publik në pdf.
NJOFTIM PËR SHTYP
Në datë 15 shtator 2023, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) publikoi QËNDRIMIN PUBLIK “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbushë me seriozitet e përkushtim detyrimet ligjore për sigurimin e integritetit të zgjedhjeve në vend”.
Më datën 24 shtator 2023 në Kukës do të zhvillohen Zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e kësaj Bashkie. Fushata zgjedhore e dy kandidatëve në garë ka filluar që më datën 11 shtator 2023.
Edhe për këto zgjedhje, sikurse edhe për zgjedhjet e përsëritura të Rrogozhinës konstatohet me shqetësim se Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) nuk po përmbush detyrimet ligjore të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor për monitorimin e transmetimit të fushatës zgjedhore prej Ofruesve të Shërbimeve Mediatike Audio/audiovizive (OSHMA), duke cënuar barazinë e garës elektorale, sigurimin e paanësisë së operatorëve radiotelevizivë apo edhe të përdorimit të kundërligjshëm të medias.
Për t’i paraprirë kësaj situate, më datën 16 gusht 2023, KRIIK i dërgoi Komisionit Rregullator, si dhe Komisionerit e Zyrtarëve të Lartë të Administratës së KQZ-së, një Dokument me Rekomandime specifike të nxitura nga faktimi i shkeljes haptazi të ligjit, vërejtur në procesin zgjedhor të Rrogozhinës, lidhur me mosveprimin e AMA-s dhe me akreditimin e paligjshëm të vëzhguesve politikë.
Shqetësimit të KRIIK, Komisioni Rregullator dhe Administrata iu përgjigj me një qasje joserioze duke anashkaluar adresimin e problematikës së paraqitur, ridikulizuar situatën dhe injoruar shkeljet ligjore të denoncuara.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol kyç e thelbësor, jo vetëm për organizimin dhe administrimin e procesit, por edhe për të mbikqyrur e siguruar ligjzbatimin e saktë dhe të plotë prej tërë aktorëve dhe institucioneve të ngarkuara me detyra.
Reformimi dhe riorganizimi i këtij institucioni shumë të rëndësishëm me reformën zgjedhore të vitit 2020, u bë ndër të tjera për të siguruar një qasje dhe sjellje të re qoftë të Trupave Drejtuese, qoftë të Administratës së tij, në koherencë me aspiratat e Marrëveshjes Politike të qershorit 2020.
KRIIK konstaton me shqetësim se qasja e ndjekur prej Trupës së KQZ-së së mëparshme dhe Administratës për të “mos e bërë pis procesin zgjedhor”, u evidentua edhe gjatë procesit të zgjedhjeve vendore 2023. Kjo qasje po manifestohet ende, por ndryshe nga më parë, duket se po shtrihet edhe përpara ditës së zgjedhjeve në një sërë elementësh administrativë, duke evidentuar një lloj lodhjeje apo neglizhence, pavarësisht parashikimeve dhe detyrimeve të qarta të përcaktuara nga ligji.
Vlerësohet se është kjo qasje e ndjekur nga Komisioni rregullator dhe Administrata e KQZ-së e cila konkludoi në mos përcaktimin eksplicit të detyrimit të AMA-s për të monitoruar fushatën zgjedhore, e rrjedhimisht edhe të përsëritjes së situatës së paligjshmërisë prej AMA-s, nga njëra anë, si edhe në vendosjen e afatit jo të duhur për akreditimin e vëzhguesve politikë, e rrjedhimisht të legjitimimit të mungesës së kontrollit ndaj tyre, nga ana tjetër.
Tërë kjo qasje zhbën de-facto mekanizmat e tjerë rregullues të ngritur në lidhje me fushatën mediatike dhe me kontrollin e vëzhguesve politikë në procesin e votimit, numërimit, si dhe të personave të paautorizuar në ambientet përreth qendrave të votimit e numërimit.
Nëpërmjet këtij Qëndrimi, KRIIK i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në mënyrë urgjente të investohet e ndërveprojë me AMA-n për të rikthyen ligjshmërinë dhe sigurimin e barazisë së garës elektorale në media.
