ZGJEDHJET E PËRSËRITURA PËR KRYETARIN E BASHKISË RROGOZHINË – 23 KORRIK 2023
Shkarko Deklaratën në .pdf
Më 23 korrik 2023 u përsëritën zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, pasi një vendim i Kolegjit Zgjedhor konsideroi zgjedhjet e mbajtura më 14 maj në Qendrën e Posaçme të Votimit 2224/01, në burgun e Rrogozhinës, të pavlefshme dhe si rrjedhim shpalli pavlefshmërinë në të gjithë Bashkinë Rrogozhinë[1].
Në zgjedhje morën pjesë kandidati z. Edison Memolla, nga Partia Socialiste, njëkohësisht Kryetari aktual i Bashkisë, si dhe kandidati z. Shkëlqim Hoxha, nga Koalicioni Bashkë Fitojmë.
Ditën e zgjedhjeve votuan rreth 35.5% e zgjedhësve, me një rritje në pjesëmarrje prej 3.5 pikë përqindje[2].
Sipas rezultateve paraprake[3], z. Edison Memolla, kandidati i Partisë Socialiste, u zgjodh Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë me rreth 57.6% të votave. Kandidati i Koalicionit Bashkë Fitojmë reagoi në lidhje me rezultatin dy ditë pas ditës së zgjedhjeve, në datën 25 korrik, duke e konsideruar rezultatin jo në përputhje me vullnetin e qytetarëve[4].
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) në një bashkëpunim të konsoliduar me 30 organizata partnere lokale prej mëse një dekade, në vijim të angazhimit të vet për forcimin e integritetit të zgjedhjeve në Shqipëri, vëzhgoi nga afër Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023.
KRIIK vlerësoi në Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake mbi zgjedhjet e 14 majit se “…shteti shqiptar dhe klasa politike vendimmarrëse nuk arritën të organizojnë një proces zgjedhor, i cili të jetë i ndërtuar për qytetarët dhe rreth interesave të qytetarëve, duke dështuar të garantojnë që këta të fundit të mund të zgjedhin në 14 maj në mënyrë të lirë e të pandikuar.” [5]
Në vijim të Zgjedhjeve të 14 majit, KRIIK vëzhgoi edhe përsëritjen e Zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë.
Përgjatë periudhës parazgjedhore, një ekip ekspertësh ndoqën situatën politike dhe institucionale në të cilën zgjedhjet u mbajtën si dhe vëzhguan në mënyrë të pandërprerë përgatitjen e procesit zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ekipi i ekspertëve kreu edhe dy misione vëzhgimi në Bashkinë Rrogozhinë, ku realizoi takime me anëtarët e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor[6], me njërin prej kandidatëve për Kryetar Bashkie[7], si dhe me nëpunës të zyrës lokale të Gjendjes Civile.
Monitorimi i Zgjedhjeve të Përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë u zhvillua vullnetarisht nga aktivistët e KRIIK.
Ditën e Zgjedhjeve dhe gjatë numërimit të votave, KRIIK angazhoi 12 vëzhgues të cilët vëzhguan procesin e votimit dhe situatën jashtë qendrave të votimit në të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë Rrogozhinë[8], aktivitetin e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve përgjatë Ditës së Zgjedhjeve dhe numërimit të votave[9], si dhe procesin e numërimit[10].
Zgjedhjet e Përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë të 23 korrikut 2023 u mbajtën në një klimë politike tejet të rënduar e polarizuar, në linjë me Zgjedhjet e 14 majit.
Përgjatë periudhës që i parapriu këtyre zgjedhjeve u zhvillua në paralel edhe procesi i ankesave dhe apelimeve për Zgjedhjet e 14 majit, gjatë të cilit u evidentuan një numër problematikash dhe madje në dy bashki u evidentua edhe tjetërsim i vullnetit të votuesve[11].
Gjatë gjithë kësaj periudhe, opozita ka akuzuar maxhorancën për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve, kryesisht duke u përqendruar tek përdorimi i burimeve shtetërore për avantazh elektoral, theksuar nga fakti se maxhoranca në përgatitje të këtyre zgjedhjeve kishte kontroll të plotë mbi pushtetin qendror dhe atë lokal; intimidim të votuesve dhe blerje vote; por edhe për manipulime në procesin e administrimit, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave, veçanërisht në bashkitë ku u realizua votimi elektronik[12].
Akuzat e opozitës për manipulim të procesit zgjedhor u shtrinë edhe ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, veçanërisht Komisionit për Ankesa dhe Sanksione, për njëanshmëri dhe sjellje partizane gjatë vendimmarrjes së vet, duke treguar besim të ulët në administratën zgjedhore.
Ndërkohë që opozita vijoi me akuzat e forta për një “farsë elektorale” të radhës nga ana e maxhorancës, në linjë me qëndrimin e mbajtur prej zgjedhjeve të vitit 2017; vetë maxhoranca i konsideroi ato si zgjedhje pa asnjë problematikë, madje si më të mirat të kryera ndonjëherë.
Narrativat totalisht të ndryshme të maxhorancës dhe opozitës në lidhje me procesin vijuan të thellojnë polarizimin politik në vend.
Periudha parazgjedhore u shoqërua edhe me një numër ngjarjesh publike ku u përfshinë zyrtarë të lartë të maxhorancës, të cilat e thelluan akoma më tej konfliktualitetin politik duke shtuar akuzat e opozitës për korrupsion masiv[13], apo mbi problematika të ndërlidhura me mirëfunksionimin e parlamentit[14].
Ajo çka konsiderohet më shqetësuese është fakti se nuk duket të ketë asnjë reflektim, nga asnjëra palë politike, mbi dëmin madhor që po kryhet ndaj të drejtave civile dhe politike të qytetarëve shqiptarëve dhe interesit publik. Evidentohet rëndom e njëjta qasje dhe gjuhë e përdorur prej vitesh si nga maxhoranca, e cila i konsideron zgjedhjet si më të mirat të kryera ndonjëherë duke mohuar çdo problematikë, ashtu edhe nga opozita e cila i konsideron ato si masakra elektorale e radhës.
