Shkarko Qendrimin Publik në pdf.
NJOFTIM PËR SHTYP
Në vijim të angazhimit për monitorimin tërësor të proceseve institucionale dhe politike për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023, më datë 2 qershor 2023 Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) publikoi QËNDRIMIN PUBLIK “Qasja proaktive e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në evidentimin dhe denoncimin e krimit zgjedhor, thelbësor për sigurimin e integritetit të zgjedhjeve dhe të ligjzbatimit në vend”.
Një raport i plotë mbi Drejtësinë Zgjedhore do të publikohet si pjesë e Raportit Final të Monitorimit të këtyre Zgjedhjeve, por KRIIK publikoi këtë Qëndrim për të tërhequr vëmendjen e KQZ e Kolegjit Zgjedhor në rradhë të parë, por edhe të të gjithë aktorëve të tjerë politikë, institucionalë e të opinionit të gjerë publik, lidhur me shqetësimin e KRIIK mbi lehtësinë dhe indiferencën institucionale me të cilën kaloi faktimi i krimit zgjedhor të kryer prej komisionerëve zgjedhorë në Pukë e Mallakastër, të cilët kishin manipuluar qartazi e haptazi rezultatin zgjedhor, duke kalur sasinë e votave të marra nga një subjekt zgjedhor në një qendër votimi në favor të një subjekti tjetër zgjedhor.
Nëpërmjet këtij Dokumenti, KRIIK sjell në vëmendje se procesi i Drejtësisë Zgjedhore nevojitet të shkojë përtej korrektimit të thjeshtë të gabimeve që mund të jenë kryer nga pikëpamja e administrimit, duke synuar në çdo rrethanë që të japë e vendosë drejtësi, në rradhë të parë, ndaj shtrembërimit potencial të vullnetit të votuesve shqiptarë.
Në kontekstin shqiptar, u ri-kujtohet Organeve Drejtuese të KQZ-së dhe Kolegji Zgjedhor se besimi ndaj efikasitetit të tyre dhe procesit zgjedhor është i lidhur pashmangshmërisht me forcimin apo dobësimin e mëtejshëm të besimit të qytetarëve ndaj funksionalitetit e dobisë së ligjit, si dhe ndaj legjitimitetit të organeve të zgjedhura nëpërmjet këtij procesi.
Dakordësia e komisionerëve zgjedhorë në mbulimin e shkeljeve të evidentuara përballë aktorëve të tretë, apo, në rastin ekstrem, edhe në manipulimin e rezultatit zgjedhor sikurse është rasti i evidentuar së fundi në Bashkinë e Pukës dhe Mallakastrës, është një shqetësim i ngritur nga KRIIK me forcë veçanërisht e në vazhdimësi prej vitit 2017.
Faktimi për herë të parë në mënyrë ligjore e institucionale, i abuzimit të bërë me detyrën e përgjegjësinë e dhënë prej komisionerëve zgjedhorë, duhej të nxiste Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për një qasje më të thelluar, duke urdhëruar hapjen e kutive dhe rinumërimin e, së paku, të tërë qendrave të votimit të numëruara nga i njëjti Grup i Numërimit të Votave në rastin e Bashkisë Pukë, apo edhe të të gjithë Bashkisë Mallakastër duke qenë se në dijeni të manipulimit në këtë bashki evidentohet se ka qenë edhe Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor.
Përpos kësaj, gjykohet gjithashtu se KAS do të duhej të kishte një reagim ndryshe përballë faktit të konstatuar të kryerjes së një vepre penale, duke u shprehur e vënë në lëvizje edhe në mënyrë formale nëpërmjet vendimmarrjes Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve për referimin e mënjëhershëm të rasteve në Prokurori.