KQZ-ja, veçanërisht Komisionit Rregullator nevojitet të marrë në shqyrtim pikat nr. 12 e 13 të Vendimit nr. 28, lidhur me afatin e akreditimit të vëzhguesve, e veçanërisht lidhur me akreditimin e vëzhguesve politikë duke lënë kohën e nevojshme në dispozicion për të kryer tërë veprimet kronologjike të parashikuara dhe mundësuar kryerjen e verifikimeve të nevojshme përpara ditës së zgjedhjeve të 24 shtatorit 2023.
Gjithashtu, KRIIK i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë, Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve, Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Medias që të marrin në shqyrtim këtë mosveprim dhe shkelje të ligjit prej AMA-s, qoftë për fushatën zgjedhore të Zgjedhjeve të përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë të datës 23 korrik 2023, qoftë për Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës të datës 24 shtator 2023, duke ndjekur hapat dhe masat e parashikuara nga ligji.
Dokumenti i plotë si tekst mund të lexohet më poshtë, ndërsa në formatin .pdf mund të shkarkohet KËTU.
Tiranë, më 15 Shtator 2023!
==============================================
QENDRIM PUBLIK
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbushë me seriozitet e përkushtim detyrimet ligjore për sigurimin e integritetit të zgjedhjeve në vend
Më datën 24 shtator 2023 në Kukës do të zhvillohen Zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e kësaj Bashkie. Fushata zgjedhore për këto zgjedhje të pjesshme ka filluar më datën 11 shtator[i] e do të zhvillohet deri më datën 22 shtator, ndërkohë që periudha e heshtjes zgjedhore përfshin datën 23 shtator dhe ditën e zgjedhjeve deri në mbyllje të procesit të votimit.
Aktiviteti elektoral i dy kandidatëve të regjistruar dhe subjekteve elektorale mbështetëse është pasqyruar gjerësisht jo vetëm në mediat lokale të Bashkisë Kukës, si Radio Televizioni Publik (RTSH) Kukës, por edhe në mediat private rajonale apo ato kombëtare, përfshire edhe ato online.
Pjesa IV e Kodit Zgjedhor përcakton dhe ngarkon me detyra të qarta KQZ-në, përfshirë KZAZ-në[ii], dhe Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) edhe në zgjedhjet e pjesshme duke parashikuar qartë se tërë “rregullat, kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në këtë ligj kanë qëllim garantimin e barazisë së subjekteve zgjedhore në garë, sigurimin e paanësisë së operatorëve radiotelevizivë në raport me fushatën dhe subjektet e veçanta zgjedhore, si dhe mbrojtjen e subjekteve zgjedhore nga praktikat e deformimit të mesazhit zgjedhor, censurës dhe përdorimit të kundërligjshëm të medies” (neni 78, pika 3 e Kodit Zgjedhor).
Po ashtu parashikohet se AMA, si “enti rregullator që rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë e operatorëve radiotelevizivë monitoron zbatimin e rregullave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore me karakter normativ të KQZ-së nga operatorët radiotelevizivë dhe nga subjektet zgjedhore” (neni 85, pika 2 e Kodit Zgjedhor).
Konstatohet me shqetësim se Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) nuk po përmbush detyrimet ligjore të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor për monitorimin e transmetimit të fushatës zgjedhore prej Ofruesve të Shërbimeve Mediatike Audio/audiovizive (OSHMA), megjithëse kjo fushatë është sot në ditën e pestë të zhvillimit të saj.
Kjo shkelje e hapur e ligjit, shënohet për herë të dytë nga AMA, pasi këtë monitorim të detyruar sipas ligjit ajo nuk e kreu as gjatë fushatës zgjedhore (10 – 21 Korrik 2023) të zhvilluar për Zgjedhjet e përsëritura të 23 Korrikut 2023 për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, duke cënuar barazinë e garës elektorale, sigurimin e paanësisë së operatorëve radiotelevizivë apo edhe të përdorimit të kundërligjshëm të medias.
Shqetësimin e ngritur nga KRIIK, të përcjellë drejtpërdrejt Administratës së KQZ-së përgjatë ditëve të fushatës, nëpërmjet Denoncimit[iii] të bërë për thyerjen e heshtjes zgjedhore, apo edhe nëpërmjet Deklaratës Paraprake[iv] të monitorimit për Zgjedhjet e Rrogozhinës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si Institucioni përgjegjës i ngarkuar nga ligji për të monitoruar veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore dhe të medias në raport me zgjedhjet, nuk e mori në konsideratë duke e injoruar dhe anashkaluar atë.