Në një situatë të tillë, shtuar krizën e thellë në të cilën tërë opozita shqiptare gjendet prej së paku shtatorit të vitit 2021, nga njëra anë, si dhe humbja e moralitetit dhe e kuptimit të vërtetë të një fushate zgjedhore, e cila po zhvillohet për të disatën zgjedhje radhazi në mungesë të plotë të respektit ndaj qytetarëve, nga ana tjetër, nxitet më tej pasiguria dhe humbja e shpresës në institucione dhe në vetë sistemin demokratik nga qytetarët shqiptarë, çka duket të jetë edhe një nga arsyet kryesore të pjesëmarrjes së ulët në votimet e 14 majit, veçanërisht tek të rinjtë.
Kuadri ligjor është i paplotë në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve, duke mos adresuar në mënyrë shteruese dhe lënë në diskrecionin e institucioneve administruese të zgjedhjeve dhe të institucioneve të tjera të përfshira një sërë çështjesh.
Aspektet që trajtohen në Kodin Zgjedhor në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve janë kushtet në të cilat ato duhet të përsëriten dhe përcaktimi i afateve për datën[15], si dhe në lidhje me të drejtën e votës[16].
Pavarësisht vakumit ligjor në lidhje me Zgjedhjet e Përsëritura, institucionet përkatëse të tilla si KQZ apo Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile nuk u angazhuan për të nxjerrë udhëzimet e nevojshme të cilat do të qartësonin pikëpyetjet dhe mundësonin një proces zgjedhor pa problematika, apo morën vendime të paplota, të tilla si: mosspecifikimin në Vendimin e Komisionit Rregullator[17] edhe të detyrimit të AMAs për të monitoruar mbulimin mediatik të fushatës, sikurse parashikohet shprehimisht në Kodin Zgjedhor, apo nxjerrja e një udhëzimi për ri-afishimin për informim të listave të zgjedhësve nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi tetë vendime ndërsa Komisioni Rregullator dy vendime, në funksion të procesit të përsëritur zgjedhor në Bashkinë Rrogozhinë.
Zgjedhjet u administruan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), një Komision Zonal i Administrimit Zgjedhor (KZAZ nr. 43) dhe 54 Komisione të Qendrave të Votimit (KQV).
Administrimi i Zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte eficient, përsa i përket aspekteve administrative të procesit, por vërehet se KQZ u tregua pasive në lidhje me të tjerë elementë për të cilët ka dhe luan një rol të rëndësishëm.
Kodi Zgjedhor[18] dhe Metodologjia e Miratuar nga Komisioni Rregullator për monitorimin e medias audio-vizive[19] kërkojnë që AMA të monitorojë mbulimin e fushatës nga mediat dhe t’i dërgojë raporte ditore KQZ-së, të cilat duhet të publikohen në faqen e kësaj të fundit[20], ndërkohë që konstatohet se në faqen e KQZ-së nuk rezulton asnjë raport i publikuar[21].
Vendimi i Komisionit Rregullator[22] që përcakton afatet për Zgjedhjet e Përsëritura, nuk e detyron AMA-na të kryejë monitorim, çka KRIIK e vlerëson të jetë në shkelje dhe mospërmbushje të detyrimeve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.
Dy prej anëtarëve të Komisioni Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nr. 43, i cili menaxhoi Zgjedhjet e Përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë u ndryshuan nga KQZ-ja, në data 14 dhe 20 korrik.
KZAZ-ja funksionoi përgjatë periudhës parazgjedhore, përgjithësisht në mënyrë kolegjiale dhe pa problematika. KZAZ-ja mori një numër vendimesh, të cilat kishin të bënin në shumicën e vet me emërimin e anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit.
Deri në ditën e zgjedhjeve, KZAZ-ja nuk ishte marrë asnjë vendim formal për akreditimin e vëzhguesve nga partitë politike. Sipas anëtarëve të KZAZ-së, deri në datën 18 korrik, që ishte edhe afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për vëzhgues nga ana e subjekteve zgjedhore, nuk kishte patur asnjë kërkesë të tillë.
Ndërkohë, në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit e KRIIK evidentuan një numër të konsiderueshëm vëzhguesish politikë të pajisur me dokument akreditimi për të vëzhguar, pavarësisht se për këtë akreditim nuk ishte marrë më parë një vendim formal nga ana e KZAZ-së deri në atë moment. Emrat në këto dokumente akreditimi ishin të plotësuara me shkrim dore. Praktikisht, gjykohet se administrata zgjedhore nuk pati kontroll mbi vëzhguesit partiakë gjatë ditës së zgjedhjeve dhe se vëzhguesit ishin të shpërndarë totalisht sipas vullnetit dhe diskrecionit të partive politike, pa asnjë filtër.
Vëzhguesit politikë vazhdojnë të përbëjnë problem e shqetësim serioz mbi mbarëvajtjen e procesit apo ndërhyrjes në të. Moskontrolli dhe moszbatimi i ligjit që në momentin e parë të akreditimit të tyre bën që tërë detyrimet dhe mekanizmat e tjerë kontrollues ndaj tyre të mbetën fiktivë dhe pa asnjë funksionalitet.
Formalisht, Komisionet e Qendrave të Votimit u konstitutuan brenda afatit ligjor. Problem vijon të mbetet ndryshimi i anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit nga ana subjekteve zgjedhore deri në momentin e fundit, madje deri në ditën e zgjedhjeve.
Subjektet zgjedhore ndryshuan rreth 40% të Komisionerëve në tri ditët e fundit përpara Ditës së Zgjedhjeve, duke ngritur dyshime të forta se emrat e komisionerëve të dërguar paraprakisht janë fiktivë dhe se komisionerët e vërtetë, në shumicën e vet, bëhen me dije vetëm në momentin e fundit.