Në përfundim Dokumentit, KRIIK i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrë në konsideratë tipologjinë e shkeljeve dhe problematikave të evidentuara nga procesi ankimor i deritanishëm, si dhe rekomandimet e paraqitura më parë nga KRIIK, për të përmirësuar mekanizmin e procesit të auditit post-zgjedhor, në mënyrë që të rrisë efikasitetin e tij dhe dërgojë përpara ligjit të gjithë komisionerët të cilët nuk iu janë përmbajtur zbatimit të kuadrit ligjor në administrimin e procesit.
Një thirrje iu shkon edhe aktorëve politikë, veçanërisht atyre të përfaqësuar në Kuvend, që në mënyrë emergjente të nisin një proces reformimi të thellë dhe gjithëpërfshirës të kuadrit ligjor për zgjedhjet, me një fokus të veçantë në plotësimin e aspiratës së Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020 dhe vënien në zbatim të saj për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Tiranë, më 2 Qershor 2023!
Dokumenti i plotë në tekst mund të lexohet më poshtë dhe në formatin .pdf mund të shkarkohet KËTU.
Q Ë N D R I M P U B L I K
Qasja proaktive e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në evidentimin dhe denoncimin e krimit zgjedhor, thelbësor për sigurimin e integritetit të zgjedhjeve dhe të ligjzbatimit në vend
Në vijim të angazhimit për monitorimin tërësor të proceseve institucionale dhe politike për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) është duke monitoruar dhe ndjekur me vëmendje procesin e ankesave dhe apelimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Kolegjin Zgjedhor, për të cilin do të hartohet një raport i plotë në fund të procesit, si pjesë e Raportit Final të Monitorimit të Zgjedhjeve.
Në nisje të këtij Qëndrimi Publik, KRIIK thekson se procesi i ankesave dhe apelimeve, veçanërisht ajo pjesë e këtij procesi që vjen pas ditës së zgjedhjeve dhe që ka të bëjë kryesisht me ankesa dhe apelime që lidhen me rezultatet zgjedhore, duhet të shkojë përtej korrektimit të thjeshtë të gabimeve që mund të jenë kryer nga pikëpamja e administrimit.
Ky proces tejet i rëndësishëm duhet të synojë dhe përpiqet në çdo rrethanë që të japë e vendosë drejtësi jo vetëm për subjektet zgjedhore rezultati zgjedhor i të cilave mund të jetë prekur, por në rradhë të parë ndaj shtrembërimit potencial të vullnetit të votuesve shqiptarë.
Në këtë proces, i quajtur ndryshe si Procesi i Drejtësisë Zgjedhore, organet e ngarkuara nga ligji për shqyrtimin dhe zgjidhjen e ankesave dhe apelimeve, konkretisht Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) si një nga Organet Drejtuese të KQZ-së dhe Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, kanë dhe mbartin përgjegjësinë madhore të ruajtjes apo rikthimit të besimit të qytetarëve në efektivitetin e sigurinë e mekanizmave të krijuara nga ligji dhe në tërë Procesin Zgjedhor në vetvete.
KRIIK u ri-kujton këtyre Organeve të dhënies e vendosjes së Drejtësisë Zgjedhore se besimi ndaj efikasitetit të tyre dhe procesit zgjedhor është i lidhur pashmangshmërisht me forcimin apo dobësimin e mëtejshëm të besimit të qytetarëve ndaj funksionalitetit e dobisë së ligjit, si dhe ndaj legjitimitetit të organeve të zgjedhura nëpërmjet këtij procesi.
Legjitimiteti i procesit zgjedhor është vendosur vazhdimisht në dyshim në vend, me përjashtime në pak procese, dyshim i cili ka qenë veçanërisht i dukshëm së paku prej zgjedhjeve të vitit 2017 e në vazhdim kur në mënyrë të përsëritur opozita ka akuzuar për manipulim masiv të vullnetit të qytetarëve.
Si rrjedhim i kësaj mungese të theksuar besimi, edhe klima politike në vend është polarizuar dukshëm, duke shpënë deri në heqjen dorë të mandateve të Kuvendit prej opozitës në vitin 2019 apo refuzimin e saj për të marrë pjesë në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2019.