Në mënyrë që të shmangej në Zgjedhjet e Pjesshme të Kukësit, përsëritja e situatës së paligjshmërisë, e precedentit negativ të krijuar dhe e dëmit të bërë në zgjedhjet e Rrogozhinës, përpara miratimit të projekt-vendimit “Për miratimin e disa afateve procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Kukës, që do të zhvillohen më datë 24 shtator 2023“, KRIIK i dërgoi Komisionit Rregullator si dhe Komisionerit e Zyrtarëve të Lartë të Administratës së KQZ-së, një Dokument me Rekomandime[v].
Nëpërmjet tij u kërkua që në projekt-vendim Komisioni Rregullator të parashikonte në mënyrë eksplicite periudhën gjatë të cilës AMA ngarkohej të kryente monitorimin e fushatës zgjedhore, pavarësisht se një gjë e tillë i buron kësaj të fundit drejtpërdrejt nga Kodi Zgjedhor. Gjithashtu u rekomandua dërgimi i një Kujtese të posaçme[vi] për detyrat që ligji ngarkonte ndaj AMA-s, nisur nga konstatimi prej KRIIK i pasaktësisë dhe keqleximit të ligjit prej saj[vii].
Propozimi i KRIIK u rrëzua me votën kundër të Kryetares së Komisionit dhe dy anëtarëve të propozuar nga maxhoranca[viii], pas një diskutimi ku këta të fundit u përpoqën të relativizonin dhe legjitimonin[ix] mosveprimin e AMA-s.
Sjellja dhe mosangazhimi i Komisionit Rregullator (KRR), si një nga tre Organet Drejtuese të KQZ-së që vihet në dijeni të një shkelje të rëndë të kryer nga një prej institucioneve të ngarkuara me detyra, ndërkohë që ligji i ka dhënë shprehimisht kompetencën për të shqyrtuar dhe miratuar projektaktet me karakter normativ, të përgatitura nga administrata e KQZ-së ose nga anëtarët e tij, ndër të tjera, për rregullat dhe udhëzimet për njehsimin dhe përmirësimin e praktikave zgjedhore, si dhe për veprimtarinë e institucioneve publike në shërbim të zgjedhjeve, konsiderohet prej KRIIK si një precedent shumë negativ.
KRIIK ka shprehur edhe më parë rezervat e tij për mosreagimin dhe anashkalimin prej Komisionit Rregullator të një sërë Rekomandimesh të dërguara[x] të cilat adresonin disa shqetësime madhore në gjykimin e KRIIK, e për të cilat tashmë faktohet se një shqyrtim dhe përmirësim i akteve respektive do të minimizonte jo pak fenomenet negative të vërejtura përgjatë zgjedhjeve vendore 2023, siç janë ato lidhur me shpërdorimin e burimeve shtetërore, pasqyrimin e fushatës në media, garantimin e një mjedisi të lirë e të pandikuar ndaj zgjedhësve përreth qendrave të votimit gjatë Ditës së Zgjedhjeve, etj.
Ky precedent negativ rëndohet edhe më nga sjellja e Komisionit Rregullator ndaj shqetësimit tjetër të përcjellë, po në të njëjtën mbledhje dhe po nëpërmjet të njëjtit Dokument Rekomandimi, se afatet e parashikuara për akreditimin e vëzhguesve vendas nuk ishin në koherencë e harmoni me parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe aktet e tjera nënligjore të miratuara nga KQZ-ja[xi], duke cënuar të drejtën për të vëzhguar, mundësinë e ankimimit në rast refuzimi, si dhe mundësinë për transparencë dhe kontroll paraprak ndaj vëzhguesve, veçanërisht ndaj atyre politikë[xii].
Në gjykimin e KRIIK, përforcuar nga përvoja e gjatë monitoruese, konsiderohet si i dosmosdoshëm dhe ndaj u kërkua përcaktimi i disa afateve efektive në projekt-vendim për të mundësuar praktikisht kontrollin dhe disiplinimin e vëzhguesve politikë. Për këta të fundit është raportuar e argumentuar në vazhdimësi mbi ndërhyrjen dhe ndikimin negativ të tyre në ecurinë e procesit të votimit e numërimit, duke shkelur shpesh ligjin, si dhe duke orientuar dhe intimiduar zgjedhësit, si pjesë e mekanizmit të patronazhimit të ngritur nga partitë politike, e veçanërisht nga maxhoranca aktuale.