Në shkelje të ligjit, Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor plotësoi vakancat jo duke ndjekur procedurën ligjore, sipas së cilës duhet të merret vendim për lirimin nga detyra të komisionerëve që largohen dhe vendim për emërimin e anëtarëve zëvendësues, por duke ri-bërë vendimet e emërimit të anëtarëve të KQV-ve me të njëjtën datë të mëparshme por me emrat e komisionerëve të rinj[23], fenomen ky i vërejtur edhe më parë në procesin vendimmarrës të KZAZ-ve në përgjithësi në zgjedhje të mëparshme.
Përgjatë ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave u vërejt një prezencë e lartë e stafit mbështetës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ndihmë të KZAZ-së dhe KQV-ve, madje dhe e zyrtarëve të lartë të tij, në gjykimin e KRIIK e pajustifikueshme për normalitetin që duhet të ndjekë një proces zgjedhor, për më tepër i pjesshëm dhe i përsëritur.
Lista e zgjedhësve për Zgjedhjet e Përsëritura për Kryetarin e Bashkisë ishte e njëjtë me atë të 14 majit 2023. Në përputhje me parashikimet ligjore, zgjedhësit që në ndërkohë kishin mbushur moshën për të votuar nuk u përfshinë në listë.
Në Ditën e Zgjedhjeve u evidentuan raste të zgjedhësve që kishin mbushur moshën 18 vjeç mes datës 14 maj dhe 23 korrik, të cilët votuan me vendim gjykate[24]. Në gjykimin e KRIIK, gjykata i ka lëshuar vërtetimet në këto raste në shkelje të ligjit, pasi lista e zgjedhësve duhet të ishte e njëjtë[25] meqenëse bëhej fjalë për përsëritje të zgjedhjeve dhe Kodi Zgjedhor e përcakton shprehimisht një gjë të tillë. Vetëm ata zgjedhës që kishin mbushur moshën ligjore për të votuar deri në 14 maj do të duhet të përfshiheshin në listë. Baza ligjore e përdorur nga gjykata në dhënien e këtyre vendimeve është e paqartë.
Zyra e Gjendjes Civile i printoi sërish listat e zgjedhësve dhe Bashkia i ri-afishoi ato në qendrat e votimit vetëm katër ditë përpara Ditës së Zgjedhjeve, më datën 19 korrik në mbrëmje.
Në një pjesë të qendrave të votimit këto lista ishin afishuar pa firmën dhe vulën e Kryetarit të Bashkisë. Sipas Gjendjes Civile kjo situatë erdhi pasi nuk kishte patur asnjë urdhër apo udhëzim që listat duhet të printoheshin sërish. Listat e zgjedhësve të printuara i janë dërguar KZAZ-së pas datës 19 korrik 2023.
Zgjedhësit në IEVP Rrogozhinë, Qendra e Votimit e posaçme në të cilën zgjedhjet u shpallën të pavlefshme nga Kolegji Zgjedhor duke sjellë edhe përsëritjen e zgjedhjeve, nuk votuan në datën 23 korrik[26].
Partia Socialiste zhvilloi një numër eventesh publike, përgjithësisht në javën e fundit të fushatës. Ndërkohë, kandidati i Koalicionit Bashkë Fitojmë nuk zhvilloi evente të tilla, duke u fokusuar në fushatën derë më derë.
Fushata në mediat sociale ndoqi trendin e eventeve publike. Nuk pati reklama të paguara në platformat e Meta për Zgjedhjet e Përsëritura[27].
Lidhur me reklamat e mundshme në mediat audio-vizive, mungesa e raporteve të monitorimit prej AMA-s, nuk mundëson asnjë të dhënë për të gjykuar qoftë nga pikëpamja e barazisë në garë mbi pasqyrimin mediatik, qoftë nga pikëpamja e kostove financiare të shpenzuara.
Në linjë me fushatën për këto zgjedhje lokale, edhe fushata për Zgjedhjet e Përsëritura në Bashkinë Rrogozhinë vijoi të ishte e polarizuar dhe e dominuar thuajse totalisht nga drejtuesit politikë në nivel qendror për Partinë Socialiste, duke e eklipsuar kandidatin për Kryetar Bashkie[28].
Maxhoranca në pushtet përdori burimet shtetërore dhe të tjera privilegje që vijnë nga të qenit në pushtet për avantazh elektoral përgjatë gjithë periudhës parazgjedhore. Në fushatë u angazhuan në mënyrë aktive edhe zyrtarë publikë, në mbështetje të Kandidatit të Partisë Socialiste[29].
Angazhimi i zyrtarëve publikë në fushatë në rolin e tyre si zyrtarë, në të njëjtën linjë me Zgjedhjet e 14 majit, zbehu vijën ndarëse mes partisë dhe shtetit dhe i dha një avantazh të dukshëm Partisë Socialiste në këto zgjedhje, duke dëmtuar barazinë në garë.
Gjuha denigruese dhe sulmet personale ishin dominuese dhe të dukshme në fushatën e kryer nga Partia Socialiste përgjatë të gjithë eventeve publike të zhvilluara[30] gjatë fushatës, ndërkohë që vijoi të vihej re trajtimi i kundërshtarit politik si një armik që duhej eliminuar dhe jo kundërshtar në një garë elektorale demokratike. Ndërkohë që disa nga temat e fushatës u fokusuan në problematikat lokale dhe zgjidhjen e tyre, sërish u vërejt tendenca për të shkrirë qeverisjen qendrore me atë lokale dhe kushtëzuar zhvillimin lokal me zgjedhjen e kryetarit të bashkisë nga maxhoranca aktuale për të patur mbështetjen e pushtetit në nivel qendror[31], në të njëjtën linjë me narrativën dominuese gjatë zgjedhjeve të 14 majit.