Pavarësisht kostove të mëdha politike e institucionale të shkaktuara në ecurinë demokratike të vendit, Marrëveshja Politike e 5 Qershorit 2020, amendimet e bëra si rrjedhim i saj dhe vullneti politik e ligjzbatues i treguar përgjatë proceseve zgjedhore 2021, 2022 e 2023, sërish nuk e forcuan këtë besim të munguar, përkundrazi.
Rikthimi i besimit në procesin zgjedhor aktualisht mbetet akoma edhe më shumë emergjent dhe i domosdoshëm.
Në ndjekje të procesit të ankesave dhe apelimeve, KRIIK ka vërejtur me shumë shqetësim rastet që janë bërë edhe gjerësisht publike në Bashkitë Pukë[1] dhe Mallakastër[2], ku është evidentuar manipulim i rezultateve zgjedhore dhe kalim i votave nga një subjekt zgjedhor tek një tjetër.
Në këtë situatë, KRIIK evidenton se manipulimi i rezultatit duket të ketë ndodhur në dakordësinë e plotë të komisionerëve zgjedhorë të emëruar nga parti të ndryshme.
Dakordësia e komisionerëve zgjedhorë në mbulimin e shkeljeve të evidentuara përballë aktorëve të tretë, apo, në rastin ekstrem, edhe në manipulimin e rezultatit zgjedhor është një shqetësim i ngritur nga KRIIK me forcë veçanërisht e në vazhdimësi prej vitit 2017, pas monitorimit të Zgjedhjeve për Kuvend të atij viti.
I gjithë sistemi i administrimit të zgjedhjeve nga komisionerë të emëruar nga partitë kryesore politike bazohet në parimin e balancimit politik. Ndërtuar kjo në premisën se të qënit administrues të drejtëpërdrejtë të procesit në të gjitha nivelet do të garantojë besimin e palëve në proces e në pranimin e rezultateve, si dhe në premisën e minimizimit të manipulimeve pasi, nga një pikëpamje pragmatike, palët janë drejtpërdrejt të interesuara për rezultatin dhe do të mbrojnë interesat e veta, duke prodhuar kështu një proces të shëndetshëm edhe për ecurinë e demokracisë në vend.
Përvoja e derisotme ka faktuar e prodhuar të kundërtën e forcimit të demokracisë dhe institucioneve demokratike në vend, pasi legjitimiteti i zgjedhjeve ka ardhur jo si pasojë e pranimit të verdiktit institucional të institucionit të çertifikimit të zgjedhjeve, sikurse është KQZ-ja, por si pasojë e pranimit, me hir apo pahir, të rezultatit prej forcave kryesore politike.
Administrimi i procesit nga komisionerët e emëruar nga partitë politike ka sjellë vazhdimisht pengesa dhe problematika jo të vogla në proces, duke nisur nga emërimi i tyre me vonesë, ndryshimi në momentin e fundit deri edhe në ditën e zgjedhjeve, ndjekja nga ana e komisionerëve të udhëzimeve të partive që i kanë emëruar së pari dhe më pas të administratës zgjedhore sipërore nga pikëpamja hierarkike, duke shpënë shpesh në zvarritje, tejzgjatje apo edhe bllokime të pajustifikueshme të numërimit të votave, e një sërë problematikash të tjera.
Duke patur në vëmendje të gjitha këto disavantazhe të administrimit politik të proceseve zgjedhore, të pasuruara së fundi me faktimin, për herë të parë në mënyrë ligjore e institucionale, e abuzimit të bërë me detyrën e përgjegjësinë e dhënë nga qytetarët shqiptarë në administrimin e vullnetin sovran të tyre, arsyet për ta mbajtur ende në këmbë këtë mënyrë administrimi të zgjedhjeve nuk mund të përligjen më.