Përpara Komisionit Rregullator dhe Administratës së KQZ-së u soll në veçanti përvoja e paligjshmërisë së plotë të evidentuar në prezencën e vëzhguesve të shumtë politikë në Zgjedhjet e Përsëritura në Rrogozhinë, të cilët ishin të pajisur me fleta akreditimi me shkrim dore, por për të cilët nuk ishte marrë asnjë vendim dhe ndaj të cilëve asnjë komision zgjedhor nuk pati kontroll.
KRIIK argumentoi dhe ngriti shqetësimin madhor se moszbatimi i ligjit prej aktorëve politikë, KZAZ, apo mospërmbushja e kërkesave ligjore prej administratës së KQZ-së në ushtrimin e detyrës, nuk mund dhe nuk duhet të shpjerë në zhbërjen e ligjit dhe hartimin e një kuadri rregullator fiktiv, për të ruajtur thjesht fasadën e ligjzbatimit dhe të kontrollit të situatës.
Këtij shqetësimi Komisioni Rregullator dhe Administrata iu përgjigj me një qasje joserioze duke anashkaluar adresimin e problematikës së paraqitur, ridikulizuar situatën, e përmbledhur tërë diskutimin në nevojën për të shpjeguar e bërë “një interpretim gjuhësor dhe logjik të normës së propozuar” lidhur me atë se çfarë nënkuptohet me afatin deri në datën 22 shtator[xiii].
KRIIK sjell në vëmendje se Integriteti i Zgjedhjeve, përsa parashikohet sot në kuadrin ligjor shqiptar, është në vetvete një proces ligjzbatimi dhe ndërveprimi midis aktorësh institucionalë të ngarkuar me detyra dhe përgjegjësi, të cilët duhet t’i përmbushin detyrimet e tyre në kohë dhe me efikasitet duke siguruar në çdo rast elementët e transparencës së plotë dhe llogaridhënies, e rrjedhimisht formësuar e forcuar më tej besimin e zgjedhësve, publikut, e veçanërisht të palëve pjesëmarrëse në proces.
Në tërë këtë mision periodik të promovimit e zbatimit të parimeve e standardeve demokratike nëpërmjet zhvillimit të përgjegjësive të ngarkuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol kyç e thelbësor, jo vetëm për organizimin dhe administrimin e procesit, por edhe për të mbikqyrur e siguruar ligjzbatimin e saktë dhe të plotë prej tërë aktorëve dhe institucioneve të ngarkuara me detyra.
Përbërja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është e modeli i katërt[xiv] pas parashikimit të parë të tij në Kushtetutën e miratuar me referendum në vitin 1998.
Përpos interesit politik të forcave politike parlamentare kryesore në momentin e kryerjes së amendimeve, transformimi i tij është përligjur edhe me pamundësinë apo dështimet e hasura për të siguruar procese zgjedhore me integritet, ligjzbatim e besimin e palëve politike e të publikut të gjerë, ku natyrshëm një rol dhe përgjegjësi e madhe i faturohet mënyrës së ligjzbatimit, transparencës dhe llogaridhënies së ofruar prej administratës së Institucionit të KQZ-së.
Në përvojën e tij të gjatë monitoruese në përpjekje për të sensibilizuar aktorët institucionalë e politikë për domosdoshmërinë e sigurimit të Integritetit të plotë të Zgjedhjeve, e jo thjesht të ditës së votimit, KRIIK, në një bashkëpunim të konsoliduar me një rrjet të gjerë organizatash të njohura lokale, ka kryer një monitorim e analizë të plotë të proceseve para dhe pas zgjedhore, në mënyrë të pandërprerë nga një proces zgjedhor në tjetrin, që prej më shumë se një dekade.
Një ndër shqetësimet e vërejtura përgjatë këtij monitorimi, ka qenë tendenca dhe qasja e ndjekur prej Trupës së KQZ-së së mëparshme dhe Administratës për të “mos e bërë pis procesin zgjedhor”[xv]. Qasje kjo e ndjekur veçanërisht përgjatë procesit të drejtësisë zgjedhore pas ditës së zgjedhjeve, e cila është kritikuar ashpër dhe fort prej KRIIK, në kuadër të Koaliciont të Vëzhguesve Vendorë (KVV), në atë kohë.