Përgjatë fushatës ka patur pretendime të shumta të bëra publike nga ana e Partisë Socialiste[32] për blerje votash nga ana e kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërkohë që nga ana e këtij të fundit pati pretendime si për blerje vote, ashtu edhe për përdorim të administratës shtetërore në fushatë nëpërmjet pranisë së një numri zyrtarësh publikë, presionit dhe intimidimit mbi votuesit dhe mbështetësit e tij nga një numër institucionesh, përdorimit të elementëve kriminalë në mbështetje të fushatës së kandidatit të maxhorancës, etj.
Organet ligjzbatuese nuk u investuan me denoncime konkrete, duke i lënë këto pretendime në rangun e spekulimeve politike.
KRIIK vëren me shqetësim se angazhimi nga organizatat e shoqërisë civile vendase apo edhe nga aktorët ndërkombëtarë për të vëzhguar procesin zgjedhor për Zgjedhjet e përsëritura për Kryetar të Bashkisë Rrogozhinë ishte minimal, me një numër shumë të ulët vëzhguesish vendas[33] dhe asnjë vëzhgues ndërkombëtar të akredituar. Jo vetëm, por edhe tentativat e medias për të pasqyruar fushatën në Bashkinë Rrogozhinë janë ndeshur me intimidim dhe kërcënime nga ana e mbështetësve të maxhorancës[34].
Vlerësohet si pozitiv mbulimi i gjerë që media i bëri ditës së zgjedhjeve dhe problematikave të saj, ndërkohë që edhe fushata zgjedhore ka patur mbulim, veçanërisht eventet publike të maxhorancës të cilat janë shfaqur gjerësisht me transmetime “live”.
Edhe në këtë fushatë u vërejt fenomeni i përdorimit nga media të materialeve filmike të gatshme të ofruara nga subjektet zgjedhore, por që për sa u vëzhgua në mënyrë sporadike nga KRIIK nuk rezultuan të kishin mbishkrimin e posaçëm sipas parashikimeve të ligjit.
U konstatua mbulimi gjerësisht i eventeve të maxhorancës me pjesemarrjen e z. Erion Veliaj, të cilat transmetoheshin me etiketimin “live”, ndërkohë që rezultoi se ishin kryer një apo dy ditë më parë.
Përdorimi i materialeve filmike nga subjektet zgjedhore, të cilat janë të redaktuara paraprakisht prej këtyre të fundit është një problematikë madhore që, në praktikë, eliminon totalisht rolin e medias në informimin me vërtetësi dhe paanësi të publikut dhe kthyer ato në ritransmetues të materialeve propagandistike të partive politike.
Transmetimi i aktiviteteve në mënyrë të njëkohshme në disa media, duke pretenduar se janë “live”, ndërkohë që aktiviteti është i regjistruar që 1 apo 2 ditë më parë, ngre pikëpyetje akoma më të forta mbi rolin dhe misionin e medias në raport me pushtetin politik të maxhorancës dhe fushatën zgjedhore të transmetuar.
Heshtja zgjedhore u thye ditën e shtunë nga një numër mediash[35] dhe gjatë ditës së zgjedhjeve nga kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, si dhe ofiqarë të tjerë politikë[36].
Kandidatët për Kryetar Bashkie vizituan një numër qendrash votimi ditën e zgjedhjeve, duke dhënë edhe prononcime publike, çka mund të konsiderohet fushatë në thelb, pavarësisht mesazheve të përçuara, pasi edhe vetë prezenca e tyre në afërsi të QV-ve asociohet me fushatën zgjedhore. Për më tepër, është e paqartë nevoja dhe nuk ka asnjë arsye për vizita të kandidatëve për kryetarë në qendrat e votimit përgjatë ditës së zgjedhjeve.
Ditën e Zgjedhjeve u vërejt gjithashtu një prezencë e shtuar e ofiqarëve politikë në nivel qendror si nga ana e maxhorancës, ashtu edhe nga ana e opozitës.
Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë, me konflikte sporadike në pak qendra votimi. Problematikat kryesore kishin të bënin me praninë e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit, veçanërisht në zonat rurale; votimin familjar[37], masiv në zonat rurale; si dhe disa raste[38] të fotografimit të votës, vendosje të dhomave të fshehta në pozicione të tilla që nuk garantohej fshehtësia e votës[39], transportim të organizuar të zgjedhësve[40], etj.
Sipas anëtarëve të KZAZ-së, prezenca e komisionerëve të qendrave të votimit në trajnimet e zhvilluara kishte qenë shumë e ulët, çka, në kombinim me ndryshimin e tyre në momentin e fundit, mund të jetë një nga faktorët për mungesën e njohurive dhe përgatitjes së tyre jo të përshtatshme.
Tri qendra votimi[41] u hapën me vonesë, pasi nuk kishin numrin e mjaftueshëm të komisionerëve për të patur kuorum. Komisionerët u zëvendësuan nga KZAZ-ja dhe qendrat e votimit u hapën rreth një orë me vonesë.
Vëzhguesit e KRIIK vërejtën nivele të ndryshme të përgatitjes dhe njohurive mbi procesin nga ana e komisionerëve; në disa zona, kryesisht rurale, niveli i njohurive dhe përgatitjes ishte dukshëm i ulët dhe komisionerët kishin nevojë në vazhdimësi për mbështetje dhe konsulencë nga ana e KZAZ-së apo stafit të KQZ-së[42].
Përgjithësisht, administrimi ishte pa problematika serioze, megjithë shkeljet procedurale të vërejtura në një numër qendrash votimi[43].
Problematikat më shqetësuese përsa i përket administrimit ishin niveli shumë i ulët i përgatitjes së komisionerëve të qendrave të votimit lidhur me procesin e votimit, mosreagimi i komisionerëve ndaj personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit, mosreagimi ndaj votimit familjar si dhe mosreagimi sipas kuadrit ligjor në rastet e evidentuara të fotografimit të votës, ku në asnjë rast Komisionet e Qendrave të Votimit nuk njoftuan Policinë e Shtetit, por u mjaftuan me shpalljen e votës së pavlefshme.