Në gjykimin e KRIIK është e domosdoshme që në mënyrë emergjente klasa politike vendimmarrëse të angazhohet urgjentisht për të vendosur në praktikë zbatimin e Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020 për administrim jo-politik të Zgjedhjeve të ardhshme Parlamentare 2025.
Ndërkohë, përsa i përket rastit të Bashkisë Pukë dhe Bashkisë Mallakastër të përmendur më sipër, KRIIK evidenton se, përgjatë procesit të shqyrtimit administrativ, KAS i ka qëndruar ngushtësisht objektit të ankimimit të kryer nga subjektet ankimuese duke anashkaluar qasjen dhe pamjen më të gjerë të problematikës se manipulimi i evidentuar në një qendër votimi mund të jetë i shtrirë në më tepër sesa një të tillë, dhe se ky manipulim i rezultatit prej komisionerëve nuk mund të ketë qenë i paqëllimshëm dhe as mund të trajtohet si një gabim njerëzor.
Përtej korrektimit të rezultatit në këto raste, në gjykimin e KRIIK, KAS do të duhej të kishte marrë një qasje më të thelluar duke gjetur dhe aplikuar interpretimin e duhur ligjor për të evidentuar shtrirjen e plotë të krimit zgjedhor të faktuar se është kryer dhe bërë më pas edhe korrektimin e plotë të tij, duke urdhëruar hapjen e kutive dhe rinumërimin e, së paku, të tërë qendrave të votimit të numëruara nga i njëjti Grup i Numërimit të Votave në rastin e Bashkisë Pukë.
Një qasje e tillë vlerësohet se do t’i shërbente përmbushjes së detyrës dhe misionit të KQZ-së, në funksion të qëllimit madhor të sipërpërmendur, atë të rikthimit të besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor dhe ndaj mekanizmave që garantojnë integritetin e tij, ku një ndër më të rëndësishmit mbetet pikërisht drejtësia zgjedhore.
Në rastin e Bashkisë Mallakastër, në gjykimin e KRIIK, KAS do të duhet të shkonte edhe më tej dhe të ndërmerrte një proces akoma më të thelluar të hetimit dhe, mundësisht, të hapjes dhe rinumërimit të të gjithë qendrave të votimit për atë bashki.
Kjo pasi në këtë rast jo vetëm që është provuar ndryshimi i rezultatit nga ana e Grupit të Numërimit të Votave, por ekziston edhe një letër e KZAZ-së përkatëse e cila vë në dukje se KZAZ-ja kishte dijeni për këtë fakt[3].
Lidhur me këtë rast, KRIIK gjykon gjithashtu se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve[4] duhet të bëjë një sqarim publik se në cilin moment ka marrë dijeni për faktin e ndryshimit të rezultatit në një prej qendrave të votimit të Bashkisë Mallakastër, por edhe të hapave që mund të ketë ndërmarrë për të korrigjuar problemin[5].
Theksohet se problematika u vu në dukje si rrjedhojë e ankimimit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ndërkohë që, nga sa u evidentua, KQZ-ja nuk duket se kishte në plan të niste një proces korrektimi kryesisht në lidhje me këtë çështje, në rastin kur nuk do të kishte ankimim nga subjekti zgjedhor, çka përbën në fakt një tjeter shqetësim.
Gjykohet se veprimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë situatë do të duhet të synojnë jo vetëm limitimin në maksimum të efektit të manipulimeve potenciale që mund të kenë ndodhur bazuar në këto indicie, por edhe të ndërmarrjes në mënyrë urgjente të hapave të duhur për të vendosur dhe çuar përpara drejtësisë personat përgjegjës.
Në këtë kuadër, KRIIK gjykon se KAS do të duhet të kishte një reagim ndryshe duke i dhënë peshën e duhur faktit të konstatuar të kryerjes së një vepre penale[6], si dhe duke u shprehur e vënë në lëvizje edhe në mënyrë formale nëpërmjet vendimmarrjes[7] Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve për referimin e rasteve në Prokurori.