Një qasje e tillë u evidentua jo pak herë edhe përgjatë procesit të ankimimeve, pas ditës së zgjedhjeve në procesin e zgjedhjeve vendore 2023, në parashtrimet e bëra prej administratës së KQZ-së përpara KAS apo Kolegjit Zgjedhor.
KRIIK konstaton me shqetësim se aktualisht kjo qasje po shtrihet edhe përpara ditës së zgjedhjeve në një sërë elementësh administrativë, duke evidentuar një lloj lodhjeje apo neglizhence, pavarësisht parashikimeve dhe detyrimeve të qarta të përcaktuara nga ligji.
Një qasje e tillë kompromisi për të mos evidentuar problematikat apo relativizuar ato, e qëllimtë ose jo, është në çdo rast e papranueshme dhe në kundërshtim me Ligjin.
Është kjo qasje e ndjekur nga Komisioni rregullator dhe Administrata e KQZ-së e cila konkludoi në mos përcaktimin eksplicit të detyrimit të AMA-s për të monitoruar fushatën zgjedhore, e rrjedhimisht edhe të përsëritjes së situatës së paligjshmërisë prej AMA-s, nga njëra anë, si edhe në vendosjen e afatit jo të duhur për akreditimin e vëzhguesve politikë, e rrjedhimisht të legjitimimit të mungesës së kontrollit ndaj tyre, nga ana tjetër.
Tërë kjo qasje zhbën de-facto mekanizmat e tjerë rregullues të ngritur në lidhje me fushatën mediatike dhe me kontrollin e vëzhguesve politikë në procesin e votimit, numërimit, si dhe të personave të paautorizuar në ambientet përreth qendrave të votimit e numërimit.
Lidhur me gjithë sa më sipër, KRIIK i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në mënyrë urgjente të investohet e ndërveprojë me AMA-n për të rikthyen ligjshmërinë dhe sigurimin e barazisë së garës elektorale në media.
KQZ-ja, veçanërisht Komisionit Rregullator nevojitet të marrë në shqyrtim pikat nr. 12 e 13 të Vendimit nr. 28, lidhur me afatin e akreditimit të vëzhguesve, e veçanërisht lidhur me akreditimin e vëzhguesve politikë duke lënë kohën e nevojshme në dispozicion për të kryer tërë veprimet kronologjike të parashikuara, e mundësuar kryerjen e verifikimeve të nevojshme përpara ditës së zgjedhjeve të 24 shtatorit 2023.
Gjithashtu, KRIIK i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë, Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve, Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik që të marrin në shqyrtim këtë mosveprim dhe mospërmbushje të detyrimit ligjor që rrjedh prej Kodit Zgjedhor, prej Autoritetit të Mediave Audiovizive qoftë për fushatën zgjedhore të Zgjedhjeve të përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë të datës 23 korrik 2023, qoftë për Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës të datës 24 shtator 2023, duke ndjekur hapat dhe masat e parashikuara nga ligji.
Tiranë më 15.09.2023!
[i] Vendimi nr. 28 datë 16.08.2023 i Komisionit Rregullator “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Kukës, që do të zhvillohen më datë 24 Shtator 2023”.
[ii] “a) minutazhi politik i edicioneve informative ndahet në raporte kohore, sipas parashikimeve të pikës 1 të nenit 81 të këtij Kodi. Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie, KQZ-ja, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1,500,000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3,000,000 lekë. …”. Neni 84, pika 2/a e Kodit Zgjedhor.
[iii] – DENONCIM Nr. 12 – Lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore nëpërmjet transmetimit të aktiviteteve elektorale të Partisë Socialiste në Bashkinë Rrogozhinë.
[iv] Deklarata e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake për Zgjedhjet e Përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë të datës 23 korrik 2023.
[v] – REKOMANDIME – Lidhur me projekt-vendimin “Për miratimin e disa afateve procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Kukës, që do të zhvillohen më datë 24 shtator 2023″.
[vi] “1. Komisioneri ka këto kompetenca: dh) kujdeset për zbatimin e këtij ligji në mënyrë të drejtë, të përpiktë, të saktë dhe uniforme nga të gjitha institucionet, subjektet apo personat e ngarkuar me detyra dhe detyrime, sipas ligjit;” . Neni 19, pika 1/dh e Kodit Zgjedhor.