Dy shkeljet e fundit janë veçanërisht shqetësuese, pasi në këto raste komisionerët kanë shkelur kuadrin ligjor penal, ndërkohë që sjellja dhe lehtësia e trajtimit të rasteve përbën shqetësim madhor lidhur me tolerancën e treguar dhe relativizimin e bërë ndaj shkeljes së ligjit.
Në linjë me zgjedhjet e 14 majit dhe me zgjedhjet e mëparshme, prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit apo edhe në brendësi të tyre, përfshirë mjediset e brendshme të godinave publike ku ishin të alokuara qendrat e votimit dhe mjediset rrethuese të tyre, vijoi të mbetej problem.
Në disa qendra votimi, këto persona ishin të pajisur me listat e zgjedhësve[44], çka është në kundërshtim me kuadrin ligjor dhe urdhrin e Komisionerit. Madje, në një rast[45] këto persona të paautorizuar kontrollonin këdo, madje ndaluan edhe grupin e vëzhguesve të KRIIK duke i kërkuar informacion se çfarë përfaqësonin.
Prania e këtyre personave në afërsi të qendrave të votimit është i kundraligjshëm, ndërkohë që ndikon qartas vullnetin e votuesve, pasi zgjedhësit mund të ndihen të intimiduar për të marrë pjesë apo për të votuar lirisht në kushte të tilla të të qenit vazhdimisht të kontrolluar dhe në survejim. Fakti që të tillë persona të paautorizuar ndaluan vëzhguesit e KRIIK, tregon se ata janë aktivë dhe ndërveprojnë në vazhdimësi me votuesit, duke synuar qartas intimidimin e tyre dhe kontrollin e të gjithë votuesve që hyjnë në QV.
Vëzhguesit e KRIIK vërejtën gjithashtu transport të organizuar të zgjedhësve në një numër të lartë të qendrave të votimit, kryesisht në zonat rurale.
Të dy këto fenomene janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin gjatë Ditës së Zgjedhjeve dhe manifestojnë qartazi funksionimin e sistemit të patronazhimit politik dhe drejtimit kapilar të votës, që vijon të mbetet një problematikë madhore, jo vetëm e paadresuar në asnjë rast si shqetësim por e pranuar me entuziazëm si një vlerë kryesore nga ana e maxhorancës, duke e zhvilluar dhe zgjeruar me tej.
Në një qendër votimi[46], vëzhguesit e KRIIK vlerësuan se vendosja e dhomës së fshehtë nuk garantonte fshehtësinë e votës dhe njoftuan Komisionin e Qendrës së Votimit për këtë fakt, duke lënë një njoftim zyrtar.
Pajisja Elektronike e Identifikimit funksionoi normalisht, me përjashtim të një rasti[47] ku u bllokua për 30 minuta, dhe rasteve të mosnjohjes së shenjës së gishtit, kryesisht për zgjedhës të moshës së tretë[48].
Kamerat që filmojnë brenda qendrës së votimit u vlerësuan nga vëzhguesit e KRIIK të ishin vendosur në një pozicion të përshtatshëm në shumicën e rasteve, përveç një qendre votimi[49]. Megjithatë, vlen të theksohet se gjykimi në lidhje me vendosjen e përshtatshme të kamerave në qendrat e votimit është i vështirë, duke qenë se kamera nuk është e pajisur me një monitor që të lejojë të identifikohet fushëpamja e saj me saktësi.
Vlerësohet pozitivisht prezenca e stafit teknik mbështetës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Rrogozhinë përgjatë gjithë ditës së votimit[50].
Procesi i votimit përfundoi në orën 19:00 sipas parashikimit ligjor dhe dorëzimi i materialeve zgjedhore në KZAZ nisi në orën 19:20 e përfundoi në orën 21:00.
Procesi i numërimit nisi rreth orës 23:20. Vonesa në nisjen e numërimit erdhi si pasojë e mbërritjes me vonesë të anëtarëve të grupeve të numërimit të votave[51], grupi i fundit i të cilëve u paraqit në orën 23:10. Sipas komunikimit me KZAZ-në, anëtarët e grupeve të numërimit të votave e kishin kryer më parë trajnimin e nevojshëm.
Përgjithësisht, procesi i numërimit të votave ishte i shpejtë dhe pa problematika të theksuara.
Rreth orës 2:30 të mëngjesit të ditës së hënë u evidentua se një numër votash në tri qendra votimi[52] kishin një shenjë të veçantë shtesë, përveç shenjës standarde të vendosur për të shprehur vullnetin e zgjedhësit, kombinim i cili potencialisht mund të jetë vendosur për shprehur e treguar në mënyrë të posaçme vullnetin e zgjedhësve të veçantë[53]. Numërimi u ndërpre deri rreth orës 4 të mëngjesit të ditës së hënë pasi këto vota u kundërshtuan nga përfaqësuesit e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”[54].
Lidhur me këtë situatë KZAZ u konsultua verbalisht dhe me shumicë votash vendosi që ato të quhen të vlefshme. Konstatimet përkatëse dhe vendimet e marra nga KZAZ-ja në lidhje me këto raste u shënuan prej saj në Librin e Protokollit[55]. Pezullimi i procesit të numërimit, erdhi si pasojë e komunikimit, konsultimit dhe debateve midis komisionerëve dhe përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore të cilët ishin prezentë gjatë procesit të numërimit. Pas përfundimit të gjithë debateve e diskutimeve ndërmjet tyre, procesi vijoi normalisht deri në mbylljen e tij. Numërimi përfundoi rreth orës 9:30 të mëngjesit të ditës së hënë datë 24 korrik.
Gjatë numërimit pati prezencë të shtuar dhe të pajustifikuar të përfaqësuesve dhe vëzhguesve nga subjektet zgjedhore si brenda në Vendin e Numërimit të Votave, ashtu edhe jashtë tij. Prezenca e shtuar nuk solli bllokime të procesit apo problematika të tjera gjatë tij.
Edhe gjatë procesit të numërimit nuk mungoi prezenca e ofiqarëve të lartë politikë për Koalicionin “Bashkë Fitojmë” si dhe ofiqarëve të lartë publikë e politikë të Partisë Socialiste.
