Shkarko Deklaratën në pdf.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) në bashkëpunim me 30 organizatat partnere lokale ndoqi procesin e numërimit në mënyrë jo sistematike, por në vazhdimësi, me vizita të shpeshta në vendet e numërimit të votave. Gjatë vizitave, vëzhguesit monitoruan drejtpërdrejt procesin e numërimit, si dhe mblodhën informacion nga anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe vëzhguesit mbi ecurinë e tij.
KRIIK evidenton se procesi i numërimit, në linjë edhe me procesin në ditën e votimit, ishte i qetë dhe në përgjithësi i mirëadministruar.
Pavarësisht se sërish procesi u zgjat në një numër të Vendeve të Numërimit të Votave (VNV) pas afatit ligjor përsa i përket numërimit të votave për këshillat bashkiakë, procesi u përfundua më shpejt se në zgjedhjet të mëparshme, me vonesa në një numër të kufizuar VNV-sh e përgjithësisht për arsye objektive.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nxiti në vazhdimësi komisionerët dhe numëruesit për një përfundim sa më të shpejtë të procesit.
Ndërkohë që procesi i numërimit thuajse është mbyllur dhe KZAZ-të kanë nisur dorëzimin e materialeve zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, KRIIK sjell në vëmendje të opinionit të gjerë publik se procesi zgjedhor është ende në vijim.
Disa faza tepër të rëndësishme të tij janë ende për t’u realizuar, duke nisur nga procesi gjykues dhe potencialisht korrektues i procesit të deritanishëm që është ai i ankimimeve dhe apelimeve, ose i quajtur ndryshe procesi i drejtësisë zgjedhore, por edhe të tjera procese të rëndësishme, pavarësht se nuk afektojnë çertifikimin e rezultateve, sikurse janë këqyrja e mëpasshme e fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore si dhe raportimi dhe kontrolli i financave të fushatës zgjedhore.
Në këtë kuadër KRIIK sheh si mjaft të rëndësishme dhe të domosdoshme që tërë aktorët e përfshirë në proces të tregojnë përgjegjshmëri e maturi, duke ndjekur rrugët institucionale për adresimin e të gjithë pretendimeve që mund të kenë, si dhe duke treguar vullnet të qartë për respektimin e ligjit dhe të institucioneve të ngarkuara me detyra, pa i paragjykuar ato dhe pa ushtruar në asnjë çast presion politik apo asnjë lloj tjetër intimidimi ndaj tyre.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor nevojitet të funksionojnë dhe ndjekin zbatimin pa ekuivok të ligjit, të pandikuar dhe të pakërcënuar qoftë drejtpërdrejt prej eksponentëve të subjekteve zgjedhore, qoftë edhe nga sulmet në opinionin publik të orkestruara prej tyre.
KRIIK ndoqi me shqetësim qoftë gjatë ditës së zgjedhjeve[1], qoftë gjatë procesit të numërimit[2], deklaratat e Kryeministrit Rama, i cili, ndërkohë që procesi ishte ende duke vijuar, akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mosfunksionimin e Pajisjeve të Identifikimit Elektronik në një numër qendrash votimi.
Deklarata e mëngjesit në ditën e votimit u ndoq nga një mori deklaratash të të tjerë zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe ministrave[3], madje edhe nga një numër opinionistësh në mediat e ndryshme.
KRIIK i konsideron të papranueshme këto deklarata të maxhorancës dhe gjykon se akuzat ndaj KQZ-së, ndërkohë që procesi zgjedhor ishte ende në pjesën më të rëndësishme të vet, në shprehjen e vullnetit prej qytetarëve dhe leximim më pas të tij prej administratës zgjedhore politike, nuk i shërbejnë aspak sfidës së konsolidimit dhe shëndoshjes së Institucioneve të Pavarura, specifikisht të Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë rast.
Përkundrazi, qasje dhe deklarata të tilla, për më tepër nga Kreu i Maxhorancës, mbeten shqetësuese dhe në linjë me qasjet dhe praktikat negative të së shkuarës, duke shpënë në uljen e mëtejshme të besimit të publikut qoftë në këto institucioneve, qoftë në procesin zgjedhor aktual dhe rezultatin e tij.