[vii] Nga komunikimi i KRIIK me AMA-n për informacion lidhur me përmbushjen e detyrimit ligjor të monitorimit të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e 23 korrikut 2023 në Rrogozhinë, prej tyre u dha përgjigjja dhe argumentimi i mëposhtëm:
“AMA, për procesin e monitorimit të fushatave zgjedhore, bazohet në “Kodin Zgjedhor” të Republikës, si dhe “Metodologjinë e monitorimit të medias audio dhe audiovizive”, i ndryshuar, miratuar nga KQZ, me vendim nr. 2, dt. 30.01.2021.
Në rastin e zgjedhjeve të përsëritura të 23.07.2023 në Rrogozhinë, për të cilat ju jeni interesuar në kërkesën për informacion, AMA ka pasur në monitorim në mënyrë të pandërprerë, gjatë dy javëve të zhvillimit të fushatës zgjedhore, rubrikën për veprimtaritë publike “Ndaluar nga KQZ”, pjesë e faqes zyrtare virtuale të këtij institucioni (kqz.gov.al).
Përmbajtja e kësaj rubrike është pikënisja për monitorim dhe shqyrtim të mëtejshëm për çdo rast të identifikuar nga KQZ dhe të shoqëruar me vendimin përkatës që me shkresë zyrtare përcillet edhe në AMA. Për fushatën e zgjedhjeve të përsëritura në Rrogozhinë nuk ka pasur asnjë njoftim nga KQZ, po ashtu dhe asnjë vendim të përcjellë me shkresë në AMA, për veprimtari publike “Ndaluar nga KQZ”.”
[viii] Znj. Ilirjana Nano, Kryetare e Komisionit Rregullator; z. Dritan Çaka dhe z. Arens Çela anëtarë të Komisionit Rregullator. Pas votimit, znj. Ilirjana Nano bëri shpjegimin e votës “kundër”: “Më duket një dispozitë parazitare, për shkak se në momentin që ne themi fillon fushata më datë 11, aktivizohen të gjithë detyrimet, në këtë rast edhe të AMA-s nga 85/1. Pra edhe duke mos e vendosur këtë detyrim ne këtu, AMA e ka detyrim ligjor. …” (min 35:48 – 36:23 e videos së mbledhjes së Komisionit Rregullator të datës 16.08.2023).
[ix] Z. Dritan Çaka:“… Në zgjedhjet e ripërsëritura nuk ka patur një afat për fushatë të re zgjedhore. … . Pra, në Zgjedhjet e ripërsëritura të Rrogozhinës nuk ka patur fushatë zgjedhore, nuk ka patur në aktin e Komisionit Rregullator të përcaktuar një gjë të tillë, …”, (min 28:32 – 29:23 e videos së mbledhjes së Komisionit Rregullator të datës 16.08.2023).
Ndërkohë, në Vendimin Nr. 25, datë 06.07.2023 të Komisionit Rregullator, në pikën nr. 1 të tij përcaktohet se: “1. Fushata zgjedhore për zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, fillon më datë 10 Korrik 2023”.
Deklarimit të përfaqësuesit të KRIIK në mbledhje, z. Dritan Taulla, se “… shqetësimi ynë është madhor. OSHMA-nuk u monitoruan. …”, Kryetarja e KRR znj. Ilirjana Nano iu përgjigj se “nuk kishte fushatë zgjedhore” (min 32:07 – 32:09 e videos së mbledhjes).
[x] – REKOMANDIME për përmirësimin e kuadrit rregullator ligjor për zgjedhjet vendore 2023, pika 3 “Monitorimi i medias”.
– REKOMANDIME – lidhur me projekt aktet për kamerat regjistruese në VNV dhe akreditimin e vëzhguesve jopolitikë.
– REKOMANDIME – Lidhur me ndërveprimin në mënyrë urgjente midis Organeve Drejtuese të KQZ-së për ndalimin e mëtejshëm të shpërdorimit të burimeve shtetërore nëpërmjet amendimit në mënyrë urgjente të Vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator.
– REKOMANDIME – Lidhur me projekt-vendimin “Për miratimin e rregullave për raportimin financiar të partive politike/subjekteve zgjedhore, kontrollin dhe verifikimin e financimeve dhe shpenzimeve të tyre gjatë fushatës zgjedhore, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore”.
– REKOMANDIME – Lidhur me garantimin e një mjedisi të lirë dhe të pandikuar ndaj zgjedhësve në afërsi të qendrave të votimit gjatë Ditës së Zgjedhjeve.