Nga monitorimi i deritanishëm, KRIIK vlerëson qasjen ndryshe, më pozitive e bashkëpunuese, të anëtarëve të KAS ndaj subjekteve zgjedhore ankimuese duke i orientuar dhe dhënë kohë ekstra për marrjen e provave, si dhe për shfrytëzimin për herë të parë të mekanizmit ligjor në dispozicion të dy anëtarëve për të kërkuar marrjen e provave në administrim të KQZ-së[8], sipas nenit 136 të Kodit Zgjedhor, mekanizëm i cili nuk u pa i arsyeshëm të përdorej në rastet e Pukës dhe Mallakastrës, pavarësisht krimit zgjedhor të konstatuar.
Në përfundim të këtij Qëndrimi, KRIIK i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrë në konsideratë tipologjinë e shkeljeve dhe problematikave të evidentuara nga procesi ankimor i deritanishëm, si dhe rekomandimet e paraqitura më parë nga KRIIK, për të përmirësuar mekanizmin e procesit të auditit post-zgjedhor, në mënyrë që të rrisë efikasitetin e tij dhe dërgojë përpara ligjit të gjithë komisionerët të cilët nuk iu janë përmbajtur zbatimit të kuadrit ligjor në administrimin e procesit.
Ky proces auditi post-zgjedhor i këqyrjes së materialit zgjedhor i cili pritet të zhvillohet pas çertifikimit të rezultatit përfundimtar të këtyre zgjedhjeve, pavarësisht se gjetjet e dala prej tij nuk do të kenë efekt në rezultatin e zgjedhjeve, nevojitet të parapërgatitet dhe kryhet me gjithë seriozitetin dhe rëndësinë që meriton procesi i respektimit të ligjit dhe administrimit me përgjegjshmëri i vullnetit të sovranit prej komisionerëve zgjedhorë të angazhuar.
Gjithashtu, KRIIK u bën thirrje partive politike që t’i japin këtij procesi rëndësinë e duhur duke shprehur qartë vullnetin e tyre dhe inkurajuar KQZ-në për çuarjen përpara drejtësisë të kujtdo komisioneri zgjedhor që ka kryer shkelje pavarësisht përkatësisë politike, inkurajim i cili mungoi përgjatë kryerjes së procesit të auditit post-zgjedhor të Zgjedhjeve Parlamentare 2021.
Përpara aktorëve politikë dhe Kuvendit të Shqipërisë shtrohet sërish në mënyrë emergjente nevoja për të nisur sa më shpejt një proces reformimi të thellë dhe gjithëpërfshirës të kuadrit ligjor për zgjedhjet, me një fokus të veçantë në plotësimin e aspiratës së Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020 dhe zbatimin e saj për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Tiranë, më 2 Qershor 2023!
[1]Në seancën e KAS të datës 24 maj 2023, ku u shqyrtuan bashkërisht kërkesat ankimore nr. 63, me ankues Partinë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë dhe objekt “Kundërshtimi i vendimit nr. 260, datë 16.05.2023 të KZAZ nr. 07, Bashkia Pukë, “Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjet e Këshillit Bashkiak Pukë”, duke kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të vlefshme dhe të pavlefshme”, si dhe kërkesa ankimore nr. 70, me ankues Partinë Aleanca Progresiste LZHK dhe objekt “Kërkesë për rinumërimin e kutive të Këshillit Bashkiak nr. 0408, 0415, 0422, 0424, 0425, 0430. Ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të Këshillit Bashkiak Pukë, sipas rezultatit të rinumërimit”. Pas shqyrtimit të provave të depozituara nga pala ankuese KAS vendosi të këqyrë fletët e votimit në kutitë e votimit për këshill bashkiak në Bashkinë Pukë, nr. 0422/00, 0425/00, 0415/00, 0415/01, 0430/00.