KRIIK vlerëson se mbetet përgjegjësi dhe detyrim madhor për aktorët politikë dhe subjektet zgjedhore që të vijojnë të ndjekin me përgjegjësi procesin zgjedhor në të gjithë elementët e mbetur të tij, duke adresuar institucionalisht tërë pretendimet dhe kontestimet e tyre qoftë në lidhje me ditën e zgjedhjeve, procesin e numërimit, apo të tjera pretendime që mund të lidhen me periudhën parazgjedhore.
Sigurimi i integritetit të procesit dhe i besueshmërisë së tërë palëve dhe të gjithë qytetarëve në këtë proces, mbetet një domosdoshmëri me interesin më të lartë e më të gjerë publik, pasi lidhet ngushtë me integritetin e procesit zgjedhor dhe nuk ka të bëjë vetëm dhe thjesht me korrigjimin ose jo të rezultatit të një subjekti zgjedhor.
Gjithashtu, KRIIK i bën thirrje administratës zgjedhore, dhe në veçanti Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të sigurojë mbylljen e procesit në përputhje me ligjin, si dhe të nisë hetimin administrativ në lidhje me problematikat e vërejtura, duke dokumentuar të gjitha problematikat gjatë tij në mënyrë të detajuar dhe rigoroze, në mënyrë që të mund të bëhet transparencë e plotë mbi to dhe të analizohen më pas, në mënyrë sa më të plotë, të gjithë elementët që nuk funksionuan në mënyrën e duhur.
Analiza e detajuar dhe transparenca e plotë jo vetëm do të kontribuojë në rritjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor, por edhe do të shërbejë për të drejtuar përmirësimet e nevojshme qoftë në kuadrin ligjor, qoftë në praktikën e procesit në të ardhmen.
Paralelisht dhe në lidhje të ngushtë me sa më sipër, politika shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të përgatitet për nisjen e një procesi reformues serioz, të thelluar dhe gjithëpërfshirës të kuadrit ligjor që afekton zgjedhjet, duke mos u kufizuar vetëm në Kodin Zgjedhor, por edhe në të gjithë paketën e ligjeve që ndikojnë zgjedhjet.
Praktika e dështimit të proceseve reformuese mbi kuadrin ligjor mund të marrë fund vetëm nëse klasa politike angazhohet në këtë proces totalisht dhe në mënyrë serioze, si dhe me interesin publik në mendje, përkundër interesave afatshkurtra dhe kalkulimeve politike të momentit.
Në gjykimin e KRIIK, bazuar edhe në Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake të Zgjedhjeve Lokale 2023, në fokus të Reformës Zgjedhore e cila duhet të mbyllet brenda majit 2024, do të duhet të jetë ndër çështjet kryesore, zhbërja e sistemit të patronazhimit dhe kontrollit të votës, me fokus të veçantë në çlirimin e administratës publike nga politizimi dhe intimidimi, duke garantuar në këtë mënyrë plotësimin e aspiratës së Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020 për administrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025 nga administratorë jo-politikë.
Të tjerë elementë kryesorë në fokus të Reformës do të duhet të jenë adresimi i plotë i ndalimit të përdorimit të burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral, si dhe kontrolli i financimit të partive politike dhe subjekteve zgjedhore, apo edhe të tjerë elementë thelbësorë.
Në përfundim tashmë të procesit të numërimit, KRIIK i bën thirrje policisë së shtetit dhe prokurorisë që të ndjekin me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe të hetojnë në mënyrë të plotë dhe me shpejtësi çështjet e nisura deri në këtë moment, apo të tjera që mund të dalin në vazhdim, në mënyrë që personat që kanë prekur votën dhe cënuar vullnetin e qytetarëve të vendosen përpara përgjegjësisë ligjore.
Tiranë, më 17 Maj 2023!
[1] “Besoj janë thënë të gjitha ato që duheshin thënë. Tani është momenti i qytetarëve të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e krijuar nga KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat. Dhe që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar në momentin e parë të rikthehen, në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë në gjithë territorin e Shqipërisë, për gjithë kandidatët dhe për këshillat e tyre bashkiakë”. Deklaratë për mediat e Kryeministrit Edi Rama pas votimit në Surrel, datë 14 maj 2023, ora 10.50.