[xi] – Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 6, pika 5 të tij se “kërkesat e vëzhguesve shqiptarë për akreditim i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve. KQZ-ja miraton kërkesat jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e tyre”. Në nenin 6 përcaktohet se KQZ-ja ka të drejtë, me udhëzim të veçantë, t’u delegojë KZAZ-ve kompetencën e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore.
Ndërkohë në nenin 124/1 parashikohet e drejta e ankimimit duke përcaktuar se “kanë të drejtë të ankohen në KAS kundër vendimeve që refuzojnë regjistrimin e vëzhguesve brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit”.
– Vendimi Nr: 23, datë 01.02.2023 i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për procedurat dhe kriteret e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në KZAZ, KQV, VNV, në zgjedhje”, përcakton se subjekti zgjedhor dorëzon pranë KZAZ-së përkatëse si pjesë të dokumentacionit të nevojshëm për akreditim edhe vetdeklarimin e vëzhguesit për gjendjen gjyqësore, sipas modelit KQZ 04-20, që i bashkëlidhet këtij vendimi (neni 9, pika 1/ç).
Po ky Vendim i jep KZAZ-së detyrimin të verifikojë tërë dokumentacionin brenda 2 ditëve nga paraqitja, dhe në rast të pasaktësive t’ia kthejë për plotësim subjektit zgjedhor duke i dhënë 24 orë afat. Pas ridepozitimit, KZAZ e verifikon sërish dokumentacionin brenda 24 orëve. Në çdo rast KZAZ-ja miraton ose refuzon akreditimin brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës (neni 10).
Në pikën 4 të nenit 11 të Vendimit parashikohet se Sekretari i KZAZ-së, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas miratimit të autorizimit për akreditimin e vëzhguesve, dorëzon në KQZ në formë elektronike listën e vëzhguesve të akredituar si dhe kopje të vendimmarrjeve të KZAZ-së për akreditimin e tyre. Ndërkohë që në përfundim të procesit zgjedhor, KZAZ dorëzon në KQZ vendimmarrjet për akreditimin e vëzhguesve shoqëruar me listën përkatëse dhe dokumentacionin mbështetës të dorëzuar për akreditimin e tyre (pika 5).
– Nga gjithë sa më sipër, kuadri rregullator parashikon se në çdo rast, KQZ-ja 5 ditë përpara ditës së zgjedhjeve ka në posedim tërë listën e vëzhguesve politikë të akredituar prej KZAZ-ve, si dhe kopjet përkatëse të vendimmarrjeve, duke siguruar mundësinë e kontrollit dhe të ndërhyrjes në rast të marrjes së ndonjë indicie apo denoncimi, përpara datës së zgjedhjeve.
[xii] Në linjë me reduktimin në kohë të afateve procedurale dhe respektimin e kronologjisë së veprimeve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor për aspektet e tjera përgatitore, Vendimi nr. 28, dt. 16.08.2023 i KRR duhet të parashikonte të njëjtën gjë edhe për tërë hapat e akreditimit të vëzhguesve vendas, e veçanërisht të atyre politikë, duke siguruar kohën e nevojshme për kontrollin e tyre.
Afati i miratuar deri më datën 22 shtator, pra vetëm 1 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, bën praktikisht të pamundur ndjekjen e kronologjisë së veprimeve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor e Vendimi i KSHZ për zgjedhjet e rregullta.
Gjithashtu, mos parashikimi i afatit detyrues brenda të cilit KQZ-ja / KZAZ-ja duhet të marrë vendim, e nxjerr tërësisht nga kontrolli procesin e akreditimit. Po ashtu, KQZ-ja/KZAZ-ja mund të mos shprehet fare për kërkesën e bërë për akreditim vëzhguesish, duke pamundësuar kështu të drejtën e ankimimit në KAS.
Për rrjedhojë të gjithë sa më sipër, tërë procesi i akreditimit të vëzhguesve politikë, praktikisht mbetet të jetë paraprakisht jashtë kontrollit, në kundërshtim me detyrimet dhe parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe kuadrit rregullator.