Nga këqyrja e fletëve të votimit rezultoi se në QV 0425/00 në Bashkinë Pukë, 64 vota të vlefshme të cilat në tabelën përmbledhëse të rezultatit i ishin shënuar Subjektit PDIU, në fakt i përkisnin Subjektit Partia Republikane.
Ndërsa nga këqyrja e kutive të tjera rezultuan ndryshime të vogla midis tabelës përmbledhëse të rezultateve dhe atyre çka faktikisht ndodheshin në kuti. Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës nr. 63 dhe nr. 70, si edhe korrigjimin e tabelës përmbledhëse të Rezultatit për Këshillin e Bashkisë Pukë, sipas gjetjeve të dala nga këqyrja e fletëve të votimit të bërë nga KAS.
[2] Në seancën e KAS të datës 30 maj 2023 u shqyrtua kërkesa ankimore më nr. 78, me ankues Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet me objekt “Kundërshtimin e Tabelës së rezultateve për QV nr. 3239/00, të GNV nr. 01, datë 16.05.2023 të KZAZ-së nr. 62, Mallakastër”. Pala ankuese paraqiti në KAS si prova materiale foto të printuara nga filmimet e procesit të numërimit, të cilat faktonin se 63 vota të Subjektit PDIU në këtë Qendër Votimi nuk janë të pasqyruara në tabelën përmbledhëse të rezultateve. Gjithashtu ankuesi paraqiti në KAS edhe 2 shkresa të dërguara në KQZ nga anëtarët e GNV nr.1 dhe KZAZ nr. 62 Bashkia Mallakastër, të cilët informonin KQZ-në se kishin kryer parregullsi në procesin e numërimit të asaj qendër votimi. Pas administrimit të provave KAS vendosi të këqyrë fletët e votimit për këshill bashkiak në QV nr. 3239/00, Bashkia Mallakastër.
Nga këqyrja e fletëve të votimit rezultoi se në QV nr. 3239/00 në Bashkinë Mallakastër, 63 vota të subjektit PDIU në tabelën përmbledhëse të rezultatit i ishin përllogaritur Subjektit Partia Socialiste (pra për PS nga 161 vota në TPR të miratuar nga KZAZ, u gjetën 98 vota, dhe për PDIU nga 0 vota në TPR të miratuar nga KZAZ, u gjetën 63 vota). Pas përfundimit të shqyrtimit, KAS vendosi pranimin e kërkesës dhe korrigjimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për Këshillin e Bashkisë Mallakastër, sipas gjetjeve të dala nga këqyrja e fletëve të votimit të bërë nga KAS.
[3] GNV nr. 1 në KZAZ nr. 62 Bashkia Mallakastër i ka drejtuar kësaj KZAZ-je kërkesën nr. 74 prot. datë 16.05.2023, sipas të cilës 3 anëtarë të kësaj GNV-je pretendojnë se kanë bërë një parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave për Këshillin Bashkiak Mallakastër, në QV nr. 3239, për shkak të lodhjes, duke i kërkuar KZAZ-së të rishikojë vlerësimin e kryer dhe të bëjë korrigjimin e gabimit njerëzor. Sipas tyre: “Në procesin e numërimit të votave për këtë QV grupi ynë i ka konstatuar votat në favor të subjektit PDIU duke i lexuar me zë të lartë, por për shkak të gabimit njerëzor këto vota nuk janë pasqyruara drejt”.