[2]“Përsa i përket standardit të zgjedhjeve, nuk kam lexuar asnjë raport paraprak për hir të vërtetës, por besoj që zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçantë në asnjë aspekt përveç dështimit spektakolar të KQZ-së për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë, që me korrektesë dhe dëshirë, që në orët e para të mëngjesit ishin futur në radhë për të ushtruar të drejtën dhe detyrën e tyre kushtetuese.
Kjo ishte një gjë e rëndë, tronditëse për faktin se pajisjet elektronike të identifikimit kanë garantuar një transparencë shumë më të madhe, një siguri shumë më të madhe dhe mosfunksionimi i tyre për arsye nga më banalet, ndërkohë që, dakord KQZ-ja është për të bërë shumë gjëra para dhe pas, por KQZ-ja në fund të ditës është për atë ditë. Vërtetë është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm. Por nuk dua të ndalem me tutje në këtë. Me siguri që ne nuk do ta lëmë me kaq këtë çështje. Aq më tepër kur pamë skenat e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh, sepse asnjë arkë me çfarëdo gjëje të mbajë brenda, nuk mund të hidhet ashtu në kamion për të shkuar në destinacion.
Miliona e miliona euro të vëna në dispozicion nga taksat e shqiptarëve për të garantuar shqiptarët për një proces më të sigurt, më transparent dhe më të mirë zgjedhor, kjo ishte vetmja gjë e veçantë. Të tjerat janë të gjitha gjëra që i kemi dëgjuar. (…)”. Bashkëbisedim i Kryetarit të PSSH Edi Rama me gazetarët, në datën 15 maj 2023
[3] “Për fat të keq, kjo ditë feste e demokracisë nisi me ngërçin absurd të krijuar nga KQZ-ja, me bllokimin e votimit në shumë qendra në Shqipëri, për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve elektronike të identifikimit. E pabesueshme që KQZ-ja të mos testonte dhe siguronte funksionimin e pajisjeve në çdo qendër, qysh në minutën e parë të këtij raundi zgjedhor.Por, edhe më keq akoma ishte hezitimi i pakuptueshëm i KQZ-së për ta zgjidhur këtë ngërç të krijuar nga ajo vetë, duke e vonuar me orë fillimin e votimit në qendrat e bllokuara. Kjo solli edhe largimin e kuptueshëm të shumë zgjedhësve nga qendra e tyre e votimit. Na vjen tmerrësisht keq për këtë. Edhe KQZ-ja duhet t’i kërkojë një ndjesë publike të gjithë atyre që u larguan në mëngjes për këtë dështim të sajin në garantimin e nisjes së votimit në çdo qendër, në orarin zyrtar të fillimit të zgjedhjeve. (…)”. Ministrja Bora Muzhaqi, Deklaratë për mediat nga Selia e Partisë Socialiste të Shqipërisë, datë 14 maj 2023, ora 14.05.
Ministrja Bora Muzhaqi “Dëgjuam reagimin e komisionerit Celibashi për “qeverinë ku bën pjesë zonja”, por nuk dëgjuam ndjesën e tij drejtuar mijëra zgjedhësve, të cilët në më shumë se 500 qëndra votimi, u penguan të votojnë pasi pajisjet elektronike të KQZ-së nuk funksionuan. Arsyet e mosfunksionimit të tyre ishin nga më absurdet, (deri edhe për moskarikim baterie), por kjo meriton një analizë të veçantë pas zgjedhjeve. Sepse “qeveria ku bën pjesë zonja” e ka financuar masivisht KQZ-në për pajisjet e identifikimit elektronik, por edhe për ato të votimit elektronik. Prandaj edhe nuk ka se si të mos na vijë tmerrësisht keq për mosdhënien e shërbimit të identifikimit elektronik, duke penguar mijëra zgjedhës për disa orë, teksa KQZ-ja nuk merrte dot as vendimin më elementar të nisjes së votimit në çdo qendër, pa i mbajtur njerëzit me orë të tëra në pritje dhe përtej orarit zyrtar të fillimit të zgjedhjeve, duke i detyruar shumë prej tyre që të largoheshin. (…)”. Ministrja Bora Muzhaqi, Deklaratë për mediat nga Selia e Partisë Socialiste të Shqipërisë, datë 14 maj 2023, ora 15.30.