[xiii] – Znj. Ilirjana Nano, Kryetare e Komisionit Rregullator: “Të bëj një interpretim gjuhësor dhe logjik të normës së propozuar. Jo më vonë se data 22, që do të thotë më herët se data 22 mund të paraqiten. Pra i është lënë një afat çikë më shumë për akreditimin. Kjo është idea. …
Por mos ta lënë ditën e fundit pra, se mund të lihej edhe një ditë më mbrapa. I shtohet koha, kjo është tolerancë. Kjo i shtohet. Po të thoshim jo më vonë se data 19, pesë ditët e fundit humbiste mundësia për të propozuar. Pra këtu është shtuar një çikë afati, koha që i lihet në dispozicion për akreditim vëzhguesve shqiptarë. Pra shprehja jo më vonë se, vendos si afat maksimal 22-shin, do të thotë 21, 20, 19 e kur të duan më përpara. Kalojmë në votimin e pikës 12, kush është Dakord? Miratohet me 5 vota pro.
E njëjta gjë edhe për akreditrimin e subjekteve zgjedhorë”, (min 9:03 – 10:20 e videos së mbledhjes së Komisionit Rregullator të datës 16.08.2023).
Ngritjes së shqetësimit nga KRIIK, se pika nr. 13 për akreditimin e vëzhguesve politikë është shumë më tepër problematike, duke sjellë rastin e paligjshmërisë dhe mospasjes aspak në kontroll të akreditimeve të bëra në Zgjedhjet e përsëritura të Rrogozhinës, Kryetarja e KRR iu përgjigj se: “Sa më shumë vëzhgues , aq më mirë. Çfarë problemi ka për vëzhguesit? Ju doni që ta shtymë afatin ta çojmë 23 apo ta tërheqim afatin”, (min 11:15 – 11:24 e videos së mbledhjes së Komisionit Rregullator të datës 16.08.2023).
– Të njëjtin reagim pati edhe Administrata e KQZ-së, megjithëse përgjatë mbledhjes nuk reagoi ndaj Rekomandimeve të KRIIK dhe as mbajti ndonjë qëndrim lidhur me shqetësimet e ngritura.
Nëpërmjet një emaili, pas miratimit të Vendimit prej Komisionit Rregullator, Administrata reagoi vetëm lidhur me një konsideratë të shprehur nga KRIIK në dokumentin e Rekomandimit ku vlerësohej se “parashikimi i bërë në pikat 12 dhe 13 të projekt-vendimit konsiderohet prej KRIIK problematik dhe një hap pas me standardin e vënë prej KQZ-së”.
Në përgjigje vetëm të këtij vlerësimi Administrata e KQZ-së u shpreh si vijon:
“Referuar email tuaj lidhur me projekt vendimin per caktimin e disa afateve per zgjedhjet ne Kukes ju bejme me dije se konsiderata e juaj per piken 12 dhe 13 eshte gabim. Zgjatja e afatit te paraqitjes se kerkeses per akreditim deri afer dites se zgjedhjeve eshte progres, jo regres!!!!!!!
Eshte logjike qe ka avantazh vendosja e afatit per kerkesat per vezhgim sa me afer dites se zgjedhjeve.
Kjo eshte nje mundesi me shume dhe nuk i pengon vezhguesit ti paraqesin kerkesat me heret e keshtu te mos “rrezikojne” humbjen e afateve te ankimit ndaj vendimeve refuzuese.
Data 22 nuk eshte data e paraqitjes se kerkeses. Afati eshte DERI ne daten 22 shtator.
Per KQZ eshte me e lehte te administroj kerkesat kur ata paraqiten shume dite perpara dates se zgjedhjeve”.
[xiv] Sipas Kushtetutës së miratuar në vitin 1998, KQZ përbëhej nga 7 anëtarë.
Me ndryshimet e Kushtetuese të vitit 2007, KQZ-ja përbëhej nga 9 anëtarë.
Me ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 dhe Kodit të ri Zgjedhor të po atij viti, Trupa e KQZ-së përbëhej nga 7 anëtarë.
Me Ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2020, KQZ-ja ka tashmë 3 Organe Drejtuese respektivisht Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionin Rregullator të përbërë nga 5 anëtarë si dhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve të përbërë nga 5 anëtarë.
[xv] Sipas kësaj qasjeje anëtarët e KQZ-së në dakordësi të plotë me njëri-tjetrin rrëzonin duke votuar në bllok çdo ankimim e pretendim pavarësisht fakteve apo provave që mund të paraqiteshin, me synimin e vetëm për të mos bërë pis procesin dhe për ta mbyllur sa më shpejt atë, si një proces me cilësi dhe standarde të arritura.