Tiranë, më 25 Korrik 2023!
[1] Me Vendimin nr. 28, datë 15.06.2023 Kolegji Zgjedhor vendosi “…Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve vendore të datës 14 maj 2023 në Zonën e Administrimit Zgjedhor Nr. 43 për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë, duke urdhëruar përsëritjen e këtyre zgjedhjeve. …”
[2] Në 14 maj 2023 në Bashkinë Rrogozhinë votuan 32.02% e zgjedhësve me të drejtë vote.
[3] Shih rezultatet paraprake në faqen e KQZ-së.
[4] Në datën 24 Korrik, z. Sali Berisha mbajti një konferencë për shtyp duke e konsideruar rezultatin një produkt të farsës elektorale të radhës.
[5] Shih Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake, datë 15 maj 2023. Për më shumë mbi angazhimin e KRIIK në vëzhgimin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023, shih faqen ueb të KRIIK.
[6] Gjatë të cilit u morën dhe kopje të dokumentacionit të punës (vendimmarrjes) së KZAZ-së deri në datën 20 korrik 2023.
[7] Ekipi i vëzhgimit u takua me Kandidatin për Kryetar Bashkie nga Koalicioni Bashkë Fitojmë, z. Hoxha. Ndërkohë, kandidati nga Partia Socialiste dhe Kryetari në detyrë i Bashkisë, z. Memolla, nuk iu përgjigj kërkesës për takim.
[8] Katër ekipe me 2 vëzhgues të lëvizshëm secili vëzhguan procesin e votimit dhe situatën jashtë qendrave të votimit në të gjithë QV-të.
[9] Katër vëzhgues vëzhguan aktivitetin e KZAZ-së përgjatë Ditës së Zgjedhjeve dhe gjatë numërimit.
[10] Një vëzhgues vëzhgoi punën e grupeve të numërimit të votave përgjatë procesit të numërimit.
[11] Për më shumë, shih Qëndrimin Publik të KRIIK, “Qasja proaktive e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në evidentimin dhe denoncimin e krimit zgjedhor, thelbësor për sigurimin e integritetit të zgjedhjeve dhe të ligjzbatimit në vend”, publikuar më 2 qershor 2023.
[12] Elbasan, Vorë dhe Kamëz.
[13] Me madhoret nga këto përfshijnë shkarkimin e Kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë Kukës, z. Gjici, nga detyra pasi një video u bë publike ku ai përfitoi favore seksuale në shkëmbim të premtimit për një kontratë publike; dorëheqjen e njërit prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, z. Rraja, si dhe shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, z. Çuçi, pasi u bë publike një video ku familjarë të afërt të deputeti Rraja dhunuan dy qytetarë dhe u faktua mosveprimi e bërja palë e Policisë së Shtetit; lëshimi i një urdhër arresti ndaj ish Zv. Kryeministrit dhe deputetit të PS, z. Arben Ahmetaj i cili ndërkohë është larguar jashtë vendit; si dhe ndalimi i marrëdhënies mes BE dhe AZHBR, pasi OLAF gjeti abuzime me fondet e BE për Bujqësinë.
[14] Funksionimi i parlamentit në mënyrë jo normale e arbitrare nga ana e maxhorancës veçanërisht në raport me kërkesat e opozitës, zbatimin e rregullores dhe të kuadrit ligjor mbi konsultimin publik, veçanërisht lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë, projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, projektligjin “Për trajtimin e veçantë të studenteve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, etj, apo procedura e ndjekur lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Arben Ahmetaj.
[15] Neni 161 i Kodit Zgjedhor.
[16] Neni 59, pika 4 e Kodit Zgjedhor, “Në rast përsëritjeje të zgjedhjeve, sipas nenit 161 të këtij Kodi, lista e zgjedhësve nuk ndryshon”.
[17] Vendimi nr. 25, datë 6.7.2023 i Komisionit Rregullator.
[18] Neni 85 i Kodit Zgjedhor.
[19] Vendim nr. 2, datë 30.01.2021 i Komisionit Rregullator, “Për miratimin e Metodologjisë së Monitorimit të Medias Audio dhe Vizive”, i ndryshuar me Vendimin nr. 07, datë 27.01.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 2, datë 30.01.2021, të Komisionit Rregullator, “Për miratimin e metodologjisë së monitorimit të medias audio dhe audiovizive”.
[20] Neni 10 i Metodologjisë së Monitorimit të Medias Audio dhe Audiovizive (cit.).
[21] Nga komunikimi zyrtar i KRIIK me KQZ, na është konfirmuar se AMA nuk ka depozituar asnjë raport monitorimi pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me fushatën elektorale për zgjedhjet e përsëritura në Bashkinë Rrogozhinë.
[22] Vendimi nr. 25, datë 6.7.2023 i Komisionit Rregullator.
[23] Sipas KZAZ-së, arsyeja për këtë është se subjektet zgjedhore i kanë ndryshuar komisionerët në momentin e fundit, ndërkohë që KZAZ-ja ishte e ngarkuar me shpërndarjen e materialeve zgjedhore. Jo vetëm, por një numër komisionerësh janë ndryshuar më shumë se një herë në një afat të shkurtër kohor. Si rrjedhojë, KZAZ-ja nuk kishte kohë fizike që lirimet dhe emërimet t’i kryente sipas procedurës ligjore.
[24] Vëzhguesit e KRIIK kanë evidentuar së paku dy raste të tilla, një në QV nr. 2233 dhe një në QV nr. 2451. Sipas KZAZ ka patur edhe të tjera raste.
[25] Neni 54, pika 4 e Kodit Zgjedhor.
[26] Në datën 19 korrik Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve i dërgoi një kërkesë zyrtare në lidhje me ngritjen e qendrës së votimit në këtë institucion KQZ-së, në injorim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, duke pretenduar se 89 zgjedhësit në listë aty do të duhej të votonin.