Gjithashtu KZAZ nr. 62 Bashkia Mallakastër, pas marrjes së kësaj kërkese i është drejtuar KQZ-së më shkresën nr. 75 datë 16.05.2023, ku evidenton se ka marrë shkresën e mësipërme nga GNV nr. 1 pranë kësaj KZAZ-je me objektin përkatës. KZAZ arsyeton se “KZAZ nr. 62 Mallakastër, në përfundim të procesit të numërimit të votave për kandidatët e këshillit bashkiak e ka përfshirë këtë rezultat në tabelën përmbledhëse përfundimtare për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, të cilën e disponon tanimë edhe KQZ. Ndodhur në këto kushte, pas miratimit të rezultatit final me tabelën përfundimtare dhe përcjelljen e këtyre të dhënave në sistemin elektronik. KZAZ nr. 62 nuk e ka tagrin ligjor të ndërhyjë për rishikimin e rezultatit dhe rihapjen e kutisë. Lidhur me sa më sipër i kërkojmë KQZ-së trajtimin e kërkesës së GNV-së për korrigjimin e rezultatit zgjedhor për QV nr. 3239 dhe pasqyrimin e drejtë të vullnetit të shprehur”.
[4] Nga komunikimi verbal i KRIIK me administratën e KQZ-së, është pohuar se kjo problematikë është përcjellë në KQZ fillimisht me telefon, dhe pas kërkesës së kësaj të fundit, kërkesa është depozituar edhe zyrtarisht. Komunikimi është kryer dhe depozituar pas dorëzimit të materialeve zgjedhore në KQZ, pra eventualisht data 16.05.2023 që mbajnë shkresat zyrtare, edhe mund të mos jetë data reale kur ato janë përpiluar.
[5] Pavarësisht depozitimit të kësaj kërkese KQZ nuk ka ndërmarrë asnjë hap për korrigjimin e gabimit apo trajtimin e kësaj kërkese të ardhur nga KZAZ nr. 62, qoftë në pikëpamje të korrigjimit të gabimit, por edhe në pikëpamjen e konstatimit të një vepre penale të kryer e cila duhet të referohet në organet ligjzbatuese.
[6] Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë Neni 326 “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” “Falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor, me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave, që dihen se janë të pasakta, zëvendësimi i të saktave me të rreme ose nëpërmjet futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Po kjo vepër kur kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cenuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.”
[7] Lidhur me shqyrtimin e kërkesës ankimore nr. 78 datë 22.05.2023 të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, KAS vendosi: Pranimin e kërkesës ankimore me nr. 78 datë 22.05.2023 Partia Për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për Këshillin Bashkiak, për kutinë e votimit 3239 sipas rezultatit të ri të dalë nga rinumërimi ku subjekti PDIU nga 0 do të ketë 63 vota dhe subjekti PS nga 161 vota do të ketë 98 vota.
[8] Në seancën e datës 31 maj 2023, në kuadër ankimimit të subjektit zgjedhor Koalicioni Bashkë Fitojmë, pas rrëzimit me shumicë votash nga trupa e KAS të ankimimit, dy anëtarët e tij shfrytëzuan mekanizmin ligjor të kërkesës për të kërkuar paraqitjen në cilësinë e provës të të gjitha kutive të qendrave të votimit për zgjedhjet për kryetar bashkie për KZAZ nr. 43, Bashkia Rrogozhinë dhe vlerësimin e të gjithë fletëve të votimit.
Konkretisht, kërkesa ankimore nr. 80 datë 23.05.2023, me ankues subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë” me objekt “Kundërshtimi i vendimit nr. 531, datë 18.05.2023 “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për kandidatët për kryetar Bashkia Rrogozhinë dhe Miratimi i Tabelës së re Përmbledhëse pas Rinumërimit dhe Rivlerësimit të votave në të gjithë qendrat e votimit të zonës zgjedhore, Bashkia Rrogozhinë”, me shumicë votash u rrëzua nga KAS.
Në zbatim të nenit 136, pika 3 e Kodit zgjedhor për nevojat e shqyrtimit administrativ të kërkesës ankimore nr. 80, anëtarët e KAS, z. Elvis Çefa dhe z. Ledio Braho i kërkuan KQZ-së paraqitjen në cilësinë e provës të të gjitha kutive të qendrave të votimit për zgjedhjet për kryetar bashkie për KZAZ nr. 43, Bashkia Rrogozhinë dhe vlerësimin e të gjithë fletëve të votimit.