Në përgjigjen e KQZ-së së datës 21 korrik të kthyer nga Sekretari i Përgjithshëm i saj evidentohet hallakatje në bazueshmërinë ligjore të përdorur, ndërkohë që në fund përmbyllet me opinionin se në vlerësimin e saj, ngritja ose jo e qendrës së votimit duhet të marrë në konsideratë urdhërimet e Vendimit nr. 28 datë 16.05.2023 të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.
[27] Shih Librarinë e Reklamave Politike të Meta për Shqipërinë.
[28] Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë dhe njëkohësisht Kryetar i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, ishte i pranishëm dhe folës kryesor në të gjithë eventet publikë të fushatës për këto zgjedhje, i shoqëruar nga të tjerë eksponentë të lartë politikë të PS apo zyrtarë publikë, si deputeti z. Etjen Xhafaj, deputeti z. Ornaldo Rakipi, Prefekti i Qarkut Tiranë, z. Afrim Qëndro, kreu i Qarkut Tiranë z. Aldrin Dalipi, etj. (për më shumë, shih faqen në Facebook të Veliaj)
[29] Në eventin përmbyllës të fushatës më datë 21.07.2023, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun Tiranë dhe Kryetar i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, shprehet për angazhimin në fushatë të Prefektit të Qarkut Tiranë, z. Afrim Qëndro, Kreut të Këshillit të Qarkut Tiranë z. Aldrin Dalipi, Deputetit z. Etjen Xhafaj e Deputetit z. Ornaldo Rakipi. (shih videon, pas min. 9:35)
“… Do të kishte ndjejtë Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti i ditëve tona, përditë në Gosë. E të njihte hallet e të njihte problemet, e t’i mësonte katundet, e të shkonte kanal më kanal, e vresht më vresht, e pemë më pemë. …
A e imagjinoni dot Aldrinin, Kryetarin tonë të mrekullueshëm të Qarkut, a do të kishte mësuar Aldrini përmendësh të gjithë fiset në Lekaj, e të gjithë fiset në Luz, e në Gërmenj e kështu me rradhë, e do të kishte qenë shtëpi më shtëpi? Por duke qenë se është Kryetari i Qarkut e Afrimi është Prefekti kanë mundësi me na ndihmu. Dhe është më kollaj me ndihmu kur i njeh njerëzit, kur i njëh hallet e i ke prek, se sa vetëm kur të kërkon Edisoni ndihmë. Tani kur Edisoni i bie telefonit për ndihmë, jo vetëm unë, por edhe Prefekti e Kryetari Qarkut, secili e di ekzaktësisht ku janë problemet ku janë mundësitë, ku janë hallet që duhen zgjidhur.
Naldi (Ronaldo Rakipi, deputet) solli një fitore të jashtëzakonshme në Vorë, por duke qenë se ka mundësitë, e ka fis, ka njohje, e ka shoqni, e ka miqësi, e ka krushqi, e ka njerëz e rracë të madhe, edhe ai sot i di përmendësh hallet e Kryevidhit dhe ka mbledhur gjithë shoqërinë e vet dhe gjithë shokët e miqtë, tamam si ajo shprehja një për të gjithë e të gjithë për një. Të gjithë për një që të ndihmojmë Edisionin, ashtu si Partia Socialiste ka ndihmuar gjithmonë fitoret tona, gjithmonë ka treguar mbështetje maksimale. Një falënderim të veçantë për Etjenin (Etjen Xhafaj deputet) tonë të mrekullueshëm. ….
Fakti që sot ai na ka mbledhur të gjithëve bashkë që t’i japin një ndihmë Edisonit, t’i japim një krah Edisonit. Disa halle që mund të zgjidhen shpejt t’i zgjidhim shpejt, disa të tjera t’i vëmë në rrugën e zgjidhjes. …”
[30] Në mënyrë të përsëritur, nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në nivel qendror kandidati i Bashkë Fitojmë u etiketua si “bixhozçi” dhe person me integritet të dyshimtë, në përgjithësi, përfshi si arsye edhe faktin se kishte pranuar të kandidohej nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
“… Ai Çimi i bixhozit ju mendoni që po e ha meraku dhe po harxhon lekë se do t’i shërbej Rrogozhinës? Po ai e kishte mundësinë. Të kishte harxhuar aq lekë sapo harxhon tani për fundshpinën e vet, për një karrike, të kishte ardhur bujrum në tërmet. Kishim shumë nevoja në tërmet. Sollëm kontenierë e çadra, kishim nevoja, por nuk harxhoi jo miliona euro por asnjë qindarkë, se nuk do me ia ditë për njerëzit, e do Rrogozhinën si plaçkë. Në kishim halle. Ju kujtohet vaksina? Kam qenë këtu kur sollëm me kryeministrin vaksinat, tek qendra shëndetësore. Dhe u rreshtuam me rradhë, filluam me pensionistët, që të vaksinoheshin. Po Çimi që paska pasë miliona euro, t’i harxhonte për vaksinat, t’i harxhonte për hallexhinjtë, të na ndihmonte të shpëtonim shumë prej atyre njerëzve që iu vajtëm për vaki. Por nuk e kishte merakun aty, se ata i gjejnë lekët, kur vjen puna për karrike. Ndërkohë ne gjejmë kohën, mundësinë, vaksinat e shtëpitë kur vjen puna për të zgjidhur hallet. Kjo është diferenca e madhe miqtë e mi. …
Unë e kuptoj Saliu është non-grata, por është non-grata origjinal. Ilir Meta është non-grata, por është non-grata origjinal. Kurse ky shkon e regjistrohet tek lista e tyre. Pra njëri që do të bëhet non-grata me dëshirë vetëm ky budallai juaj është. Ne fakt s’është as i juaji, se s’është as nga Rrogozhina. Kështu që ky Çimi është si ata, se më thotë mua aman mos më tall shumë se jam bërë barcaletë e Rrogozhinës. Ky është si ata bixhozxhitë. …”, Erjon Velia në takimin përmbyllës të fushatës më 21.07.2023 në Rrogozhinë.
[31] “… Partia Socialiste i ka 55 bashki. Mendoni që Partia Socialiste se ka 55 se ka 56 tronditet nga pushteti? Është në fakt në interes të Rrogozhinës, të rrijë me Edi Ramën, të rrijë me Partinë Socialiste, të rrijë me Prefektin e Tiranës, të rrijë me Kryetarin e Qarkut, me mundësinë që ofron e gjithë kjo organizatë, që drejtohet nga forca jonë politike por që i shërben të gjithëve njësoj. …”, Erjon Velia në takimin përmbyllës të fushatës më 21.07.2023 në Rrogozhinë.
[32] Thuajse në çdo event publik, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun Tiranë dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, është shprehur publikisht se kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” ishte duke blerë vota. Në asnjë rast këto pretendime nuk u shoqëruan me denoncim zyrtar në organet ligjzbatuese.
[33] KQZ akreditoi 23 vëzhgues vendas nga katër organizata, 15 prej të cilëve ishin të akredituar nga KRIIK. Ndërkohë mediat akredituan 102 nga mediat.
[34] Në datë 16 korrik, gjatë një transmetimi live të një aktiviteti të Partisë Socialiste në Rrogozhinë, grupi i xhirimit të Televizionit Syri u intimiduan nga një grup mbështetësish të kësaj partie dhe, sipas raportimeve, të afërm të Kryetarit të Bashkisë dhe kandidatit të kësaj partie, z. Edison Memolla.
[35] Shih Denoncimin e KRIIK në KQZ për thyerjen e heshtjes zgjedhore nga një numër mediash.
[36] Shih intervistën e Kandidatit nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, z. Shkëlqim Hoxha; shih statusin në faqen në Facebook të deputetit z. Etjen Xhafaj.
[37] Problem i evidentuar në përgjithësi nëpër zonat rurale, por më i theksuar në Njësinë Administrative Lekaj.
[38] Raste të fotografimit të votës u vërejtën në QV nr. 2233, QV nr. 2232, QV nr. 2209.
[39] QV 2229, QV nr. 2230, QV nr. 2226, QV nr. 2151.
[40] Përgjatë ditës së zgjedhjeve u vërejtën disa automjete private të cilat kryenin transportim të dedikuar, duke shoqëruar individë të ndryshëm për të votuar.
[41] QV nr. 2209/00. 2210/00 dhe 2210/01.
[42] Madje në një numër QV-sh, komisionerët kërkonin opinionin e vëzhguesve partiakë apo edhe të operatorëve teknikë të Pajisjes së Identifikimit Elektronik kur hasnin në problematika.
[43] Në një numër qendrash votimi, komisionerët nuk e konsideronin problematike praninë e personave të paautorizuar në afërsi të Qendrës së Votimit, megjithë udhëzimet nga ana e KQZ-së dhe KZAZ-ve ndaj tyre se kjo nuk lejohej. Në një numër qendrash votimi në Njësinë Administrative Lekaj zgjedhësit timbroseshin pasi e kishin marrë fletën e votimit dhe nuk kontrolloheshin nëse ishin timbrosur më parë përpara se të hynin në qendrën e votimit.
[44] Shkolla Lekaj.
[45] Në Shkollën e Mesme të Bashkuar Gosë, ku janë vendosur katër qendra votimi.
[46] QV nr. 2151.
[47] QV nr. 2212.
[48] Në të gjitha këto raste u procedua nëpërmjet identifikimit manual.
[49] QV nr. 2151.
[50] Përfshirë Nënkomisioneren Shtetërore të Zgjedhjeve, znj. Lealba Pelinku, e cila është e ngarkuar me mbarëvajtjen e teknologjisë.
[51] Anëtarët e grupeve të numërimit të votave të emëruar nga PS u paraqitën rreth orës 22:30, ata të emëruar nga PD rreth orës 23:00 dhe nga PDIU në orën 23:10.
[52] Rreth 50 vota në QV nr. 2207, 2208 dhe 2208/1.
[53] Zgjedhësit që kanë kryer shenja të tilla, me vendosjen e shenjës mundësojnë që subjektet zgjedhore të identifikojnë se ata kanë votuar për ta. Të gjithë fletët e votimit kishin të njëjtën shenjë.
[54] Të gjithë votat e shënjuara në këtë mënyrë ishin për Kandidatin e Partisë Socialiste, z. Memolla.
[55] Sipas Librit të Protokollit të KZAZ-së: “Gjatë numërimit të QV 2208/1 nga grupi i numërimit Nr. 4 u konstatuan 42 vota të cilat i përkisnin kandidatit të PS Edison Memolla dhe nga të cilat me shumicë votash 28 vota u shpallën të pavlefshme dhe 14 të vlefshme. Gjithashtu u konstatuan 12 vota qe i përkisnin kandidatit Shkëlqim Hoxha, nga të cilat KZAZ shpalli të pavlefshme 10 vota.
Gjatë numërimit të QV 2208 nga ana e numëruesve u konstatuan 8 vota të cilat ishin ndarë 7 vota për kandidatin Edison Memolla dhe 1 për kandidatin Shkëlqim Hoxha. KZAZ i shpalli këto vota të pavlefshme.
Grupi i numërimit Nr. 1 i paraqiti për vlerësim KZAZ 7 vota të kontestuara në QV 2210/1 të cilat me shumicën e votave të anëtarëve u vlerësuan të vlefshme.
Gjatë numërimit të QV 2209/1 nga grupi i numërimit Nr. 2 u konstatuan 13 vota të cilat pas vlerësimit të KZAZ vendosi 12 vota të vlefshme dhe 1 votë të pavlefshme.
Kontestimi i kutive solli si pasojë vonesa në procesin e numërimit të votave dhe për thuajse 2 orë nuk u numëruan vota. Kryetari i KZAZ kërkoi ndërprerjen e procesit të numërimit.”